E diele, 27.09.2020, 02:19 AM (GMT+1)

Editorial » Radovani

Fritz Radovani: ''Katekizmi për injoranta''...!

E hene, 13.06.2011, 07:59 PM


“KATEKIZMI  PËR  INJORANTA”..!

 

Një ngjarje e vertetë në dy kohë mbrenda 20 vjetësh…

 

Nga Fritz RADOVANI

 

Mosha gjithmonë ban punën e vet. Kishte pak kohë, aty nga viti 1992, që kishte ardhë nga Parma e Italisë At Giakomo Gardin S.J., një nga jezuitët e parë që ka ardhë në Shqipni, në fillim të 1900... Donte me shkrue një artikull “Katekizmi për injoranta”, që nuk po dijshe me kuptue ku rrihte ky titull... Fillova me shkrue mbasi Atij i dridheshin paksa duert. Një ditë, kur ishte në Parma, që ishte edhe vendlindja e Tij, porsa kishte dalë në mengjes ishte drejtue nga një librari jo larg nga kuvendi ku jetonte. Kishte hy mbrendë dhe kishte pyet librashitsin: “A ke një katekizëm për injoranta?”... Ai, tue njohë mirë At Gardinin se kush ishte, për një çast kishte mbetë dhe po e shikonte ashtu si po e shikoja edhe unë nësa po ma tregonte ngjarjen. At Gardini kishte përsëritë prap pyetjen, por këte herë, tue shtue se, asnjëherë njeriu nuk asht i ditun aqsa kujton, edhe pse ka mbarue shkolla të nalta apo ka mbrojtë doktorata e tituj të tjerë. Madje, sa ma shumë të dijsh, aq ma shumë ke me u bindë se “je i paditun”! Aty, një ditë, Ky kishte pa librin që po kërkonte e autori i atij libri ishte një profesor i madh i njohun i teologjisë, që At Gardini e kishte njohë shumë vite ma parë. Shitsi i kishte thanë: “Po Atë, e di për cilin libër e keni fjalën, po nuk po di me marrë vesh për ke e doni?...” Ky kishte ba buzen në gaz dhe kishte pohue se e donte për vete, tue i tregue edhe atij se: “Kur asht fjala për dije ndaj Zotit, më duket vetja krejt injorant!” ... Libraristi menjëherë ka shkue me dorë në të tek rafti dhe ia ka sjellë librin At Gardinit...

Burri që po ma tregonte mue, At Giakomo Gardin, ishte një nga jezuitët ma të ditun që kanë shkelë Tokën Shqiptare, tri herë doktor, një ndër profesorat e paharrueshëm të Seminarit të tyne në Shkodër, po Ajo që e veçonte Atë nga shumë shokë të vet, ishte se Ai krenohej se “jam edhe Shqiptar” e prandej, në të 80-tat vjet kishte ardhë prap me ndihmue Popullin Shqiptar në 1992, porsa u hap rruga e “rilindjes” sonë...

Fjala e kjartë e tij në gjuhën shqipe në përputhje të plotë me mendimin e pastër dhe të pagabueshëm të dijetarit, ishin mësime shumë të çmueshme për mue. Bisedat dhe konsultimet me Burra të tillë mbesin një thesar i madh për të gjithë ata që do të mbërrijnë me kuptue se, para Fjalës dhe Mendimit të Tyne, na jemi me të vertetë “injorantë”...

Kam lexue dhe vazhdoj me lexue shumë ngjarje dhe fakte historike, të cilat koha i pat vorrosë me mendimin marksist – leninist, se “ata do të kalbeshin përgjithmonë”...Asht një çudi e madhe e një dashakeqsije të përmasave gjigande me mendue sesi vazhdohet me paturpsi dhe kambngulje edhe sot, nga po ata “injorantë” pseudoakademikë e profesorë, të cilët deri dje ishin vorrmihës dhe shkatrrimtarë të së “Vërtetës”...gjoja të dhunuem, por me plot gojë “adhurues të diktaturës”, që me andje dhe smirë të pa shoqe, në garë me njeni tjetrin, ashtu si hetuesit e sigurimit të shtetit ndaj dijetarëve dhe shkectarëve, edhe këta  kanë krye po ato krime ndaj Veprave të Tyne shkencore, historike, letrare dhe gjuhësore, artistike apo kulturore, tue përfshi të gjitha fushat e shkencës dhe të dijes, si e si me fshi, me zhdukë e me shpartallue gjithshka të mirë për Shqiptarët, tue e zevendsue me “veprat e veta” të rrejshme, mashtruese, antishkencore, antiedukative dhe antinjerzore, vepra që i kanë sherbye vetem “shijes” së diktatorëve dhe që përputhen me realizmin socialist, një shemtim i pakrahasueshëm në krejt historinë e shekullit XX në Shqipni, deri në çvorrosjen e Atyne dijetarëve nga vorret e Tyne për me ua thye e tretë kafkat e Tyne.

Kam parasyshë një shprehje të At Gardinit: “Asht vështirë me ia ndreqë kambët qenit!”... Në momentin e parë duket si një thanje që i përket atyne që merren me kafshët. Në fakt koha ka provue dhe po provon përditë se kjo shprehje ma shumë i takon dijetarit, akademikut, letrarit e pse jo politikanit tonë? Lindën dhe u rritën me edukaten marksiste – leniniste, apo enveriane anadollake, po plaken dhe u janë afrue grykës së vorrit, gjithnjë tue mendue me rrejtë, me mashtrue dhe me falsifikue faktet që shumica e Shqiptarëve sot janë që edhe i kanë përjetue. Dikur kemi pas mendue se “të shkretëve” ua imponon koha shumë veprime e “shumica” nuk kanë nga ia mbajnë... Ndoshta kjo ishte një e vërtetë me Popullin Shqiptar, i cili, siç ka thanë At Mëshkalla: “Asht i lidhun për kafshatën e gojës!”, por sot koha po provon në të gjitha fushat e jetës se dijetarët apo akademikët shqiptarë janë të lidhun për interesat dhe dollarët e xhepave të tyne ma shumë se për dashninë për dije, kulturë dhe Atdhe. Shkruejnë romane, tregime, anekdota e ndonjëni edhe mban konferenca shtypi, por asnjeni nuk ka korajo, as ma të voglen shkëndi të ndërgjegjes qytetare, me “terhjekë” thanjet dhe shkrimet e rreme, fallso, apo mashtruese që ka thanë deri dje...kundrejt figurave të nderueme dhe të mëdha të Kombit tonë, tue fillue nga At Fishta, Dedë Gjo’ Luli, At Gjeçovi, Faik Konica, Xhevat Korça apo Lef Nosi...etj.

Cilit libër të tyne me i besue, atyne që kanë gënjye me paturpsi deri dje, apo atyne që vazhdojnë me mashtrue prap edhe sot? Ata libra janë një vazhdimsi e krimit të djeshëm!

Mendoj se ka ardhë koha që duhen ba dy veprime. Duhet ba një “grafi” e zemres dhe një “DNA” e prejardhjes së tyne, për me percaktue jo vetem origjinen, prejardhjen e gjakut, prejardhjen e kombësisë, por edhe me vrejtë “për ke vazhdon me i rrah zemra edhe sot?..” mbas 20 vjetësh të ramjes së Murit të Berlinit...

I pari që duhet analizue dhe diagnostikue sakt mendoj se asht e duhet fillue me një nga figurat e njohuna të Kosovës, “akademikun” Rexhep Qosja, e mbas tij të gjithëve atyne që vazhdojnë me kenë skllavë të fondacionit “Enver Hoxha”...

Do t’ ishte mirë që nga Rexhep Qosja e me rradhë, ata, para kësaj analize, me pasë edhe mundësinë me njohë përgjithësisht idenë e librit “Katekizmi për injoranta”!!

Ndoshta, sado pak, ua hapë një “dritare” me pa veten sa injoranta dashakqijë janë!

 

Melbourne. Qershor 2011.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora