E shtune, 20.04.2024, 04:18 PM (GMT+1)

Përjetësi » Mani

Kadri Mani: Ndërron jetë Nekibe Kelmendi, Avokate e ministre e Drejtësisë

E marte, 21.06.2011, 07:59 PM


Kadri Mani

 

Ndërron jetë Nekibe Kelmendi,

Avokate e ministre e Drejtësisë

 

O tek-o len dielli-o e praron hana

Nekibe Kelmend-o ma nuk-o ban nana!

 

Ndërron jetë deputetja Nekibe Kelmendi

O shumë mërzitet populli-o trandet vendi!

 

Kelmendi ishte bashkëthemeluese e LDK-së

O dhe për këtë parti-o shkrini mendtë e kresë!

 

O ju lexues që do të parakaloni-o ndër breza

Do t’pyesni përse kjo grua ashtë veshur n’t’zeza!?

 

O mësuesja e jetës nëse ashtë-o bre histoaria

Mësoni mirë se kush ashtë-o kjo shtrigë Serbia!

 

Shtrigë Serbia-o o bre me shmë-o komita

Në çdo shteg-o t’jetës na ka dalë-o në prita!

 

Shkiet e dehur t’organizuar-o nëpër yrrfia

Çetniktë e zonj na kanë hy edhe ndër shtëpia!

 

Po xjerrin thika-o bre po nxjerrin jatagana

O i madhi Zot haramët t’ftoftë-o i prektë nana!

 

Si në masakrën e Keqekollës e t’Prapashticës

O tre anëtarë t’familjes-o ia vrasin edhe Nekibes!

 

O dy djemtë dëshmorë Kastrioti edhe Kushtrimi

O si dy shqiponja-o bre secili më trim-o se trimi!

 

Fill pas tyre ia pushkatojnë-o dhe Bajram burrin

Pamëshirësia-o karakterizon dushman-o kaurrin!

 

Kastrioti njëzeteshtatë vjeç la t’birin 3-vjeç Sokolin

Kushtrimi gjashtëmbëdhjet vjeç as e pa detin molin!

 

E bija Kosovarja në zyre në nënës Nekibe punon-e

O po e zavendëson si kryefamiljare e në profesion-e!

 

Pas një sëmundje të rëndë-o në moshën 67-vjeçare

Vdes Nekibja ishte ministre e Drejtësisë dhe avokate!

 

Nekibe Kelmendi ishte avokatja e parë në historinë

E gruas shqiptare në Kosovë andaj donin ta zhbijnë!

 

O që të mbetet populli ynë shqiptar krejt shkret-e

Pa përkujdesje e pa mbrojtje nga avokatja e vet-e!

 

O edhe një faj të madh-o kishin bërë burrë e grua

Aktakuzën e krimeve Serbisë-o n’Hagë ia kanë çue!

 

O si të lënduarin rëndë që e mbështjellin n’fasha

Plagët e zemrës po ia zbuste shoqja e vet-o Natasha!

 

O po për-o drejtësi ishte si një meleqe

O në një rast mospajtimi-o pati dhënë drëheqje!

 

O sa t’jetë jeta- o bre për me-o jetue

O popull shqiptar-o kurrë s’ka me të harrue!

 

__________

 

Në vitin 1999, ditën e parë pas fillimit të bombardimeve, forcat okupuese serbe ia vranë bashkëshortin, avokatin e njohur Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e saj, Kushtrim dhe Kastriot Kelmendi.

Ceremonia mortore e varrimit të Nekibe Kelmendit do të zhvillohet sot, në orën 17.00, në varrezat e qytetit të Prishtinës.

 

__________

 

Ligjvënësit kujtojnë Nekibe Kelmendin si një politikane me vullnet të hekurt

 

Me një minutë heshtje ka nisur seanca komemorative për deputeten e ndjerë të Kuvendit të Kosovës, Nekibe Kelmendi, e cila të dielën ka ndërruar jetë në moshën 67 vjeçare pas një sëmundje të gjatë. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi në fjalën e tij ka thënë se Nekibe Kelmendi kudo që angazhohej, shquhej për profesionalizëm, qëndrim parimor dhe vullnet të hekurt.

Kreu i legjislativit, Jakup Krasniqi, ka thënë se Kuvendit të Kosovës do t’i mungojë tash e tutje fjala e urtë e deputetes veterane, Nekibe Kelmendi.

Ai tha se deputetja Kelmendi do të kujtohet për kontributin e dhënë në shumë fusha jetosore, si në politikë, drejtësi dhe kontributin e veçantë për të drejtat e njeriut, duke shtuar se përkundër tragjedisë familjare pas luftës ajo vazhdoi kontributin e saj.

“Nekibe Kelmendi jetën e saj e mbylli denjësisht si përfaqësuese e zgjedhur e qytetarëve në Kuvendin e Kosovës. Kudo që angazhohej ajo shquhej për profesionalizmin, qëndrimin parimore dhe vullnetin e hekurt. Kuvendi i Kosoëvs i është mirënjohës asaj për gjithë kontributin që i ka lënë trashëgim”, ka thënë Krasniqi.

Kryeparlamentari Krasniqi ka thënë mes tjerash se Nekibe Kelmendi bashkë me bashkëshortin e saj Bajramin, në kohë të vështira për Kosovën, mbrojtën të drejtat individuale dhe kolektive të qytetarëve të Kosovës dhe e bënë të njohur në botë gjendjen e rëndë në vend.

“Paralelisht me punën që bënte për Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Nekibe Kelmendi nëpërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës si bashkëthemeluese e saj u bë pjesë e lëvizjes paqësore gjithë qytetare kundër pushtimit të Kosovës. Pas çlirimit të Kosovës ajo qysh në administratën e përbashkët me misionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK-un, u vu në shërbim të vendosjes së themeleve të sistemit të drejtësisë sonë moderne dhe të pavarur”, është shprehur Krasniqi.

Ai ka rikujtuar me këtë rast përkushtimin dhe profesionalizmin e Kelmentit si eksperte në Grupin e Unitetit gjatë bisedimeve të Vjenës dhe kontributin si bashkëdrejtuese e Komisionit për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, Sabri Hamiti në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës ka theksuar se Nekibe Kelmendi, bashkëthemeluese e LDK-së dhe deputete në të gjitha legjislaturat e Kuvendit të Kosovës, i ka përmasat e një personaliteti politik rugovian.

Ai e ka krahasuar Nekibe Kelmendin me ish presidentin Ibrahim Rugova, duke thënë se ajo ishte bashkëpunëtore dhe bashkudhëtare e pandashme e Rugovës.

“Në këtë udhë të vështirë prej dy deceniesh ajo mbeti si bashkëpunëtore dhe bashkudhëtare e palëkundur e Ibrahim Rugovës. Puna për Kosovën, shkuarja e saj dhe mirasi i politikës së saj, e bëjnë kaq të ngjashme me presidentin tonë historik. Nekibe Kelmendi punoi për pajtimet shqiptare si kusht themelor për veprim unik politik. Nekibe Kelmendi, filozofinë e të drejtave të njeriut si filozofi universale punoi për ta bërë vepër në botën shqiptare të Kosovë. Nekibe Kelmendi punoi për të ndërtuar institucione demokratike, si domosdoshmëri e mbrojtjes institucionale të Kosovës dhe barazisë së njerëzve të saj. Ajo u bë avokate mbrojtëse e të drejtave njerëzore, e të drejtave nacionale të shqiptarëve”, ka thënë Hamiti.

Pas seancës komemorative, presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, deputetë, anëtarë të kabinetit qeveritar dhe përfaqësues të tjerë bënë homazhe pranë arkivolit të deputetes së ndjerë Nekibe Kelmendi, i cili ishte vendosur në hollin e Kuvendit të Kosovës dhe u shprehen ngushëllime familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të saj.

Nekibe Kelmendi ishte deputete e Kuvendit në të gjitha legjislaturat, ndërkaq në mandatin e kaluar qeverisës ishte ministre e Drejtësisë. Në vitin 1999, ajo humbi bashkëshortin, avokatin Bajram Kelmendi dhe dy djemtë, Kushtrimin e Kastriotin, të cilët u vranë nga forcat serbe.

 

__________

 

Mustafa: Nekibe Kelmendi ishte bashkudhëtare e denjë e LDK-së

 

Me një mbledhje komemorative në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, LDK i ka dhënë lamtumirën e fundit funksionares së saj shumëvjeçare Nekibe Kelmendi, ku ishte e pranishme Predidentja e Republikës Atifete Jahjaga, zv.kryeministri Hajredin Kuçi, zyrtarët më të lartë të LDK-së si dhe shumë aktivistë të saj, diplomatë të huaj, dhe familjarë të familjes Kelmendi. Duke folur në këtë mbledhje përkujtimore, kryetari i LDK-së Isa Mustafa që në fillim tha: "Po ndahemi në këtë jetë nga Nekibe Kelmendi, deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, veprimtare e devotshme e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ministre dhe avokate, nënë e Kastriotit dhe Kushtrimit, bashkëshorte e Bajram Kelmendit, të cilët, pasi u rrëmbyen në shtëpinë e tyre, u ekzekutuan nga okupatori serb natën në mars të vitit 1999. Ne po e nderojmë sot gruan e fortë të Kosovës, Nekibe Kelmendin, gruan që këtij vendi ia dhuroi fëmijët e dashur të saj, në lulen e rinisë, bashkëshortin e saj, që këtij vendi ia dhuroi dijen dhe përkushtimin e saj, ia fali forcën e saj mbinjerëzore, gruan që tërë jetën u shqua për dinjitet dhe stoicizëm". Mustafa në vijim tha se Lidhja Demokratike e Kosovës humbi njërën prej veprimtareve më të spikatura të saj, e cila punoi me përkushtimin më të madh për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës. Ndërsa theksoi se Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga sot do t'i mungojë deputetja Kelmendi, e cila mori përkrahje të madhe me votat e qytetarëve, sepse ata i besuan Nekibes t'ua përfaqësojë interesat e tyre në institucionin më të lartë legjislativ të vendit. Mustafa kujtoi se drejtësia në Kosovë kishte nevojë për Nekibe Kelmendin, ndërsa ajo i qëndroi pranë gjatë tërë jetës. "I qëndroi krah shumë kohë së bashku me bashkëshortin e saj, Bajram Kelmendin; i qëndroi krah edhe kur humbi më të dashurit e saj". Pasi dha një përshkrim të biografisë, Mustafa tha se Nekibe Kelmendi ishte bashkudhëtare e denjë e LDK së, si dhe bashkëthemeluese dhe anëtare e parë e Kryesisë në dhjetor 1989; ishte sekretare e përgjithshme e kësaj partie nga viti 1998 deri më 2003, pastaj edhe nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës deri në zgjedhjet e fundit partiake. "Ecte me kokën lart dhe me dorë të ngritur për fitore. Na përkrahte dhe na kurajonte të gjithë neve të punojmë mirë dhe të fitojmë", kujtoi Mustafa porosinë e saj vitn e kaluar, e cila ndonëse e sëmurë, kishte ofruar përkrahjen e saj profesionale, duke thënë: "Mos më kurseni, jam e gatshme dhe dëshiroj t'ju ndihmoj, dua ta ndihmoj Kryeqytetin tim, Prishtinën". "Ajo na ndihmoi të gjithëve, i ndihmoi Kosovës. Të gjithë ne mburremi me Nekiben", tha kryetari i LDK-së në fund të fjalës së tij. Në këtë mbledhje komemorative me fjalë të zgjedhura ka folur edhe Presidentja Jahjaga, duke thënë se "është moment shumë pikëllues dhe i dhimbshëm mbledhja për t'u përshëndetur për herë të fundit me zonjën Nekibe Kelmendi, e cila i dha aq shumë Kosovës, Atdheut dhe popullit të saj". Presidentja theksoi se Nekibe Kelmendi gjithë jetën e saj u angazhua për të mirën e qytetarëve, për liritë dhe të drejtat e njeriut, për sundim të ligjit, për shtetndërtim dhe për krijim e funksionim të institucioneve demokratike. "Vizioni i saj mbeti Republika e Kosovës shtet demokratik i të gjithë qytetarëve pa dallim, e integruar në strukturat evropiane dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës". "Liri, pavarësi, demokraci ishin parimet themelore të zonjës Nekibe Kelmendi dhe të të gjithë lëvizjes gjithëpopullore, për idealet e së cilës zonja Kelmendi u angazhua me gjithë potencialin e saj, duke u shkrirë dalëngadalë për këtë ideal", tha Presidentja e Republikës, ndërsa kujtoi se Familja Kelmendi flijoi më të dashurit e saj në altarin e lirisë së Atdheut. Ajo tha se Kosovës do t'i mungojë zonja Nekibe Kelmendi dhe plejada e njerëzve që u shkrinë për idealin kombëtar, por Kosovës do t'i jetë udhërrëfyese e përhershme që sa herë të zihet në vështirësi, kurajën dhe besimin ta marrë te zonja Nekibe Kelmendi. Në këtë mbledhje akad. Pajazit Nushi foli për Nekibe Kelmendin si humaniste e madhe dhe luftëtare e të drejtave të njeriut

 

___________

 

Jahjaga: Kelmendi gjithë jetën e saj u angazhua për të mirën e vendit

 

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, deklaroi të hënën në mbledhjen komemorative me rastin e vdekjes së deputetes Nekibe Kelmendi, se kjo e fundit gjithë jetën e saj u angazhua për të mirën e qytetarëve, për liritë dhe të drejtat e njeriut.

”Është moment shumë pikëllues dhe i dhimbshëm mbledhja për t’u përshëndetur për herë të fundit me zonjën Nekibe Kelmendi, e cila i dha aq shumë Kosovës, atdheut dhe popullit të saj. E nderuara zonja Nekibe Kelmendi gjithë jetën e saj u angazhua për të mirën e qytetarëve, për liritë dhe të drejtat e njeriut, për sundim të ligjit, për shtetndërtim dhe për krijim e funksionim të institucioneve demokratike”, tha Jahjaga.

Sipas saj, vizioni i Jahjagës mbeti - Republika e Kosovës shtet demokratik i të gjithë qytetarëve pa dallim, e integruar në strukturat evropiane dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

”Liri, pavarësi, demokraci ishin parimet themelore të zonjës Nekibe Kelmendi dhe të të gjithë lëvizjes gjithëpopullore, për idealet e së cilës zonja Kelmendi u angazhua me gjithë potencialin e saj, duke u shkrirë dalëngadalë për këtë ideal. Puna e zonjës Nekibe Kelmendi zgjoi admirim për përkushtimin e saj, për qasjen tejet profesionale, për qëndrimin dashamirës si dhe për vendosmërinë që të jetë e pakompromis në mbrojtjen e parimeve në të cilat besonte, në barabarësinë e të gjithëve përpara ligjit dhe në përjetësimin e normës së sundimit të ligjit në shoqërinë kosovare. Angazhimi politik ishte përafrues që harmonizonte dallimet por që asnjëherë nuk lëshonte pe në konceptet dhe në parimet që i konsideronte parakusht i ndërtimit të së ardhmes më të mirë për brezat që do të vijnë”, tha ajo.

Jahjaga deklaroi se familja Kelmendi flijoi më të dashurit e saj në altarin e lirisë së atdheut, dhe të gjithë ne mbeteshim të stepur përpara stoicizmit të kësaj nëne, bashkëshorteje dhe motreje, që neve na jepte kurajë t’i kapërcejmë traumat e së kaluarës duke mos pasur fije të urrejtjes në shpirtin e saj të mbushur me plot dashuri dhe humanizëm. ”E ardhmja nuk duhet te jetë peng e së kaluarës dhe e kaluara, sado e rëndë dhe e dhimbshme të jetë, nuk bën të na mbetet pengesë për të ndërtuar shoqërinë e së ardhmes, na thoshte zonja Nekibe kur ne ndonjëherë i shfaqnim dilemat e çastit.

Zonja Nekibe Kelmendi në këtë botë po i lë më të dashurit e saj, familjen, miqtë, shokët, dashamirët, përkrahësit të cilëve ju shërben si shembull i mirë, për të shkuar në botën e amshueshme, për të takuar familjarët më të dashur, për të cilët ndjente mall dhe dhimbje që dinjitetshëm i mbante për vete. Kosovës do t’i mungojë zonja Nekibe Kelmendi dhe plejada e njerëzve që u shkrinë për idealin kombëtar, por Kosovës do t’i jetë udhërrëfyese e përhershme që sa herë të zihet në vështirësi, kurajën dhe besimin ta merr te zonja Nekibe Kelmendi. Zonja Nekibe, ju faleminderit për të gjithë atë që bëtë për ne”, përfundoi fjalimin e saj presidentja Jahjaga.

Ndërkaq telegrame ngushëllimi familjes Kelmendi i kanë shkuar nga të gjitha institucionet e vendit, partitë politike e më gjerë.

 

__________

 

Iu dha lamtumira e fundit deputetes Kelmendi

 

Në varrezat e qytetit të Prishtinës, të hënën pasdite iu dha lamtumira e fundit, veprimtares dhe politikanes Nekibe Kelmendi, me ç’rast u tha se Nekibe Kelmendi ishte një grua e madhe, e cila kontribuoi shumë në shtet formimin e Kosovës.

Me këtë rast, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se jemi krenarë që patëm në mesin tonë, Nekibe Kelmendin, e cila la një vepër udhërrëfyese për ndërtimin e një shoqërie demokratike, të dinjitetshme dhe prosperuese në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive të njeriut.

 

Komente:

 

I QOFTË I LEHTË DHEU I DARADNISË NEKIBE KELMENDIT

 

Musa Prushi20-06-2011

 

Ishte e madhe Nekibe Kelmendi, ishte e madhe, ishte nji burrneshë shqiptare, posaqrisht pasi i ndodhi tragjedia, kur barbarët serb i morën nga pragu i shtëpisë burrin dhe dy djemt dhe pa hamendur i eksekutuan.

Ishte e madhe Nekibja, sepse nuk iu dorzua dhimbjes njerzore pas tragjedisë.

Ishte e madhe Nekibja sepse vazhdoi jeten dhe kontributin për Dadaninë e përvuajtur ndër shekuj si vetë Nekibja.

Por prapë se prapë dhimbja për ma të dashuerit ia theu zemren, dhe Nekibja shkoi në amshim para kohe.

Ndaj dhibjen, dhe i shprehi ngushllime të pëzemërta familjes së saj dhe të gjithë atyre që iu dhembë zemra në këtë qast për te. Ndaj dhimbje me të gjithë, pasi që të ndjerën personalisht e kam njoftur që nga viti 1984. kur ajo ishte gjykatëse e Gjykatës ekonomike të Kosovës.

I QOFTË I LEHTË DHEU I DARADNISË NEKIBE KELMENDIT.

 

Ndërron jetë Nekibe Kelmendi

 

11.05.1944-19.06.2011

 

Nekibe Kelmendi, ish-ministre e Drejtësisë në Republikën e Kosovës, deputete e Kuvendit të Kosovës. E lindur më 11.05.1944 në Pejë,pasi qe lëngoi për një kohë të gjatë nga sëmundja e kancerit vdiq më 19.06.2011 në Prishtinë.

 

Arsimimi:

Fakulteti Juridik – Prishtinë (më 1968) Prej 1968 deri më 1987 gjyqtare, me ndërprerje prej vitit 1974 deri në vitin 1976, në të cilën periudhë ushtroi profesionin e avokatisë, e para shqiptare në historinë e gruas shqiptare avokate. Në vitin 1987, pas daljes së Millosheviqit në skenën politike, është shkarkuar nga gjyqtarja, për të punuar deri në vitin 1991 si sekretare gjenerale e Barnatoreve të Kosovës.

E larguar nga puna në vitin 1991, kur prapë i është kthyer avokaturës. Nga 1 janar 2000 deri në nëntor 2001 ka qenë bashkdrejtuese e Departamentit të Drejtësisë së UNMIK-ut

Bashkëshorte, e avokatit Bajram Kelmendit, përkatësisht nënë e Kastriot dhe Kushtrim Kelmendit, të vrarë nga okupatori serb natën midis 24/25 mars 1999.

Aktivitetet:

Pjesëmarrëse në Kongresin e kriminologëve dhe të penologëve në Ohër (1972); Sekretare e Odës së Avokatëve të Kosovës në periudhën 1974-1976 (e para sekretare e kësaj Ode të themeluar më 10 qershor 1974); Pjesëmarrëse në Kongresin evropian të avokatëve në Stamboll (1974); Pjesëmarrëse në Kongresin e avokatëve të ish RSFJ-së në Zagreb (1975); Bashkëthemeluese e Këshillit për mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive në Prishtinë (dhjetor 1989); Bashkëthemeluese dhe anëtare e parë e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (dhjetor 1989), sekretare e përgjithshme e kësaj partie (1998 deri 2003) dhe aktualisht Zëvendëskryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës; Pjesëmarrëse në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare në zgjedhjet parlamentare në Republikën e Shqipërisë (1992); Pjesëmarrëse në Konferencën botërore për të Drejtat e Njeriut të organizuar nga OKB-ja në Vjenë (1993); Vizitë pune Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Holandës (mars 1994) në delegacion me FG të LDK-së, me ftesë të asaj ministrie; Anëtare e Komisionit për hartimin e legjislacionit të ri për Kosovën (1999 deri 2004); Pjesëmarrëse në Kongresin kundër Korrupsionit në Washington (2000); Pjesëmarrëse në Simpoziumin për Parandalimin e krimit të pastrimit të parave dhe e hartimit të Ligjit kundër pastrimit të parave (Bullgari, 2000); Vizitë Stejt Departamentit Amerikan dhe Gjykatës së Lartë të shtetit Luiziana në SHBA, me ftesën e Stejt Departamentit Amerikan (2000); Pjesëmarrëse në Konferencën e Institutit Amerikan për Paqe në Earle House ( 2000 dhe 2002); Nga 27 marsi 2002 sërish avokate; Pjesëmarrëse në Konferencën e OKB në Njujork për të drejtat e grave, e vetmja nga Evropa (2004); Deputete e Kuvendit të Kosovës në dy legjislatura; Anëtare e Grupit të ekspertëve në Grupin Politik Strategjik të Grupit të Unitetit për negociata për Kosovën; Bashkëthemeluese e Lobit të Grave për Evropën Juglindore; Shkrime autoriale: Autore e shumë shkrimeve profesionale nga fusha e të drejtave të njeriut mbi gjendjen në Kosovë dhe fusha juridike, prej të cilave shkrime më i rëndësishmi është shkrimi me titull: “Kosova nën barrën e ligjeve diskriminuese dhe antikushtetuese të Serbisë – fakte dhe dëshmi), tekst i përfshirë në një rezolutë të OKB-së për Kosovën (1992).

 

 Në Prishtinë sot u varros, deputetja e Parlamentit të Kosovës, Nekibe Kelmendi e cila mbrëmë ndërroi jetë pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë. Gjatë ditës në Prishtinë janë bërë homazhe dhe mbledhje përkujtimore në nderim të së ndjerës e cila për një kohë të gjatë ishte funksionare e lartë politike dhe veprimtare për të drejtat dhe liritë e njeriut. Udhëheqës të lartë politikë të Kosovës e vlerësuan Nekibe Kelmendin si pjesë të historisë së Kosovës. Në mbledhjet përkujtimore të Parlamentit të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës u tha mes tjerash se e ndjera Kelmendi dhembjes së madhe familjare i është përgjigjur me punë për të mirën e Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se Nekibe Kelmendi i shumë Kosovës, dhe popullit të saj. “Vizioni i saj mbeti - Republika e Kosovës shtet demokratik i të gjithë qytetarëve pa dallim, e integruar në strukturat evropiane dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Liri, pavarësi, demokraci ishin parimet themelore të zonjës Nekibe Kelmendi dhe të të gjithë lëvizjes gjithëpopullore, për idealet e së cilës zonja Kelmendi u angazhua me gjithë potencialin e saj, duke u shkrirë dalëngadalë për këtë ideal”, tha presidentja Jahjaga.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, e vlerësoi të ndjerën si shembull të punës e angazhimit në të gjitha përbërjet e deritashme të Parlamentit të Kosovës.”Nekibe Kelmendi do të kujtohet për kontributin që ka lënë në shumë fusha të angazhimit të saj jetësor. Kontribuoi shumë në fushën e drejtësisë, ku një angazhim të veçantë pati në fushën e të drejtave të njeriut. Do të mbahet mend si njeri, si nënë, si bashkëshorte që dhimbjen e madhe njerëzore kërkoi ta mund me angazhim të përditshëm për vendin dhe familjen e saj”, tha zoti Krasniqi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, tha se vdekja e Nekibe Kelmendit ishte humbje e madhe për këtë parti, por edhe gjithë Kosovën. “Ne po e nderojmë sot gruan e fortë të Kosovës, Nekibe Kelmendin, gruan që këtij vendi ia dhuroi fëmijët e dashur  të saj, në lulen e rinisë, bashkëshortin e saj, që këtij vendi ia dhuroi dijen dhe përkushtimin e saj, ia fali forcën e saj mbinjerëzore, gruan që tërë jetën u shqua për dinjitet dhe stoicizëm”, tha zoti Mustafa.

E lindur 67 vjet më parë në Pejë, Nekibe Kelmendi, për një kohë të gjatë ushtroi detyrën e gjykatëses dhe avokates. Në fund të viteve të 80-ta ishte një nga bashkëthemelueset e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë dhe një nga funksionaret e larta të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në mars të vitit 1999 bashkëshorti i saj Bajram Kelmendi veprimtar i njohur për të drejtat e njeriut dhe avokat si dhe dy djemtë e saj u ekzekutuan nga forcat serbe.

Pas luftës, nga janari i vitit 2000 deri në nëntor vitit 200, ishte bashkëdrejtuese e Departamentit të Drejtësisë së UNMIK-ut. Kurse përveç postit të deputetes, ajo ka qenë edhe ministre e Drejtësisë në qeverinë e Kosovës. Ishte pjesëmarrëse edhe në grupin e ekspertëve në kuadër të Ekipit të Unitetit në negociatat për statusin e Kosovës si dhe në grupin e ekspertëve për hartimin e Kushtetutës së Kosovës. Vdekja e gjeti në detyrën e deputetes së Parlamentit të Kosovës



(Vota: 5 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora