E enjte, 18.04.2024, 01:08 AM (GMT+1)

Kulturë

Namik Selmani: Një ese për shpirtin e Çamërisë

E marte, 14.06.2011, 07:26 PM


Një ese për shpirtin e Çamërisë

 

Nga Namik Selmani

namikselmani@yahoo.ca

 

Ndonëse paksa i rënduar nga shëndeti, Profesori francez, Bernard Jakob, një njohës i shkëlqyer i muzikës ballkanike e sidomos asaj çame, nuk ngurroi që ta bënte udhëtimin në Greqi. Para pak kohësh i kishte thirrur këngëtarët popullorë çamë Shaban Zeneli e Refat Sulejmani në Paris në një koncert të pashlyer nga kujtesa e miliona francezëve. në atë koncert të këngës çame në radion më të njohur pariziene edhe profesori qante nën zë . Nuk kishte parë njerëzit çamë të vrarë në tokat e tyre , por kënga tregonte më shumë se ato pamje . Kush e ndjen muzikën di edhe ta “lexojë” atë me të gjitha shkronjat e pentagramit. Dëgjues të Radio Francës ato ditë kërkuan të ritransmetohej disa herë koncertin që ata dhanë në sallën me publikun më të zgjedhur të Parisit. Më shumë i mrekulluar nga kjo muzikë, nga këto këngë ishte pikërisht Ideatori i këtij bashkëpunimi.

Professor Bernardi.

Një këngë që në atë ujëvarë tingujsh polifonikë kishte ca ujëvara shpirtrash të Çamërisë që zgjoheshin vrullshëm mes Parisit plot drita. Si dikur në fillimvitet e shekullit XX, kur toka e Çamërisë u nda nga trungu amë. Në atë vjeshtë pariziene shpirtrat e trimave, të njerëzve pa varre, të luleve të ullinjve që atë vjeshtë ishin kokërrzuar sërish pa vjelësit e vërtetë të tyre. Bredhëronin nëpër Parisin e dritëzuar si një klithmë për padrejtësinë më të madhe të shekullit XX kur Sëpata e Fuqive e preu në dysh tokën shqipfolëse. Po jo këngën.

Jo vallen. Jo gjuhën. Jo traditat e kulturën….JO. JO.

Kësaj radhe Profesor Bernardi kishte dëshirë që t’i shihte këto shpirtëra në tokën ku kishin lindur. Ku kishin fluturuar. Një kujtesë të mohuar, të plaguar, të përgjysmuar, të shprishur. Dhe e shkeli. Dhe e preku këtë truall që kësaj radhe ishte nën një flamur të një shteti tjetër. Dhe ia dëgjoi këngën atje ku ajo kishte lindur e prej nga kishte ardhur një ditë në Paris. Tashmë po bënte një film për muzikën polifonike çame. Me një peng të një studiuesi kaq të popullarizuar, të realizuar në vitet e fundit. Po njihte muzikën më të bukur, më qëndrestaren e shekujve. Më brilanten në atë uljengritje tingujsh.

Ishte vjeshtë. Vjeshtë ballkanase. Një vjeshtë që tërhiqte zvarrë një verë të nxehtë. Përvëluese. Sërish mori me vete një këngëtar, të kësaj krahine.. Njeriun – orkestër të tingujve Shaban Zenelin. Donte një sfond tingujsh. Nuk mund të prekej kjo Çamëri pa tingujt e e këngës. Të poezisë që buron nga ky hambar ëndrrash të pafund. Pa gjuhën shqipe që ai e dëgjoi në Kastri. I thanë se banorët e Kastrisë rridhnin nga familja princërore e Kastriotëve të Dibrës. E gostitën me gjellët që bëheshin me vajin e ëmbël të këtyre shpateve. Kësaj radhe fjalëve të Bajronit që tregonte për trimëritë e suliotëve po i shtoheshin mbresat e një muzikanti që shihte një pjesë të re të Shpirtit të Çamërisë. I

folën shqip kudo ku ai shkoi.

Kur erdhi në Tiranë, e pyetën për klimën. Për ditët që kaloi në Çamëri. E ndiqnin miqësisht shëndetin e tij dhe ishte shumë normale një pyetje e tillë.

- Akoma edhe tani pas disa ditësh të Kthimit nga Çamëria, kam aromën e portokalleve dhe të ullinjve. Të limonave që ishin mbushur sa degët preknin tokën. Më dhanë një SHPIRT të ri brenda qënies sime…-tha ai.

Në këtë bredhërim të shpirtrave të Çamërisë në shpirtrat e artistëve më të mëdhenj të Botës, m’u kujtuan Gijotinat e të gjitha kohërave. Gjithmonë, ato, gijotinat, kanë patur vetëm disa pëllëmbë larg urdhërdhënës për ekzekutimet e rastit dhe urdhërzbatues të bindur me e pa maska në fytyrat e tyre të ftohta. Jo gjithmonë me shikues. Nuk ka rëndësi se cili ishte vrastari. Se si bëhej veprimi, me litar apo me sëpatë. Me...

Për fat të keq, Shpirtin e Çamërisë përherë e kanë lakmuar Gijotinat. Madje e kanë çuar edhe në vendin e tyre. Për t’i vrarë historinë. Për t’i memecëruar këngën. Për t’i lënë pa dasma në truallin e tyre stërgjyshor. Për t’i tharë Pusin e mençur të Fjalës. Për t’i mbyllur gojën drejt urimit. Për ta lënë pa legjendat e saj që do të pushtonin telajot e piktorëve më të mëdhenj të botës anglezë, francezë që shkonin në sofrat e saj në disa shekuj me radhë. Por asnjëherë nuk e bënë këtë gjë.

…Vetëm disa ditë më parë në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar kishin ardhur disa vizitoreë të moshuar të Çamërisë nga Paramithia, nga Kastria, nga Filati…

Një ëndërr që për 17 vjet akoma nuk po e respekton qeveria greke për t’i dhënë një vizë të thjeshtë pleqve të Çamërisë, dikur djem e vajza që vraponin në Karvanët e Krismave e Gjakut duke lënë shpirtrat e gjyshërve të vetmuar në trevat e stërgjyshërve. me ca gurë të stralluar të vatrave dhe furrave nëpër bohçatë e udhëtimit më tragjik që ka parë shekulli XX. Duke ecur pranë detit të gjithë këndonin ninullat që iu kishin rritu trupin e iu kishin mbushur të gjitha skutat e shoirtit të tyrë aq të brishtë.

Kishin ardhur shpirtërat që të dëgjonin zërat e thellësive të kohërave të një vendi që e kishin vetëm disa orë larg. Ishin njerëz që e flisnin shqipen aq mirë. Me atë dialekt të bukur të çamçes. Me një vrull emocionesh, që sytë, duart, fjalët nuk i mbanin dot.

 

- U jam ka Paramithia,- tha një nënë e moshuar.

Me një fjalë të ngadaltë që të mos e dëgjonin ata që e shoqëronin. Të vini të rregulloni token! Të rregulloni shtëpinë, sepse janë të rrëzuara. Jo për një kahave. Jo.

- U jam ka Kastria – tha një tjetër.

Të gjithë ishi çamë të krishterë të Çamërisë që ende jetonte në gjuhën e saj, te këta njerëz që nuk kishin bërë shkollë shqipe e as që mund ta kërkonin atë në kohërat e mungesës së popullsisë myslimane të Çamërisë.

Kësaj radhe ishin të gjallët që e kishin sjellë SHPIRTIN çam. Mund të ishin dhe të vdekurit. Të vdekurit me varre, pa varre. Mund të sillnin këtë Shpirt djepet e fëmijëve që flenë ende në gërmadhat. Mund ta sillnin amanetet e shkruara e të pashkruara. Të paarkivuara në ndonjë arkiv fshati, shteti.

Dua të besoj se Shpirti çam është i gjallë e duhet të jetë i tillë edhe në poezitë për të. Te ajo duhmë e shpirtit të poetit të të gjithë moshave e të të gjithë kohërave. Për t’i treguar atyre që ulen në tryeza politikanësh dhe diplomatësh se problemi çam nuk është një kasafortë që e ka një Çelës në duart e një Pronari. Jo. Çelësat e saj , udhërrëfyesat e shpirtrave të pagjumë të Çamërisë i ka një komb i tërë. Nga Shqipëria deri në Amerikën e largët ku ka aq rrahje zemre për Çamërinë sa duhen valët e Jonit për t’i numëruar. Duhen palët e maleve shqiptare për të kuptuar forcën e këtij shpirti të paepur. Një shoqëri e

tërë që kërkon të drejtën e saj si drita e diellit.

Çelësat e Portave të këtyre Shpirtrave sot i ka dhe deti Jon që në vitet e mbushura me jetë , me punë ballëdjeristur në tokat çame, bënte garë me vajin e ullinjve që prodhohej çdo vit në fshatrat e saj të begata.

Nuk kanë rëndësi Gijotinat që duan ta godasin Shpirtin çam Të vjetra a të reja qofshin. Nuk kanë rëndësi dhe aq shumë dinakëritë e thurura aq saktësisht shumë herë edhe në dritën e fortë të diellit. Nuk kanë rëndësi urdhërdhënësit e tyre që mund të kenë në duar letra të shkruara në të gjitha gjuhët. Rëndësi ka që SHPIRTI i Çamërisë rron ndër brezat që e kanë të gjallë këngën, kujtimin, ëndrrën, amanetin, vallen, kujtesën, të nesërmen,…

Namik Selmani 00355 69 27 76828, 00355 3232051

 

Për ZSH- Kadri Mani (etnike@gmail.com)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora