Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nuhi Ismajli: Diktatori shpërblen shkrimtarin!

| E shtune, 25.06.2011, 08:03 PM |


Diktatori shpërblen shkrimtarin!

Nga Nuhi Ismajli

E çuditshme! Absurde! Shumë, e pabesueshme! Por, e vërtetë: Diktatori shpërblen shkrimtarin!!!

Diktatorët, edhe historikisht dëshmohet, se kanë synuar t’iu ofrohen shkrimtarëve, jo se i kanë dashur e çmuar, jo se synimet e tyre janë përputhur ndonjëherë me idealin dhe misionin e letërsisë, por pse kanë synuar t’i përvetësojnë e t’i shfrytëzojnë shkrimtarët dhe autoritetin e letërsisë, për të krijuar imazhin e vet pozitiv, për t’u dukur humanistë, demokratë, mecenë të kulturës; për të maskuar e forcuar diktaturën e tyre !

Diktatorët e tillë, për fatkeqësinë njerëzore, jetojnë e veprojnë edhe sot, edhe në mesin tonë, duke na habitur e bërë të mendojmë, njëherazi, se ideali dhe misioni i letërsisë prore kundërshtohen dhe janë të rrezikuar nga natyra e diktaturës.

Diktatorët e tillë, për fatkeqësinë njerëzore, jetojnë e veprojnë edhe sot, edhe në mesin tonë, sepse edhe koha jonë po nxjerr diktatorë, madje edhe në hapësirat më të vogla, në hapësirën e një komune të vogël, por diktator me tiparet e theksuara të diktatorëve më të mëdhenj, të cilët, me pushtetin e veprimet e tyre diktatoriale, në mënyrën më të egër, i kundërvihen misionit shoqëror të letërsisë, por, pa hequr dorë, njëkohësisht, as nga synimi që të përfitojnë nga autoriteti i letërsisë, duke u paraqitur si miq të saj.

Një nga diktatorët e sotëm, i cili synon të shfrytëzojë fushën e letërsisë, për maskimin dhe forcimin e diktaturës së tij, është edhe një kryetar i një komune të vogël, gjeografikisht, për fat, por një diktator me të gjitha cilësitë e një diktarori të madh, fatkeqësisht, kryetari i komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa.

Ky diktator, i cili, fatbardhësisht, sundon vetëm në një territor të një komune shumë të vogël, gjeografikisht (komunës së Gjilanit), ka të gjitha karakteristikat e një diktatori të madh, fatkeqësisht, që, si i tillë, fut hundët në çdo fushë të jetës së qytetarëve, sa punë nuk ka, ku ai nuk ndërhyn, për të mjeruar jetën.

Si diktator që është, ai shkel të drejtat elementare të njeriut dhe aq i bën kur të tjerët ia tërheqin vërejtjen për këtë! Nuk njeh vendimin e asnjë institucioni, që konstaton shkeljet ligjore të tij dhe shkeljen e të drejtave të qytetarëve! Madje, ata që mbrojnë të drejtat e qytetarëve, i kërcënon se do t’i ndëshkojë me pushtetin e tij të pakufishëm!

Nuk njeh ligjet, as gjyqet e këtij vendi. Qytetarët i dënon e i gjykon, sipas ligjit të tij. Edhe vendimet i shkruan vetë. Sipas tij, nuk ka nevojë për shqyrtime e vendime gjyqësore! Ai është vetë ligji dhe gjyqi!    

Nxjerr njerëzit nga puna, pa e brerë fare ndërgjegja, pavarësisht se i nxjerr padrejtësisht dhe për motive të tij personale, pavarësisht se rrezikon rëndë jetën e tyre! Por, nuk ngurron të dalë të pohojë publikisht se është demokrat, se zgjidh mirë problemet e qytetarëve (problemet që i shkakton ai vetë) !

I shtyp e persekuton veçanërisht intelektualët e krijuesit. Ih, çka janë ata, sipas tij, përballë një pushtetari ?! Një hiç, një asgjë! Gjithsesi, ai ka marrë me përkushtim ta kryejë misionin e diktatorit dhe të tregojë, përveç tjerash, se është politika, pushteti, gjëja më e çmuar, dhe jo arti, dija, kultura, humanizmi…

Pushtet-diktatori komunal, Qemajl Mustafa, mendon dhe përpiqet të dëshmojë se është autoritet, pa të cilin nuk bën asgjë! Se pa të, pa përzierjen e “autoritetit” të tij, nuk mund ta bëjë jetën e saj as letërsia !  

Prandaj, nuk mund të bëhet juri letrare e të vendoset diç, në fushën e letërsisë, pa ndërhyrjen e “autoritetit” të tij, dhe pa vendimin e “bekimin” e tij !

Për manifestimin “Flaka e Janarit”, përbërjen e jurisë letrare “duhet” ta verifikojë ai. Nuk mund të ketë aty anëtar, që nuk i pëlqen kryetarit! Dhe, madje, edhe jurinë, për shpërblimin letrar “B. Musliu”, duhet ta caktojë ai ! (“Kosova sot”, 7 qershor 2011 ).

Ai e ndan shpërblimin dhe ai e bën publik atë në zyrën e tij (“Kosova sot”, 14 qershor 2011 etj.). E të tjera, e të tjera absurditete despotike.

Ka edhe të tillë që thonë se kryetari i komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, është ndër më të mirët kryetarë të deritashëm, të Gjilanit!

Po, kështu mund të thonë ata që kanë përfituar ose ata që presin të përfitojnë gjë, nën rrogoz, nga miqësia e ngushtë me të. Sot, p.sh. më kot mund të kërkosh ndihmë materiale nga Drejtorati për Kulturë, ndërsa po e gjete një lidhje miqësie me Qemaj Mustafën, puna kryhet shpejt.

(Sa për krahasimin, neve nuk na intereson krahasimi, sepse kjo nuk sjell dobi. Na mjafton të vështrojmë se ç’po bën dhe se sa vlen ky i sotmi kryetar i Gjilanit ! ).   

Si i gjithëpushtetshëm, mbi çdo ligj, mbi çdo rregull, si mendon dhe synon të jetë, pushtet-diktatori komunal, Qemajl Mustafa, as nuk e ka idenë se ku duhet të përzihet e ku jo. Por, nuk çuditemi shumë pse një pushtet-diktator komunal, si ai, nuk di çka duhet ditur.

Pushtetari i drejtë, i mençur e i ditur,  e di se ku dhe pse duhet përzier (ndihmuar) dhe në se duhet përmbajtur.  

Pushtetari i drejtë, i mençur e i ditur, e di se nuk është punë e kryetarit të një komune, as të shtetit, të merret me caktimin e jurive letrare. Pushtetari i drejtë, i mençur e i ditur, e di se nuk është punë e pushtetarit të një komuneje, ose të një shteti, të ndajë shpërblime. Pushtetari i drejtë, i mençur e i ditur, e di se shpërblimin material, i cili është kontribut i qytetarëve, nuk duhet paraqitur sikur e jep nga xhepi i tij, dhe ta konsiderojë atë si meritë të tij.

Caktimi i jurive letrare, dhe jurive të tjera artistike, kulturore e shkencore, si dhe ndarja e shpërblimeve, është detyrë e asociacioneve shkencore, kulturore e artisike, dhe nuk ka çka përzihet aty kurrfarë pushtetari.

Por, për sjelljet diktatoriale të një kryetari, si ai i rastit tonë, nuk është fajtor vetëm ai. Janë fajtorë për këtë edhe puthadorët përreth tij, të cilët i ndihmojnë, për shkak të injorancës ose lakmisë së tyre për përfitime personale.

Asociacionet e ndryshme shkencore, kulturore e artistike, formojnë vetë juritë, ndajnë vetë mirënjohjet, shpërblimet, kurse mbështetjen e arsyeshme materiale, pa u përkulur, e kërkojnë nga institucionet e shtetit.

Përkulja, për të nxjerrë mjetet materiale, për shpërblimin e një krijuesi, është një turp dhe marrëzi e madhe. Ç’vlerë ka ai shpërblim, nëse ndodh kjo ?!

Kë nderon ai shpërblim !? Cili shkrimtar ndjehet i nderuar përmes një shpërblimi, i cili është nxjerrë nëpërmjet përkuljes së njeriut ?!

Kujt i shërbejmë përmes përkuljes: pushtetarit, apo shkrimtarit, i cili, në radhë të parë, nuk ka vlerat dhe interesat materiale të tij ?!

Madje, cili shkrimtar do të ndjehet i nderuar, kur merr shpërblim prej atyre që shkelin të drejtat e njeriut ?!

Cili shkrimtar ndjehet i nderuar, kur shpërblehet nga diktatori, që nuk njeh ligje, as rregulla njerëzore ?!

Cili shkrimtar, dhe me çfarë çmimi material, ndjehet i nderuar, kur shpërblehet nga diktatori, i cili shkel intelektualët dhe krijuesit… ?!

Cili krijues ndjehet i nderuar, kur shpërblehet nga diktatori, i cili krijuesit i do të përkulur dhe pa dinjitet !? …

Në rrethanat e një realiteti të shëmtuar politik, joetik e tejet antihuman, në të cilat bën jetën njeriu ynë, shkrimtarët, në vend të joshjeve nga shpërblimet, duhet të ngrenë zërin për mbrojtjen e njeriut, të drejtave e të vlerave të tij; të dinjitetit të shkrimtarit e të misionit humanist të letërsisë.