E enjte, 25.04.2024, 08:46 AM (GMT+1)

Kulturë

Kujtim Agalliu: Lejlaja me turban

E enjte, 23.06.2011, 07:15 PM


Kujtim Agalliu

 

Lejlaja me turban *)

 

Tregim

 

            Lejlaja ra në sy qysh në ditët e para. Në rrugën nga shtëpia deri në punë dhe anasjelltas, qindra sy e vështronin me endje trupin e saj si bellonjë, flokët e lëshuara deri në mes dhe sidomos sytë. O ç’sy zhbirues që kishte. Dy thelpinj bajameje për nën vetullën e harkuar, gremisur nën qepallat e gjata si halat e grurit halëzi, me atë vështrimin e pjerrët, të merrnin mendjen. Turq e shqiptarë kushdo që do të ndeshej përballë kësaj mrekullie të natyrës do të ndalonte se s’bën këmbët, do mbushej me frymë dhe do bërbëliste nëpër dhemb: “O zoti, ç’është kjo perri!? Si e paske stisur kështu, kaq të përsosur!? Oh, zot!” dhe pasi dilnin nga topitja vazhdonin rrugën në nxitim e sipër për të mos u bërë vonë në punët  e tyre.

            Unë pata fatin ta njoh Lejlan më nga afër, ta shijoj dhe të kënaqem mënge me atë bukuri përrallore, me të cilën Zoti e kishte stisur atë.

            Ditët para, kur sapo kishin ardhur në Turqi  nga Shqipëria për të shpëtuar nga fukarallëku dhe papunësia, ne u njohëm rastësisht në një pasdite festive në sheshin e lagjes Vatan Mëhalesi, në mes të të cilit lartësohej monumenti i Ataturkut. Ishte koha e përvjetorit të Ataturkut dhe traditë që në këtë muaj, për disa ditë rresht, grupe të ndryshme nga e gjithë Turqia vinin e jepnin koncerte të ndryshme. Ne, shqiptarët, të ardhur rishtas dhe ende të panjohur me lagjen Stambollit ku ishim ngulur për të jetuar e punuar, nuk linim rast e mundësi pa e shfrytëzuar. Bënim, ç’bënim dhe në orët e pasdites për t’u çlodhur nga puna me orar të gjatë mblidheshim grupe – grupe dhe ngjiteshim te sheshi, ja për të dëgjuar ndonjë koncert, ja për t’u ulur e çlodhur në stolat e lulishtes aty pranë, ja për t’u njohur me familjet e sapoardhura. Të sapoardhurit si fillim përplaseshin tek të afërmit e tyre, që për t’i kënaqur dhe treguar se ata tani ishin bërë si zot shtëpie,  i nxirrnin për të parë e bërë sehir në sheshin e lagjes.

            Në një pasdite të tillë, kur sheshi gjëmonte nga një valle e shoqëruar me saze karakteristike të Karadenizit, Azbiu, koka e të cilit dilte mbi turmën përreth, bënte me shenja nga unë që rrija disa metra më përpara me familjen time. Ishte një nga të shumtit që kisha rregulluar me punë e shtëpi qysh më parë. Që nga ajo kohë ne mbanim marrëdhënie shumë shoqërore. “Eja, ma bëri me dorë, eja!” U shkëputa nga gruaja dhe fëmijët dhe u afrova tek grupi i tyre.

            - Njihu më këtë kushëririn tim, - tha sapo shkova dhe më tregoi një burrë me fytyrë të çrregullt që rrinte si i hutuar pranë tij. – Ka nja tre-katër ditë që ka ardhur.

            - I vaftë mbarë dhe mirë se na erdhi! - ia ktheva unë dhe i zgjata dorën.

            - Shiko se mos u gjen ndonjë punë vajzave të tim kushëriri, dora - dorën, pastaj këta të mëdhenjtë le të presin edhe ca ditë sa të krijohet ndonjë variant. Nuk duamë të të biem shumë në qafë, boll ke bërë për ne! – tha Azbiu dhe zgjati dorën andej nga ishin vajzat.

            Atëherë vura se pranë kushëririt të tij rrinte një grua pothuaj në të njëjtin shtat dhe pak më tej dy vajza të reja, njëra mbi 19 vjeçe dhe tjetra ja 14, ja 15. E vogla mbante përdore një djalë jo më shumë se 6 vjeç. Ato ishin lëshuar tërë kureshtje e ndiqnin koncertin. Sytë më ngelën tek vajza e madhe e kushëririt të Azbiut. Edhe pse grumbulli që e qarkonte ishte tepër i ngjeshur, ajo binte në sy mbi të gjithë me bukurinë e saj. Më dukej sikur fytyra e ndriçonte atë muzg të dendur që po pushtonte sheshin e madh festiv. Kushedi sa do kisha ndenjur ashtu duke vështruar si i babëzitur, sikur zëri i Azbiut të mos më kishte nxjerr nga tulatja:

            - Lejla, - iu drejtua ai vajzës së madhe, - jepini dorën xhaxhi Nevruzit. Është një miku im dhe i thashë t’ju gjejë ndonjë punë. Për punë kemi ardhur apo jo?- pastaj m’u drejtua mua, - Hë, si thua e ke të vështirë t’u gjesh ndonjë punë sa për fillim?

            Por unë, ndërsa dëgjoja Azbiun, mendjen e kisha te dora e bardhë, që u zgjatë drejt meje, shoqëruar me një buzëqeshje që rridhte nga ata sy magjepsës dhe derdhej tek cepat e buzëve me kaq hijeshi e naze sa të prishte mendjen.

            - Përshëndetje, xhaxhi, - tha ajo me një thjeshtësi e ëmbëlsi marramendëse.

            Pasi e mora veten nga trullosja e këtij takimi të papritur (në djall koncerti i karadenizajve!) u ktheva nga Azbiu dhe i thashë me siguri të plotë:

            - Kam një kërkesë për punëtore aty, ku punoj unë. Janë me fat se pronari qysh po pret. Që nesër do ta çoj, së paku vajzën e madhe.

            - Por...por...do të ishte më mirë që mos i ndaja vajzat se janë të reja dhe të huaja këtu, - tha me gjysmë zëri kushëriri i Azbiut. – A nuk mundesh t’i rregullosh të dyja në një vend pune?

            Kërkesa e tij më vuri për disa çaste në mendime, por pas pak u përgjigja po me atë siguri që më karakterizonte:

            - Mbase të dyja tek i njëjti pronar edhe nuk mundet, por së paku në të  njëjtën godinë po, - ia ktheva, - prapëseprapë bashkë do shkojnë  e kthehen nga puna.

            - Epo mirë, ti e di, - u dorëzua i ati i Lejlasë, - mjaft të mos rrinë pa punë se jemi hallexhinj.

            - Lëre muhabetin, Isa, e di Nevruzi këtë punë. Të gjithëve u ka bërë ndere.

            Unë që u lavdërova para vajzave dhe babait të tyre, Isait, u ngrefosa dhe fola si njeri kompetent:

            - Kështu, pra, nesër të dalin vajzat deri këtu ku jemi sonte, se vij unë dhe i marrë. Puna është afër. Ja, shiko atë godinën atje matanë rrugës kryesore. Nuk është më larg se treqind metra që këtej.  Mos harroni, ose hajdeni vetë, ose t’u bjerë dikush nëse nuk e gjeni dot rrugën, në orën tetë pa një çerek ju dua këtu.

           - I sjell unë, kur të shkoj në punë, - tha Azbiu, - ku e gjejnë dot rrugën ato, katër ditë kanë që kanë ardhur.

            Me kaq u dhashë dorën (O zot, ndjesia e dorës së butë të Lejlasë nuk m’u hoq tërë atë natë!) dhe shkova te grupi im që bënte si bënte e kthente sytë nga unë.

            Brenda një muaji, Lejlaja kishte përparuar shumë. Pak turqisht kishte mësuar dhe në hanin e trikove “Nishan Ojllu” ishte bërë tepër e njohur. Kur vinte dhe shkonte në punë, pronarët e dyqaneve ngrinin kokën pas xhamave të vitrinave dhe bënin çmos për t’i marrë ose dhënë një përshëndetje Lejlasë. Ajo shkonte e vinte nëpër korridorin e gjerë të hanit dhe rrotullonte vështrimin e saj të pjerrtë sa në njërën anë të vitrinave në tjetrën, e kënaqur me suksesin e saj. Madje, një ditë, ndërsa isha duke pastruar me fshesën time, tashmë legjendare, Ilmiu, një pronar i ri që e kisha shumë shok, doli tek dera dhe ma bëri me dorë të afrohesha.

            - Daji, - më tha duke më shtrënguar njërin krah fort, - ti e çove tek Hasan beu Lejlanë?

            - Po, - i thashë, - pse?

            - Ah, be daji, ta kishe sjell tek unë, be, - dhe më shkeli syrin. – Nuk do ta vija të punonte fare, për Allah, dhe rrogën do t’ia jepja.

            E dija se kjo ishte një shaka, ndaj ja ktheva po ashtu:

            - Ishte kësmeti i tij, Ilmi bej, pastaj ti nuk më kishe thënë gjë. – Ai vetëm sa qeshi dhe më ra shpatullave.

Papritur unë isha kthyer në personazh. Dhe shkakun e dija fare mirë, unë kisha sjell, ndonëse pa e ditur as vetë, një perri në këtë hanë tekstilesh që zhurmonte  nga mëngjesi në mbrëmje nga lloj-lloj njerëzish që hynin e dilnin pa pushim, pronarë, shitës e shitëse, punëtorë e hamej, tregtarë shumice nga shtetet përreth etj., etj. Lejlaja i kishte dhënë dritë, i kishte dhënë jetë, dukej sikur kishte prishur ritmin e zakonshëm disa vjeçar të këtij hani gjigant e të vjetër. Dhe princi që e kishte sjell atë aty isha unë, kaq mjaftonte të më shihnin si një njeri të veçantë. Kush e kush nga pronarët e dyqaneve që do të përballej me mua do të më ftonte për një çaj edhe nëse unë ngulja këmbë se nuk doja.

Hasan beu, pronari i Lejlasë, sa herë që ndodhte të isha para fabrikës së tij, gjente rastin dhe më fuste me “zor” ndonjë bakshish të vogël në xhep. Por më e çuditshme ishte se edhe djali i tij, me të cilin ai punonte, Gohkani, kishte filluar të kthente sytë nga unë. Unë nuk e honepsja dot nga që ishte pak kapadai dhe i ftohtë. Por Gohkani kishte ndryshuar marrëdhëniet me mua. Ai më përshëndeste dhe shpesh më ftonte për çaj. Kurse me Lejlanë shoqëria jonë kishte avancuar shumë gjatë kësaj kohe. Shpesh kthehesha tek dyqani ku e kishte vendosur Hasan beu kohët e fundit dhe nën vështrimet ziliqare të dyqanxhijëve përreth shkëmbeja ndonjë llaf fol e qesh. Kishte raste që e shoqëroja deri në shtëpi, apo ktheheshim e hanim ndonjë tollum Diarbakiri tek ëmbëltorja jonë e preferuar. Kishte ardhur koha kur ajo nuk e kishte problem të më hapte zemrën për probleme të ndryshme intime. Ndaj nuk u çudita kur një ditë më tha:

- Si të duket Gohkani, djali i pronarit?

- I pashëm është, - i thashë pa u ngutur deri sa të merrja vesh qëllimin e pyetjes, - por mua nuk më pëlqen tipi i tij.

  - Nuk ka tip të keq, jo. Ashtu duket, por po ta njohësh nga afër është mjaft interesant.

“Paska rënë brenda Lejlaja”, mendova unë aty për aty dhe po prisja vazhdimin e bisedës.

- Më është vardisur keq, - tha ajo me sytë e bukur mbi pjatën e vogël të ëmbëlsirës. – nuk e di si të bëj!

- Po ty të pëlqen? A ndjen gjë për të? – e pyeta.

- Po, më pëlqen, por ende jam e pavendosur. Ndaj desha të marr edhe mendimin tënd. Se si më duken këta turqit, pak të vrazhdë me femrat.

Unë qesha lehtë:

- Ashtu duken se janë të mbytur nga paragjykimet, por në thellësi janë tepër të ndjeshëm, sidomos në dashuri. Janë edhe besnik, nuk të braktisin kollaj. Shih e bëj, Lejla, për këto punë nuk ka receta. 

Ajo ra në mendime për një çast dhe ngriti kokën e tha:

- Desha të merrja një opinion nga ti, se në të vërtetë ne i kemi përfunduar gjërat. E pranova kërkesën e tij dhe këto ditë do shpallim fejesën.

Pas dy tre ditësh, disa nga komuniteti i shqiptarëve që ishin bërë të afërt me familjen e Lejlasë shkuam për urim grupe – grupe sipas familjeve.

Unë me time shoqe shkuam të parët, sepse qëkur i kisha ndihmuar për punën, ne ishim bërë mjaft familjar. U ulëm, u përshëndetëm me prindërit e Lejlasë dhe po prisnim të na vinte tabakaja e qerasjes. Mua nuk më la ime shoqe ta ndizja cigaren që nuk  hiqja kurrë nga buza: “Prit, më tha në vesh, të vijë ëmbëlsira njëherë se është gjynah ta nisim me helm!”

Dera e kuzhinës u hap dhe në prag të saj u dha Lajlaja, të cilën nuk e kishim parë që atëherë, me një tabaka të madhe mbushur plot me pjata të vogla ëmbëlsirash. Ne ngelëm të befasuar. Vetëm sytë rrëzëllues dhe shtati i gjatë si bellonjë ishin të sajat, apo së paku ato që ishim mësuar të shihnim ne përditë. Mbi flokët e saj të zinj (ne kështu i patëm parë se tani ata ishin të fshehur) ajo kishte lidhur një turban nga më të bukurit që gjendej në Stamboll. Trupin ia mbulonte një manto e gjatë, prej cope të kushtueshme deri në nyje të këmbëve të vogla. Pasi e mora veten nga befasia e këtij transfigurimi të çuditshëm nuk m’u ndenj pa pyetur:

- Lejla, ti je apo më bëjnë sytë. Çfarë ka ndodhur me ty?

Ajo qeshi me gurgullimë dhe tha:

- Unë jam, kush tjetër? Pse nuk jam bërë e bukur? Nuk më shkon kjo veshje?

- Lejlaja ka dy ditë që është mbuluar, - ndërhyri i ati. – Kështu deshën ata miqtë. E paskan traditë që gratë nuk i lejuakan evropiançe.

- Dhe ti pranove të visheshe kësisoj?! Nuk arrij ta kuptoj dot se si mund të rrijë tipi yt nën atë veshje...megjithatë këto janë punët e tua! – iu ktheva Lejlasë i pakënaqur.

Epo për dashurinë çfarë nuk bëka njeriu, - tha ajo dhe kukurisi përsëri tërë naze. 

Pas kësaj vizite Lejlanë nuk e pamë më si më parë, nën manton e gjatë dhe turbanin bukuria e saj dukej sikur kishte firuar. Hiret e atij trupi të gjatë e të bukur, e atyre kofshëve të drejta e borë të bardha, ishin fshehur nën rrobën e gjatë të zakonit. Veç kësaj ajo për t’u paraqitur më turkesh se ato vetë, çdo të premte me një libër të trashë lutjesh të shkruar arabisht, të pushtuar me parakrahun e saj dhe të mbështetur mbi gjoksin e gufuar, shkonte në xhami e falej.

Qëkur u fejua dhe u mbulua, fytyra e Lejlasë e humbi atë shkëlqim boreal të kishte. Ajo dukej si hëna, të cilën herë - herë e zinin re kalimtare dhe ndriçimi i saj nuk vinte i plotë deri në tokë. Unë habitesha se si mund të fshihej nën atë veshje karakteri i saj lozonjar, zhdërvjelltësia dhe nazet e një vajze të edukuar ndryshe, me një kulturë liberale. Dukej sheshit se në shpirtin e saj rebel, të mësuar me një jetë tjetër, këto ndryshime ishin si zinxhirë i lidhur fort pas këmbëve. Vrisja mendjen të gjeja arsyen  e kësaj venitjeje tek ajo, por edhe që ta pyesja nuk guxoja nga frika se mos e teproja po të ndërhyja më tepër se sa ma lejonte rangu dhe njohja në punët e saj imtime. Por nga ky siklet më nxori ajo vetë një ditë pasi po largoheshim nga puna. Gjatë rrugës për në shtëpi ajo, ndali këmbët, u drejtua nga unë dhe më tha:

- Dua të më ndihmosh, - dhe m’i nguli sytë, - veç teje nuk kam tjetër njeri që mund t’i hapem!

- Lejla, pashë Zotin, ç’qenka kjo ndihmë që po më kërkon? Unë gjithmonë kam qenë pranë teje dhe nuk ta kam kursyer asnjëherë, apo jo? Është e vërtetë?

- E di, dhe të falënderoj, por kjo që do të kërkoj është pak më e ndërlikur, – dhe papritur që ta pyesja përsëri vazhdoi. Ishte në siklet dhe e vura re se me stërmundim po mundohej të ma shpjegonte, - Dua të më ndihmosh të bëhem përsëri vajzë! 

Unë shqeva sytë nga habia:

- Po ti vajzë je, dhe çfarë vajze se! Të kanë zili të gjithë sa të shohin.

Ajo, vuri pak buzën në gaz, puliti sytë dhe mendueshëm vazhdoi:

- Mos bëj sikur s’kupton. Unë...unë nuk thashë se jam djalë, por dua, hem...dua të bëhem përsëri e virgjër. Pra, tani, ta thashë dhe po ta përsërit:  më gjej një klinikë private ku bëhen këto marifete. Kam dëgjuar se këtu në Turqi ka të tilla. 

Mua sikur më ra rrufeja papritmas. Kurrë nuk kisha dëgjuar për gjëra të tilla dhe sidomos për në Turqi ku fanatizmi të nxirrte sytë. Ashtu, i shokuar nga ajo që dëgjova rrija përballë Lejlasë dhe dukesha si budalla. Ajo siç duket e vuri re topitjen time dhe vazhdoi, por tani, që më të madhen e kishte thënë, disi më e qetë dhe më e vendosur:

- Kam pasur të dashur, por u vra në ‘97-tën. Tani të tjerat i kupton vetë. Së shpejti do martohemi dhe kam frikë se Gohkani nuk do ta gëlltis dot këtë. Ndaj dua të marr masat sido që të ndodh. Më qafsh mua, po nuk ma bëre këtë nder! Ti e di si janë Turqit, ata e vlerësojnë shumë natën e parë të martesës. Gohkani nuk di gjë. I kam thënë se jam ashtu siç më ka vërë nëna.

- Qafsha hasmin! - ia ktheva me shaka. – Për ty do bëj njërën, veç të mos kesh telashe!

Brenda javës gjeta një klinikë të tillë, bëra pazarin me mjekun kirurg dhe të dy me Lejlanë shkuam e mbaruam punë brenda dy orësh. Tanimë dukej sikur çdo gjë po ecte për bukuri. Lejlasë i erdhi çehrja në vend dhe ju kthye gazmendi i mëparshëm. Edhe takimet tona sikur u rralluan disi për arsye se kisha gjetur edhe një punë shtesë dhe hera herës shkoja edhe atje për të punuar. Kaloi një javë, dy dhe ajo humbi nga sytë sikur ta përpinte dheu. Ndërkohë ne ishim sy e veshë për të marrë vesh ditën e dasmës, që të shkonim dhe të argëtoheshim pak se na kishte vajtur në majë të hundës orari i gjatë e puna e lodhshme. Veç kësaj kjo do të ishte edhe dasma e parë midis nesh dhe turqve dhe kureshtja ishte edhe më e madhe.

 

*       *      *

            Një ditë, një miku im më ra në qafë dhe më kërkoi t’i bëja një “nder”. Ai m’u lut t’i merrja një laje-kalimi në Konsullatën tonë që ndodhej në Nishantash, se nuk mundej ta bënte vetë këtë punë, pasi pronari nuk i jepte leje të shkonte. U ngjita në katin e dytë dhe trokita në derën e Konsullatës. Një vajzë lëneshë, që unë e njihja qysh më parë, pasi kisha vajtuar disa herë për probleme të ndryshme, ma hapi derën dhe unë u gjenda brenda. Pasi u ula në një karrige që më tregoi ajo me dorë fillova t’i shpjegoj problemin për të cilin kisha ardhur. Pasi më dëgjoi ajo ma ktheu:

            - Më vjen keq zotëri, por kam frikë se këtë herë nuk mund të të ndihmoj dot. Na ka ndodhur një skandal dhe e kemi rreptësisht të ndaluar të japim lejekalimi pa u paraqitur personalisht i interesuari, së bashku me djalin apo vajzën. 

            - Vërtetë po më çudisni, - i thashë, - sepse ky nuk është rasti i parë që unë vij. Nëse nuk e keni problem a mund ta di shkakun?

            - Nuk është sekret. Para pesë ditësh na erdhi një person si puna juaj dhe na kërkoi një leje-kalimi të tillë për një vajzë, të cilën tha se e kishte kushërirën e tij. Natyrisht që unë ia dhashë, por të nesërmen i ati i vajzës na zuri derën. Ai ishte shumë i shqetësuar sepse me atë lejekalimi e bija ishte zhdukur pa nam e nishan. Tani, e kupton vetë se në ç’situatë nga ka vënë. Kjo punë nuk mbyllet me kaq. – dhe me një hije trishtimi, që dukej hapur në fytyrën e saj, ajo nuk më la asnjë shteg për të vazhduar.

            Mendja më shkoi tek Lejlaja, te mungesa e saj e gjatë dhe tek parandjenja ime që më mundonte prej një jave. Dhe nuk isha gabuar, Lejlaja ishte zhdukur dhe që nga ajo ditë ne nuk e pamë më në lagjen Vatan Mëhalesi, as sot e kësaj dite. Në kujtesën tonë mbeti turbani dhe mantoja e gjatë, veshje e cila që në fillim dukej se nuk do t’i përshtatej asnjëherë bukurisë dhe natyrës së saj rebele.

 

*) Turban - veshje tradicionale e një pjese të femrave myslimane.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora