E hene, 16.09.2019, 11:32 PM (GMT+1)

Kulturë » Kozeta

Keze Kozeta Zylo: Ai ringjallet poetikisht

E marte, 14.06.2011, 08:05 PM


Ai ringjallet poetikisht

 

(In memoriam për poetin korçar Vehbi Skënderin)

 

Nga Keze Kozeta Zylo

 

Ike, ike larg poet, lart në qiell, atje pranë shtëpisë së Atit.  Edhe pse s’të kam takuar kurrë, kam ndjerë se kishja biseduar prej kohësh, ngase këtë privilegj e kanë vetëm poetët me penë të artë si Vehbi Skënderi.  Kishja kohë që lexoja poezitë, si lexuese më kishin ndihmuar dhe në ditë të vështira, se qënie njerëzore jemi dhe midis nesh ka dhe lëndime apo mos dhe më keq…  Ju me dashurinë e thellë të metafores së vargut që çelte si syth në shpirtrat e lexuesve keni ditur të përballoni dhe burgun, atje ku Hëna vinte të puthte vjedhurazi nga vrima e çelësit të derës hermetike.  Vuajtjet e tua si në rrathët e ferrit të Dantes, ja tregoje vetëm Hënës dhe ja se si:

Kur ke diçka,-për të më thënë/ diçka që se mban dot për vete/ Që nuk ja thua e s`e shkul dot prej zemrës/ Dhe nuk të shqitet kudo që vete/

Trokit në hënë! Thuaja hënës!

Mjafton të lexosh këtë strofë e cila është një terapi e mirë poetike dhe nuk të lë të besosh se ike, sepse le pas nje lirikë të mrekullueshme që të mbush mushkëritë me ajër mali. 

Janë këto poezi lirike të ëmbla që shpesh herë ta shuajnë etjen për një bukuri vargu.  Me këtë lloj nuri e vesh poeti krejt krijimtarinë që nga Zvicra ku kaloi vitet e tij pas rënies së diktaturës:  O Zot! E gjithë Berna sot vezullon nën shi/ Mes vorbullës së valëve befas më shfaqesh Ti/ Unë bërtas sa mund posi dikur në shpellë/  Pritmë, o Izabelë!

Të gjitha poezitë janë jashtë të rëndomtës, aty është mirëfilli metafora poetike të veshura me një membranë krejtësisht të tejdukshme, ku sheh dhe ndjen atë qe ti ke kohë që e ke kërkuar...

Ai është një poet i vetëdijshëm që kërkon artistikisht ta nxjerrë kombin e tij nga mjegullat e kohës, nëpërmjet semantikës së poezisë, e cila bëhet tepër e besueshme kur e lexon, mendimin e tij të avancuar artistikisht.  Edhe pse u internua, u persekutua me gjithë familje, poeti vazhdoi përsëri të shkruante bukur, pena e tij nuk u thye, ai është nga ata poetë që sic thotë Carls Dikensi katër gjëra nuk i humbi në jetë, besimin, lidhjen, premtimin dhe zemrën, sepse kur këta thyhen nuk bejnë zhurmë, por shkaktojnë shumë dhembje.

Vargu i tij bëhet një pronësi shpirtërore pa tapi për lexuesin, që çuditërisht lexuesi vetë e ruan si të shenjtë emrin e dhuruesit, të poetit që i ka dhënë kaq shumë ndjesi të ëmbla atij.  Jane shumë poezi që mesazhin përcjellës e japin natyrshëm apo duke biseduar me Hënën, çka tregojnë dhe flasin qartë se si ka menduar poeti për kohën, njerëzit apo plagët dhe dhimbjet që i qëndruan gjatë në trup.  Dhe ja biseda poetike me Hënën e bukur:

Sado e largët të të shtiret, sado e kotë/ Ka zemër delikate hëna! Vjen në sekondë më thotë.../ Kur ke në gjoks një plagë, gur të rëndë! Brengosje e plagosje. Makth! Brengë poshtëruese/ E je shterur krejt duke besuar/ Diçka që s`ia thua as shoqes sate, as nënës/ Trokit në hënë! Thuaja hënës!

Tepër emocionuese janë dhe vargjet në poezinë: Kur më fiksohet bindja, se edhe pak ditë më mbetën/ Ftoj në raport të gjithë vitet, sërë – sërë/ I hapim von‘ defterët, e von‘ shoshitim veten/ E vrej çfarë kam kryer e çfarë kam lënë pa bërë…

Autorit i vërtiten si spirale me një zbehtësi të pikëlluar cfarë ka kryer e cfarë ka lënë pa bërë.  Edhe pse poezia është shkruar para 20 vjetësh, sentenca poetike të ben ta përjetosh në cdo kohë, ajo është rezistuese, ngase mendimi analitik zbërthen atë çfarë ka dashur të shpreh në gjithë kohërat.

Syri i tij si poet duket se kap te pakapshmen, nëpërmjet një zemre me ndjesi shumë të holla.  Krijimtaria e tij dhe vështrimi aq i hollë poetik është tashmë jo vetëm brenda nesh si lexues të apasionuar të tij, por dhe brenda rrënjës së ninëzës së syrit të bijës së vetme Elidës që hedh dritë edhe në fund të tunelit... Poeti krijoi një strehëz të ashtë poetike, një folezë të argjendtë që do të çuçurijnë vetëm zogjtë pendëartë, miqtë e shumtë që e takuan dhe ata që do ta takojnë pafundësisht në vargun e tij vizatuar mjeshtërisht në hapësirën qiellore të kaltër i cili shprehet:

E, si gjithnjë, pas këtij monologu, me dhimbje kaq akute/ Shtegtimin, ndarjen, vdekjen – a s’di ç’dreq i thonë/ E shtyj, për miqësi, një çik më tutje/ Ndoshta njëzet a dyzet vjet më vonë !

Tek i lexon keto vargje aq humane, të shfaqet poeti me shpirt aq delikat dhe të bukur.

Ai ringjallet poetikisht!

 

14 Qershor, 2011

Staten Island, New York



(Vota: 25 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT