E merkure, 24.04.2024, 11:07 PM (GMT+1)

Kulturë

Shefajet Berisha - Çerkin Bytyçi: ”Prof. Dr. Gjergji Minga-skalitës i dijes, humanizmit e atdhedashurisë”

E hene, 20.06.2011, 07:59 PM


Një libër për profesorin që nderohet

 

Shefajet Berisha - Çerkin Bytyçi:

”Prof. Dr. Gjergji Minga-skalitës i dijes, humanizmit e atdhedashurisë”

 

(Në 71-vjetorin e lindjes dhe 50-vjetorin e veprimtarisë)

 

Botoi Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Prishtinës

 

Nga Artan Bytyçi

 

Në Amfiteatrin e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, të premten, më 17 qershor, siç pamë në emisionet informative të RTV21, ishin tubuar  mjekë, studentë, miqë e shokë të Prof. Dr. Gjergji Minga, nga Kosova, Shqipëria, Tetova e  trevat tjera shqiptare, në mesin e të cilëve edhe Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Dr. Ferid Agani, Rektori i Universitetit të Pristinës Prof. Dr. Mujë Rugova, Dekan i Fakultetit të Mjekësisëtë Prof. Asoc. Gani Bajraktari e të tjerë të cilët e pritën të entusiazmuar e me gëzim këtë personalitet të madh që dha kontribut kolosal nga ditët e para të themelimit të këtij fakulteti. Atëbotë ai erdhi nga Tirana, për të mbajtur ligjëratat për studentët e mjekësisë në Prishtinë dhe me angazhimin e punën e tij, u bë dhe mbeti i dashur e i respektuar nga të gjithë. Mësimet shkencore i shpërndau pothuaj në të gjitha universitetet shqiptare, në Tiranë, Prishtinë, Tetovë etj., dhe kudo, përpos dijes, te studentët mbëltoi vlerat më të mira njerëzore, pedagogjike, humanitare e shkencore. Kontributi i tij, vlerësohet lartë dhe epiteti i profesorit të dashur, shqiptohet kurdoherë me pietet.

Duke u nisur nga vepra e tij që është bërë sinonim e shumë gjeneratave, dhe me dëshirën që emri i Profesorit Gjergji Minga të përjetësohet përmes një libri të shkruar, gazetarët dhe publicistët me përvojë Shefajet Berisha dhe  Çerkin Bytyçi, të inspiruar nga takimet e shpeshta mbresëlënëse me këtë eurodit të mjekësisë, me këtë personalitet të jashtëzakonshëm, modest e bujar, si dhe nga rrëfimet e shumta, iu qasen hartimit të monografisë që u botua në 71-vjetorin e lindjes dhe 50-vjetorin e veprimtarisë së këtij personaliteti të çmueshçm me titullin   ”Prof. Dr. Gjergji Minga-skalitës i dijes, humanizmit e atdhedashurisë”.

 

Profesor Gjergji-korife i shkencës së biokimisë

 

Në parathënien e librit, autorët Shefajet Berisha dhe  Çerkin Bytyçi ndër të tjera shkruajnë:

Nga dëshira që të kryehet një obligim fare i vogël ndaj një njeriu të madh, i cili ka bërë shumë për të mirën e njerëzve, e mbi të gjitha për shpërndarjen e njohurive shkencore ndër breza, na lindi ideja që të hartojmë këtë libër-monografi, si dhuratë modeste në ditëlindjen e 71-të dhe në 50 vjetorin e punës arsimore të Profesorit të nderuar, Gjergji Minga. Natyrisht, këtë ndërmarrje tonën, Profesor Gjergji nuk e mori vesh, sepse nismëtarët e kësaj ideje deshën që kjo të jetë një surprizë për respektin e madh që ndiejnë ish-studentët e tij në të gjitha trevat shqiptare, kolegë e miq, të cilët me krenari flasin për njeriun e mirë, pedagogun e shquar dhe të gatshëm kurdoherë për të qenë në shërbim të punëve të mbara.

Në takimet e shumta ishte kënaqësi e madhe të hetoheshin nga afër urtësia, modestia e vlerat që e skalitin Profesorin Gjergji një njeri të madh,studiuesin këmbëngulës, njeriun e pasionuar të arsimit dhe të devotshëm pas mjekësisë, i cili plot 50 vjet u angazhua në studimin dhe ligjërimin e temave nga sfera mjekësore, që njëkohësisht janë pasqyruar në librat dhe artikujt e tij të shumtë.

Nuk ka student të Mjekësisë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, Bujanovc e gjetkë, nga fillimet e deri më sot, të mos ketë studiuar e të mos vazhdojë të studiojë nga librat e Profesorit Gjergji.

Atë e nderojnë me respekt e dashuri ish-studentët e tij të shumtë dhe të gjithë ata që patën fatin ta dëgjonin dhe të përfitonin nga erudicioni, përvoja dhe interpretimet e tij diagnostike mjekësore. Prof. Gjergji diti të mësonte, të edukonte e të përgatiste mijëra mjekë, respekti i të cilëve e bën të ndihet i lumtur e krenar kurdoherë. Si të gjithë njerëzit e ditur, ai është modest, i matur e i heshtur për çështjet e rëndomta të jetës, por, kur është fjala për probleme të caktuara të fushës së tij, atëherë ka dëshirë të dëgjohet.

Cili prej nesh nuk përfiton prej tij e nuk mrekullohet nga bisedat me të? Cili prej nesh nuk e respekton për ato që di e për njohuritë që i shpreh, si të rrjedhin nga leximi i një enciklopedie të tërë?

Cili prej nesh nuk ndien kënaqësi shpirtërore, kur dëgjon humorin e Profesorit Gjergji.

Prof. Gjergji Minga jeton jo vetëm për vete, por më shumë për të tjerët. Ai jeton për të studiuar mjekësinë, por në radhë të parë për t’ua mësuar të tjerëve atë. Nuk e pati të vështirë të kalonte rrugë të gjata për të arritur në katedrat e mësimit, që para studentëve të ligjëronte me kënaqësi e dëshirë, por edhe me përgjegjësi. Ishte ndër të parët nga Shqipëria që doli me ligjëratat e tij para studentëve të mjekësisë në Prishtinë. Rrebeshet e viteve të turbullta, nuk e ndalën nga ajo punë e vrullshme. Frika për të

pësuar, nuk ishte fare shkas që të mos e pranonte këtë obligim dhe detyra tjera. Ai, madje edhe atëherë, në ato ditë të vështira, shquhet jo vetëm në mësimdhënie, por edhe në përgatitjen e referateve, kumtesave e ligjëratave shkencore, deri në shkrimin e librave të tij të shumtë. Nuk ka fushë mjekësore

me të cilën nuk u mor Prof. Gjergji, nuk ka sëmundje që ai të mos e ketë përmendur në shkrimet, artikujt dhe në konferencat e seminaret e panumërta shkencore, të organizuara, në nivele të ndryshme dhe të larta,nga të tjerët, por edhe nga ai.

Ai është shembulli më i qartë dhe mishërimi i njeriut të palodhur në drejtim të studimit, përpunimit, shkrimit dhe botimit të materialeve mjekësore.

Por, ja që respekti dhe nderi për njerëzit e tillë mbetet i përhershëm dhe pikërisht për këtë, për t`iu gëzuar së bashku ditëlindjes së tij të 71-të, e hartuam këtë libër modest, por i dalë si dhuratë, dhuruar nga shumë njerëz të vullnetit të mirë, të cilët ndiejnë respektin e nderin më të madh për Profesor Gjergjin. Të gjithëve që na mbështetën, u jemi mirënjohës, por në veçanti Zonjës Berta Minga, e cila na dha mundësinë të kemi qasje në arkivin familjar dhe, nga aty, të shfrytëzojmë fotografitë dhe materialin, që është pjesë përbërëse e këtij botimi.

Natyrisht që jemi të vetëdijshëm se ky libër nuk është gjithëpërfshirës, ngase jeta dhe veprimtaria e bujshme e Profesorit Gjergji Minga, nuk mund të përmblidhet në këto pak faqe, por jemi të bindur se Profesori, me zemërgjerësinë që ka, nuk na hidhërohet fare, sikundër edhe lexuesit e nderuar, për mangësitë e lëshimet eventuale, që mund të ndeshen në këtë libër.

 

Nga fjala e recensentëve Prof. Dr Faik Hima dhe Prof. Dr. Halil Ahmetaj

 

“Ishte nder dhe kënaqësi e veçantë për ne caktimi për recensentë të monografisë Profesor Dr. Gjergji Minga, skalitës i dijes, humanizmit e atdhedashurisë, që po prezantohet me rastin e 71 vjetorit të lindjes dhe 50 vjetorit të veprimtarisë së tij.

Vepra në fjalë i është kushtuar Prof. Dr. Gjergji Minges, figurës së çmuar në fushën e mjekësisë shqiptare e më gjerë, pedagogut, shkencëtarit, pishtarit të arsimimit dhe edukimit të shumë brezave të studentëve të mjekësisë, simbolit të arsimimit dhe emancipimit kombëtar, i cili  në vargun e gjatë të njerëzve të shquar të mjekësisë shqiptare, erdhi në Kosovë në kohën kur mjekësia kosovare dhe Fakulteti i Mjekësisë në Prishtinë, kishte nevojë më tepër se kurrë duke mbetur këmbëngulës në misionin e tij të shenjtë për disa vjet. Prof. Dr. Gjergji Minga, me punën e tij të palodhshme, me kontributin e jashtëzakonshëm, plot dëshirë, zell, korrektësi dhe përkushtim, ndihmoj në arsimimin dhe edukimin e shumë brezave të studentëve edhe në Kosovë.

Prof. Dr. Gjergji Minga  bëri një punë shumë të madhe, shumë të rëndësishme dhe me përgjegjësi të shumëfishtë. Ai është model i njeriut të palodhur e produktiv, shëmbëlltyrë e qytetarit të punës dhe të urtisë, dashamir i flakët i mjekësisë, pedagog i përkryer, vlerë arsimore dhe shkencore, emër i merituar në mjekësinë shqiptare, veprën e të cilit koha nuk do ta zbeh kurrë.

Prandaj, sot duke kthyer kokën prapa shohim kopshtin e mundit e të punës së Prof. Dr. Gjergji Minga, ku kanë lulëzuar lulet më të bukura të dëshirave dhe idealeve të tij.

Vepra pedagogjike gjysmëshekullore e Prof. Dr. Gjergji Minges në lëmin e mjekësisë është thesar i madh kombëtar, prandaj u quajt me të drejtë e me krenari nga ish studentët, kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij: erudit në fushën e mjekësisë, ambasador i studentëve dhe kolegëve të tij nga të gjitha trevat shqiptare, model i pedagogut të përkryer, kolos i shkencës mjekësore–biokimike, shembull i profilit akademik i shoqërisë shqiptare dhe i shkollës shqipe, personalitet me cilësitë më të mira që mund të ketë një njeri; njeri i madh i kombit, humanizmit dhe i shkencës, pedagog shumë i kujdesshëm që nuk pushoi kurrë së menduari për studentët, babai i biokimisë mjekësore shqiptare, vullkan i gjallë që potencialin e tij të dijes e ka nxjerrë dhe shpërndarë nëpër gjenerata për më së gjysmë shekulli, ikonë dhe idol i të gjithë mjekëve shqiptarë, që na ka ushqyer me vetitë më fisnike dhe më humane. Prandaj ruhen me xhelozi kujtimet, këshillat profesionale, njerëzore dhe ato të atdhedashurisë, si dhe shumë e shumë epitete të tjera, që i përgjigjen natyrës dhe punës së tij profesionale, edukativo- arsimore dhe shkencore.

Monografia që ka 171 faqe dhe e ilustruar me fotografi të bollshme, përmban tre kapituj kryesor. Në kapitullin e parë flitet për jetën dhe veprimtarinë e kolosit të shkencës mjekësore-biokimike; në të dytin përfshihen bisedat dhe kujtimet e Prof. Dr. Gjergji Mingës për punën me studentët dhe bashkëpunëtorët e tij, veçanërisht në Kosovë. Kurse në kapitullin e tretë “I veçantë dhe shëmbëlltyrë e pakrahasueshme”, përfshihen rrëfimet, kujtimet dhe përshtypjet e bashkëpunëtorëve dhe të ish studentëve të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë dhe të trevave të tjera shqiptare për profesorin e nderuar.

Konsiderojmë, se monografia që ka një përmbajtje të begatshme, me rrjedhë të mirë të kapitujve, e shkruar me stil të rrjedhshëm dhe me gjuhë të pasur e të pastër, meriton  të botohet nga ana e Këshillit Botues të Universitetit të Prishtinës.

Prandaj, ish studentët dhe bashkëpunëtorët e tij në shenjë respekti të thellë dhe adhurimi, atij i dhurojnë këtë libër “monografi”  në shenjë falënderimi, si një hap i vogël, por shumë domethënës.

Kemi kënaqësinë që Prof. Dr. Gjergji Mingës, kolosit të mjekësisë kombëtare dhe kalorësit të përhapjes së diturisë mjekësore, edukatës dhe arsimit, emri i të cilit na nderon të gjithëve, t’i shprehim përgëzimet tona më të përzemërta duke i uruar shëndet të mirë, jetë të gjatë e të lumtur dhe suksese të reja në të ardhmen”.

 

Duhet theksuar se hartimi dhe botimi i librit ”Prof. Dr. Gjergji Minga-skalitës i dijes, humanizmit e atdhedashurisë” i autorëve Shefajet Berisha e Çerkin Bytyçi mëton të lë gjurmë të pashlyeshme për një punë të bërë nga Profesori Minga dhe shumë të tjerë  jo vetëm në Fakultetin e Mjekësisë, punë kjo me rëndësi të madhe arsimore, shkencore e kombëtare. Ai ka rëndësi të veçantë për faktin se për njerëzit e mëdhenjë, në këtë mënyrë shprehet admirimi dhe mirënjohja në këtë botë dhe kështu me veprat e shkruara, përjetësohen, kutjohen me pietet dhe mbeten të paharrueshëm për gjeneratat që vijnë. Botimi i këtij libri është dëshmi edhe për faktin se kujdesi për të merituarit duhet të jet i përhershëm. Fakulteti i Mjekësisë në Prishtinë me këtë botim dëshmoi se angazhimin dhe sakrificën e pedagogëve të merituar e respekton në vazhdimësi.



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora