E premte, 29.03.2024, 05:33 AM (GMT)

Udhëpërshkrim

Miçeku i Shën Mërisë, parku me dëborë i kryeqytetit

E diele, 03.02.2008, 12:50 AM


Nga Genti Mati

Vetëm një orë e gjysmë larg jetës frenetike të Tiranës, ndodhet Miçeku i Shën Mërisë, një vend me bukuri mahnitëse dhe hijerëndë. Është e rrallë të gjesh një ambient me natyrë krejtësisht të paprekur, sa ky park, i panjohur nga kryeqytetasit, të cilin mund ta shkelin dhe ta eksplorojnë, sa herë që e ndiejnë të nevojshme t’u rikthehen hapësirave të lira në kërkim të çlodhjes dhe qetësisë shpirtërore

Dimri i sivjetshëm na kujton dimrat e vërtetë të kohëve të shkuara, kur me korrektesë vjeshta e lagësht ia linte vendin stinës së të ftohtit dhe dëborës që zbardhte malin e Dajtit, shpesh herë edhe deri në “rrëzë” të tij, “te Gurorja”.

Vitet e fundit panorama e bardhë në Dajt është bërë diçka e rrallë, meqenëse borë bie fare pak dhe zakonisht shkrin me shpejtësi nga dielli i bollshëm dhe masat e ngrohta e të lagështa që vijnë nga deti. I vetmi vend ku dëbora qëndron pak më tepër është Qafa e Qershisë dhe Majat e Dajtit që tani kanë më shumë antena sesa pemë.

Ndërsa, për “fqinjin” lindor të Dajtit, Miçekun e Shën Mërisë, situata është disi më e ndryshme, pasi i gjendur në brendësi të maleve, ai rrihet rregullisht nga erërat e ftohta të veriut dhe të lindjes, të cilat në dimër e shndërrojnë në parkun e vërtetë të dëborës të kryeqytetit. Një park krejt i panjohur për shumë banorë të Tiranës, që shpesh ankohen se s’kanë me se të mbushin të dielat e tyre të mërzitshme.

Rruga për në “park” është relativisht e lehtë. Fillohet me ngjitje nëpër rrugën e Dajtit deri sa shfaqet postblloku i Parkut Kombëtar dhe rreth 50 metra para tij merret rruga për në Qafë Priskë. Aty Miçeku shfaqet në horizont i mbuluar nga dëbora, fare afër në vijë ajërore, ndërsa rruga si zakonisht në vendin tone, fillon e gjarpëron nëpër faqet e kodrave si “për të kapur veshin nga mbrapa kokës”.

Pak kilometra pas Qafë Priskës, asfalti i shtruar nga amerikanët deri në një bazë ushtarake për shkatërrimin e armëve, ia lë vendin rrugëve rurale tradicionale, plot gurë, baltë e gropa. Në disa seksione rruga ngjan si e shtruar me kalldrëm të ashpër maja-maja, që i dhuron makinave tundje-shkundje të vazhdueshme, por në përgjithësi rruga është e përshkueshme nga të gjitha mjetet e larta dhe natyrisht nga ato 4x4.

Në mes të dimrit, rruga vende-vende “asfaltohet nga dëbora” dhe bëhet mjaft e shtruar, ndërsa diku tjetër gropat përkeqësohen. Një palë zinxhirë për goma janë të domosdoshëm në rast akulli apo kalimesh me rrezik rrëshqitje.

Kur ka shumë borë është mirë të këshillohesh me shoferët që vijnë nga fshatrat e Shëngjergjit, për sigurinë e rrugës dhe është mirë që të jenë të paktën dy makina për të ndihmuar njëra-tjetrën në rast vështirësie. Në ditë të tilla duhet ecur ngadalë, pasi në zona me hije akulli është “i garantuar” edhe mbas mesditës.

Rruga fillon e vështirësohet mbas luadheve të Fekenit dhe në të njëjtën kohë ajo zbukurohet nga pyje me pisha në të dyja krahët e rrugës.

Vendqëndrimi është aty ku rruga ndahet për në Shëngjergj. Këtu lihen makinat dhe sipas dëshirës mund të shëtitet me këmbë përgjatë rrugës të mbuluar nga dëbora, apo të fillohet ngjitja e malit të Miçekut nga kuota 1300m mbi nivelin e detit.

Përveç ecjes me këmbë, këtu mund të bëhen shumë mirë shëtitje me raketa dëbore, apo siç i quajnë malësorët tanë “rrathë dëbore”, që janë pajisje të thjeshta dhe të lehta për t’u përdorur të cilat nuk lejojnë këmbët të fundosen në dëborë, pasi shtojnë sipërfaqen e kontaktit. Kjo rrugë për disa kilometra ka fare pak disnivel në hipje – zbritje, ndaj është mjaft e përshtatshme që të përdoren ski vrapimi (Nordic skiing).

Deri në këtë pjesë të rrugës mund të shkojë kushdo edhe pa pasur eksperiencë të mëparshme malore, pasi rruga është mjaft e sigurt dhe është vështirë të humbësh.

Nëse dëshirohet të vijohet më tej, pse jo edhe drejt majës, atëherë është e nevojshme prania e një shoqëruesi malor me përvojë, për të shmangur kalimin nëpër vende të rrezikshme, apo humbjen në rast mjegulle. Ata që kanë përvetësuar teknikën e skive nëpër pista me impiante ngjitjeje, në malin e Miçekut mund të ushtrojnë “ski-alpinizmin”, një disiplinë tepër e bukur, e cila të mundëson të ngjisësh malet me ski në këmbë dhe të zbresësh shpateve me dëborë të virgjër, larg turmave të skiatorëve nëpër pistat komerciale, apo radhëve të “ski-lift”- eve.

Përgjatë shtegut jug-perëndimor të malit, ndodhet edhe një kasolle barinjsh, e ndërtuar me gurë dhe me një çati të thjeshtë me rrasa druri. Në rast kohe të keqe, kjo kasolle shërben shumë mirë si strehë ndaj të ftohtit dhe reshjeve. 

“Oborri” i kasolles të bariut është një vend i këndshëm për t’u çlodhur dhe rigjeneruar forcat, para se të vijohet drejt qafës ku pamja bëhet edhe më interesante.

Në qafë shpaloset pamja thuajse artistike e Malit me Gropa. E njëjta panoramë madhështore të shoqëron edhe gjatë ngjitjes për në kreshtë e më tej për në majën e malit në kuotën 1820m mbi nivelin e detit.

Bukuria është magjepse dhe qetësia prej shkretëtire të bardhë prishet vetëm nga fëshfërimat e erës. Është e rrallë që të gjesh një ambient me natyrë krejtësisht të paprekur, vetëm një orë e gjysmë larg jetës frenetike të një kryeqyteti.

Le të shpresojmë që ky vend të mbetet përgjithmonë një tempull hijerëndë i natyrës, ku të kemi mundësi të bëjmë  “pelegrinazh”, sa herë që e ndiejmë të nevojshme t’u rikthehemi hapësirave të lira për të gjetur çlodhje dhe qetësi shpirtërore. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora