E shtune, 20.04.2024, 12:49 PM (GMT+1)

Mendime

Arben Idrizi: Po dhe prapë po

E hene, 13.06.2011, 07:09 PM


Po dhe prapë po

 

Gjërat që thua kudo e kurdo, mund të të kushtonin me jetë. Nuk kanë pasur kurrfarë ndikimi në ndryshimin e gjërave, por kanë ndikuar në zemërimin e atyre që janë prekur prej tyre. Të gjithë ata që kanë menduar si ti, i kanë ditur ato gjëra.

 

Nga Arben Idrizi

 

Çfarë mësova nga tekstet që shkruaj?

 

Gjërat që i dija, nuk i dija. Gjërat që (nuk) m’i kishin thënë, që (nuk) ua kisha thënë.

 

Nuk duhet ta kritikosh e shash Partinë, aq më pak Shefin. Nuk duhet ta kritikosh e shash Fenë, aq më pak Zotin. Duhet të shtiresh, me pëlqimin e tyre perfid, se je duke kritikuar e sharë; ta zëmë, ta heshtësh krimin dhe ta bësh “publike” një të metë të kotë; apo figurativisht: t’ia japësh dikujt a diçkaje një dackë, kur duhet ta gozhdosh.

Duhet të kritikosh dhe shash gjithmonë. Duhet të gozhdosh.

 

Iu dhemb fjala e shkruar. Iu dhemb cilado e vërtetë që i rrezikon. Asnjë e vërtetë nuk i rrezikon. S’ka asnjë të vërtetë që ke ti. S’ka asnjë të vërtetë që është autoritet. Pushteti i sajon vetë të vërtetat e veta, të cilave duhet t’iu nënshtrohen të gjithë.

E vërteta e Pushtetit është rrenë.

 

Ti nuk je gazetar. Po t’i hulumtoje krimet dhe bizneset e tyre të paligjshme, do të të hiqnin qafesh qysh në fillim; do të ta përgatisnin funeralin dhe do të të thurnin lavde.

Ti shkruan kot; s’ke tjetër gjë për të bërë; s’ka gjë që nuk është e kotë.

 

Ti je vetëm një diletant që dërdëllit. Nuk mund ta kesh seriozisht. Dikush duhet të qëndrojë mbrapa asaj që thua. Nuk është e mundur të jesh vetëm dhe të jesh i tillë.

 

Duhet t’i shkosh deri në fund asaj që di dhe mundesh.

 

Gjithçka e ka një masë. Mund të jesh kritik deri në një masë. Kjo tregon “lirinë e shprehjes”. Po e tejkalove këtë, je armik.

 

Duhet ta tejkalosh këtë. Duhet të jesh armik.

 

Gjithmonë je i mirëpritur të shitesh.

 

Mos u qesh, ama as mos u shit.

 

Nuk i përket asnjë partie, asnjë ideologjie, asnjë të vërtete. Të gjitha ato je ti vetë.

 

Nuk ka asnjë utopi që të bën të jepesh pas saj. S’ka asgjë të shenjtë që të mos e marrësh për argëtim.

 

Je i vetëm, me ty janë të gjithë ata që mendojnë dhe ndjejnë si ti.

Duhet të jesh fikall i vetëm.

 

Asgjë s’do të bësh. Në të vërtetë, nuk ke dashur të bësh asgjë. Megjithatë, ke dashur të bësh atë që është në përgjegjësinë tënde qytetare dhe intelektuale. Nuk ke asnjë përgjegjësi as qytetare as intelektuale, nuk je as qytetar as intelektual.

 

Asgjë nuk ia vlen, s’ia vlen ta humbësh as një fije floku për kurrfarë parimi a ideali.

E gjitha ia vlen, edhe gjëja më e kotë dhe e padukshme.

 

Fare lehtë dhe thjesht mund të mos e lëvizje as gishtin e vogël, për asgjë, për kurrënjëgjë mbi faqe të dheut. Kurrfarë ndryshimi nuk do të kishte. Asgjë s’do të humbisje.

 

Ka njëfarë ndryshimi dhe ka diçka që do të humbisje.

 

Mund të shkoje si qeni në rrush për mendimet me zë, kur fare mirë mund të ishe gjallë si beg duke i mbajtur në vete e për vete ato mendime. Jeta, të vjen të çmendësh së qeshuri, por asgjë për t’u habitur, do të vazhdonte pa ty si të mos kishte ndodhur gjë e keqe me ty.

 

Prapë do të ishe ti.

 

Nuk do të ishe ti.

 

Ti nuk je askush, askujt dhe asgjëje nuk do t’i mungonte asgjë jotja. Aksidentalisht je në një vend të caktuar, në një gjuhë të caktuar.

 

Duhet ta respektosh aksidentalitetin si të tillë.

 

Mos luaj me zjarrin.

 

Ti je zjarri vetë.

 

Tërë ato gjëra i ke thënë kudo e kurdo, mund të të kushtonin me jetë. Ironia e kësaj është në atë se nuk kanë pasur kurrfarë ndikimi në ndryshimin e gjërave, por kanë ndikuar në zemërimin e atyre që janë prekur prej tyre, e të cilët kurrë, për arsye të ndryshme dhe pa asnjë arsye, kurrë s’do të ndryshojnë mendim a qëndrim. Të gjithë ata që kanë menduar si ti, i kanë ditur ato gjëra dhe s’kishte nevojë t’i neveritje duke ua përsëritur.

 

Duhej t’i thoshe ti. S’do të mund të jetoje në ndërgjegjen tënde ndryshe. Të jetuarit në vetëndërgjegje është i pakapërcyeshëm.

 

Je dele e zezë e të gjitha grigjave. Nuk je në asnjë grigjë.

 

Mos shkruaj.

 

Shkruaj. Për çkado, kudo e kurdo.

 

Mos lësho pe as edhe për një çast.

 



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora