E marte, 23.04.2024, 11:12 AM (GMT+1)

Shtesë » Shkenca

Galileo dhe teleskopi që na dha gjithësinë

E hene, 13.06.2011, 07:38 PM


Portret i Galileo Galilei nga Giusto Sustermans
Portret i Galileo Galilei nga Giusto Sustermans
Këtë vit ka shumë përvjetorë për sa u përket njerëzve të lidhur me shkencën. Një pjesë e madhe e dinë se viti 2009 është 200-vjetori i lindjes së Çarls Darvinit, "babait" të Teorisë Evolutive dhe 150-vjetori i publikimit të parë të librit të tij të famshëm, "Origjina e llojeve". Ndërkohë, pakkush e di se pikërisht këtë muaj mbushen plot 400 vjet nga një zbulim që na ka bërë më të afërt me botën e largët të yjeve. Është një ngjarje që ka ndryshuar shumë mendimin dhe njohuritë njerëzore, si dhe mënyrën se si ne e shohim veten. Pikërisht 400 vjet më parë, në 25 gusht të vitit 1609, astronomi dhe filozofi italian, Galileo Galilei, u tregoi tregtarëve të Venedikut shpikjen e tij më të fundit dhe një ndër më interesantet: teleskopin. Ky mjet do t‘i sillte Galileos jo vetëm pavdekshmëri në lëmin e shkencës, por edhe shumë shqetësime. Modeli i parë ishte një nga ata që mund të gjendet edhe sot e kësaj dite në dyqanet e posaçme të veglave optike. Ai ishte një gyp i hollë, me gjatësi mesatare, i vendosur në një dykëmbësh druri, duke formuar një kënd 30-gradësh me sipërfaqen e tokës. Fillimisht nuk ishte shumë i fuqishëm, por modelet e mëvonshme të shpikura nga vetë Galileu sollën ndryshime rrënjësore në jetën e njeriut dhe fatkeqësisht i hapën shumë telashe vetë shpikësit. Galileo bëri zbulime që binin kryekëput në kundërshti me dogmat e kishës në atë kohë dhe për këtë e pati shumë të vështirë ekzistencën. Teleskopët më të mirë ishin ata me tetë thjerrëza dhe të aftë që të depërtonin në thellësi të qiellit e t‘i "grabisnin" atij disa të fshehta që deri më atëherë ai i mbante për vete. Kështu, sipas zbulimeve të bëra nga vetë Galileo me teleskopin e tij, Hëna, ndryshe nga sa mendohej deri në atë kohë, nuk ishte tërësisht e sheshtë. Një tjetër planet, Jupiteri, kishte gjithashtu Hëna që silleshin përqark tij, madje shumë më tepër nga sa mendohej para zbulimit të Galileos. Për sa i përket Venusit, ai ishte një planet që kishte faza si të Hënës. Ky fenomen i fundit ishte parashikuar edhe nga vetë Nikola Koperniku kur, rreth një shekull para zbulimit të Galileut, ai propozoi nocionin e një sistemi planetar, që kishte Diellin në qendrën e tij dhe planetët që i vinin rrotull në orbita të mirëpërcaktuara. Kjo bëri që nga sistemi, i cili mendohej se kishte në qendër Tokën, të kalohej në atë që ka në qendër Diellin dhe rreth tij planetët. Zbulimet e Galileo Galileit ishin, sikundër mund të merret me mend, jo të mirëpritura nga Kisha Katolike. Mandej, për gjithë zbulimet dhe bindjet e tij, Galileut iu bë jeta shumë e vështirë nga inkuizicioni dhe vitet e fundit të jetës ai i kaloi në arrest shtëpie, në mungesë të lirisë. Zbulimet e tij rrëzonin dogmat e kishës, ashtu sikundër Darvini më vonë përmbysi me teorinë e tij evolutive të species dogma të tjera. Para disa kohësh, Vatikani ka kërkuar falje për sjelljen ndaj këtij njeriu mendjendritur që i dhuroi njerëzimit, me koston e vështirësive personale, vizionin e një bote të re, që nuk është e vetmuar në mesin e gjithësisë, por një nga pjesëzat e saj të panumërta. Galilei ishte jo vetëm një fizikan, por edhe filozof. Ai lindi më 15 shkurt të vitit 1964, në afërsi të Pizës dhe ishte biri i një muzikanti. Nisi të studiojë mjekësi në Universitetin e Pizës, por më pas i la studimet përgjysmë, për t‘iu kushtuar filozofisë dhe matematikës. Në vitin 1589 u bë profesor i Matematikës në Piza dhe më pas shkoi edhe në Padova, ku qëndroi deri në vitin 1610. Gjatë kësaj kohe kreu një sërë eksperimentesh, përfshi ato për shpejtësinë me të cilën bien objekte të ndryshme, eksperimente për mekanikën, apo pingulet. Në vitin 1609, Galileo dëgjoi për shpikjen e teleskopit në Holandë. Pa parë një mjet të tillë me sy, ai ndërtoi një version më të mirë se ai që ishte shpikur në Vendet e Ulëta dhe me të bëri shumë zbulime astronomike. Në vitin 1614 ai u akuzua për herezi, për mbështetjen që i dha teorisë së Kopernikut për sistemin heliocentrik, pra atë që në qendër vinte diellin. Kjo ide ishte shumë revolucionare në një kohë kur kisha vinte Tokën në qendër të gjithësisë. Në vitin 1616 atij iu ndalua nga kisha që të përhapte teori të tilla. Në vitin 1632 u dënua për herezi pas botimit të librit "Dialogë në lidhje me dy sisteme të mëdha të botës". Më pas u detyrua që publikisht të hiqte dorë nga mbështetja që i dha teorisë së Kopernikut.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora