E premte, 29.03.2024, 01:13 AM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Komunizmi asht vetë një skandal..!

E premte, 17.06.2011, 07:00 PM


Komunizmi asht vetë një skandal..!

 

Nga Fritz Radovani

 

Porsa njeriu do me pa diçka për Shqipninë, del e shkrueme: “Një skandal…”

 

Ndoshta Shqiptarëve edhe u janë mësue sytë, veshtë e truni me fjalën skandal, që në fq. 1762 të Fjalorit të Gjuhës Shqipe shpjegohet kështu: “Ngjarje e pahishme, shkelje e turpshme e ligjeve, e rregullave, e moralit shoqëror etj… Skandale rrugaçësh…”.

            Ka edhe mënyra të tjera që tregojnë çka asht skandali. Fotot janë mjeti ma i mirë për me dashtë me shpjegue një skandal, që ngjanë, ose përsëritet disa herë, si bie fjala skandalet e shtetit shqiptar! Në Tiranë shkrryhet për tokë Flamuri Kombëtar…Dikush tjeter e shkelë edhe me kambë…Ka nga “ata” që edhe bajnë vjerrsha për Flamurin, për Shqipen e Tij, dikund andej nga Çamëria, apo pranojnë me e zëvendsue në Flamurin e Skenderbeut Shqipen Dykrenare me “copa hartash”,  p.sh. në Kosovë. Por ajo që më ka shtye me shkrue këte artikull asht ajo që ngjau këto ditë në takimin që po zhvillohet në Bruksel, ku Shqipnia vazhdon me ba bisedime edhe sot me flamurin “komunist” të dhunuem me “yllin e kuq” nga sllavokomunistët në vitin 1944, flamurin e pranuem nga tradhëtari anadollak Enver Hoxha, kur “shoku” apo “druzhe” Tito i pat dhurue edhe dekoraten “Hero i Popujve të Jugosllavisë”, menjëherë porsa e kuptoj se me çfarë plehu do të qeveriste shtetin kukull të Shqipnisë, pjesë e pandame nga Jugosllavia. Vërtetë se kjo ishte “dhuratë” e Ruzveltit në Jalta, por kolltuku i naltë i Tiranës në sherbimin e shovenistëve sllavokomunist të Jugosllavisë dhe lanja e Trojeve Shqiptare nga Ulqini e deri në Çamëri nën sundimin e shteteve fqinjë nga vetë Enver Hoxha, i cili deklaron në Beograd dhe Paris se “ne nuk kemi asnjë mosmarrëveshje me Jugosllavinë, po kemi marrëdhenje miqësore”, ka tregue se vetë drejtuesi i shtetit shqiptar, që në vitin 1941, kur u themelue Partia Komuniste e Shqipnisë, për me sigurue postin e tij, “ka shitë edhe Atdheun”,  e si rrjedhojë, bashkë me Shqipninë e Shqiptarët, edhe Flamurin Kombëtar të Shtetit Shqiptar.

            Duhet t’u rikujtojmë Shqiptarëve se Ata Burra Heroj, që nuk e duruen dhunimin e Flamurit Kombëtar dhe që u ngritën në revolta kundër diktaturës terroriste në kampet e shfarosjes komuniste në Spaç apo Qafë Bari, janë Herojt e Parë të pastrimit të Flamurit tonë nga simbolet komuniste dhe për këte veper Heroike janë pushkatue, tue ua nxjerrë edhe sytë e ballit, mbasi Enver Hoxha e Ramiz Alia nuk ngopeshin vetëm tue u nxjerrë Shpirtin, mbasi Shpirtin ata tradhëtarë po ia nxirrnin mbarë Popullit Shqiptar, e këte e vertetojnë sot ma mirë se kushdo tjetër dollarët e rezervuem në bankat Përendimore.

            Në vitin 1991 mbarë Populli Shqiptar kur kërkoi që Shqipnia me kenë e pandame nga Europa. Puna e parë që ka ba në mitingje dhe mbledhje të gjana, ka pastrue Flamurin Kombëtar nga simboli komunist tue “hapë vrimë” për me fshi “yllin e kuq”, shenjën e robnisë sllavokomuniste…Të gjithë brohoritën me ne dhe çuen “dy gishtat nalt” tue thirrë: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!..” Edhe pse deri me 11 Nandor 1990, kur erdhën në Rrëmaji të Shkodrës, “ata” kishin ndër xhepa teserat e PPSh, populli i besoj, se “ndoshta e kishin kuptue veprën e vet terroriste ndaj Popullit Shqiptar” dhe i pranoi ndër tubimet e veta, mitingjet e madje edhe ndër podet e mbledhjeve ku shtrohej fati i Shqipnisë demokratike…

            Kushtetuta e Re e Republikës së Shqipnisë përcakton saktë Flamurin dhe Stemën e Shtetit Shqiptar. Këte besoj e di Presidenti, Kryetarja e Kuvendit Popullor, Kryetari i Qeverisë dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Këte e di edhe Populli Shqiptar!

            Dhunimi i Flamurit me “yllin e kuq” asht vepër e tradhëtarëve të Atdheut, Popullit dhe Flamurit, por asht edhe “skandal” i Shtetit të sotëm përballë Bashkimit Europian.

            Dhunuesit e djeshëm vazhdojnë me u quejtë “Hero i Popullit” endé sot…!

            Dhunuesit e sotëm janë “Nderi Kombit”…endé sot, edhe pse Europa i njeh se deri dje ishin komunistë e sot multimolionerë me “yllin e kuq” në flamurë e në zemer…

            Asht e vertetë se Europa e di që “Komunistët nuk janë Atdhetarë!”, por ndoshta, me Shtetin Shqiptar e qeveritarët e saj, do me i tregue Këshillit të Europës se: A duhen pranue këta…(nuk po e shkruej se çka i quejnë ata!!) edhe pse bajnë skandale, mbasi janë brumosë ashtu, por nuk duhet të harrojmë se: “vetë komunizmi asht një skandal!”..?

 

Melbourne, Qershor 2011.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora