E marte, 16.04.2024, 04:04 PM (GMT+1)

Mendime

Ardian Ndreca: Prejardhja e largët shqiptare e filozofit Benedetto Croce!

E marte, 05.02.2008, 07:08 PM


Prejardhja e largët shqiptare e filozofit Benedetto Croce!

Nga Ardian Ndreca    

Ardian Ndreca
Këto vitet e fundit kemi ndie deri në neveri sesi shkruesa të ndryshëm janë përpjekë me nxjerrë me çdo kusht me prejardhje shqiptare njerz të shquem të gjitha fushave të jetës.
E kështu u gjetëm papritë me nji numër të madh perandorësh romakë, vezirësh, tregtarësh, pashallarësh apo artistash shqiptarë, të cilët në të gjallë të vet nuk e kishin ba kurrnji të mirë për Shqipninë por që sot gjithsesi nji farë shqiptarësh krenohet me ta.
Së pari asht krejt e vështirë, nemos e pamujtun, me folë për përkatësi kombtare shqiptare në kohna kur ky koncept s’ishte kurrkund, e së dyti vlera e nji shqiptari matet drejtpërdrejt me at’ që ai ban në lidhje me atdheun e vet e jo me përrallat e dushkut që tregohen sot për të.
Por kemi pa edhe primjen e kundërt, sidomos në rastin e Nanë Terezës, kur u hodhën me ia mohue prejardhjen shqiptare tue na e nxjerrë prej s’di se kah.
Të dyja primjen i përkasin nji niveli të vetëm, atij që lëviz prej forcës së inferioritet e kërkon grremça për me dalë e me u dukë. Ne nuk kemi nevojë as me e dhunue historinë dhe as me e zbukurue atë, le t’ia lamë këtë zanat atyne që s’kanë të kalueme dhe që priten e përcillen si shtegtarë në toka e në vise të hueja – pa dijtë se prej kah vijnë e ku janë tue firue.
* * *
Mbas këtyne fjalëve merret vesht se nuk kemi ndër mend me e nxjerrë B. Croce-n me zor shqiptar e zog shqiptarit, por thjesht me u ndalë te disa rreshta që ai vetë shkruen në nji vepër të tijën historike.
Për ata që s’e kanë ndie apo që e kanë ndie por s’dijnë ma shumë, Benedetto Croce ka qenë nji filozof, historian, kritik letrar, politikan italian që ka lind në vitin 1866 në Pescasseroli e ka vdekë në vitin 1952 në Napoli.
Studjues i Hegel-it dhe i hegelizmit, kultivues i studimeve letrare dhe i historisë së Italisë, i përkushtuem mbas temave estetike dhe mbas ideve historike të Giambattista Vico-s, Croce do të bahej mjaft heret i njohun në ambjentet intelektuale italiane dhe europiane.
Në fillim marrdhanjet e tija me filozofin e shquem italian Giovanni Gentile do të jenë të afërta dhe miqsore, por ngadalë, ndërsa Gentile afrohej me fashizmin, Croce do të ftohej me të dhe në fund miqsia do të prishej përgjithmonë.
Në lamije të politikës Benedetto Croce mbetë liberal i vërtetë, në fushën filozofike ndihet te ai trysnia e fortë e Hegelit dhe pesha e Vico-s, në fushë të historisë dhe të historisë së letërsisë asht gjenial dhe vijon në nji farë mënyre vazhdën e De Sanctis-it.
Le të vijmë tashti tek prejardhja e tij e largët shqiptare.
Në nji libër të tijin me titull “Due paeselli d’Abruzzo: Pescasseroli e Montenerodomo” autori flet për historinë e vendeve prej kah rridhshin prindt e vet: Pasquale Croce e Luisa Sipari. I jati ishte me origjinë prej Pescasseroli-t ndërsa e ama prej Montenerodomo-s – të dyja këto vende ndodhen në krahinën e Abrucit (Abruzzo), pra përballë Adriatikut.
Tue folë për familjen e së amës, Croce tregon se familja Sipari njihej në at’ zonë tue nisë prej vitit 1656. Prej dokumentave historikë del se nji farë Marcantonio di Siparo me profesionin “bassettiere”, skaj që shenjonte nji njeri që merrej me shitblemjen e lëkurave të qingjave dhe deleve (bassette), ishte përfaqsues i komunës së Pescasseroli-t dhe merrej verimin e grigjave në Pulje.
Tue arsyetue prej emnit dhe prej zanatit, shkruen Croce, nuk asht e pamujtun që kjo familje, që nuk ishte prej ma të moçmeve të asaj zone, ta kishte prejardhjen prej bregut tjetër të Adriatikut (vep. cit., fq. 94).
Kurse në nji shenjim, po aty, ai tregon sesi simbas gjurmimeve të tija dhe sidomos prej të dhanave që kishte marrë prej prof. Francesco Lorenzo Pullè, fjala Siparo kishte mundësi me e pasë prejardhjen prej Ciparum, Sipar, Scipar – nji qytet i vogël i Istries. Por nji katund me emnin Seperi (Sheperi) – shton menjiherë Croce gjindet edhe në Shqipni.
Tek i njejti studim Croce përmend edhe aktivitetin politik dhe letrar të dajës së vet: Francesco Saverio Sipari (1828-1874), i cili mbasi kishte përfundue studimit në jurisprudencë në Napoli ishte marrë me letërsi dhe politikë.
Ajo që të ban përshtypje tek ky autor modest, asht fakti se jo vetëm ishte lexues i etshëm i Hugo-së, Lamartine-it, Berchet-it, Prati-t etj, por në krijimet e veta trajtonte tema si ajo e Plakut të Janinës, temën e Suljotit, gja që mund të spjegohet edhe thjesht si ndikim i nji fryme romantike të asaj kohe por edhe si nji reminishencë e prejardhjes së tij.
Këtu merr fund “zbulimi”.
Por edhe në qoftë se Croce-ja do të ishte me prejardhje shqiptare nuk do të ndryshonte asgja.
Randësia e tij do të kishte kuptim nëse shqiptarët do të mësonin diçka prej mendimit të tij filozofik, prej pasionit të tij liberal në jetën publike, prej qëndresës së tij ndaj kufizimit të lirive gjatë periudhës fashiste dhe prej kundërshtimit të tij ndaj luftës.
Me nji fjalë, në qoftë se vlera universale e nji njeriu si Croce do të ndikonte në formimin e ndërgjegjes dhe kulturës shqiptare, atëherë Croce (apo nji tjetër njeri i madh) do të ishte patjetër shqiptar, edhe pa pasë asnji lidhje farefisnore apo gjaku me Shqipninë.
Kurse të gjithë ata “shqiptarë” të mëdhaj që s’e kanë vu nji gur në Shqipni, që s’kanë mendue veçse për vete dhe në fund s’kanë lanë mbrapa kurrgja, nuk kanë asnji kuptim për Shqipninë dhe për ne, pse e kanë jeta e tyne ka qenë afirmim interesash të ngushta personale që sot janë mbulue nën pluhunin e randë të harresës së moteve.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora