Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: “Fletë Rrufe”

| E enjte, 23.06.2011, 08:03 PM |


“ FLETË  RRUFE ”...

 

44 vjet ma parë...kur vazhdonte të dridhej fëmija..!

 

Nga Fritz RADOVANI

           

            “Pa frikë dhe me shkronja të mëdha mund të shkruaj secili, çfarë mendon ai...”!...

            Besoj ju kujtohet! Po, sigurisht, ju kujtohet tash që po e shihni këtu, mbasi pjesa ma e madhe e kanë harrue! Një pjesë tjetër kujtojmë na se e kanë harrue, ndërsa të rinjtë as nuk duen me e dijtë ndopak se çka ishte kjo “çmendì” që kishte pushtue mendjet tona!

            Më shkruen i Nderuemi Prof. Sami Repishti: “...Zoji Themeli, mbasi më rrahi në dru si kalin, më tha: “Ne e dimë që na quani terroristë, po ne do vazhdojmë terrorin tonë, kështu që edhe fëmija në bark të nënës do të dridhet sa herë të dëgjojë emrin komunist.!” Kjo shprehje e tij më ka mbetë e ngulun në kujtesën time përjetë. Terrori nuk ka qenë një armë e përkohëshme e sistemit komunist. Terrori ka qenë epiqendra e mendimit dhe e veprimit tyne!” Ky shkrim i Prof. Repishtit ban fjalë për vitët 1946 në Shkodër...

            Atëherë, kur kasapi korçar punonte në “thertoren” e punëve të mbrendëshme të qytetit të Shkodrës, nuk kishin fillue endè “Fletë Rrufetë”, por “betimi” i tyne njihej që me datën 29 Nandor 1944; pak ditë mbrapa, në Shkoder, pikërisht përballë Bashkisë së qytetit, kur mbas një fjalimi të zjarrtë të Arif Gjylit, Qamil Gavoçi shprazi mbi kokat e “armiqve të Popullit”, fishekun që edhe ai i kishte premtue porsa të merrnin pushtetin...

            Me 6 Shkurt 1966 erdhi koha e “Fletë Rrufesë”! Shpesh, kur e kujtojmë atë kohë në biseda ose shkrimet tona, e bashkangjisim me “Revolucionin Ideologjik e Kultural” dhe aty afër shënojmë...”i tipit kinez”. Shpërthimet e para të tij vërtetë që u ndigjuen në Pekin, por a ishte i tipit kinez apo shqiptar, kjo nuk më duket se asht përcaktue saktë nga ne edhe pse na e kemi jetue atë kohë. Nuk di kush ka mendue ma përpara “me ba fëmijët pa lindë me u dridhë në barkun e nanës”!!..Na, apo kinezët?!...

            Një fakt: Mbas vitit 1966, secili prind që priste me i lindë një fëmijë, mendonte me ditë të tana: “Si do t’ia vé emnin bebes së posalindun!...” Mendonte i shkreti babë si e si me përçudnue emnin e prindit të vet, për me kombinue emni i bebës që do të lindte me listat e aprovueme nga komitetet e partisë së rrethëve, që ndodheshin në zyrat e gjendjes civile. Gjithë ajo kohë deri sa vehej emni ishte një kohë stresi, mbasi levat e partisë, që punonin në disa shkolla ku përgatitëshin spijunët e ardhëshëm nga organizatat e rinisë, nëse ky emën i zgjedhun nga prindi i kujtonte ndonjë emën fetar, lajmëronin menjëherë të famëshmen organizatë profesionale të vendpunimit të prindit, ku organizohej urgjent mbledhja e gjithë kolektivit...Aty vendosej që ky prind që ka shkelë parimet e “kllasës” puntore, a do të ishte apo jo ma në atë kolektiv, apo do të largohej nga puna përgjithmonë... Edhe nga një emen i asaj bebes së vogël varej e ardhmja e gjithë familjes, tue mos përjashtue pasojat që do të ishin të pashmangëshme edhe për vetë beben që po vinte në jetën e “lumtur” të shoqnisë së re socialiste, të mbasrevolucionit kultural e që, ndoshta, kjo bebe do të rritej e një ditë do të shkonte ndër bankat e asaj shkollë “Jordan Misja”, ku, në Shkoder, Sofije Prifti e Selahedin Cena drejtonin këte luftë revolucionare kundër zakoneve “prapanike” simbas porosisë së “mysafirit” që flente e çohej në shtëpinë e drejtorit të Institutit Pedagogjik Mihajl Prifti, të udhëheqsit të atij “Revolucioni”, “bilbilit të partisë”  anadollakut Ramiz Alia.

            Ja, pra, me fakte, se bebja që do të lindte fillonte me u dridhë që në barkun e nanës dhe do të vazhdonte me ato dridhje derisa bahej burrë apo grue, e kur të martohej vetë, do të fillonin dridhjet e pafund të jetës së “lumtur” të sistemit socialist, dridhje që kush ka jetue në atë sistem makabër, asht e pamujtun që nuk i ka provue, sigurisht, me masa jo të barabarta, por i ka provue, mbasi në faza të ndryshme “shaka” u kthehej  këlyshëve të vet!

            Një grup oficerash të sigurimit të shtetit i zgjedhun për nga katillleku, i kryesuem nga Nevzat Haznedari, pat shkue aso kohe për eksperiencë në Kinë. Kur oficeri kinez pa se si torturonin shqiptarët, i tha Nevzatit: “Ju kanë sjellur gabim juve këtu, duhet të vijmë ne në Tiranë, për të marrur eksperiencë tek ju!...”. Kam bindjen se kur ka ardhë oficeri kinez në Tiranë, do të kenë mësue shumë gjana të reja nga eksperimentët e bame mbi njerëzit që kanë pasë rrezik me u masakrue nga sigurimi i shtetit shqiptar. Jo pse kinezët që torturojnë nuk dinë, por kanë fillue ma vonë torturat; në 1949 janë kenë 5 vjet mbrapa nesh, atëherë  kur, Nevzatët, Zoji Thëmelët, Kadri Hazbit’ e Mehmet Shehët, kishin marrë “diplomat universitare” për me masakrue njerëzit e pafaj, pikërisht kur sistemi komunist në Shqipni kishte zhdukë me rrajë elitën e vjetër kulturore dhe shtetnore, kur fshati po hynte në rrugën e vorfnisë së pafund kooperativiste, e kur endè “horizonti” i socializmit dukej i pafund! ... pikërisht kur filluen me ardhë edhe kuadrot e para të terroristëve komunistë nga Bashkimi Sovjetik. Sikur këtij kapitulli të historisë t’i referohemi me objektivitet, do të arrijmë në një konkluzion që për shumë historianë e studjues të shekullit të XXI do të ishte i papritun rezultati i ngjarjeve të ndodhuna në fillim të gjysmës së dytë të shek. XX në Shqipni.

            Lufta kundër kulturës, qytetnimit evropjan, intelektualëve të mirfilltë, shkatrrimi me kulm e themel i objekteve të kultit, rrënimi i monumenteve të vjetra, djegëja e plaçkitja e bibliotekave dhe muzeumeve, apo vrasja e një “fshatari”, që ka guxue me u ba prift... kjo nuk mund të quhet kurrë “eksperiencë” kineze, por asht “filo anadollake e sllavo aziatike” e shfaqun që në Nandorin e 1944, nga veprimet e bame në Shkodër prej: Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, Beqir Ballukut, Rahman Perdhakut, Shefqet Peçit, Gjin Markut, Qamil Gavoçit, Çiril Pistolit, Omer Nishanit, Sulo Gradecit, Aranit Çelës etj. dhe e vazhdueme pandërpremje për 47 vjet nga Ramiz Alia me shokë...

            Ja edhe një fakt: “Kur një ingjenjer kinez po kalonte nga shkolla “11 Janari”, po në Shkodër, ka pyetë shoqnuesin e vet shqiptar KT (emnin nuk jam i autorizuem me e tregue): “Çfarë asht kenë ky shesh i rrethuem me mure para sa vitësh?” - dhe shoqnuesi KT i ka tregue se aty ishte shumë vite ma parë shkolla dhe seminari i jezuitëve...

            Kinezi, i çuditun, për me përforcue mendimin e ka pyetë prap shoqnuesin:

            – Po keni pasë edhe jezuitë në Shqipni?!...

– Po - i asht përgjegjë shqiptari...

            Atëherë ingjenjeri kinez i ka thanë: “Pse lodhet kot Enver Hoxha me zhdukë tek ju Fenë, a nuk e di ai se aty ku kanë vue kambën jezuitët nuk mund të zhduket asnjëherë dhe në asnjë kohë; Katoliçizmi, kjoftë edhe njëqind vjet mbrapa mbas zhdukjes së jezuitëve, këtu, në këte tokë që jemi tue shkelë, ata kanë rrajtë e tyne, që njëditë do të mbijnë dhe do të rilindin, por edhe do të  lulëzojnë...Fara e Katoliçizmit e hjedhun nga jezuitët asnjëherë nuk mund të shfaroset! Komunizmi në Shqipni për mue asht i falimentuem...” (KT1967). Ja pra, edhe kinezi, “pa frikë dhe me shkronja të mëdha...” na ka tregue çfarë mendonte ai për punën dhe veprat e Enver Hoxhës, Ramiz Alisë e të sa komunistëve të falimentuem...

            Por duhet thanë edhe një e vërtetë:

            “As nuk më ka shkue mendja kurrë gjithë jetën teme se do të vijë “një kohë” që edhe unë si kinezi do t’i vé “Fletë Rrufe” Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, në përgjigje të atyne që më kanë pasë vu mue në vitin 1967 dhe 1970, se jo vetëm për kinezin, por edhe për mue, o mjeranë, ju, bashkë me komunizmin tuej, jeni të falimentuem...

E... ashtukjoftë...”

Melbourne, 2011.