E shtune, 25.09.2021, 08:06 PM (GMT+1)

Kulturë » Lushaj

Zeqir Lushaj: Fjala e thyen pushkën

E shtune, 18.06.2011, 07:59 PM


FJALA E THYEN PUSHKËN

 

Në vend të një referati për uljen e tensioneve

dhe mirëkuptim ,që aq shumë, na duhet sot

(Tiranë,nëntor 1992)

 

Nga Zeqir Lushaj

 

Bariu i urtë

 

Për ndonjë politikan të sotëm, që rastësia e ka nxjerrë në krye (edhe ai, çuditet me karrikën e vet, e në monolog, thotë: Sa vonë kam ardhur unë këtu!), fjala “bariu i urtë, rrezik të tingëllojë pak fyese. Thonë se edhe gjeli, kur hypën në grumbullin e plehut dhe këndon ki-ki-ki, don të thotë, ose më saktë, thotë në gjuhën e tij:- Unë jam gjeli, mbreti i pulave! Por, ka shumë edhe barinjë të urtë. Ka edhe bujqë, këpucarë, marangozë, bojazhinjë, tregtarë etj, etj. pa hierarki

politike-shoqërore, por ama, janë të urtë. E gjejnë fjalën dhe e dinë vendin e saj. Them e dinë vendin e fjalës, se sot, jo pak fjalë, shohim të flitet vend e pa vend, funksion e pa funksion.

Thesi” i pluralizmit u hap, por, prej andej po dalin fatkeqësisht, më shumë fjalë të këqija, të hidhura, fyese, mashtruese se sa fjalë me vend, fjalë që, siç thoshte një burrë i ditur:”…i duhen

vendit e kuvendit”. Fjala me vend e me mend, është tepër e fortë. Eshtë aq e fortë, sa ajo, e thyen edhe pushkën.

!

Kjo foto…, flet vet !
Kjo foto…, flet vet !
Tregojnë se, një malësor, ishte në gjak. Koha e besës kish kaluar dhe e ndiqnin për ta vrarë, për të marrë hak. Tek ndillte ogiçin, për të ju prirë deleve e për ti nxjerrë në anën tjetër të

pyllit, aty afër, gjaksori, po rrinte me pushkën ngrehur, gati për të shtirë mbi të. Dashi nuk po i bindej çobanit, nuk po e ndiqte. Atëherë, çobani i inatosur, i foli ogiçit si një njeriu: -”O ogiç! Ose më ndiq, ose sot do të ta marr fytyrën!”. Gjaksori,me gishtin në këmbëz të pushkës, u habit me këto që dëgjoi: Si i merret fytyra dashit?!

U ngrit nga prita. Haptazi, iu afrua hasmit dhe ju drejtua:

- Çfarë i the ogiçit? - Si i merret fytyra dashit?

Malësori, duke e ditur se, tani, mund të ishte fundi i tij,foli ngadalë dhe prerë: -”Po! Edhe dashit të këmborës i merret fytyra. Po nuk më dëgjoi të më ndjekë, unë ia heq kemborën dhe ia vë ate një deleje më të dëgjueshme. Për ogiçin e këmborës, nuk ka turp më të madh se sa tia heq atë e, tia vë një deleje!”.Gjaksori e uli tytën e pushkës:

- Të qoftë fal gjaku, or mik. Kam dal të të vras, por që sot ta kam fal gjakun. Ti na ke vrarë, por, nuk na ke vrarë për të na turpëruar. Ti që mendon për nderin e dashit, me siguri, mendon më shumë për nderin e njeriut. Gjaku falet, turpi jo. Por, ti, nuk na ke turpëruar.

 

Në Geg-hysen

 

Ka ndodhur, pa e tregojnë.

Ishin vitet, diçka mbas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Zeqir Hajdari, nga zona e Nikaj-Mërturit, i dëgjuar për trimëritë e tij, tani në moshë të thyer, po kalonte nëpër fshatin Geg-hysen. Tek pusi i Selimajve, disa fëmijë që po ruanin bagëtitë e ngacmojnë plakun e lodhur nga mosha e nga rruga. Mbasi ky i qorton, njëri nga ata, e gjuan me gurë dhe e gjakos në fytyrë. E tmerrshme që, një trim si Zeqir Hajdari, ta rrahin fëmijët! Çtë bënte? Të gjuash mbi fëmijë, është turp, dhe e ndaluar edhe me Kanun. - Atëherë, mendoj trimi, unë sot duhet të vras burrin më në zë të Geg-hysenit, ndryshe nuk lahet turpi. Dhe burri më në zë, dihej kush ishte, Qerim Delia. Pushkën në dorë, dhe trimi i Lekbibajt i thirri në oborr Qerim Delisë, me mendjen e ndarë për ta vrarë.

Sa doli në oborr, Qerim Delia që e njihte mirë Zeqir Hajdarin, u befasua kur e pa të larë në gjak dhe i foli:

- Hëë, çka ka ba vaki, o trim?

- Më kanë rreh fëmijtë e Geghysenit, -u përgjegj Zeqiri dhe e uli pushkën nga krahu në dorë...

Qerim Delia, e bëri një gaz të keq: “Mos u mërzit o Zeqir Hajdari. Ty të paskan rreh një herë sot,e mue, besa, janë më rrehin për ditë!”.

Fjala e urtë e Qerimit, e lehtësoi disi trimin. U ul tyta e armës e, burrat e mirënjohur ndërruan kutitë e duhanit miqësisht. Fjala me mend e zbuti sedrën e trimit që në jetën e tij, deri në atë ditë, nuk kish vrarë pak, por, plot 36 veta.

Mësues,në Geg-hysen,Tropojë,në vitin 1968. Në këmbë: Behie Mamani,nga Fieri,Gjon Jaha,drejtori i shkollës, Fiqirete Sadiku, nga Shkodra.Ulur:-Haki Spahia e Kel Pjetrushi, nga Shkodra dhe Zeqir Lushaj.
Mësues,në Geg-hysen,Tropojë,në vitin 1968. Në këmbë: Behie Mamani,nga Fieri,Gjon Jaha,drejtori i shkollës, Fiqirete Sadiku, nga Shkodra.Ulur:-Haki Spahia e Kel Pjetrushi, nga Shkodra dhe Zeqir Lushaj.

 

Lum si ti, more zogu i malit... ”

 

Këtu e 10 vjet të shkuara kam shkruar në gazetën Luftëtari” në një reportazh për Vermoshin, edhe për trimin e atyre anëve, për Memë Smajlin, i famshëm, deri në legjendar, në luftrat e shqiptareve ndaj shovinizmit malazez. Kur ish fjala për vatanin, për të drejtat njerëzore, për barazi, Memë Smajli hidhej në zjarr.

... Një hajdut malazez, e mori bri në bri, pushka e Memës. Bash aty, në të djathtë të shpatit të malit, në lëndinën mes ahishtes, ku fillon malorja e fortë për në bjeshkë të Malulës, e ku, edhe sot vazhdon të thirret ai vend : -te Kroni i Memës. E vrau, por nuk u largua nga prita, Memë Smajli. u fut në pyllin e ahut dhe po priste, si do të shkonin punët më tej. Nuk kaloi shumë, dhe aty, erdhën njerëzit e viktimës. U bënë gati ta merrnin të vrarin.

Nëna malazeze po vajtonte mbi të birin e vrarë. Mbi një degë ahu, mbi burimin e ftohtë të bjeshkës, po këndonte një zog. Gruaja malazeze, iu drejtua zogut, ashtu,me vajë, siç po

qante mbi të birin:

- ”Lum si ti, more zogu i malit, /Që nuk i druhesh Memë Smajlit... /”.

Memë Smajli,po e dëgjonte fare mirë çdo fjalë të nanës vajatore!. Kur dëgjoi vargjet e mësipërme, brofi nga mali dhe doli ballëpërballë në lëndinë. Se cili ishte ky, malaziasit nuk e

njihnin si fytyrë.

- ”Thuaj dhe njëherë ato fjalë”,- iu drejtua nënës së viktimës Mema. Ajo i përsëriti vargjet. Mema, ktheu pushkën nga ahu, dhe “bam”! Zogu, me gjithë degën e ahut, ranë në tokë.

- Unë, vet Une, jam Memë Smajli i Kelmendit! Dhe i tregoi asaj, se pse ia kishte vrarë të birin. Malazezja, u tregua burrneshë.

- ”Gjaku falë o Memë Smajli. Im bir paska vrarë veten me punë të këqija. Sot e mbrapa, të paça kumbar... ”

. Dhe vertetë, ashtu u ba…

 

Ka për të gjithë

 

Aspak nuk dua të aludoj se, politikën ta bëjë Një Njeri qoftë ky edhe vet Presidenti, por edhe kompetenca e tejskajshme me të cilën flasin disa partiakë, akuzat e kundërakuzat, planet

personale të debateve e replikave, të lënë një shije të hidhur. Të gjithë dalim nga i njëjti pus me ujë,o vëllezër, të gjithë jemi të “lagur” e të përdreqavun, e nëpër gazeta i shesim mend njeri-tjetrit: “unë kështu, e unë ashtu”. E pse? Për pak lavdi, për pak pushtet, për pak karrige, për pak vend në histori, që çuditërisht, jo pak njerëzve ju duket se ajo ka kaq shumë vende bosh!

Historia është e gjërë, është e madhe. Ska pse të zihemi me njëri-tjetrin, se ajo ka vend boll, ka vend për të gjithë. Kurrë nuk është gjetur, as më i zoti, as më trimi, as më atdhetari, as më

nacionalisti, as internacionalisti, as individualisti. Në një farë mënyre, gjithkush ka pak nga të gjitha këto “iste”. Kërkush nuk është i kulluar, kërkush nuk ka ra nga qielli. Të gjithë kemi

mësuar, si dje në monizëm, edhe sot, parrulla të reja. “Jemi të barabartë para Zotit dhe para ligjit”, themi. Fort bukur. Por harrojmë që duhet të jemi të barabartë para asaj që është mbi të

gjithë, edhe mbi vet Zotin dhe mbi ligjin, harrojmë se duhet të jemi të barabartë para Shqipërisë! Ajo është e të gjithë shqiptarëve njësoj dhe aspak më shumë e demokratit, e

monarkut, e socialistit, e ballistit, e republikanit, e socialdemokratit. Këta,janë të gjithë emra që ia kemi dhënë vetes, mbi emrin që na kanë ngjitur nëna e baba.

Burra të Grisë, në vitin 1966,dalë në dasmën e Azem Sadrisë. Ulur:-Ramë Selmani,Rexhë Syla (Dragobi),Adem Alia, Imer Isufi. Në këmbë:-Ali Ibra,Ramë Sadria,Sadik Selmani e Mal Halili
Burra të Grisë, në vitin 1966,dalë në dasmën e Azem Sadrisë. Ulur:-Ramë Selmani,Rexhë Syla (Dragobi),Adem Alia, Imer Isufi. Në këmbë:-Ali Ibra,Ramë Sadria,Sadik Selmani e Mal Halili
 

Për të tjerët nuk e di mirë, por unë,për vete, nuk mund të jem më shumë socialist se sa Zeqir, nuk mund të jem më shumë demokrat se sa shqiptar, nuk mund të jem më shumë politikan se sa njeri i thjeshtë. Shqipëria është e madhe. Ajo ka për bijtë e saj gjithçka. Ka tokë, ka pasuri, ka dituri, ka karrike, ka vend për varre e për monumente. Të mos mbytemi në një pikë uji vëllezër! Nëna Shqipëri na ka lindur për veten e saj, e ne, duhet të bëjmë të gjithë diçka për të. Ai që kërkon më shumë se sa i takon, faqen e zezë do të marrë. Faqen e zezë, të cilën, kurrë, nuk ia dëshirojmë asnjë shqiptari.

Shosha e imtë e kohës do ti provojë të gjithë.Dhe,do të bëjnë diçka e do ti rezitojnë kohës, vetëm ata që, do të arrijnë të gjejnë fjalën. Atë, fjalën e mirë, fjalën e urtë, që siç folëm më

lart, për shqiptarin me mijëra herë ka arritur të thyej edhe pushkën. Flas kështu, se dua që, asnjë shqiptari ,të mos na vijë turp, kur, nesër, të kthejmë kokën mbrapa e të shohim se,-çfarë bëmë sot!

./.

(Nga libri “Dyqani i mendjes”,faqe 76, i autorit Zeqir Lushaj,botuar nga Kristalina KH,

Tiranë,2009, ISBN: 978-99956-43-08-9)



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora