Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fahri Xharra: Ilir, Iljaz apo Ilia

| E marte, 21.06.2011, 08:04 PM |


Ilir, Iljaz apo Ilia

 

Nga Fahri Xharra

 

Rumania është në pjesën veriore të Ballkanit, me një territor të shënuar nga malet Karpate, Danubi dhe Deti i Zi. Rumunët janë popull mikpritës dhe të sjellshëm. Mysafirët për ta janë gjithmonë të mirëseardhur. Në takime rasti, burri e tregon respektin ndaj gruas së takuar duke i dhënë një puthje respekti në dorë, e duke u ngritur në këmbë e ofruar vend për t’u ulur. Të rinjtë gjithmonë e respektojnë të vjetrin në mënyra të ndryshme të mirësjelljes.

Rumania e sotme quhej Dakia, mbretëri e cila kulmin e saj të zhvillimit e kishte mbërritur nën mbretin Deçebal (viti 87-106 të epokës sonë). Por, pas sulmeve të furishme romake (101-106), Dakia ra nën sundimin e imperatorit romak Trajani, duke u gjunjëzua përgjithmonë me humbje të identitetit kombëtar dak dhe duke u romanizuar. Romanizimi u krye edhe me shpërngulje të dakëve dhe sjellje të të tjerëve nga viset e tjera romake. Simbioza etnike dako-romake u krye dhe u finalizua në shekujt 6 dhe 7, duke u formuar populli rumun, të cilët që nga shekujt 2 deri 4, kishin përqafuar katolicizmin, kurse pas shekullit 9 u ortodoksuan, fe të cilën e kanë edhe sot. Procesi intensiv i romanizimit vulosi gjuhën, emrat, ndërdijen dhe kulturën e popullit rumun. Banorët dako-romakë të këtyre viseve zhvilluan ndjenjën e përkatësisë së tyre ose të trashëgimisë së tyre romake.

Gjatë viteve ‘90 të shekullit të kaluar kishte një tendencë të madhe që populli të kthehej rrënjëve të tyre dake, por u pa se do të ishte e kotë, sepse ata i përkasin trashëgimisë romake me një gjuhë të forte latine. Gjuha e sotme rumune nuk ka asnjë fjalë të trashëguar nga gjuha e vjetër dake.

Si zakonisht në popujt e robëruar apo të asimiluar emrat e njerëzve tregojnë se nën kë kanë rënë. Edhe sot e qe 14 shekuj të kaluar pa marrë parasysh ndërrimin e feve emrat mbesin romakë, e më me krenari ata të perandorëve si Trajan, Aurel, Pius, Tiber, Livius, Julian, Roman etj.

Edhe ne shqiptarët e patëm të njëjtin fat me furtunat pushtuese, por të cilave iu bëmë ballë. E njëjta gjë ndodhi edhe me pushtuesit turq, të cilët përdorën taktikat më shfarosëse dhe asimiluese ndaj popullit tonë...

Një ndër parametrat e islamizimit ishte edhe vënia e emrave turq (turko-arabë). Emri dhe mbiemri tregojnë identitetin kombëtar të një populli, prandaj nën okupimin 500-vjeçar duhej ndërruar edhe identiteti shqiptar...

Duhej të kishe shumë fat që të mos marrësh ndonjë emër me kuptim qesharak (sado që në turqishte apo arabishte tingëllon mirë) për ne, për shembull: Ajvaz – shtëpiak, kujdestar i ndërtesës, Destan - fije teli e instrumenteve muzikore, Qerkin - i vrazhdë, Ganimete – plaçkë lufte, Hafije - sekrete, spiune, Lejla – natë, Sinan – maja e shtizës, Nehat - gurgdhendës, Rasim - fotografist, Shehrije –qytetare, Adnan - fis i hershëm arab, Bilal - i lagur, Vezire - ministre, Xhezair - grumbuj ishujsh.

Të preferuar ishin edhe emrat e sulltanëve - Osman, Orhan, Murat, Pajazit, Mehmet, Selim e të gjitha për të treguar përkushtimin ndaj pushtuesit, pa marrë parasysh që ata sulltanë na vranë, na prenë, na zvogëluan në numër, thjesht u munduan të na zhdukin. Deri më sot ende nuk është shkruar se robërimi është kryer pa gjak, pra bashkëjetesë me pushtuesin nuk ka pasur kurrë.

Por, edhe koha e Titos na ka përdorur për nevojat e tija politike, ne edhe në atë kohë duhej të hiqeshim si myslimanë të devotshëm, në mënyrë që Tito të lavdërohej se në federatën e tij kishte edhe myslimanë (por jo shqiptarë). Vitet ‘60 shënuan një preferencë të madhe ndaj vizitave dhe miqësive të Titos nëpër botë. Kur Tito u miqësua me Naserin e Egjiptit, djelmoshat myslimanë shqiptarë në Kosovë në mënyrë masive morën emrin Naser.

Ende në mendjet tona është se prapashtesa – olli në mbiemrat tanë shënon një shtresë më të lartë shoqërie, por –olli në turqisht thjesht është – i biri i….

Deri pas rënies së Perandorisë Osmane, shqiptarët nuk e kanë pasur traditën e mbiemrit, por dalloheshin ose me emër të të atit apo të fshatit prej nga ka ardhur. Por është e çuditshme se si kur kishim kohët që punonin për ne, nuk ditëm të shkëputemi nga e kaluara turke, duke i hequr ollat apo nga e kaluara sllave duke hequr –iqat.

Më dukej shumë i mençur hapi i ukrainasve që pas rënies së Bashkimit Sovjetik u liruan nga mbiemrat qesharakë dhe ofendues.

Pra, që emri tregon identitetin kombëtar të një personi, prandaj edha ai duhet të jetë shqip, më tregon përvoja me djalin tim Ilirin, të lindur në Marok, insistohej me të madhe që ai të quhej Iljaz, kurse kur kaluam edhe për disa vjet në Greqi, grekët këmbëngulnin që Iliri të jetë Ilia. Pra as arabët e as grekët nuk mund të pranonin një emër shqip në mesin e tyre.