E merkure, 24.04.2024, 03:22 AM (GMT+1)

Kulturë

Demir Krasniqi: Shpjegime terminologjike etnomuzikologjike

E hene, 13.06.2011, 08:02 PM


Etnomuzikologji:

 

SHPJEGIME TERMINOLOGJIKE ETNOMUZIKOLOGJIKE

 

Shkruan: Demir KRASNIQI

 

Në përditshmërinë tonë , sa herë që flitet për këngën dhe muzikën në përgjithësi , shumë herë paraqiten kundërthënie e kontradikta rreth terminologjisë etnomuzikologjike , të cilat shumë njerëz nuk e njohin saktë këtë terminologji , por ka edhe shumë sish që këto terma i përdorin në mënyra të gabueshme .

I nxitur nga kjo problematikë permanente dhe nga dëshira që sado pak të jap disa sqarime rreth këtyre termave , do të mundohem që të jap një kontribut të vogël për të gjithë ata që e duan , e dëgjojnë dhe e kultivojnë artin e muzikës popullore .

Muzika popullore përfshinë në veti gjithë krijimtarinë muzikore melodike që është krijuar nga populli, që kultivohet nga populli , që interpretohet nga populli dhe që konsumohet nga populli.

Termi “muzikë popullore “ nënkupton veprat muzikore popullore të cilat ekskluzivisht interpretohen nga instrumentet muzikore me tekst notal, por jo me këndim vokal. Në këtë kategori bëjnë pjesë kryesisht vallet popullore dhe meloditë e ndryshme të cilat dëgjohen përmes tingujve muzikor .

Kënga popullore është vepër muzikore e cila paraqet frymën dhe shpirtin krijues të një populli . Ajo krijohet nga populli, kultivohet nga populli , interpretohet nga populli, konsumohet nga populli , rritet me popullin , jeton me popullin dhe mbetet pronë e përhershme e  vlerave kulturore të popullit.

Është i pa kontestueshëm fakti se çdo këngë popullore pa dyshim se e ka edhe krijuesin e vet, si tekstual, ashtu edhe muzikor . Mirëpo, rrethanat e ndryshme historike kanë bërë që shumë nga krijuesit e këngës popullore të ngelin anonim.

Si element kryesor që ka ndikuar në këtë anonimitet, ka qenë mungesa e shkollimit dhe arsimimit të krijuesve gjenial popullor, të cilët nuk kanë qenë në mundësi që t’i shënojnë veprat e tyre dhe t’i ruajnë ato për brezat pasuese .

Elementi i dytë që ka ndikuar në anonimitetin e krijuesve gjenial popullor, pa dyshim ishte edhe mungesa e lirisë dhe pavarësisë kombëtare, ku jeta nën thundrat e okupatorëve të huaj , ishte e rëndë, e errët dhe me pasoja të pa parashikueshme për të gjithë ata krijues që do të identifikoheshin si krijues të veprave me karakter kombëtar, patriotik dhe kundërshtarë të robërive shekullore .

Kënga popullore lind bashkë me lindjen e njeriut, zhvillohet krahas zhvillimit të njeriut dhe vdes bashkë me njeriun.

Ajo lind bashkë me lindjen e fëmijës , kur familja dhe rrethi familjarë nga gëzimi që përjeton me rastin e lindjes së një foshnje të re, fillojnë të thurin vargje të reja dhe të këndojnë këngë për lindjen e atij fëmije ! Pastaj , gjyshet, nënat dhe motrat do të fillojnë që të thurin vargje e këngë të ndryshme djepi, apo siç quhen ndryshe ninulla .

Fëmijët që nga belbëzimet e para drejt zhvillimit te  të folurit , do të sprovojnë aftësitë dhe prirjet e tyre për të këndua ndonjë këngë to vogël, apo të thurin edhe vet ndonjë këngë me vargje dhe rrokje të cilat vetëm ata mund t’i kuptojnë . Këngët e krijuara nga fëmijët e vegjël kanë më tepër karakter të zhvillimit të memories dhe zhvillimit të ndjenjave ritmike , që quhen “numërore”.

