E enjte, 25.04.2024, 11:42 PM (GMT+1)

Kulturë

Elsa Lila -"Ishte nje aventure e guximshme"

E diele, 03.02.2008, 01:41 AM


Nga Arjan Konomi

Elsa Lila
E kanë quajtur “vlera”, “magjia”, “bukuria” e festivalit. Megjithëse ajo ndihet thjesht Elsa.
Erdhi në skenën e festivalit shqiptar të 2007-ës pa fjalë të mëdha e bujë, por ajo që i dhuroi kësaj skene ishte mahnitëse: stil, natyrshmëri, profesionalizëm, klas, elegancë, elokuencë, zhdërvjelltësi, zgjuarsi dhe improvizim. Dhjetë vite ndajnë në mes kohën që kur ajo u ngjit për herë të parë në këtë skenë, me këngën “Pyes lotin”, ishte 16 vjeç dhe fitoi çmimin e parë në festival. Rikthehet si prezantuese dhe shkëlqen përsëri. Ndërsa e pret një projekt i ri.  

Më në fund në sajë të Elsës kemi një model të ri të prezantimit, një model ku skenari transformohet përmes natyrshmërisë dhe improvizimeve të Elsës, ku batutat inteligjente të vajzës ulin tensionet, ku Elsa nuk shërben si garniturë shoqëruese, por pika më e fortë e festivalit. Tipare që të gjitha bashkë normalisht duhet t’i ketë të fituara një prezantues i mirë, pas një karriere të gjatë shumëvjeçare, dhe jo një këngëtare, vërtet e talentuar, si Elsa Lila, që për herë të parë guxon për një sfidë të tillë.

Një intervistuese e zonja, këngëtare e sprovuar dhe “zonjë shtëpie” e nderuar. “Një kafshë e zbutur skene”, e cilëson veten Elsa në këtë rol të ri. Është përpjekur të sjellë një model dhe frymë të re në festival, ndërkohë që në një intervistë për revistën “Shqip”, ajo rrëfen se si nisi gjithçka në këtë aventurë artistike. Tregon se si dialogu me anëtarin e jurisë, David Tukiçi ishte i tëri një improvizim i bërë nga ajo në momentin e fundit, se si, lindi ideja për “Margjelon” e kënduar në variantin farncez dhe disa ide të tjera që do të kishte dashur të realizonte gjatë prezantimit. 

Tregon për momentet e bukura dhe të vështira, për lodhjen dhe kënaqësinë, pengjet dhe gëzimin që i dha ky festival, në përballje me artistët dhe publikun shqiptar. Dhe nuk harron të tregojë edhe për projektin e ri francez, tek i cili Elsa beson shumë se do të jetë një kthesë e rëndësishme për karrierën e saj artistike.

Elsa, kur ju propozuan të prezantonit festivalin çfarë menduat?

Kur drejtuesit e RTSH-së më ftuan për një bisedë ku më propozuan që të drejtoja festivalin e këtij viti, kërkova një javë kohë për t’u menduar, a jam në gjendje për ta bërë, apo jo. I mendova mirë të dyja anët, duke marrë në konsideratë pikat më të forta, por edhe të dobëta. Në fund vendosa për “po”.

Dhe pika më e fortë?

Natyrshmëria, humori që kam në jetën e përditshme, komunikimi me njerëzit. Përderisa jam në gjendje të mbaj me muhabet një tavolinë me dhjetë njerëz, përse të mos jem në gjendje të flas përpara 2500 spektatorëve në sallë dhe miliona të tjerëve që besoj se na kanë ndjekur përmes ekranit.

Një dëshirë për të dalë ndryshe para publikut?

Jo. Unë vetëm mendova rreth propozimit që m’u bë. E mora si sfidë dhe pranova ta bëj. Nuk u nisa nga koncepti për të dalë ndryshe. Aspak.

Po argumentet kundra?

Moseksperienca, apo befasia që do të shkaktoja në publikun e gjerë. Natyrisht janë mësuar të shohin artistë në një rol dhe gjithmonë ka një lloj befasie apo paragjykimi kur e shohin në një rol tjetër. Kjo ishte një nga gjërat “kundra” që më frenonte nga pak. Dhe në rastin më të keq, çfarë do mendojnë nëse dal keq…..?!

Natën e parë, para se të dilje në skenë çfarë mendimi të vinte?

Janë momentet më të tmerrshme për çdo artist. Sepse, e para është një preokupim i drejtpërdrejtë dhe në momentin kur sekondat bëjnë “countdown” 3,2,1…, nuk ka më kthim prapa. Ndryshe nga regjistrimi ku nëse nuk ndihesh mirë mund ta pish edhe një kafe, një cigare, ke mundësinë ta përsëritësh. Kur fillon numërimi 3,2,1, ose ia mbath vrapit dhe zhdukesh nga terrori, ose do dalësh. Eshtë një moment jashtëzakonisht kritik. Për herë të parë më ka ndodhur një ndjesi e tillë në lidhjen e drejtpërdrejtë në lajmet e vitit 1998, me Tefta Radin. Fillonte numërimi, futej sigla dhe mua më vinte të ikja me tmerr. Në fakt isha e vogël atëherë, por që aty më ka mbetur si traum.

Ju ka ngelur ndonjë merak, diçka që mund ta kishit bërë ndryshe?

E mira nuk ka fund, kjo ishte hera ime e parë dhe nuk do të thoja se nuk do të ndryshoja asgjë. Nëse do të kisha patur më tepër eksperiencë do të isha më e lirshme, më kreative. Ndërkohë, ndoshta natën e tretë, do të kisha patur dëshirë të zbrisja mes njerëzve, të intervistoja njerëzit në sallë. Mirëpo teknikisht kjo nuk mund të realizohej dhe është një ndër pengjet e mia.

Nëse do të kishte më tepër personalitete të njohura për publikun në rreshtin e dytë do t’ua lija atyre të prezantonin këngët, për të krijuar situata simpatike. Ose për shembull, do kisha dëshirë t’i jepja mundësinë një personi të thjeshtë nga salla të prezantonte një këngë, por as kjo nuk bëhej për arsye fonie dhe kamerash. Gjithashtu propozova që shorti për radhën e këngëtarëve që do të këndonin natën e tretë, i cili u hodh në mëngjes, të bëhej në hapjen e kësaj nate, drejtpërdrejtë para publikut dhe të shërbente edhe si hapje pa sigël. Kjo gjë do të kishte patur interes te publiku, do kishte qenë një mikro show i vogël.

Si lindi ideja e “Margjelos” frëngjisht?

Unë jam duke përgatitur një album për tregun francez në gjuhën frënge dhe në këtë moment mua më punon koka, përsa i përket muzikës vetëm frëngjisht. Në momentin që po recitonim “Margjelon” në shqip, unë më tepër për qejf, ashtu duke luajtur me Edi Balilin në studio i them: a ta bëj edhe një dubël në frëngjisht, dhe atij i pëlqeu. Pastaj nisëm të mendonim si t’ia bëjmë që ta fusim dhe të nesërmen në program. Iu luta Pirro Çakos të më shkruante disa vargje në frëngjisht dhe në orën 4 të mëngjesit, gjatë netëve të festivalit, kam gjetur kohën ta regjistroja. Fut këtu lodhjen, pagjumësinë, cigaren….Megjithatë duket se doli me sukses, u pëlqye, por ka patur edhe nga ata që janë ankuar ndoshta të nisur nga shqiptarizmi i tyre i tepruar se, përse “Margjela” duhej kënduar frëngjisht.

Ti krijove dhe një fabul shumë interesante, i fute të gjithë spektatorët në një atmosferë tjetër?

Kjo pjesë ka qenë e shpikur nga unë, se natyrisht që lidhja mes dy versioneve duhej justifikuar disi. Imagjinoni sikur të kishte filluar kënga shqip e më pas direkt frëngjisht. Do të kishte qenë e thatë për publikun, kështu që i them Edit që do ta stopojmë këngën dhe unë do tregoj një histori për t’i futur në atmosferën e Francës. “Po mirë, më thotë Edi çfarë do t’u tregosh ti? Po ja i thashë, thjesht, të imagjinojnë sikur Prenk Jakova të ishte francez e ndoshta e ka shkruar këngën për një të dashur jo shkodrane, por franceze, sepse ngjarja e Margjelës është e vërtetë për Prenk Jakovën. Dhe kjo histori zhvendoset në Francë, madje edhe ajo banda me ato veshjet më sillte në mendje ato anijet e viteve ’30, me muzikë “swing”, me drita të varura dhe me ato vajzat me fustane që kërcejnë të lumtura. Kështu u krijua fabula.

A e vure veten në vendin e Margjelës në kroçierë dhe nese po, kush ishte Prenka?

Këtë imagjinatë e kam patur vetëm në momentin e regjistrimit të këngës, sepse ishte natë dhe isha e lodhur nga nata e parë e festivalit, pasi kishim punuar për skenarin e natës së dytë deri në ora 4 të mëngjesit. Nga lodhja e madhe nuk isha e përqendruar për t’i dhënë shijen e duhur asaj pjese frëngjisht prandaj iu luta Edi Balilit: të lutem më lër pak vetëm, të pi nja 10 cigare, sepse unë dua të futem në atë botë shumë kohë më parë, me dritën fikur. Nuk mund të filloja dot, pasi e ndieja që isha në Tiranë dhe nëse nuk futesha në botën franceze, nuk mund ta këndoja në frëngjisht me atë shije që doja unë. Ndërsa në skenë nuk e pata mundësinë që të zhytesha aq shpejt në atë atmosferë, pasi tensioni ishte më i lartë, por megjithatë nisa të imagjinoja sikur isha Edit Phiaf dhe prandaj dolën ato lloj lëvizjesh, ashtu si dolën.

Ke menduar ta fusësh në albumin tënd?

Po, ishte gjëja e parë që na erdhi në mend dhe do ta vë absolutisht.

Çfarë të ka mbetur në mendje nga prezantimi i tre netëve të festivalit?

Intervista me Tinka Kurtin ka qenë e jashtëzakonshme. E prisja me shumë emocion, por edhe me frikë. Domethënë jo emocion pozitiv, kisha një tmerr nga ai moment, sepse ajo është një personalitet i jashtëzakonshëm dhe përveçse një artiste e madhe ka edhe një karakter shumë të fortë. Pastaj ka edhe diçka tjetër: gazetarët e të gjitha llojeve e të gjitha tipeve, i fillojnë intervistat e tyre jo direkt “live” në transmetim, pa biseduar më përpara, e jo më me një personalitet të tillë, direkt në fillim të karrierës. Ndërsa unë duke mos qenë as gazetare, m’u dha detyra patriotike të intervistoja direkt në festival një personalitet të tillë. Nuk ishte e lehtë, sepse intervistën e përgatita unë, hyrjen e përgatita unë, sepse e ndieja për detyrë ta bëja sa më mirë.

Çfarë mendon se duhet ndryshuar në festival në përgjithësi?

Natyrisht do të mbaja nën kontroll krijimtarinë, të ketë prurje këngësh të bukura, pjesëmarrja e këngëtarëve të jetë më e kontrolluar, si dhe të rinjtë mos të konkurojnë direkt me ata që janë të famshëm.

Ti je diva e fundit shqiptare, por nuk të pëlqen të sillesh si një diva?

Unë besoj se divat ekzistonin vetëm në vitet ’30-’40, apo në vitet ’60. Tani koha e tyre ka ikur. Unë e quaj veten artiste dhe në momentin që artisti nuk e prek jetën e vërtetë në çdo aspekt të tij nuk ka se ç’të tregojë në skenë.

Kjo nuk është punë me fjalë, por me sy, me gjeste, me emocion, dhe jeta e përditshme nuk është luksi, por ajo e qytetarëve të thjeshtë. Ndaj unë rri e zhytur në këtë lloj realiteti, jo vetëm për ta përfituar, por edhe ndihem komode me njerëzit që bëjnë pjesë në këtë realitet të thjeshtë.

Si të duken ditët në Tiranë?

Kjo javë pas festivalit është sinqerisht një ndër javët e mia më të bukura gjatë 2007-ës. Më pëlqen kjo jetë në Tiranë, nëper bare, lokale me njerëz që i njeh pa kokëçarje, me thashetheme, biseda të kota, por që nganjëherë njeriu ka shumë nevojë, sepse të çlodhin. Jo se në Romë nuk e bëj, por këtu të ngjit më shumë dhe këtu është më tepër traditë, sepse gjen lokale kudo dhe në çfarëdo lloj ore i gjen plot me njerëz, që pijnë kafe për tre orë.

Ke një lidhje të veçantë me Vlorën…..

Vlora është qyteti im që më pëlqen më shumë dhe nuk do ta krahasoja me asnjë tjetër në Shqipëri. Përveç kujtimeve të fëmijërisë, ku çdo cep i Vlorës më kujton diçka, Vlora është relaks total.

Pse nuk bëni, për shembull, një album komercial që do siguronte më shumë të ardhura?

Kam 11 vjet që jam artiste, të paktën në Shqipëri dhe asnjëherë nuk kam qenë komerciale, për faktin se unë vetë si njeri nuk jam komercial dhe në jetën e përditshme, nga e veshura deri te pushimet, lokalet, e mbi të gjitha në muzikë. Sepse e dashuroj artin tim dhe kjo më shtyn të kem respekt për këtë lloj arti të cilin nuk mund ta shkel me këmbë për interesa ekonomike, për një sukses më të thjeshtë. Dhe besoj se suksesi i mirë vjen pak me vonesë, por qëndron në kokë të kohërave dhe këtë do të ndjek.

Projekti i së ardhmes?

Mbas 6 vitesh kërkimi për t’u ingranuar në jetën artistike italiane arrita në një moment lodhjeje. Franca m’u duk një vend i përshtatshëm për karakterin tim, për mënyrën time të të kënduarit dhe të muzikës, ku ende i vlerësojnë artistët dhe muzikën e vërtetë.

Shqiptarët panë një show girl që nuk e prisnin. A do doje të kishe një show tërësisht tëndin?

E para nuk më pëlqen fjala “show girl”, sepse më duket shumë komerciale për vajzat që kanë këmbë të bukura dhe dinë të kërcejnë. Unë nuk i kam këto cilësi. Kështu që le të themi që jam një “animale da palco”, që është një “kafshë skene”. Dhe unë jam një kafshë e zbutur skene.

Të pëlqejnë udhëtimet?

Më pëlqejnë jashtë mase udhëtimet. Kam udhëtuar shumë për moshën që kam. Më pëlqejnë vendet jo komerciale, vendet e panjohura, vendet e virgjëra. Një vit më parë unë kalova Vitin e Ri në një shtet që quhet Belize, një shtet në kufi me Guatemalën dhe Meksikën, në veri të Hondurasit, në detin e Karaibeve. I përbërë nga një gadishull dhe disa ishuj, unë qëndrova në njërin prej tyre, një ishull i vogël, vetëm me disa qindra banore, dy taksi, rrugë të pashtruara, por me një natyrë të mrekullueshme, ku gjendeshin dhe disa lokale të vogla, ndër të cilët njëri nga këto të mërkurave bënte “karaoke”. Të gjithë banorët e këtij ishulli rrekeshin aty për të bërë “karaoke”. U rreka edhe unë kur mora vesh se kishte mikrofon dhe muzikë me mendimin të këndoja një, ose dy këngë për qejf. Por u pëlqeva shumë banorëve vendas dhe mbajta thuajse dy orë koncert, dhe ata më sugjeruan që të bëhesha këngëtare. Unë nuk u dhashë sqarime, por u thashë: “Ju premtoj që patjetër një ditë do të bëhem këngëtare!”

A do të kthehesh prap në Shqipëri?

Patjetër, për mall dhe për punë. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora