Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Enver Bytyçi: Persekutimi grek për shkak të vendlindjes

| E shtune, 18.06.2011, 08:05 PM |


Persekutimi grek për shkak të vendlindjes

 

Nga Enver Bytyçi

eb_shqip@hotmail.com

 

Një gjyqtar është kthyer më datën 10 qershor në Kakavijë dhe nuk është lejuar të futet në shtetin grek, megjithëse dispononte pasaportë biometrike shërbimi. Bashkë me gjyqtarin Skënder Damini është kthyer mbrapsht në pikën kufitare të Kakavijës edhe babai dhe bashkëshortja e tij. Daminët kanë rënë viktimë e të qenit shqiptarë, çamë. Ka mjaftuar fjalët “Mazrek, Çamëri” të shkruara në pasaportën biometrike të babait të gjyqtarit dhe të tre anëtarët e një familjeje çame janë persekutuar mizorisht nga pikëpamja morale e shpirtërore si në kohën e mesjetës së hershme, pra janë kthyer me sytë mbrapa nga vendlindja e tyre. Domethënia e kësaj histerie greke, të përsëritur me dhjetëra e qindra herë, është një domethënie perverse, jashtë kohe e në rrjedhë të kundërt me civilizimin modern të kohës së sotme të globalizimit. Pra, nëse je shqiptar i Çamërisë, nuk ke të drejtë të udhëtosh në Greqi, nuk ke të drejtë të shkelësh në tokën tënde, ku ke lindur, pa le në tokën greke matanë Çamërisë martire!! Kjo masë arrogante e shtetit grek është praktikuar disa herë gjatë këtij viti. Në mars një çift nga Çamëria u kthye mbrapsht nga rrugëtimi i tyre drejt Greqisë thjesht për shkak të përkatësisë çame. Atëherë rastin e denoncoi Shpëtim Idrizi. Ndërsa rastin e fundit e denoncoi Kreshnik Spahiu, të dy këta personalitete të njohura në Shqipëri. Ndërkohë në prill ka ndodhur një rast tjetër i ngjashëm. Policia greke në pikën kufitare të Kakavijës, në Gjirokastër, nuk ka lejuar 71-vjeçaren Sulltanë Bajramin të kapërcejë kufirin dhe të shkelë në tokën greke përmes pikës kufitare të Kakavijës, në Gjirokastër. E nisur për në Greqi të vizitonte djalin e sëmurë, Sulltanë Bajrami ka hasur në rezistencën e policisë greke, e cila nuk i ka njohur dokumentet e udhëtimit thjesht për shkak të vendlindjes. E moshuara kishte lindur në Margëlliç dhe ishte konsideruar arbitrarisht person non grata për shkak të “fajit” që kishte kryer 71 vjet më parë: kishte lindur në një territor të cilin polici grek e quan “tokë greke”. Ai kishte thënë shprehimisht “Çamëria është Greqi” dhe me këtë “arsyetim” kishte urdhëruar kthimin mbrapsht të gruas së përvëluar për vendlindjen e saj. Me siguri që policin grek e kishte ndihmuar në këtë akt çnjerëzor e diskriminues ligji i luftës me Shqipërinë, sipas të cilit të gjithë çamët e lindur në Çamëri para vitit 1944 “ishin dhe mbeten bashkëpunëtorë të fashizmit”.

I përmenda këto tri raste thjesht në funksion të argumentit që doja të zhvilloja lidhur me fenomenin e lartpërmendur. Por nuk janë vetëm çamët që ndalohen të hyjnë në shtetin grek. Kjo më ka ndihur edhe mua, ani pse kam lindur në Has të Kukësit, shumë larg prej atij territori që sipas grekëve “ka prodhuar e prodhon shqiptarë fashistë”. Më 1 mars të këtij viti po udhëtonim me linjën greke të “Olimpia”-s transit për në Moskë. Ishim tre veta. Të tre me pasaporta shërbimi. Kishim kohë të qëndronim në territorin grek e më pas të niseshim për në Moskë. Por sapo shkuam në sportelin e policisë, na kthyen mbrapsht, na morën në pyetje e, kur mësuan se do të shkonim për në kryeqytetin rus, policët na urdhëruan të prisnim gjashtë orë në karantinën e aeroportit. Nuk na lejuan të kalonim postën e policisë të aeroportit. Në atë rast unë po kaloja i pari. Dy kolegët e mi nuk i pranuan fare në sportel. Kur u kthyem më datën 3 mars, shkuam te posta e policisë dhe donim përsëri që orët e shumta transit t’i kalonim jashtë. Por këtë radhë luajtëm ndryshe. Unë qëndrova i fundit, ndaj dhe ndodhi diskriminimi i radhës. Dy kolegët e mi e kaluan kufirin. Mbasi dolën, u kthyen mbrapsht për të parë se ç’po bëhej me mua. Ndërkaq policia më kishte ndaluar të mos kaloja. Kolegët më bënin me shenjë të shpejtoja dhe më pyesnin me lëvizjen e buzëve nga larg pse nuk shkoja pas tyre e çfarë kishte ndodhur. Unë rrudhja shpatullat. Polici kishte thirrur shefin e tij. Shefi mori pasaportën e shërbimit dhe iku në zyrën e vet. Shkova tek ai, por nuk pranonte të jepte asnjë shpjegim. E pyeta pse dy kolegët e mi me të njëjtën pasaportë u lejuan të kalonin, ndërsa unë jo. “Po verifikojmë disa gjëra”, - më thonë, derisa erdhi koha të fluturonim për në Tiranë. Asnjë shpjegim, asnjë shenjë në pasaportë, por edhe asnjë mundësi për të kaluar kufirin grek aeroportual. Lexuesi do të më ndjejë që riprodhova një histori personale të këtij viti, sepse nuk është etike të përsërisësh vetveten. Por kjo është e vërteta, ajo e vërtetë që e vuajnë shumë shqiptarë jo çamë dhe të gjithë shqiptarët çamë. Por le t’i kthehem argumentit.

Së pari, veprime të tilla dëshmojnë se politikat greke ndaj shqiptarëve janë ndërtuar dhe përvijohen edhe sot si politika raciste. Nëse do të ktheheshim në ngjarjet e viteve të fundit, pa shkuar deri te vitet 1860, kur kishin nisur tratativat serbo-greko-ruse për asgjësimin e kombit shqiptar, iniciativa që kishin përfunduar në gusht të vitit 1912 me traktatin e fshehtë midis Serbisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi, ne do të jepnim më dhjetëra prova dhe dëshmi të këtij qëndrimi armiqësor të Greqisë ndaj Shqipërisë. Fobia dhe racizmi antishqiptar grek i ditëve të sotme nuk besoj se synon të pamundurën: asgjësimin e kombit shqiptar si para 100 vjetësh. Por as nuk besoj se ndalet vetëm në persekutimin e shqiptarëve të Çamërisë. Gjykoj se racizmi antishqiptar grek i sotëm ka një aspekt tjetër të pathënë. Greqia nr.1 e Athinës dhe Greqia nr. 2 e Nikozisë nuk e kanë njohur ende shtetin e ri të Kosovës. Kosova i tremb grekët, jo se ata e pretendojnë territorin e saj, por se një shtet shqiptar më shumë sot dhe një shtet kombëtar shqiptar nesër i pret përfundimisht shpresat greke për ndikim në zonat e ashtuquajtura minoritare në Jug të Shqipërisë dhe dominim të Ballkanit. Veprimet e policëve grekë në Kakavijë, pra moslejimi nga ana e tyre e shqiptarëve të Çamërisë për të shkelur përtej kufirit është shprehje e frikës greke. Grekët ndihen fajtorë e njëkohësisht humbës, ndaj dhe ndihen të frikësuar. Ai polici në pikën kufitare greke në Kakavijë nuk besoj se i ka bërë ato krimet çnjerëzore të shekullit XX kundër shqiptarëve. Por ai ndihet i frikësuar se mund të paguajë krimet e babait ose të gjyshit të tij. Ndaj ata janë dhe inferiorë në raport me shqiptarët. Ndryshe nuk kanë shpjegim veprimet arbitrare të policisë greke kundër qytetarëve shqiptarë me origjinë çame apo kundër emigrantëve shqiptarë të çdo origjine e prejardhjeje.

Së dyti, persekutimi grek vjen në trendin e sotëm për arsyen e thjeshtë se ata nuk duan të lejojnë që e drejta çame të marrë udhë e të gjejë zgjidhje. Sipas tyre, një kufi i mbyllur është zgjidhja e vetme për ta lënë në harresë problemin e Çamërisë. Nga ky këndvështrim kjo ngjan me strucin, sepse Greqinë nuk e shpëton koka e futur në rërë, kur trupi i saj (krimet e shkaktuara ndaj shqiptarëve të Çamërisë) duken sheshit dhe janë në shënjestër të drejtësisë. Çështje të tilla ka në disa vende europiane. Ndër to shfaqet si një problem i mprehtë fenomeni i njëjtë që kishte ndodhur në fund të Luftës së Dytë Botërore me gjermanët që banonin në Poloni dhe në Çeki. Por ndërsa gjermanët, polakët dhe çekët e sotëm kanë arritur në mirëkuptim për t’u dhënë zgjidhje këtyre çështjeve, Greqia “europiane” kërkon që ta mbajë të mbyllur si problem masakrën e pashembullt që kanë bërë kundër çamëve në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore. Dhe ka shumë mundësi që për krimet greke të fajësohen shqiptarët. Ai polici grek në Kakavijë apo në Athinë shihet si polic europian, ndërkohë që as në Perandorinë Osmane nuk kishin ndodhur sjellje të tilla të çmendura.

Së treti, shqiptarët e Çamërisë gjatë 20 vjetve postdiktaturë duket se më shumë janë dhënë pas retorikës sesa pas zgjidhjeve praktike të çështjes çame. Nëse ky komunitet dëshiron drejtësi, kjo nuk mund të gjendet duke u ankuar në dyert e kriminelëve vrasës, por në dyert e drejtësisë europiane. As qarjet dhe as të çirrurat nuk i zgjidhin problemet e ditës, aq më pak ato që janë akumuluar prej dekadash. Nëse do të duhej të zgjidhej problemi çam, atëherë Strasburgu, Venecia e çdo organizëm tjetër, deri dhe Haga duheshin furnizuar me të gjitha dokumentet, faktet, indiciet, argumentet për të fituar të drejtën e mohuar, kthimin e pronave te pronarët e vërtetë: te çamët e masakruar e të dëbuar të gjysmës së parë të shekullit XX e te çamët e persekutuar të fillimit të shekullit XXI. Askush nuk ta falë lirinë, të drejtën, pronën, pasurinë. Nëse prindërit e brezit të sotëm të rinisë greke kryen krimin e shëmtuar të asgjësimit të shqiptarëve në këtë vend, është absurd të mendosh e të kërkosh drejtësi te bijtë e nipërit e tyre. Është njësoj sikur t’u thuash Gjonëve, Kapove, Hoxhallarëve, Shehlerëve, pinjollëve të sotëm të diktaturës në Shqipëri, që ata të rikthejnë drejtësinë e padrejtësisë së etërve të tyre te shqiptarët e persekutuar në 50 vjet diktaturë.

Enver Bytyçi, 16/06/2011