Pastaj , vijnë këngët dhe lojërat e fëmijëve të cilat i mësojnë, krijojnë, kultivojnë dhe interpretojnë në mënyrë grupore nëpër çerdhet e fëmijëve, ku ata e kalojnë kohën më të gjatë të tyre.

Fëmijët po sa të shkelin në bankat shkollore, do të rriten përmes këngëve për fëmijë, këngëve për pionierë dhe këngëve shkollore .

Pas mbarimit të shkollës fillore , fëmijët do të rriten dhe do të kultivojnë këngët me tematikë nga jeta rinore dhe aspiratat drejt dashurive të reja .

Pas mbarimit të shkollimit, do të lindin këngë për moshat më të rritura dhe më të pjekura , në të cilat do të frymojnë tematika të ndryshme, si: këngë pune, këngë fejese, këngë martese, këngë ushtrie, këngë kurbeti, këngë luftërash të ndryshme , këngë patriotike , këngë trimërie , këngë pleqërie , këngë të sëmundjeve të ndryshme, këngë elegjiake dhe këngë të vdekjes , apo vajtime të ndryshme .

 

Folklor quhet tërësia e krijimeve artistike gojore dhe muzikore të një populli , duke përfshirë këtu  edhe tërësinë e zakoneve dhe riteve të një populli .

Kur jemi te muzika , atëherë me nocionin “folklor” nënkuptojmë tërësinë e këngëve dhe valleve popullore .

 

Muzika folklorike përfshinë në veti tërësinë e krijimeve artistike gojore e muzikore të një populli .

Në këtë rast , me nocionin “muzikë folklorike “, nënkuptojmë krijimtarinë muzikore instrumentale pa shoqërim me këndim vokal , siç janë meloditë e ndryshme dhe vallet popullore .

 

Kënga folklorike përfshinë krijimtarinë  muzikore të  këngëve popullore të një populli , të cilat krijohen nga krijuesit gjenial popullor në një vend, rreth, apo krahinë të caktuar , por që dalë ngadalë depërtojnë dhe marrin përmasa gjithëpopullore , pa e ditur asnjëherë krijuesin e tyre të vërtetë .

 

Folklorist quhen  mbledhësit e folklorit , kultivuesit e folklorit dhe specialistët e fushave të folkloristikës .

 

Folkloristikë quhet lënda  mësimore që jep njohuritë e kësaj shkence në shkollë .

Me këtë nocion përfshihet gjithçka që ka të bëjë me folkloristiken , që i përket folklorit, kërkimeve, apo studimeve folkloristike, festivaleve folkloristike etj.

Po ashtu, folkloristikë quhet edhe shkenca që merret me studimin e folklorit .

 

            Folklorik , apo folklorike , janë terma që përfshijnë në veti gjithçka ka të bëjë me folklorin dhe folkloristikën , që mbështetet në krijimtarinë gojore popullore , që këndon këngë, a kërcen valle popullore , që studion tema folklorike , që organizon festivale folklorike , që zhvillon aktivitete folklorike përmes grupeve, shoqërive dhe ansambleve folklorike...etj.

 

Rapsodia është këngë epike popullore legjendare ose trimërie .

 Në ciklin  e këngëve rapsodike bëjnë pjesë edhe “Këngët e kreshnikëve”.

 

Këngët rapsodike trajtojnë ngjarje të mëdha të epokës sonë, të cilat i krijojnë dhe i këndojnë rapsodët popullor .

Në muzikë ,”rapsodi” quhet pjesa muzikore , që mbështetet në këto krijime e në motive popullore , si p.sh. “Rapsodi popullore”, “Rapsodi për piano e orkestër “...etj.

 

Rapsod  popullor quhet këngëtari popullor , që këndon krijime të epikës legjendare e historike , apo këngëtar popullor që këndon, a krijon këngë epike e trimërie nga jeta e sotme .

 

Epika popullore përfshinë veprat e shkruara , apo të kënduara që kanë karakter tregimtar .

Epika popullore është njëra ndër gjinitë kryesore të krijimtarisë letrare që paraqet në formë tregimi , në vargje ose prozë anë të ndryshme të jetës shoqërore .

Tërësia e veprave të këtij lloji përbëhet prej eposit , epikës shqiptare , epikës historike, epikës legjendare ...etj.

 

Kënga dhe muzika burimore autoktone , përfshinë në veti thesarin e këngëve dhe valleve popullore të krijuara nga njerëzit që banojnë në të njëjtin vend ku kanë jetuar paraardhësit e tyre . Pra, nga njerëz të atij vendi që nuk janë ardhacakë, por janë banorë vendës me farë e me rrënjë popullsi autoktone (burimore).

 

Kënga fshatare është vepër e krijuar nga gjeniu popullor me tekst e melodi përkatëse. Karakteristikat që e dallojnë këngën fshatare prej asaj qytetare janë si vijon: tekstet i kanë më të thjeshta dhe më të gjata. Vargjet e tyre më tepër i hasim të radhitura pa strofa të ndara, e herë – herë mund t’i hasim të ndara në strofa me nga dy vargje .

Meloditë e tyre janë më të thjeshta , më të kapshme për vesh dhe me një diapazon të tingujve që rrallë herë e tejkalojnë ambitusin e një shkalle muzikore prej tetë tingujsh .

Edhe ritmika e këngëve fshatare është shumë më e thjeshtë nga ajo e këngëve qytetare, që shumë rrallë del nga ritmet e thjeshta në ato të përbëra .

Tematika e këngëve fshatare është shumë e begatshme , nga se ndërlidhet ngushtë me përditshmërinë e jetës në fshat, duke filluar nga jeta baritore, këngët e punës, bujqësisë, blegtorisë, dashurisë,  fejesave , dasmave , lindjeve, vdekjeve, sëmundjeve, ushtrisë, kurbetit, luftërave ...dhe çdo gjë që e përcjell fshatarin që nga lindja e deri në vdekje .

Këngët fshatare këndohen në disa mënyra , duke filluar nga shoqërimi me të rrahurit e shuplakave , fishkëllimave , mjeteve të ndryshme ritmike, me gisht në vesh, këngë maje krahu e deri tek shoqërimi me vegla muzikore të përpunuara nga dora e mjeshtrit popullor.

 

Kënga qytetare është po ashtu vepër e krijuar nga gjeniu popullor me tekst e melodi përkatëse . Tekstet e këngëve qytetare , kryesisht janë strofike me karakter lirik dhe më të shkurtra se sa këngët fshatare .

Meloditë e këngëve qytetare janë shumë të zhvilluara dhe më të ndërlikuara për veshin e rëndomtë , nga se ato zhvillohen brenda një diapazoni mjaftë të gjerë të shkallëve muzikore .

Edhe ritmika e këngëve qytetare është shumë e zhvilluar dhe e ndërlikuar , nga se ato zhvillohen brenda të gjitha ritmeve të thjeshta dhe atyre të kombinuara .

Tematika e teksteve të këngëve qytetare ,kryesisht bazohet në lirikën e dashurisë, por nuk përjashtohen edhe temat e ahengjeve, dasmave, zejeve me të cilat qytetarët e ndërlidhin jetën e tyre .

Këngët qytetare , zakonisht shoqërohen me instrumente të fabrikuara muzikore, të cilat jo rrallë, shoqërohen edhe me vallëzime .

 

Kënga e përpunuar  është vepër muzikore e cila bazohet kryekëput në këngët popullore, por që përpunohen për kor, orkestër dhe solist .

Përpunuesi i këngës duhet të jetë njohës i mirë i folklorit dhe njohës i mirë i muzikës artistike, që do të thotë duhet të jetë profesionist i muzikës , i cili i njeh mirë instrumentet muzikore, kompozimin, format muzikore , kontrapunktin, harmoninë dhe dirigjimin .

 

Kënga e kompozuar është vepër e re  muzikore e krijuar nga kompozitori profesionist me tekst e melodi të re .

Kënga e re mund të kompozohet nga ana e kompozitorit i cili shfrytëzon poezitë adekuate nga poetë të dëshmuar , ose mund  t’ a thurë vet edhe tekstin adekuat në bazë të melodisë së kompozuar .

Kënga mund të kompozohet për nevoja të disa zhanreve muzikore dhe moshave të ndryshme shoqërore, siç janë: këngët për fëmijë, këngët për të rritur , këngët e lehta, argëtuese, rap, rok, hip- hop ...etj.

 

Këngëtar  popullor quhet interpretuesi vokal i këngëve popullore, që kryesisht interpreton këngët lirike me motive qytetare , por jo edhe i atyre me motive fshatare dhe rapsodive popullore . Këngëtari popullor , kryesisht shoqërohet me orkestra të përbëra nga instrumentet e fabrikuara muzikore .

 

Interpretues , apo interpretuese , quhet bartësi apo realizuesi i një roli , apo vepre artistike në skenë para publikut , që nënkupton interpretimin e ndonjë roli dramatik , të këndimit  të ndonjë kënge , apo të luajtjes së ndonjë pjese muzikore me instrument muzikor .

 

Solist quhet interpretuesi individual i ndonjë pjese , apo vepre muzikore , qoftë ajo vokale , apo instrumentale . Po qe se interpretuesi na paraqitet me këndim individual, atëherë ai quhet solist vokal . Ndërsa , në rastet kur në skenë na paraqitet interpretuesi individual me ndonjë instrument muzikor , atëherë ai quhet solist instrumental .

 

Instrumentet e përpunuara , apo veglat e muzikës popullore , përfshijnë në veti të gjitha instrumentet , apo veglat muzikore të cilat janë përpunua nga dora e mjeshtërve amator popullor .

Këto instrumente, apo vegla muzikore janë përpunime të thjeshta dhe nuk kanë mundësi të mëdha teknike për të zhvilluar melodi të ndërlikuara muzikore, as diapazon të gjerë të shkallëve muzikore .

Me këto instrumente muzikore shoqërohen këngët dhe vallet tona burimore popullore.

Prej veglave (instrumenteve) të përpunuara popullore që përdorën më shumë tek populli shqiptar , po i përmendim : çiftelia, sharkia, fyelli, kavalli, mezhnica , surlja ,  lahuta, defi, tupani...etj.

 

Instrumentet e fabrikuara përfshijnë në veti të gjitha instrumentet muzikore të cilat përmes teknologjive më të përsosura përpunohen dhe prodhohen nëpër fabrika të ndryshme . Instrumentet e fabrikuara kanë mundësi të mëdha teknike të reproduktimit të melodive të ndryshme muzikore, veprave të kompozuara artistike nga se ato përbëjnë një shtrirje të madhe tonale dhe shkallë të ndryshme muzikore që nga më të ulëtat deri tek ato më të lartat .

Me grupin e instrumenteve të fabrikuara mund të ekzekutohen vepra të gjithmbarshme muzikore duke filluar nga këngët dhe vallet popullore e deri tek veprat e kompozuara të muzikës klasike e artistike .

Në këtë grup të instrumenteve muzikore bëjnë pjesë shumë instrumente , ndër të cilat po i përmendim disa : violina, viola, violonçeli , kontrabasi , fis  harmonika , pianoja, orgulja , harpa , kitara, bas kitara , klarineta , bas klarineta , flauti , saksofoni, korna , briri anglez, fagoti, kontrafagoti, trumbeta, buria , oboa ...etj.etj.

 

Instrumentist quhet personi i cili luan në ndonjë instrument muzikor , qoftë në baza vullnetare amatore, qoftë në baza profesioniste artistike .

Prandaj , të gjithë njerëzit që luajnë me instrumente në baza të talentit dhe vullnetit të mirë, ata quhen instrumentist amatorë popullor , kurse njerëzit të cilët kanë studiuar dhe specializuar ndonjë instrument muzikor , ata quhen instrumentistë profesionist .

 

Demir KRASNIQI

Gjilan, më 12 .06. 2011.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora