Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


11 minuta me Redon Makashin

| E marte, 01.01.2008, 01:11 AM |


Redon Makashi
“Jam gjithmonë korrekt”

Mëngjeseve, e gjen te e njëjta kafe e preferuar, aty ku pak kohë më parë ka qenë edhe vendi i bashkimit të “Tre Muskëtjerëve”. Redoni, besnikërisht, vazhdon ta pijë aty kafenë e mëngjesit, para se të shkojë në punë, tek ish-Ansambli i Ushtrisë. Shumë shpejt do ta shohim në një koncert që do të bashkojë dy ish-grupe, “Arb” dhe “The fish”, ku këngët do të shoqërohen me kitarë akustike. Premton edhe për një videoklip, ndërsa ende mbetet ëndërr realizimi i një albumi, për shkak të faktorëve të jashtëm, siç shprehet edhe vetë ai.

Çfarë ju kujton numri 11?

Meqenëse jam shumë i dhënë pas futbollit, kryesisht atij gjerman, numri 11 më kujton futbollistin gjerman Karl-Heinz Rummenigge, por, padyshim, edhe lojtarin e Dinamos, Sulejman Demollarin.

Ju ka ndodhur të pini ndonjë kafe për 11 minuta?

Vetëm në rastet kur koha që kam pasur në dispozicion për të pirë kafe ka qenë shumë e kufizuar.

Në këto momente, çfarë do të krahasonit me këtë numër?

Mmmm, dy paralele. (Qesh)

Ju kujton numri 11 ndonjë titull libri, që keni lexuar?

Në fakt, nuk më vjen ndërmend asnjë libër.

E vetmja gjë që më kujtohet është festa e 11 Janarit.

Numri 11, a mund të konsiderohet për ju numër fati?

Jo aspak! Besoj se numri 9 është ai që më ka dhënë më shumë fat.

Çfarë mund të bëjë Redoni për 11 minuta?

Shumë gjëra, besoj! Por, vetëm nëse jam me nxitim, për shembull mund të përgatitem në mëngjes për të shkuar në punë.

Cili është për ju njëshi tjetër?

Një femër sigurisht... (Qesh)

E kishit menduar se ky numër mund të përdorej kaq shumë në një intervistë?

Jo, asnjëherë! Por, kur biseduam më parë në telefon, ideja e një interviste që rrotullohej rreth 11 m’u duk interesante dhe ngacmuese.

A ju ka ardhur në majë të hundës kjo shifër?

Tani po, po më vjen. (Qesh)

Keni ndonjë kujtim të veçantë nga koha kur keni qenë 11 vjeç?

Ndoshta duhet të ketë diçka, por jo shumë të veçantë, sepse do të më ishte kujtuar.

Ku ju gjen zakonisht ora 11 paradite?

Në punë, pasi jam gjithmonë shumë korrekt dhe nuk neglizhoj për asnjë arsye.

Po ora 11 e mbrëmjes?

Në shtëpi, patjetër! Kam dëshirë që mbrëmjen ta kaloj në ngrohtësinë e familjes.Muaji i 11-të i vitit është nëntori.

Çfarë ju kujton ky muaj?

Nëntori i vitit që kaloi më kujtohet, pasi nuk kam pasur kohë të marr frymë, sepse e kam pasur agjendën shumë të ngjeshur. Mund të përmend përgatitjet e festivalit, Këngën Magjike, një turne në Suedi. Ka qenë tepër e lodhshme.

Pa i numëruar, a mendoni se kanë kaluar 11 pyetje?

Nuk e di, nuk më shkoi fare ndër mend. (Qesh)

Çfarë mendimi keni për këtë 11-minutësh?

Shpresoj që lexuesit të harxhojnë 11 minuta nga koha e tyre për këtë intervistë.

Spekter