Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Si ta vras vëllain? (Letërkëmbim: Timo Merkuri – Daniel Gazulli)

| E hene, 20.06.2011, 08:05 PM |


LETËRKËMBIM

Timo Merkuri – Daniel Gàzulli

 

Timo Merkuri

 

Një letër mikut tim Daniel Gazulli në Lezhë.

------------------------------------

SI TA VRAS VËLLAIN?

 

I nderuar mik!

Po të qaj hallin si miku mikut, si burri burrit (jo si vëllai vëllait) e po të them se kurrë më ngushtë se sot nuk kam qenë.

Zoti dëshmitar, vetëm ndihma jote me shpëton.

Spo të kërkoj pare, se skam hall për to. Spo të kërkoj mall e gjë , se e di që edhe ti ske për vete, por edhe mua sma zgjidhin hallin.

Veç një fjalë po të kërkoj, nga ato fjalë që vlejnë më shumë se floriri. Një këshillë more mik, nga ajo urtia shekullore e popullit tim, që ti e ke qëmtuar nëpër shekuj dhe e ke grumbulluar nëpër fletë letre dhe e mba aty në Lezhë. Nga ato qindra e mijra fletë që ke grumbulluar, të lutem, shkëpute një për mua e ma dërgo një këshillë a së paku një fjalë. Edhe një fjalë e vetme bën punë more mik, se edhe dielli një është , por e mbushi tokën me jetë.

Po që të mos ma dërgosh fjalën tjetër për tjetër, po të kallzoj hallin që kam, e mandej, te ai thesari i madh që ke grumbulluar dhe po e mban te shtëpia jote e se din kush, zgjidhe atë fjalën a këshillën e duhur e ma dërgo. Dhe po sta shpërbleva dot ndonjëherë, bëne të mirën e hidhe në det, po sta diti i zoti, ta din zoti vetë.

Kështu e thoni ju andej nga Lezha këtë fjalë të mënçme, apo jo.

Halli që kam unë, mos e pastë kush tjetër në këtë botë e po ta kallzoj si e qysh.

Ka ca mote e baba na la. Jo nga tjetër gjë, veç nga pleqëria. Kishte punuar gjithë jetën për të na ritur mua e tim vëlla. Një copë tokë qe gjithë pasuria e tij, me atë na rriti dhe atë na la trashëgim, bashkë me amanetin që të ruanim vëllazërinë e të mos e ndanim as tokën. Me lot në sy ju betuam se do ja mbanim amanetin e po me lotë në sy shkuam tek toka arë unë e im vëlla, direkt pasi e përcollëm babën për te zoti.

-Tokë e mirë dhe e bekuar- e mori fjalën im vëlla. Këtë vit do ta mbjellim me misër. Kanali po sjell ujë, misri po do ritet një bojë njeriu. Do hamë ne do hajë dhe bagëtia. Do bëjmë bukë koromane misri të ngrohtë e do e hamë me djathë. Si do zoti do jemi e do jemi. Pastë dheun të lehtë baba që na la këtë goxha pasuri.

-Dale more vëlla- ndërhyra unë- mos u nxito. Le ta pleqërojmë mirë punën. Unë them që ta mbjellim me grurë. Grurin po do e bëjmë miell, miellin po do e bëjmë petulla, petullat po do i ngjyejme në mjaltë. Po ka lezet kështu more vëlla, ka lezet të hashë petulla me mjaltë. Dhe babai do kënaqet kur të na shohë që nga lart ,nga parajsa…

Ç’ta zgjat o mik më tejë! Valoi muhabeti; jo misër jo grurë, jo petulla e jo koromane kallamboqi, e siç kuptohet vetiu, pas muhabetit valoi dajaku. Rrëmbyem nga një hu gardhi dhe ja nisëm mbi njëri tjetrin; unë bam, ai babam.

Pasi u lodhëm me bamebumet, me hu në dorë u ngulëm në dy anët e parcelës, duke ju hakëruar njeri tjetrit me ;-Po ta mbajti hajde dhe mbille arën me atë që thua ti pa të shikosh se çdo të punoj.

Tani ti do thuashë pse të mos e mbillnim arën nje vit me misër dhe një vit me grurë. Kështu edhe bëhej qarkullimi bujqësor edhe prodhimi ritej.

Mirë e ke ti more mik, po problemi është se ne shqiptarët nuk e kemi zakon ti hapim rrugë njeri tjetrit. Se mos erdhi ndonjë …eskimez, psh, që të na thoshte që ta mbillnim tokën me…foka deti dhe ne si dhamë hakë.

Po ti hap rrugë vëllait tim? Pse ore, më i ditur se unë është ai? Ai , i tilli dhe i këtilli.

Po për inat të atij, unë nuk e lë të mbillet toka me misër…

Se ne shqiptarët e kemi të madh inatin me vëllain. Me hasmin edhe pajtohemi,ndonjëherë edhe në mes të luftës, po me vëllanë s’ka pajtim, pa i nxjerë themelt e shtëpisë.

Po se mos vetëm vëllai me vëllanë. Keq e mba inatin edhe motra me vëllanë. E ke vënë re zotrote, i thotë vëllai i merakosur motrës, që ka bërë një zgjedhje të gabuar, nisur vetëm nga bukuiria e jashtëme;-Moj motër, ai djalë që shoqërohesh nuk është për ty. Ti mund të zgjedhësh një tjetër më të mirë etj etj.

I përgjigjet motra flakë për flakë;-Ma ke zili të dashurin, prandajë flet kështu.

Nuk mbushet muaji dhe ja mer këngës;- Xhan o zjarr e shpirt o burrë, vëllai i madh më hëngërt mu.në. Vazhdimin e kësaj meseleje e dimë të tërë.

Nejse. Të kthehemi të unë dhe im vëlla, tek rimë me hu në dorë në të dy anët e parcelës. Iku viti i parë dhe erdhi i dyti. Pasi e mendova mirë e mirë punën, me pamjen e një hovardai të madh, i drejtohem vëllait;-I dashur vëlla! Po të hap rrugë dhe këtë vit ara do mbillet me misër siç thoshje ti. Prishur mos qoftë.

Mirë i fola unë i varfëri, po ç’dreq i fryu në vesh tim vëllai që u hodh menjëherë përpjetë; - Jo, jo. Ara do mbillet megrurë siç doje ti. Unë jam më i madhi dhe unë po të hap rrugë. Mos e haro këtë.

Mua më hipën kacabujtë. Sikur nuk e njihja se ç’plaçkë qe im vëlla që më hiqej tani si i mirë. Dhe kujt? Mua. Mua që jam i pikuar nga qielli.Mua që më ka “zografisur” vetë zoti me dorë, kaqë i mire dhe i bukurë jam.

-Dëgjo këtu-i them hazërxhevap tim vëllai, do mbillet me misër dhe pikë.

-Pikat i vë unë, se unë jam më i madhi.

Ç’të të them më tutje. Pikë ai e presje unë, shkoi dhe një vit me arën djerrë.

Po pas të dytit shkoi dhe i treti, i katërti e i pesti. Ferrat e mbira në arën tonë u mbushën me gjarpërinj që lemerisnin dynjanë.

Tek rrija me duart në kokë, duke parë këtë batërdi,s’di si më shkrepi mendimi më i zi që mund ti shkrepë njeriut në kokë;-Do e vras vëllanë të shpëtoj njëherë e mirë nga kjo mesele.

Kur më shkrepi ky mendim , mu duk sikur lindi dielli dhe trëmbi natën e cila vrapoi prapa malit.

Kështu dhe unë vrapova te një miku im që shiste kobure, nga ato të ’97.

Vër paratë unë, njëzetë kobure nxori ai mbi tavolinë.

-Përse e do, më tha.

-Dua të vras vëllanë- i thashë- se më ka nxirrë jetën.

-Dale,dale- më tha miku, për të vrarë vëllanë duhet një kobure e madhe që e bën vrimën si grykë topi dhe e lë top në vënd. Dhe duhen shumë fishekë.

-Atë nëmë – i thashë.

Pasi e bleva koburen, sa u bëra gati të ikij, miku i kobureve më pyet;

-Po thikën e ke gjetur?

-Ç’thikë -i them- dhe ç’e dua?

- Po ti nuk e di që pasi vritet vëllai me kobure, duhet të theret dhe me thikë.

Që të mos ngjallet lugat.

Unë bera kryqin tre herë.

-Jo- i thashë-nuk e di. S’kam vrarë ndonjëherë vëlla.

-Si ore nuk e di? Pa e ditur si vritet do ta vrasësh ti vëllanë? Dëgjo këtu,dëgjo.

Vëllai qëllohet më kobure në fillim, pastaj theret me thikë.

U pa puna, bleva dhe një thikë si ato të Rambos te filmi Rambo 3 dhe u nisa të vras vëllanë. Tek ecja rrugës i armatosur kësisoj, si ata komitët qëmoti, më del përpara një burrë i mënçur dhe i mirë që më pyet se për ku nxitoj kështu me armë sheshit.

-Do vras vëllanë- i them kapardisur-do e qëlloj me kobure në kokë pastaj do e ther me thikë.

thua more djalë-më thotë plaku-.Nuk vritet kështu vëllai. Dëgjomë këtu more djalë, se je i ri në këto punë. Punët bëhen me sira, me radhë. Në fillim vëllai theret me thikë. Domosdo që thika do ti ngulet në zemër. Dhe gjer në mill, në dorezë, jo më pak. Pastajë do qëllohet me kobure në kokë. Pastaj do e pështysh në surrat dhe do e hedhësh në ndonjë palo gropë. Do e mbulosh më çtë gjesh, gurrë e drurë e baltë e pleh. Sipër do i vësh një gur të madh, që të mos i lëvizë shpirti. Pastaj do e pështysh prapë e do ikësh pa kthyer kokën. Se po e ktheve kokën,të vjen nga mbrapa hieja e tij.

Unë fillova të kruaj kokën. Qënka zanat më vete dhe të vrasësh vëllanë mendova.

Por plaku i ditur vazhdoi urtë e butë;

-Tani, more djalë, këtë punën e rëndë të të pështyrit, mund ta bëjë edhe ndonjë tjetër. Por të qëlluarit më kobure dhe të therurit me thikë, domosdo që do e bësh ti vetë.

Iku plaku i urtë në rrugën e perëndisë (apo të shejtanit) dhe unë ngela vetëm me mendimet e trazuara si ferrat.

-Si ta vras vëllanë xhanëm, si ta vras? Tja shkrep me kobure kokës në fillim apo ti ngul thikën në zemër? Se për ta pështyrë, kollaj kjo punë. Kam gjithë këta fqinjë që ma duan të mirën. Do e bëjnë kaqë pako gjë për mua.

Ky është halli im more miku Daniel.

Ti që ke çfletuar male me libra, të shkruara nëpër shekuj e ke qëmtuar nëpër radhët e tyre, si në damarët e malit për të gjetur mineralin e floririt, më jep dhe mua një gramë nga ai flori i shumtë që ke gjetur.

Një gramë, vetëm një gramë. Një fjalë, vetëm një fjalë.

Si ta vras vëllain, more mik?

 

P.S.

Lexuesi me siguri që ka disa pyetje për të bërë pasi ta lexojë këtë letër dhe unë jam i nderuar t’i jap përgjigje.

Pyetja e parë , domosdo që është; -Kush është Daniel Gazuli që i drejtohet letra?

Daniel Gazulli, pinjoll i fisit të famshëm të Gazullëve, aktualisht është një pensionist i thjeshtë në Lezhë, por që në fakt është një enciklopedi e gjallë diturie dhe urtësie.

Si pensionist që është, nuk ka lekë t’i botojë nëpër libra, por herë herë i hedh nëpër revista në internet ku lexuesit sulen mbi to si bletët mbi lule.

Pyetjes se pse u degdisa gjer ne Lezhe per të marë një këshillë, kur Piluri dhe Himara kanë plot burra të mënçur, i përgjigjem se sipas zakoneve, mikun zeje larg dhe bezdise rrallë se mikun e afërt e ka bërë ose e bën mik edhe …vëllai yt.

 

_________

 

Daniel Gàzulli

 

SHIKO LISAT, MIKU IM.

Përgjegje Timo Mërkurit

 

Më ngjethe mishtë, miku im. Më rrëmove shekuj plagësh.

Më thua se kërkon një fjalë të urtë prej meje. Një fjalë që ti vërë fre mendjes së ndërsyer me prroje vreri, që zbresin rrëmbyeshëm e bëjnë gjëmën. Po ku ta gjej urtësinë, miku im, unë që u rrita e u mplaka ja, në mes këtyre përrenjëve vreri, që sa herë kaluan rrënimtar edhe mbi mua? Çlibri ti kërkoj këshillë? Thua se kam mbledhë urtì nga ato të lashtat fare, kur nuk ishim të prishur me gjithçka. Po ja, një nga anët tona, që as plak nuk ishte kur i vrau vëllaj vëllanë, na pat lënë një porosi:

 

Ndalnju! Ku veni burra? …

Pash Zotin, lëshoni hutat!

Pse tepër gjak asht derdhë,

Pse tepër mbajtë kem futat :

Prej vajit na asht marrë zani …

Medet, o qiell, medet!

 

E harruam porosinë e tij pa u tharë boja në letër. Se ai porositë i linte me letër, ishte i kënduar. Gjergj Fishta e quanin, do tia keni dëgjuar zërin edhe ju andej, pa çka se herë bie mjegulla mbi të, herë del diell.

Liksht e paske hallin, miku im. Po çtë të them. Të tregoj çrite do të duhej të ndiqje për të vrarë vëllanë po të ishe nga anët tona? Më mirë të mos i dijsh, se edhe ti je pak i kënduar, e të kënduarve u dridhet dora më lehtë.

Unë po përpiqem të të nxjerr nga sikleti simbas mendjes sime, sepse në urtësitë e të parëve tanë, që jam përpjekë ti qëmtoj si bleta nektarin, nuk gjejmë derman. Nga ta merrnin me mend ata të gjorët se do të kërkonim edhe mbas kaq shekujsh koburet e tyre për të vrarë vëllanë, pa do të na kishin lënë pa kobure. Mendonin se do ti përdornim vetëm për të huaj, ndaj na i lanë koburet. Bile na i veshen edhe me serm. Po edhe kobure të mos kishim, ti më thua se do të kishim thikat. Nuk ke nga i ikën tundimit për të vrarë vëllanë. Po ty, e shoh, të dridhet dora, ndaj më shkrove letër.

Do ta kesh kënduar atë rrëfimin tim “Shëmtimi i Blinishtit”, ku dy familje, Sallakë e Zhubë, vriten e priten gati deri në shuarje. Desh Zoti e dikur i thirren mendjes e për tu pajtuar një herë e mirë, lidhen krushqi, ndrruan vajza, e tani rrjedh në detejt e tyre gjak edhe nga ai i hasmit të dikurshëm.

Po ti nuk lidh dot krushqi me vëllanë që të paqëtoni gjakrat, mos e thëntë Zoti.

Merr mundimin, miku im, e ngjitu edhe një herë në Pilur. E di që rruga është e theptë, e lodhëshme; kam qenë në ato vise kur isha i ri. Nuk kisha ardhë të kërkoja thesare, edhe pse ka, si nuk ka thesare atje. Po të vijë e të rrëmojë kush, do të gjejë thesare të paçmuara. Kam kënduar diçka edhe për thesaret që ke gjetë ti, po më thonë se nuk të ka zili njeri për këte.

Po ti ngjitu deri në Pilur. Jo për të parë nëse vijnë “dëname hasmi” nga deti, jo. Ajo kohë ka përenduar. Ngjitu të shohish se si lisat e vetmuar, rrahur nga furtunat e kohëve, janë hepuar e pak gjë do të duhej të binin ashtu rëndë mbi dhè. Shiko edhe ato lisat e lashtë, pranë e pranë njëri tjetrit, që rrinë hijerëndë drejt për nga qielli. Çmund ti bëjnë furtunat pyllit me lisa ?! Në tu mbushtë mendja të rrishë edhe ti në mes atyre lisave sup më sup, mbushja mendjen të vijë edhe vëllaj një ditë e ti shohë.

Pa puna e arës, grurë apo misër, pastaj do të zgjidhet më lehtë.

 

Miku yt

Daniel Gàzulli