E premte, 19.04.2024, 01:50 PM (GMT+1)

Mendime

Baki Ymeri: Masakra serbe kundër Kosovës shqiptare

E diele, 03.02.2008, 07:10 PM


Masakra serbe kundër Kosovës shqiptare

Sadik Rama i Gjurgjevikut qysh para 89 vitesh kërkonte pavarësi për Kosovën
  “Nuk e shes atdheun me pare. Sikur me ma mbushë kët kullë plot me flori nuk bahem serb; por ikni e shkoni kah jeni ardhë se Kosova asht njhi tokë arbnore dhe ka me fitue independnecën”.

 
Nga Baki Ymeri, Bukuresht 
 

Baki Ymeri
Më 25 Maj të vitit 1932, filloi të dalë në Konstancë të Rumanisë revista e parë e diasporës shqiptare Kosova, tribunë e rëndësishme e çështjes shqiptare dhe e afirmimit të Kosovës në botë. Drejtor i saj është patrioti korçar Gjergj Bubani. Revista delte në Tipografinë Albania të Konstancës, atje ku e panë dritën e botimit Atdheu, Flamuri i Shqipërisë, Shqipëria e Re, një varg gazetash e revistash tjera shqiptare, si dhe veprat e para të Asdrenit, Lasgushit, Kutelit, Dodanit, Aleko Vançit she veteranëve tjerë të atdhetarizmit shqiptar.
Kosova delte me artikuj në gjuhën shqipe, rumune e frenge, në formatin 32/48 cm. Ekzistencën e saj në gjirin e Bibliotekës së Akademisë rumune, sëbashku me disa  botime të vjetra për Skënderbeun e zbuloi poeti kosovar Sali Bashota (2005), edhepse për këtë tribunë kanë shkruar kohë më parë Vehbi Bala, Ismet Dërmaku, Fatmira Rama, Cristia Maksuti, Zëri i Prishtinës etj. Ndër bashkëpunëtorë njihen Dhimitër Pasko, Ali Asllani, Asdreni, M. Pogaçe, Emin Pllana, Kristo Luarasi, Selami Çela, Dhimitër Shuteriqi (...), disa duke i shënuar artikujt apo vjershat me pseudonime si Kaçaniku, Simfiri, Anliri, Plaku i Drenicës etj Nga kjo gazetë janë botuar 32 numra, numri i fundit duke qenë ai i ll korrikut l933. Revista kishte karakter të dukshëm prozogist dhe revendikativ lidhur me trojet shqiptare të mbetura nën kthetrat e hegjemonisë pansllaviste dhe greke.
Kështu, nën moton Le t’a dijë bota mbarë/ Se shqiptari ësht’ i zoti/ Të luftojë si më parë/ Të luftojë si qëmoti/ Për Kosovë e Çamëri/ Rrofsh e qofsh, moj Shqipëri!  (nr.3, 13 qershor 1932), “Kosova” qysh në numrin e parë të saj përcakton katër kërkesa kryesore për çështjen shqiptare: 1. Të drejtën e vetëdisponimit për viset tona të robëruara (Kosovë e Çamëri), 2. Një Maqedoni autonome, kantonale, me të gjitha format poltike të Zvicrës, ku maqedono-shqiptarët, maqedono-rumunët, maqedono-bullgarët, maqedono-turqit, maqedono-grekët të kenë kantonet e tyre të lira. 3. Konsolidimin e pavarësisë sonë, radikalizmin e reformave shoqërore dhe kristalizimin e lirive kushtetuese. 4. Afrimin dhe bashkëpunimin sa më të ngushtë ndërmjet të tre blloqeve që përbëjnë kombin tonë, dmth. Ndërmjet shqiptarëve të Shqipërisë së lirë, shqiptarëve të Shqipërisë së robëruar dhe shqiptarëve të kolonive. Ky ishte, në të vërtetë, programi i revistës së një drejtori që më vonë do të përjetojë persektutimet e qeverisë shqiptare si pasojë e rekomandimeve të Beogradit.
Sa janë shqiptarët të pregaditur të respektojnë rekomandimet e kryemninistrit për respekt ndaj minoriteteve, sidomos me rastin e shpalljes së pavarësisë, nuk dihet, por dihet se sipas Kosovës së Gjergj Bubanit, Sadik Rama i Gjurgjevikut qysh para 75 vitesh kërkonte independencë për Kosovën. Kush ishte de facto Sadik Rama i Gjurgjevikut? Sipas artikullit Një histori e gjallë, me mbititull Nga tragjedia e Kosovës dhe me nëntitull Sadik Rama dhe manovrat serbe në Kosovë, nga Kosova e Gjergj Bubanit (nr.31/1933, fq.9, kuptojmë se “Në muajin Mars të vjetit 1919, kur filluan serbët me ba zgjedhjet e deputeteve në prefekturën e  Prizrendit, Prefekti i Prizrendit çoj me thirrë Sadik Ramën  e Prokorupës (së) Pejës në katundin Gjorgjevik, i cili ishte prej nji shpije të ndershme edhe burr besnik e atdhetar i Kosovës”.
  
“Serbija këtu rin provizorisht”

Sadik Rama, thekson artikullshkruesi Zek Musa (emigrant kosovar), sipas urdhërit të prefektit të Prizrenit, i hypi kalit e shkoi në Prizren ku u paraqit para prefektit të quajtur Gjoka Matiçi, pranë të cilit ishte koloneli Kataniçi, dhe si dragoman (përkkthyes) ishte ftuar Haxhi Selimi i Prizrenit, meqë Sadik Rama nuk dinte sërbisht.  Filloi biseda mbi zgjedhjen e deputetëve të Kosovës, dhe kështu prefekti Mitiç i tha Sadik Ramës: “Në ty ka besim Kral Pjetri i Beligradit e me urdhërin e Kralit ju kemi thirë me i ba zhgjedhjet në Prefekturën e Prizrendit bashkë me emnue nga ju turqit e Kosovës, se neve i kemi emnue dy serbjanë; duhen edhe dy turq prej jush”. Sadik Rama, si një shqiptar i vjetër, që ishte ashtu dhe si një atdhetar i Kosovës i tha prefektit dhe kolonel Kataniçit, komandantit të përgjithshëm, se “na kosovarët nuk jemi turq por jemi jemi shqiptarë 90 përqind, e këtu Kosova asht tokë Shqipnijet e nuk kemi të drejt me emnue deputetët mbasi Serbija këtu rin
 provizorisht”. Prefekti dhe Kataniçi kur i dëgjuan fjalët e Sadik Ramës, u zemëruan fort keq por nuk kishin fuqi dhe nga frika s’patën guxim “m’e gri  me njiher Sadik Ramën  e kështu nuk mujtën me i ba gja e me fjalë të ambla e përcullën Sadikun tuj i thanë se na të kena mik ty, e me këto fjalë u da Sadiku prej tyne e shkoj në shpi të vet”.
  Sipas Zek Musës, pas ca ditësh Esad Pash Toptani i kishte dërguar në Prizren dy kapitana të vet, Hasan beg Shijakun dhe Etem efendiun e Durrësit për t’i bindur kosovarët që të mos i kundërshtojnë Beogradit për deputetë dhe me këtë rast u thirr prap Sadik Rama i Gjorgjevikutme anën e prefektit si dhe prej Kataniçit për të rënë në akord me ta. Kështu,  pas thirrjes që i bënë, Sadik Rama i hypi kalit e shkoi në Prizren, e u paraqit para prefektit dhe Kataniçit, të cilët e pritën me nderime të mëdha. Aty, në bashkëfjalim ishin kapitenët e lartëpërmendur të Esad Pashës, të cilët u përshëndetën me Sadik Rmën duke ia treguar qëllimet e veta në gjuhën shqipe. Dragoman me këtë rast ishte Haxhi Selimi i Prizrenit. Prefekti dhe Kataniçi, të dy me një fjalë, i thanë Sadik Ramës: “Neve ty të kemi thirë për mbas urdhnit urgjent të Kral Pjetrit i cili ty të ka emnue me nji grad kapiten rezerve i Gjendarmeris për me mbajt qetsiën e vendit në Lumë me 450 ushtarë e nënoficera nën urdhënin tand se Kral Pjetri i Beligradit ka shumë besim në ty e prandaj ta ka dhënë kët gradë të naltë”.
Sadik Rama nuk e pranoi aspak gradën e Kral Pjetrit dhe u përgjegj: “Unë jam shqiptar e nuk e due gradën e as rrogën e Beligradit”. Gjithashtu iu lutën Sadik Ramës edhe kapitenët e Esad Pashës duke i thënë: “Mos u ban kundërshtar i Kral Pjetrit!”. Por Sadik Rama u thot kapitenëve: “Asht turp për juve qi keni ardhë këtu në Kosovë për me trathtue popullin shqiptar”, dhe me këto fjalë u nda prej tyre e shkoi në shtëpi tëvet. Sipas artikullshkruesit, në atë kohë Serbia nuk kishte fuqi (pra jemi në vitin 1919 kur serbët e helmuan babain e Nënës Terezë, Nikollë Bojaxhiun), “dhe medoemos i duhesh me i lutë shqiptarët e Kosovës me të holla e tjera shpërblime për me e kthye parinë e vendit për vedi. Mirëpo ata shqiptarë të vjetër qi e dinin detyrën e vet nuk mujshin me u ba spiuna dhe vegla të serbit”. Në muajin prill të citit 1919, prefekti i Mitrovicës bashkë me gjeneral Terziçin nga ushtria e Beogradit, edhe këta çuan njerëz për ta thirrë Sadik Ramën e Gjurgjevikut.
  
“Nuk mundemi me u ba serbë tuj qenë shqiptarë të kulluar”

Menjëherë, Sadik Rama i hypi kalit e shkoi në Mitrovicë, ku u prit me shumë nderime prej gjeneralit të lartëpërmendur dhe prej prefektit në fjalë. Pasi nuk dinte të flasë serbisht, si dragoman e sollën Popa Ngjelkun e Mitrovicës. Popa Ngjelku ishte prift i Mitrovicës. Prefekti dhe gjeneral Terziçi nisën t’i tregojnë Sadik Ramës pse e kishin thirrë: “Neve të kemi thirë se Serbija ty të don fort edhe Kral Pjetri të don fort e kështu të lutet Krali qi ti të jesh besnik i tij kurdoherë dhe ndërmjetës për çdo nevojë që ka Krali. Tashi të lutemi shumë me marë mundimin e me shkue në katundin Galic e me ju lutë Azem Bejtës për mos me u sjellë keq kundra Serbis e kështu Azem Galica le të vin këtu në marrëveshje me neve të cilit kemi me ia dhanë të drejtat dhe nji rogë me nji grad oficeri”. I vetëdijshëm se Kosova gjendej nën thundrën e thinjve, Sadik Rama i përgjigjet gjeneralit dhe prefektit se “neve jemi shqiptarë e nuk e duem rogën t’euj, as gradën t’uej, se këtu në Kosovë janë
 90 përqind shqiptarë e nuk mundemi me u ba serbë tuj qenë shqiptarë të kulluar”.
  Artikullshkruesi që ia transmeton lajmin Kosovës së Gjergj Bubanit nga Kavaja (Maj, 1933), thekson se “Këto fjalë Prefektin dhe Gjeneralin Terziçi tepër e zëmruen. Prefekti kthehet e i thotë Gjeneralit se ky njeri me të vërtetë qënka atdhetar i vendit dhe nji shqiptar shumë besnik për atdhe”. Me këto fjalë Sadik Rama u nda prej tyre e shkoi në shtëpi të vet. Një javë pas kësaj thirrjeje, Beogradi dërgoi një deputet të quajtur Aleksa Zhujoviçi, me një shumë të hollash prej 15.000 napolona ari për t’ia dhënë Sadik Ramës në katundin Gjorgjevik si shpërblim që mos ta kundërshtojë Qeverinë e Serbisë “dhe mos të bëhet shkak për me përhap kombësinë shqiptare. Deputeti serb e merr për dragoman Andreja Rungjiçin nga Rahoveci i Przrenit dhe shkojnë në shtëpi te Sadik Rama ku rinë 5-6 orë, duke iu lutë Sadik Ramës me i marë ato të holla si shpërblim. Mirëpo atdhetari ynë nuk i pranoj aspak ato të holla tuj thënë : “Nuk e shes atdheun me pare. Sikur me ma mbushë kët kullë plot me
 flori nuk bahem serb; por ikni e shkoni kah jeni ardhë se Kosova asht njhi tokë arbnore dhe ka me fitue independnecën”.
  
Dhe kështu krisi topi dhe pushka kundër shqiptarëve të Kosovës

Deputeti i Beligradit, Aleksa Zhujoviçi, bashkë me Andreja Kuingjiçin, vazhdon rrëfimin e tij Zek Musa, me një hidhërim të madh ikën nga shtëpia e Sadik Ramës dhe shkuan në Beograd duke i thënë qeverisë se Sadik Rama është “një shqiptar nesnik dhe nji atdhetar i Kosovës”. Në muajin Maj 1919, Nikolla Pashiqi i u dha urdhër autoriteteve serbe në Kosovë për ta zënë Sadik Ramën, të gjallë apo të vdekur. Sipas Kosovës së Gjergj Bubanit: “Të gjitha qytetet e Kosovës u urdhënuan fshehtas për me zanë Sadik Ramën të gjallë. Dhe të gjitha sëbashku, Peja, Gjakova, Prizrendi, Prishtina, Vuçiterni, Mitrovica, me një urdhën e thirën Sadik Ramën me nji her. Por kësaj here Sadik Rama nuk shkoj tue qenë se e kuptoj rezikun”. Pasi e panë serbët se Sadik Rama nuk prezantohet para autoriteteve, me një urdhër urgjent i nisën ushtritë në të katër anët “për me e zanë Sadik Ramën dhe me i therë shqiptarët e shkretë dhe kështu krisi topi edhe pushka më të katër anët tuj djegë shpija e
 tuj plaçkit shqiptarët e Kosovës së robnueme”. Atëherë u rrethuan Prekorupja, Podrimja dhe Bajraku i Ostrazulit nga ushtritë serbo/malazeze. Për të shpëtuar nga ky rrezik i papritur, Sadik Rama bashkoi familjen e vet dhe nëpër thonj të armiqve iku për në Shkodër duke lënë gjithë pasurionë e vet prej më së 10.000 napolonash ari në dorë të ushtrisë barbare.
  “Sadik Rama iku për në Shkodër për me u ankue para Kombit Shqiptar për ngjarjet e përgjakshme qi u banë në Kosovë”. Kështu, sipas artikullshkruesit, në katundin Gjurgjeviku i madh “janë vra Feriz Zeqiri, Hasan Hajzizi edhe 7 burra tjerë, janë djegë 42 shpi, janë plaçkit teshat shtëpijake krejt, janë marë të holla lira turku pa numur, dhen, dhi, lop, bollica, kual e tjera 6500 copë, grunë, elb, misër e tjera 45000 kuintale. Në katundin Gjorgjeviku i vogël janë vra Demir Alija, Zek Abdullahi, Feik Abdullahi edhe ashtë djegë katundi krejt. Janë plaçkitë dhen, dhi, lop, kual e tjera 6000 copa; grunë, elb, misër e tjrea 2000 kuintal. Në katundin Jashanic asht vra Latif Bajraktari me 15 shok tjerë, janë djegë 60 shpi, janë marë 4600 kuintal grunë, elb, misër e tjera si dhe dhen, dhi, lopë, kual 4300 copë kanë grabit”. Në katundin Siqenë ndodh e njëjta gjë: vriten tre burra pasanikë (Bajram Haxhija, Nurat Mehmeti me të birin, Mehmet sadrija) dhe digjen shtëpitë e tyre dhe 16
 shtëpi tjera, u grabitet gjithë pasuria. Krime të këtilla barbare serbët ndërmarrin edhe kundër fshatit Gllarenë, ku digjen 41 shtëpi, në Perçevë digjen 21 shtëpi, në katundin Shperka e Gashit digjen 60 shtëpi, në Volljak 15 shtëpi, dhe grabitet në këtë fshtra gjithë pasuria.          “Në katundin Qypevë asht djegë krejt katundi e burrat i kanm gri tuj i lidhë dursh shoq me shoq i kanë ba batare me mitraloz, grat edhe fëmin i kanë futë në zjarmë tuj i djegë për s’gjallmi vetëm nji djal ka pështue i cili gjindet sot në Shqipni”. Edhe këtu plaçkitet gjithë pasuria. “Nuk dihet numri i pasunis të lëtij katundi masi nuk ngeli kush i gjall për me kallxue sasin e humbun”. Në katundin Damas është vrarë Rrahman Syla me 5 meshkuj të shtëpisë së vet, “janë ba batare  42 burra tjer tuj i lidhë dursh me litar e i kanë gri me mitraloz; janë djeg 7 shpi dhe asht plaçkit gjithë pasunia e tyne. Në katundin Turjak asht vra Ismail Qeba me nji vlla, janë vra edhe tre burra miqt e tij qi janë
 ndodhë musafir, i biri i Ram Musës Ponorcit Halil Rama edhe dy shok të tjer, asht plaçkitë krejt katundi. Në katundin Zatriç asht vra Jak Besa me 26 burra të cilët i kan gri tuj i therë me bajoneta ashtu edhe nji gruë me gjithë fëmi të Ahmet Alis. Asht plaçkit krejt katundi”.
  Duke përshkruar masakrat serbe kundër shpirtit shqiptar në Kosovë, Zek Musa thekson faktin se të gjitha këto katunde “që i shënova sipër” janë në rajonin e Nënprefekturës së Rahovecit, Prefektura e Prizrendit”. Me këtë rast, shton faktin se edhe në katundin Drenofc janë vrarë tre burra dhe janë plaçkitur teshat shtëpiake, ndërsa në katundin Vrajak, Postosli, Patok, Kosnik, Petkoviç, Llabicevë, janë plaçkitur teshat, bylmetet e tjera ndërsa burrat e fëmitë kanë ikur nëpër pyje nga frika e topit, duke shpëtuar vetëm me shpirt. Poashtu edhe në katundin Mrasur janë vrarë 2 burra, dy djem të ri, dy vajza dhe dy gra, “të cilat i kanë ba batare te shpija e Shaban Mrasorit, kan marë edhe 100 lira turku tuj ja djeg edhe shpijat me gjith pasuni”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora