E premte, 19.04.2024, 10:18 AM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Deri kur të përndjekur?

E marte, 14.06.2011, 07:58 PM


Një fragment nga romani i pabotuar

“Deri kur të përndjekur?”

 

Nga Reshat Kripa

 

Kishte  gati një vit që Kuvendi i Shqipërisë kishte miratuar, natyrisht pa pjesmarrjen e Partisë Socialiste   që,   me    kohë,    ishte     shprehur     kundër përkrahjes së këasaj shtrese, Rezolutën “ Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”, që ishte një rezolutë në mbështetje të asaj që ishte miratuar, muaj më parë, nga Asamblea Parlamentare e Këshillit të Europës. Rezoluta përmbante shtatëmbëdhjetë pika që duhej të ishin parime që duheshin zbatuar pa tjetër nga qeveria shqiptare.

            Ditët kalonin, por qeveria nuk po kujtohej për fillimin e zbatimit të tyre. Rezoluta kishte mbetur diku, në një qoshk të kryeministrisë dhe askush nuk kujtohej ta zbulonte. Edhe një ligj tjetër “Mbi dëmshpërblimin material të Përndjekurve Politikë”, megjithse gjysmak, kishte ngelur diku në sirtaret e kryeministrisë. Një gjë e tillë krijoi një gjendje të nderë në Degën e Shoqatës Antikomuniste të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës, që drejtohej nga Redi. Antarët e kryesisë së degës kërkonin me çdo kusht një takim me kryeministrin, për zgjidhjen e këtij problemi. U vendos t’i dërgohej një letër atij, ku i kërkohej një takim me disa antarë të kryesisë.

            Ditët kalonin dhe nga kryeministria nuk mbërriti asnjë përgjigje. U bisedua edhe me njërin prej drejtorëve të drejtorive të kryeministrisë por, përsëri asnjë përgjigje.

            Kjo mospërfillje ndaj kësaj shtrese të përvuajtur e preku thellë Redin. Pasi u mendua gjatë dhe e bisedoi me miqtë e tij, shkruajti letrën e mëposhtme:

 

            I nderuar zoti Kryeministër!

 

Unë, që po ju shkruaj, jam një antar i vjetër i Partisë Demokratike, që  janari i vitit 1991. Kam patur funksione të ndryshme në kreun e kësaj partie dhe në administratë në rrethin tim dhe këtu në qendër. Si i tillë, bashkë jemi  takuar disa herë dhe besoj se ju duhet të më mbani mend. Kisha dëshirë të bisedoja me ju për problemet që shqetësojnë sot shoqatën tonë. Për këtë bëra edhe një kërkesë disa muaj më parë, por për çudinë time nuk mora asnjë përgjigje. Mendoj se një përgjigje e meritoja, por me gjithë pritjen time ajo nuk arriti kurrë. Një gjë e këtillë më habiti. Nuk e besoja se kryetari i partisë time të mos denjonte të më takonte. Erdha edhe në Kryeministri dhe takova njërin nga vartësit tuaj, por përsëri asgjë. Nuk e di në se kërkesa ime ka mbërritur tek ju apo ka mbetur në sirtaret e vartësve tuaj. Shpresoj të jetë kjo e fundit sepse nuk e besoj që ju të jeni kaq mospërfillës karshi një antari të partisë tuaj. Megjithatë, duke parë se nuk kam mundësi të takohem me ju, po ju shkruaj këtë letër të hapur për të shfaqur mendimet e mia. Një kopje të saj do e botoj edhe në organet e shtypit ndaj të më falni për këtë, por jam i detyruar ta bëjë.

Për fatin tim të keq i përkas shtresës së të përndjekurve politikë. Them për fatin tim të keq sepse, siç po rrjedhin ngjarjet, kemi mbetur në nivelin e fundit të shoqërisë shqiptare. Dëgjojmë për ditë të flitet për shtresa të ndryshme të shoqërisë shqiptare në nevojë, për të cilat dalin vendime dhe urdhëresa të ndryshme. Flitet për rritje pensionesh dhe lehtësira të tjera, ndërsa për shtresën tonë asgjë. Edhe një ligj që u miratua nga qeveria, për të cilin ne rezervojmë shumë vrrejtje, ka mbetur prej dy muajsh nuk e dimë se ku dhe nuk po i paraqitet parlamentit për miratim.

Para disa ditësh në Pragë u zhvillua Kuvendi i Shoqatës Ndërkombëtare të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit, kuvend në të cilin mori pjesë edhe kryetari i shoqatës tone, Shoqatës Antikomuniste të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë. Atje ai mësoi se vendet e tjera ish komuniste e kishin zgjidhur me kohë problemin e të përndjekurve politikë, dikush  nëpërmjet një pensioni të veçantë, dikush nëpërmjet shpërblimit të menjëhershëm, apo formave të tjera të ndryshme. Ndërsa këtu tek ne problemi ka ngecur. Llafe fliten, por veprat janë shumë larg. Për çudi heshtin edhe ata pak veta që janë në poste drejtuese në qeveri apo parlament dhe që i përkasin shtresës tonë.

Një miku im para disa ditësh më tha se kjo është rezultat i politikës së Katovicës që po ndiqet në vendin tonë. Natyrisht unë nuk dua ta besoj një gjë të këtillë. Por nuk gjej as argumenta për ta kundërshtuar. Çdo ditë ndeshem me miqtë e mi bashkëvuajtës që e venë theksin në këtë çështje. Ata më flasin për miratimin e një ligji dinjitoz për dëmshpërblimin material të tyre,  për të vrarët nga rregjimi që akoma nuk kanë një varr ku të afërmit  e tyre të derdhin dy pika lot apo të vendosin një tufë me lule, për rishikimin e legjislacionit për ta bërë atë të pajtueshëm me rekomandimet e Këshillit të Europës, për hapjen e dosjeve për të gjithë ata që pretendojnë të futen në politikë, për largimin nga administrata shtetërore të gjithë ish sigurimsave dhe njerëzve të tjerë të këtij  kallëpi, për rishikimin e teksteve shkollore që akoma vazhdojnë të jenë shkruar nën frymën e ideologjisë komuniste, për rivlerësimin e figurave të shquara të rezistencës antikomuniste dhe ngritjen e memorialeve per ngjarje të shënuara të kësaj rezistence, për hapjen e muzeumeve nëpër vendet ku është ushtruar më shumë dhunë, për barazimin të paktën të statusit të tyre me atë të veteranëve të luftës në mënyrë që të mos ketë diferencim në trajtimin e shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiprtare dhe së fundi për thirrjen e një konference me pjesmarrjen e përfaqësuesve të Presidencës, Qeverisë, Parlamentit, partive politike, shoqatave të përndjekurve politikë, mediave dhe shoqërisë civile e cila do të shqyrtojë mundësinë e ngritjes së një komiteti me ekspertë të pavarur për shqyrtimin e krimeve të kryera nga sistemi komunist në Shqipëri. Të gjitha këto kërkesa janë parashikuar edhe në rezolutën e miratuar gati një vit më parë nga  parlamenti  shqiptar  dhe    po    pluhur  e

harruar nëpër sirtaret burokratike të shtetit.

I dëgjoj kërkesat e tyre dhe nuk mundem t’iu japë përgjigje. Nuk gjej dot fjalë për të justifikuar veprimet e qeverisë.  Një ditë miku im më tha:

- E more mik, e shikon partinë tënde. Kishim besim tek ajo se do zgjidhte problemin tonë, ndaj edhe votuam për të. Por ajo na la njëlloj siç ishim më parë. Ke dëgjuar ndonjë të përmendë çështjen tonë, në një kohë që për probleme të tjera vendi zien?

E dëgjoja mikun dhe nuk dija se si t’i përgjigjesha. Megjithatë  u mundova t’i mbushja mendjen se e kishte gabim, se çdo gjë do të rregullohej sa më shpejt. Por thellë në ndërgjegjen time ndjeja se ai kishte të drejtë. Krahasoja qeverisjen e parë të Partisë Demokratike në vitet 1992 – 1997 me këtë të sotmen  dhe shihja një diferencë të madhe. Në atë kohë ishim në majat më të larta të jetës politike dhe shoqërore të vendit, ndërsa sot kemi mbetur si fëmijë jetim për të cilët nuk kujdeset asnjë. Trokasim në dyert e drejtësisë, parlamentit, qeverisë, administratës shoqërore dhe përveç fjalëve në erë nuk dëgjojmë asgjë. Duket sikur ka një mungesë vullneti për këtë shtresë. Për të thënë të vërtetën jemi lodhur nga kjo mospërfillje.

Hyra në burg që në moshë fare të re. Nuk dija se çfarë ishin partitë politike dhe politika në përgjithësi. U ngrita kundër padrejtësisë dhe dhunës që ushtronte rregjimi dhe u dënova për këtë rebelim timin. Atje mësova për herë të parë se ç’ishte demokracia dhe pluralizmi. Mësova për ato forca politike nacionaliste mbi të cilat ishin hedhur male me baltë. Kështu u bëra njëri prej tyre. Por kur rregjimi totalitar u përmbys, nuk shkova me asnjërën nga ato forca me të cilat isha brumosur në rininë time. Zgjodha Partinë Demokratike se më dukej se ishte e vetmja forcë politike që do mundte të shembte komunizmin. Këtë bindje kam edhe sot, megjithëse shoh se kjo parti nuk është ajo e viteve të para. Për këtë nuk jam bërë pishman asnjëherë. I respektoj antarët dhe simpatizantët e kësaj partie, pamvarësisht nga e kaluara e tyre apo prindërve të tyre. Por kërkoj që edhe ata të demostrojnë të njëjtin respekt për shtresën tonë. I kërkoj shtetit shqiptar t’i kthejë sytë nga ata, pasi nuk kërkojnë lëmoshë, duan një të drejtë që u takon dhe që shteti i sotëm ua ka premtuar. Mos i harroni mbasi në të kundërt humbësit e mëdhenj nuk do të jenë ata.

Këto ishin pak a shumë pikpamjet e mia që doja të bisedoja me ju, i nderuar zoti Kryeministër. Shpresoj se këto daulle që po gjëmojnë të mos bien në vesh të shurdhër. Tashmë jemi plakur dhe po  numurojmë  ditët  e  fundit    jetës  tonë.  Duam    shumë dinjitet nga ana juaj.

Le të presim dhe të shpresojmë!

 

Këtë letër Redi e botoi edhe në dy gazeta të mëdha të kryeqytetit.  Priti por, përsëri përgjigje nuk erdhi. Do të kishte dashur që ajo të kishte mbërritur, qoftë edhe një përgjigje negative. Por kjo nuk ndodhi. Edhe në organet e shtypit askush nuk dha përgjigje. Kjo ishte një heshtje që vret, një mospërfillje e pafalshme. Dhe Redi thirri:

- Vallë, kjo është administrata demokratike?

            Kjo thirrje humbi në hapësirat e pafund.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora