E premte, 19.04.2024, 11:33 PM (GMT+1)

Kulturë

Burn, si digjet skena!

E diele, 03.02.2008, 01:26 AM


Grupin e tyre, Renisi, Stivi, Endri dhe Ledjani e kanë quajtur “Burn”. Nuk e kanë bërë për t’u dukur trendi, por në shenjë nderimi për idhujt e tyre. Kanë gjetur mënyrën më origjinale për t’u thënë faleminderit për këngën që do e rendiste grupin anglez “Deep Purple” në legjendat e hard-rrokut. Para katër vjetësh ata as që e mendonin se do t’i takonin ndonjëherë pjesëtarët e grupit, e megjithatë patën mundësinë jo vetëm t’i shtrëngonin duart, por edhe të kalonin ca orë të gjata në shoqërinë e tyre, duke u rrëfyer se përse e kishin pagëzuar grupin e tyre me emrin “Burn”

Nga Suadela Balliu - One

Burn
Në këngën e tyre “Burn”, të grupit anglez “Deep Purple” thuhet se “...femra i djeg vetëm me një lëvizje të dorës”. Ndërsa katër djemtë e grupit shqiptar të pagëzuar me emrin e këngës duket se, me muzikën e tyre, në të vërtetë “e kanë djegur” ata. Arritën të rrëmbenin dy çmime te “Kënga magjike” dhe “Mikrofoni i Artë”, por edhe të shkonin në Milano, si një nga grupet pjesëmarrëse të një koncerti me përmasa të mëdha i quajtur “East West”. Ishin të vetmit që përfaqësuan Shqipërinë, si edhe muzikën rrok. Aktualisht, janë në pritje të daljes së albumit të parë, ndërsa gati çdo natë mund t’i dëgjosh në ndonjë nga klubet e Tiranës duke kënduar live. “Për momentin kemi nevojë për pak “relax” pasi kaluam dy evenimente shumë të rëndësishme, si “Mikrofoni i artë” ku morëm çmimin “Best Pop-Rock” dhe “Kënga Magjike” ku morëm çmimin “Best Rock”. Sa për atë fjalën “relax” bëra shaka, pasi të dielën mbaroi “Kënga Magjike” dhe të hënën filluam përsëri provat me grupin, pasi jemi 4 ditë të javës të zënë me koncerte live nëpër pub-e dhe lokale të natës”, shprehet Renisi, vokalisti i grupit. Megjithëse e dinë se, po t’i krahasojnë me Deep Purple, do të jetë thjesht një gënjeshtër e bardhë me qëllimin për t’ju bërë qejfin, ata i kanë ca të përbashkëta me grupin legjendar. Anglezët kanë një këngë dhe një album me emrin “Burn”, ndërsa ata kanë emrin e grupit. Deep Purple janë një nga grupet më të famshëm të rrokut në botë, ndërsa ata, mes grupeve të tjera rrok që kanë dalë në Shqipëri kanë arritur të bëhen tejet të njohur. Edhe kur disa nga pjesëtarët e Deep Purple u larguan, grupi refuzoi të shpërbëhej. E njëjta ndodhi me katër rrokerët shqiptarë, ku pas ndarjesh e bashkimesh, nuk u shpërbënë, prandaj tani janë sërish bashkë dhe me shaka thonë se do të martohen me njëri-tjetrin. “Deep Purple” kanë arritur të shesin mbi 100 milionë kopje të albumeve të tyre; gjithsesi edhe grupi “Burn” e ka hedhur hapin e parë në publikimin e një albumi, i cili përmbledh jo vetëm këngët që kanë kënduar deri më tani, por edhe krijime të reja. Nuk është se djemve u ka kaluar nëpër mend diçka e tillë, megjithëse ata impenjohen çdo ditë për muzikën. I sheh në prova kur kanë koncerte, i gjen sërish në prova kur konkurrojnë në Festivale. Edhe pse kanë mbaruar orët e gjata të regjistrimeve të albumit, provat nuk mbarojnë kurrë, sepse u duhet të ushtrohen për koncertet live në lokalet e Tiranës. Edhe pse nuk bëjnë hard-rock si Deep Purple, i kanë pas vetes edhe ata fansat e tyre të muzikës alternative.

Si lindën Burn?

Kur i sheh në skenë nuk duket se kanë ndryshuar shumë nga hera e parë kur u ngjitën mbi të. Renisi është po ai djali imcak, që i habit të gjithë me potencën e zërit të tij. Edhe djemtë e tjerë janë po ata, veçse me ndonjë ndryshim herë pas here kur i sheh të grimuar, për t’i dhënë këngës të gjitha efektet e dëshiruara prej tyre. Renisit i pëlqen ende ta marrë stativin në dorë dhe t’u afrohet shokëve për t’u bashkuar në një duet të vogël aty për aty, ashtu siç bëjnë edhe këngëtarët e famshëm rrok në koncertet live. Kur morën pjesë në edicionin e dytë të “Top Fest”, tregojnë se ende nuk e kishin marrë muzikën me përgjegjësinë që kanë sot. Ndoshta edhe vlerësimi në kategorinë e artistëve më të mirë të rinj,  u erdhi papritur, por ai ishte pikërisht momenti ku të katërt nisën të mendojnë ndryshe. Atëherë, rrëfejnë se ishin vetëm disa çunakë që përpiqeshin të bënin si të mëdhenj. Kur i dëgjon të shprehen kështu, duket sikur pas kanë lënë vite të tëra e, megjithëse tani sapo i kanë shkelur të njëzetat, disa gjëra i kanë mësuar. Renisi thotë se tani është përsosur më tej në teknikën e të kënduarit, gjithashtu edhe djemtë e tjerë me instrumente tashmë i kanë kaluar emocionet e para. Kur vendosën ta krijonin grupin katër vjet më parë, Stivi, Endri dhe Ledjani nuk bënë zgjedhjen e shumë bashkëmoshatarëve të tyre të rrëmbyer nga ritmet hip-hop. Ata e gjenin veten nën tingujt e rrokut dhe emrin e grupit e gjetën pikërisht mes vargjeve të këtyre baladave. Renisi tregon se iu bashkua grupit një vit më vonë, pas largimit të vokalistit të parë. Disa nga djemtë e grupit i shihte si pjesëtarët e një grupi rival, kur gjendeshin si konkurrentë në konkurse të vogla, ndërsa me Stivin njohjet i kishte më të vjetra, që nga koha kur të dy ndiqnin shkollën fillore të muzikës: Renisi për violinë e Stivi për piano. Atëherë as që e kishin menduar se do të ishin pjesëtarë të një grupi rrok e, megjithëse Renisi iu largua violinës në zgjedhjet e mëvonshme, Stivi pianos i mbeti besnik. Jo vetëm që është tastieristi i grupit, por edhe studion në vit të tretë për piano në Akademinë e Arteve. Stivi ka mundësinë që Endrin dhe Ledjanin t’i takojë edhe nëpër korridoret e Akademisë së Arteve, veçse, me të rënë zilja, shpërndahen nëpër sallat përkatëse. Endri ndjek leksionet për kompozicion, ndërsa Ledjani për kanto. Edhe pse Renisi në këto orë ndodhet pak më larg tyre - në ndërtesën e Fakultetit të Shkencave Sociale - duket se e ka gjetur pikëtakimin mes dy zgjedhjeve . “Them se deri diku këto të dyja kanë diçka të përbashkët. Shkolla ime është një shkollë që ka lidhje me jetën sociale, marrëdhëniet me publikun, shtresat në nevojë, psikologjinë e njerëzve etj. Kurse muzika shëron shpirtin, e çlodh atë. Dua të përmend këtu një shprehje të idhullit tim, Jim Morrison (The Doors), që thotë: “Kur muzika të vdesë, njeriu ka për t’u shuar bashkë me të”. Një njeri që ka lidhje me psikologjinë sociale, medoemos ka lidhje dhe me artin, dhe, nëse s’ka, atëherë me siguri nuk ka lidhje as me të parën”.

...ta nisësh me këmbën e djathtë

Që në daljen e parë e nisën me këmbën e djathtë. Morën pjesë në Festivalin “Alterfest” dhe goditën menjëherë në shenjë. U vlerësuan me çmim të parë, gjë që u dha kurajë për të ecur më tej. “Mbajmë mend që atëherë sapo ishim formuar dhe ky çmim na dha kurajë për të konkurruar edhe në evenimente të tjera kombëtare më të rëndësishme e më profesionale”. Më pas hodhën një hap përpara të tjerëve, ashtu si titullohej edhe kënga me të cilën u prezantuan për herë të parë në edicionin e dytë të “Top Fest”, ndërsa “Ecim të dy”, e cila u bë balada e të dashuruarve: “të dy pranë e pranë... në dimrin e ftohtë”. “Ne jemi grup paksa aventurier në sensin e mirë të fjalës. Na pëlqen shumë të eksperimentojmë, të krijojmë një muzikë që populli ynë s’e ka dëgjuar më parë. Do të ishte një dështim për karakterin tonë, nëse do të donim të vazhdonim në rrugën e paraardhësve. Pra, duke parapëlqyer eksperimentet, vendosëm që një të tillë ta bënim dhe duke bashkëpunuar me grupin hip-hop “Sweed Company” dhe më pas me Big Basta-n, që mendojmë se ia arritëm qëllimit ta cilësonim si pozitiv” bashkohen njëzëri djemtë. Më 4 korrik ata ndodheshin në Milano dhe aty patën mundësinë t’i këndonin të gjitha këngët e albumit të tyre të parë. Një nga organizatorët e evenimentit, që mblidhte bashkë këngëtarë e grupe muzikore nga të gjithë vendet, nga perëndimi deri në lindje, vendosi që nga Shqipëria të ftonte grupin “Burn”. Jo vetëm fakti i të qenit i vetmi grup shqiptar, por edhe të vetmit që i përkisnin rrymës alternative bënë që djemtë të ndiheshin mirë e ta shihnin si një mundësi promovimi. Edoardo Modanini i zbuloi vetëm duke i dëgjuar një natë në një nga klubet ku ata performojnë. Ndoshta, duke i dëgjuar të këndojnë 14 këngë, mund t’i ketë zbuluar edhe dikush tjetër. “Ne promovuam aty këngët që kemi në albumin tonë dhe mbetëm mjaft të kënaqur nga pritja që na u bë. Arritëm të lidhnim kontakte me grupet e tjera dhe producentë që ishin të pranishëm, gjë që na ka shërbyer për koncertet e tjera që do të zhvillojmë në vazhdim”.

Në pritje të albumit të parë

Janë në pritje të daljes së albumit të parë dhe ky muaj pritjeje u duket pafund. Kanë punuar shumë dhe kanë mbledhur rreth 14 këngë, dy prej të cilave të shoqëruara me videoklipe. Tekstet dhe muzikën e pjesës më të madhe e kanë krijuar vetë, megjithatë nuk u mungojnë as bashkëpunimet me miqtë si Big Basta dhe Florian Mumajesi. Megjithatë, duket se të katërt ata nuk janë gatuar të presin duarkryq. Repertori i tyre në koncertet live në klubet e Tiranës ka arritur numrin e 300 këngëve. Nuk e kanë problem as t’i përshtaten publikut që mbushin karriget e tavolinat e lokaleve në netët që “Burn” këndojnë live. Shijet e publikut, që nuk janë vetëm të rinj, përputhen më së miri me të tyret. Tani nuk kanë më nevojë as për reklamë. Të gjithë e dinë mirë se ku ndodhen ata në katër netët e javës që këndojnë dhe nuk kanë nevojë për të lexuar ndonjë poster që të binden për t’i dëgjuar. Ata futen brenda, rehatohen dhe presin sa djemtë të marrin pozicion e të nisin të këndojnë. Kur kujtojnë se para katër vjetësh ëndrra e tyre ishte të këndonin qoftë edhe një herë live për publikun, tani u duhet të refuzojnë shumë nga ofertat e klubeve. Kanë zgjedhur vendet që preferojnë dhe nuk heqin dorë prej tyre, qoftë edhe me kushtin e një pagese më të mirë. Ndodh edhe që të lodhen e, për këtë, tri ditë në javë ia kushtojnë pushimit absolut, për të rimarrë fuqitë e humbura në netët që i presin. Për muzikën bëjnë shumë, ndonjëherë duke i kaluar edhe kufijtë e mundësive. “Ka pasur raste që, dhe për ditë të tëra i jemi kushtuar vetëm asaj, sepse kështu ka qenë periudha. Konkretisht, sapo lamë pas impenjimet me evenimentet muzikore që sapo përfunduan, dhe tani duhet të fillojmë direkt me regjistrimet e këngëve dhe klipeve të reja që do të dalin së shpejti”, shprehet Renisi. Ata e dinë që është mjaft e vështirë të çajnë në rrugën e artit dhe për këtë u duhet të punojnë shumë. “Rruga e artit është shumë e vështirë, dihet konkurrenca e madhe që ekziston në rrethet artistike dhe aq me tepër për ata që sapo janë futur në këtë rreth. Sa për albumin, nuk diskutohet që duhet një punë intensive. Për albumin tonë mund të themi se kemi punuar jashtë mase shumë, dhe besojmë se do pritet mirë në publik”, shprehen duke shpresuar në suksesin e albumit të tyre. Nuk është as sekret dhe as e habitshme për ta gjendja e tregut muzikor, madje e kanë nuhatur mirë dhe e kanë kuptuar rëndësinë e komercializmit, duke gjetur një të mesme të artë mes asaj që pëlqen publiku dhe asaj që u pëlqen dhe i karakterizon ata. “Tregu në Shqipëri është shumë i komplikuar dhe i trazuar në një farë mënyre, por mund të themi që ne kemi mundur të ecim para, duke i kushtuar rëndësi të veçantë anës profesionale. Këtu në Shqipëri, muzika rrok gjithmonë është cilësuar si jokomerciale. Muzika është jokomerciale kur nuk përkrahet e nuk vlerësohet në masë dhe është komerciale kur vlerësohet dhe përkrahet në masë. Pra, ne nuk jemi dhe aq jokomercialë sa mund të na karakterizojë rryma që përfaqësojmë, për më tepër na bëhet shumë qejfi që në këtë rrymë jokomerciale ne kemi arritur të jemi grup komercial”, shprehet Renisi, ndërsa me shaka shton se, nëse nuk do të arrinin të gjenin hapësirat e tyre mes publikut, sot mund të kishin zgjedhur të këndonin tallava. Ata e kanë zgjedhur rrokun dhe i kanë zbuluar edhe hapësirat e tyre. Planet për të ardhmen i kanë të shumta. Megjithëse tani presin promovimin e albumit dhe hedhjen e dy klipeve të reja. Duket se nuk do heqin dorë nga eksperimentet, për aq kohë sa i jepen me përkushtim dhe rezultati në publik ka emrin e suksesit. Ku i dihet, ndoshta vitin tjetër do duan ta “djegin” sërish sallën e Pallatit të Kongreseve, por kësaj here në Festivalin e Këngës në Radiotelevizion. Deri tani, kjo është e vetmja eksperiencë që djemtë ende nuk e kanë provuar.

Grupi

Renis Gjoka – Vokal
Stivart Çela – Tastierë
Endrit Shani – Kitarë
Ledjan Nako – Bateri

Fillesat e pjesëmarrjes i kanë në “Alterfest 2004”, ku u vlerësuan me çmimi të parë.  Në “Top Fest 2” morën çmimin “Best New Artist”. Në “Kënga Magjike ‘06” çmimin “Best Group”. Në “Mikrofoni i artë ‘07” çmimin “Best Pop-Rock” dhe së fundmi në “Kënga Magjike 07” çmimin “Best Rock”. Idhujt e tyre: “The Doors”, “Deep Purple”, “Red Hot Chili Peppers”, Aleksandër Gjoka. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora