E premte, 29.03.2024, 06:52 AM (GMT)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Shtegu i kaçakut

E enjte, 23.06.2011, 06:58 PM


SHTEGU I KAÇAKUT

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

Deledashi kur e hapi derën, ne ende qëndronim lakuriq njëri mbi tjetrin në shtrat. E kishim kaluar natën, po edhe gjysmën e  ditës. Me siguri do ti nxirrnim edhe një herë armët për luftë, po siç duket, këtu përfundonte beteja. Xhadia kishte rënë dëshmore e demokracisë dhe këto ditë me siguri do ti ngrihej shtatore nga ndonjë Parti demokratike “kuqezi”. Deledashi do të xhironte edhe ndonjë film dokumentar. E dinte ai se dashnoret e demokracisë i takojnë historisë. E ardhmja kërkon viktima, të kaluarës i dhamë mjaft gjak nëpër shekuj. E të tashmes i këndojmë me çifteli: O delet e mia më të mirat në katund

E di, do të më pyesni pse ende nuk na tregon për reagimet e Deledashit? Çka tju tregoj, posa na pa, iu mor goja si kalemxhi me moral. E lëshuan këmbët në mes të dhomës vetëm me një emër: Ndihmë, Ebu Xhehli!

Vjollca Rrapi tashti, pasi e dëgjoi këtë britmë, brofi nga gjumi. Vrik e vrik e veshi fustanin e zi me pika të bardha dhe doli në oborr. Unë mora një kofë me ujë dhe ia hodha në fytyrë Deledashit. Ai i hapi sytë, më shikoi mua si mëzat i tredhur dhe duke u dridhur paralajmëroi për motin nesër: me mjegulla dhe shi… Pasdite, priten edhe bubullima…

Miza në ekran. Pak muzikë. Disa reklama për agjencitë turistike. Një mishtore që shet mish “Mëzati. Një klub që reklamon gurmanët më të mëdhenj shqiptarë: një haxhi, një ministër, një deputet, një ambasador, një gazetar, një shkrimtar, një këngëtare… Dhe dikur, kur priten ende reklama, del reklama e të gjitha kohërave: Tata e Madhe.

-Teleshikues të dashur, mirëmbrëma! Unë jam Tata e Madhe, ndërsa ju jeni dele të buta me kësula të bardha! E fillojmë me lajmet. Kryetari i republikës sonë sot u kthye nga Kina. Atje, vizitoi Murin Kinez dhe një mur të këtillë, thotë, duhet ndërtuar edhe për shqiptarët. Mirëpo, gjatë rrugës i humbi një sanduk me rraqe. Aktivistët partiakë të një Partie të madhe shqiptare flasin se në atë sanduk ka qenë edhe zgjidhja e çështjes së të drejtave të shqiptarëve…

Vazhdojmë me lajmet. Xhaxhi kuqezi në një moment në foltoren e Parlamentit e shpaloi para deputetëve flamurin shqiptar. Në këtë rast reaguan Kryetari dhe deputetët, por Xhaxhi kuqezi ua priti: Mos u trembni se nuk ju ha!...

Dhamë lajmet. Teleshikues të dashur, mirupafshim nesër në të njëjtën kohë!...

Një reklamë. Tata e Madhe kërkon të punësohet në kabinetin e një ministri. Tata e Vogël paralajmëron emisionin: “Bisedë me gjeniun, në të cilin kësaj radhe do të bëhet intervistë me Mëzatin e Tredhur. Edhe një reklamë. Dilinxhiu i Kumanovës i shpall dashuri një pele. Hamshori, për ti dalë zot bukuroshes, e thirr në dyluftim Deledashin. Dashnorët e livadheve i përdorin armët, po asnjë i plagosur, asnjë i vrarë në fushëbetejë. Në ndihmë u del një Rrospi Mashkull dhe e bën pajtimin kombëtar…

-Teleshikues të nderuar, gjatë këtyre minutave mysafir të emisionit debativ e kemi Mëzatin e Tredhur. Mirëdita dhe mirë se keni ardhur në emision!

MËZATI I TREDHUR: Mirëdita! (E nxjerr gjuhën).

TATA E VOGËL: Cilit profesion i takoni ju, zoti Mëzat i Tredhur?

MËZATI I TREDHUR: Politikanit, drejtorit, qibritxhiut, specaxhiut, bythaxhiut…

TATA E VOGËL: Vendlindja juaj më e dashur?

MËZATI I TREDHUR: Qyteti i qyqeve…

TATA E VOGËL: A keni marrë pjesë në ndonjë miting politik?

MËZATI I TREDHUR: Po, në Shkup dhe Tetovë…

TATA E VOGËL: Pas postit të deputetit në Parlament, çfarë ambiciesh të tjera politike keni, zoti Mëzat i Tredhur?

MËZATI I TREDHUR: Të bëhem president i Republikës!...

TATA E VOGËL: E gruan a e keni politologe?

MËZATI I TREDHUR: Po, më ndihmon në përgaditjen e referateve…

TATA E VOGËL: E keni me shallvare apo allafrënga?

MËZATI I TREDHUR: Gruan e kam myslimane. Havalen nuk e heq as kur bëjmë dashuri…

TATA E VOGËL: Sa fëmijë i keni?

MËZATI I TREDHUR: Gra e fëmijë skemi për tu ngi…

TATA E VOGËL: Hi-hii-hiii… Vërtet qenke gjeni”…

Teleshikues të nderuar, kjo ishte intervista ekskluzive që e bëmë me Mëzatin e Tredhur. Në emisonin e ardhshëm do ta kemi mysafir Gomarin Veshëpërpjetë. Mirupafshim!...

Pas mesnate: Nuk ndodhem në shtrat, nuk ndodhem në gjumë, ndodhem në rrugë. E ngas xhipin përmes Grykës së Kaçanikut. Qytetit të cilit këngëtari popullor i këndon me çifteli:

 

“Kaçanikut i raftë pika

Që nuk di se çka asht frika

Nantë sahat u ther me thika…”

 

E mashtroj gjumin edhe pas orës tre pas mesnate. Vetë i dyti turrem nëpër terr. Ec shpatave, pushkëve dhe grykave të topave. E përcjell Natën siç e përcolla plot para një muaji në Prishtinë. Vallë, mos ishte kjo nata e fundit në rrugë?! Nuk e di. Vetëm një gjë e di: ishim përsëri bashkë në xhip, në një orë letrare, në rrugë. E diku pas dy-tri javësh do të na takonte Ndarja. Verë, poezi… Kujtime… Natë e ftohtë kjo e fundit. Natë e pagjumë. Natë e mendimeve E vjell, atëherë dëgjoj zëra… Dhembje… Lutje Vetmi…

E di, pse nuk ngula këmbë? Vështirë e kisha ta shuaj gjithë atë zjarr që të ndizej në gji. Gjatë gjithë rrugës ta pashë flakën. E ku të gjej ujë?!... Ujë… Ujë… E ti e etshme. E pashë edhe se, nuk do ta ndash ujin me Xhadinë. E mora me mend se për ty duhet edhe një lumë… Një liqen… Një det… Një oqean… E etshmja ime që së shpejti do të mbytesh në det dhe përsëri do të mbetesh e etshme… Megjithatë, unë jam me Ty edhe përtej varrit

Mëngjesi tashmë zbriste mbi Qytet. E ndala xhipin përpara pallatit. Edhe një natë e përcolla matanë maleve. E prisja të lindë dielli. Vetëm edhe një hap edhe ai zbriste në tokë. E hapa derën, zbriti Hëna. Dielli iku mes luleve me një natën e mirë!...

Gjithë ditën e lume e kalova në gjumë. Edhe pse përjashta ishte dritë, unë isha në errësirë. Vonë, dikur pas mesnate, më zgjoi cingërrima e telefonit. E ndeza dritën, i hoqa perdet. Jashtë mbretëronte errësira. Të gjithë ishin në gjumë, vetëm unë u zgjova lugat…

Vapë e madhe. Matanë dritareve nga malet e larta zbrisnin shqiponjat. E kanë mbuluar qiellin. Herë pas here fluturojnë aq ulët mbi Qytet saqë të duket se në çast do të zbresin në Sheshin e Skënderbeut. Ndonjëra i ka hapur krahët përpara Universitetit. Zogjtë shqiponja u shkojnë rretherrotull, I përplasin fletët, sulen drejtë diellit. Përsëri lëshohen mbi Qytet, ulen pak mbi përmendore. E zgjasin qafën, ngulin kthetrat, i hapin krahët…

Sorrat që kaherë i kanë pushtuar rrapet dhe nëpër degët e tyre kanë ndërtuar çerdhet, vite me radhë e dhesin Qytetin. Sheshin e Skënderbeut e kanë mbuluar plot glasa. E këndojnë atë këngën e tyre të moçme krra-krraaa… E lumi e vazhdon rrugën e tij mes këtyre glasave e këngëve që të hyjnë në kokë si pykë. Vetëm Sharri Plak e ka ngritur kokën. Verë e dimër nuk e heq kësulën e bardhë. Me keqardhje i sheh sorrat dhe qyqet sesi dita-ditës e pushtojnë Qytetin. E mbushin me glasa… Këngë krra-krraaa e ku-ku, ku-kuuu…

E hap dritaren krah më krah. I zgjas duart nga dielli. Vetëm për disa çaste dua të ik nga këto mure që më mbajnë në grusht. Vetëm disa hapa dua ti bëj matanë hekurave. E di se diku është shtegu. Shtegu i kaçakëve që u ngjitën malit. Shtegu i Kalosh Zajazit, nëpër të cilin u vinte pusi zaptive të Kralit. Çelëvjollca, ku stërgjyshi vetë i bëri ballë bullgarit. Flakë më flakë luftoi me një ushtri bullgare dhe nuk e la për së gjalli të shkelë në tokën shqiptare. Stërgjyshi u vra në atë betejë, po kënga i këndohet edhe sot e kësaj dite.

Koha e bullgarit ishte ajo kur gjyshi me kalë shale e ruante kufirin. E kalonte natën zgjuar mbi armë, i dilte zot Atdheut. Kohë tjetër është sot, kur shqiponjat ende fluturojnë maleve, e në Qytet krrokasin sorrat, kukasin qyqet. E përdhosin Qytetin me glasa. E këndojnë vetëm një këngë. Edhe qyqet u ndihmojnë, edhe pse nuk u shkon zëri. Sorrat në Qytet vijnë truma-truma, sa herë që u errësohen e skuqen sytë. E qyqet? Qyqet më Qytetin e kanë zgjedhur si vendbanim për të pjellë zogj lakuriqë: sojin e Deledashit “kuqezi”. Vite me radhë Qyteti e pret mëngjesin me këngën e sorrave dhe qyqeve.

Vetëm kohë tjetër është tashti, kur shqiponjat herë pas here zbresin nga malet dhe e mbulojnë Qytetin me flamurin kombëtar. E pastrojnë nga glasat dhe këngët krra-krraaa e ku-ku, ku-kukuuu. I hapin krahët. Përditë e më shpesh fluturojnë mbi Qytet. E hedhin Vallen e kaçakëve. Nuk e di, pse sorrat e qyqet ende mundohen të na mashtrojnë me këngë. Vallë, nuk janë të vetëdijshme se kënga e tyre krra-krraaa e ku-kuuu na hyn në kokë si pykë. Nuk na hahet buka, nuk na pihet uji. Përditë e më shumë na villet… Villet… Villet…

Megjithatë, vazhdon jeta mes glasave dhe këngëve të sorrave dhe qyqeve. Jeta vazhdon edhe me fluturimin e shqiponjave… Vallen e kaçakëve… Vetëm, sdi  pse në fund të këtij shkrimi nuk e pashë Pasardhësin e Zef Serembes. Hë, tashti mu kujtua, e pashë te Sheshi i Skënderbeut. Përsëri kishte hipur mbi kontejnerët e bërllokut dhe lexonte poezi. Tungjatjeta! më përshëndeti. Hi-hii-hiii… Tashti, ti e ke radhën të mbajsh orë letrare mbi kontejnerë të bërllokut… Rrugëve të Qytetit të qyqeve ta kërkosh Miken… Deledashit “kuqezi” ti dalish në  pusi me penë. Unë kësaj radhe më nuk lexoj poezi për të dashurën, por për shqiponjat që kanë zbritur mbi Qytet:

 

SHENJA E NISJES

OJ NËNË

 

Yjet tallen me zjarr

Qiellit i kërkoj fjalë!

Dita më bie me shuplakë…

 

Shenja e nisjes, oj Nënë!...

 

Pas mesnate im Atë e hapi derën. Hë, ende nuk të merr gjumi? Jo, - iu përgjigja pa i hequr sytë nga dorëshkrimi i romanit “Shtëpia publike. E di. Vështirë e ke ti mbyllësh sytë mes këtyre zërave matanë dritareve… Glasave… Zogut të Keq, që ende na këndon mbi çati… Megjithatë, o bir, duhet vazhduar lufta. Këngës së tij i bashkohen edhe qyqet… Sorrat… Laraskat… Dy herë me radhë e çliruam Qytetin, po u kthyem përsëri në male. Shkaku, u dëshpruam: nëpër degët e lisave të këtij qyteti, ende jetonin qyqet… Edhe ju herën e tretë pa asnjë kryengritje u tërhoqët nëpër katunde. Sorrat e sulmuan grupe-grupe, e mbushën plot glasa. Ende nëpër lisa vazhdojnë të pjellin qyqet… Dhesin sorrat, derisa një ditë Qytetin ta çlirojnë shqiponjat… E sipas shenjave që ua dërgojmë ne të vdekurit, nuk është larg ajo ditë. Edhe ne moti, thashë, ia kemi hapur derën. Zogu i Keq duhet vrarë mbi çati se kënga e tij ndjell kob… E di, o bir, e kam pasur gjithë jetën mbi çati. E ndoqëm brez pas brezi me pushkë. E ndoqi edhe yt Vëlla, që vdiq para një viti. Tashti ti e ke radhën ta ndjekësh me pushkë…

Petjetër, o im Atë. Dhashtë Zoti, Zogu i Keq kurrë më nuk na këndon mbi Shtëpi. Nëse nuk e vras me pushkë, me siguri një ditë do ta vras me penë!...



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora