E marte, 04.08.2020, 08:42 AM (GMT+1)

Editorial

Ilir Çumani: Ndalni dhunën ndaj jetimëve!

E merkure, 22.06.2011, 08:05 PM


 

Promemorje

 

Ndalni dhunën ndaj jetimëve!

 

Nga Ilir ÇUMANI

Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë

 

Këto ditë shqiptarët dhe mbarë Shqipëria u bënë dëshmitarë të një skene të shëmtuar dhe të dhunshme, të paprecedentë dhe të pashëmbullt; atë  të diskriminimit social dhe shkeljes flagrante të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut…. Njerëz të administratës shtetërore, me anën e sjelljeve dhe veprimeve arrogante, brutale dhe antihumane na thanë të gjithëve hapur, se si institucionet dhe shteti  ynë përbuz, përçmon deri në dhimbje, denigron deri në poshtërim një nga shtresat më    përvuajtura dhe më të pambrojtura të shoqërisë shqiptare, atë shtresë    fati i keq tragjik e ka  etiketuar dhe me sa duket,  e ka destinuar për të qenë gjithmonë JETIM…!

 

Zyrtarë të shtetit, dhe njerëz  të papërgjegjshëm të paguar nga taksapaguesit shqiptarë, shfaqen befas si djalli në mjedisin tonë social dhe me lëkurën e tyre  antihumane, (pse jo  dhe pa asnjë  integritet moral e shoqëror), marrin guximin të ngrenë dorë mbi jetimët, t’i fyejnë, t’i poshtërojnë,  t’ua  vrasin edhe shpresën e fundit,  shpresën se  mbase një ditë, edhe për ta  do të bëhet mirë….

O Zot i Gjithëmëshirshëm…! Fali, se nuk dinë ç’farë bëjnë! Janë skena bizantine që shfaqen dukshëm dhe me neveri në ekranet e televizionit, në kontrast me realitetin dhe kohët moderne që sot jetojmë. 

 

Familjarë dhe fëmijë jetimë, që në kushte shumë të vështira,  banonin prej kohësh në konviktet  e Shkollës Teknologjike në Tiranë, u hodhën dje nga shteti e qeveria në rrugë të madhe. U lanë në mëshirë të fatit. Ku është Ministria e Punës, e Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, që është e detyruar me ligj të zbatojë “statusin e jetimit”…!?  Shteti dhe qeveria duhet të përmbushin detyrimin ligjor për trajtimin social dhe integrimin e kësaj shtrese në nevojë. Ligji nr.8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e Jetimit” parashikon 22 nene, që ngarkon disa institucione të shtetit shqiptar, por në veçanti ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, për zbatimin e këtij ligji. Ky ligj përcakton qartë të gjitha kriteret dhe të gjitha kategoritë sociale të jetimëve që përfitojnë lehtësira në drejtim të punësimit, strehimit, trajtimit mjekësor dhe shërbimeve të tjera sociale.  Mirëpo ky ligj ka mbetur i shkruar  vetëm në letër. Tani fëmijët jetimë të  konviktit “teknologjikes”,  ashtu si qindra të tjerë në  të gjithë  vendin,  nuk kanë asnjë strehë ku të futin kokën! Ku është qeveria, ku është kryeministri?

 

Ata fëmijë, që u hodhën dje  në rrugë të madhe, tani duhet të përballojnë të vetëm varfërinë, sëmundjet, fatkeqësitë, pa patur kohë për të menduar për ëndërra, dëshira e të drejta, për të qenë si gjithë qytetarët e vendit të tyre, si të gjithë të tjerët… Këta fëmijë meritojnë vëmendjen e gjithë shoqërisë shqiptare, sepse jetimët  sot, janë shtresa më e zhgënjyer dhe më e pambrojtur e shoqërisë, mbi të cilët vetëm është abuzuar e janë shpërdoruar  fonde pa fund nga strukturat shtetërore. Megjithse shteti ka të gjitha përgjegjësitë institucionale për t’u kujdesur për jetimët, “statusi i jetimit” është  i mbuluar nga “pluhuri i harresës”. Ky është një realitet i dhimbshëm që duhet pranuar dhe thënë tashmë më zë të lartë. Kjo nuk është aspak humane. Kjo është antinjerëzore, është katastrofike. Jetimët nuk kanë nevojë për lëmosha ushqimore e veshjesh, por duan vëmendje të përhershme, duan përkujdesje shtetërore, arsimim, punë, strehim, integrim. Është një privilegj i madh i madh për një shtet human e demokratik që  të merret me njërëzit në nevojë, me jetimët. Ata kanë nevojë për kurajë e besim, që t’i shndërrojnë ëndërrat e tyre në realitet. Ekziston një Ditë Kombëtare në ndihmë të jetimëve, siç është edhe 20 Maji, të cilën ne si Institut Kombëtar i Integrimit të Jetimëve e përkujtuam me ato pak ndihma  modeste të donatorëve vendas e dashamirës, por askush nuk u kujtua nga qeveria dhe shteti shqiptar  që të jepte qoftë edhe një mesazh shprese e ngushëllimi për këta fëmijë. Ata ishin aq të preokupuar me fushatën elektorale, me luftën për pushtet, saqë kujtesa për jetimët u bë NUL. Të gjithë duhet të kthejmë sytë nga jetimët, që edhe ata të mos ndjehen të braktisur, që edhe ata të ëndërrojnë si njerëz të lirë e të barabartë. Vetëm kështu do të arrihej një paqe midis nesh, vetëm kështu shoqëria shqiptare do të bëhej edhe më e mirë dhe më e civilizuar, për t’i hapur rrugë integrimit evropian.

 

Shtetarë dhe pushtetarë, ju parlamentarë që aq bukur hartoni  ligje, dhe keni miratuar Kushtetutën e këtij vendi, i cili aspiron integrimin evropian! Ju zyrtarë të administratës publike të pushtetit lokal dhe  qëndror që aq bukur flisni  dhe ligjëroni nëpër foltoret dhe ekranet televizive… Më lejoni t’ju  bëj me dije se,  askush nuk ka të drejtë të përçmojë, të përbuzë, të përjashtojë, të fyej dhe të diskriminoj  shtresën e jetimëve. Sepse këtë e sanksionin me Ligj  Akti Themeltar i shtetit tonë, Kushtetuta e Shqipërisë,  e cila në nenin 18, pika 2 e saj, thotë se:

“Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare e filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore…” 

Këto ditë, të gjithë së bashku pamë  në media një skenë të  shëmtuar se si shteti  shkel  haptazi dhe në mënyrë flagrante,  Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut. Përveçse  pamë  se si konsumohej  në mënyrë kolektive një krim social, por, pamë më së shumti, se,  ky është  edhe një TURP  dhe njollë e zezë    ndërgjegjen morale për të gjithë ne  si shoqëri!

 



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora