E merkure, 22.01.2020, 08:59 PM (GMT)

Sporti » Sporti

Marin Meksi, maçisti i kohërave moderne

E shtune, 02.02.2008, 11:52 PM


Kulturizmi, ose i njohur ndryshe si Body Building, është sporti i tij prej gjashtë vitesh. Shumë e admirojnë, të tjerë e shohin me zili. Marin Meksi - është ky 22-vjeçar me një formë muskulore prej 85 kilogramësh… dhe veçse fibër, një bark që të gjithë mund të çuditen pse nuk bën modelin! “Go hard or go home” (O jepi fort, o shko në shtëpi) është shprehja e tij. Ai mbante titullin e nën-kampionit të Shqipërisë në sportin e Kulturizmit për vitin 2006, ndërsa aktualisht është kampioni më i ri i Shqipërisë për vitin 2007.

Nga Edmond PRIFTI - One

Marin Meksi
Për të gjithçka nisi si një hobi, që kaloi në pasion dhe më në fund në një profesion të mirëfilltë... në atë të hipertrofisë së muskujve. Gjashtë vite më parë pati pikënisjen gjithçka. Nisi si një amator i palestrave. “Është një sport që kërkon përkushtim”, shprehet Marin Meksi për ONE, studenti i vitit të fundit të Drejtësisë në universitetin Luarasi. Nga një peshë prej 70 kilogramësh, përmes tre fazave standarde të Kulturizmit dhe në një kohëzgjatje 6-vjeçare, arriti masën 115 kilogramë. Do të bënte fazën e shkrirjes dhe do të arrinte përfundimisht në 87 kilogramë. Gjithçka… një masë trupore të përbërë vetëm prej muskujsh. “Është anti-stres, pamje e bukur, natyrë më potenciale si dhe shëndet më të mirë për organizmin”, thotë Marini. Si adoleshent ai kishte nisur stërvitjen dhe shumë shpejt, vërejti një ndryshim të masës muskulore. Nisi instinktivisht, por pa i kuptuar aspak përmasat që mund të arrinte. Pas 2-3 muajve të parë pa ndryshimin, ndërsa u gjet përballë një dileme kur kishte kryer 6 muaj ushtrime të rregullta në palestër. “Thashë të vazhdoja më tej. Por kjo kërkonte nga unë më tepër vullnet dhe karakter të fortë. Instruktori Denis Nuriu, më shtyhu ta vazhdoja”, shprehet Marini. Më tej ai futet në programin suplementar. Meqenëse nuk gjendej literaturë në gjuhën shqipe për sportin e kulturizmit, iu desh të studionte programet standarde në gjuhë të huaj në mënyrë virtuale dhe autodidakte. “Pikërisht atëherë fillova të heq dorë nga klubet e natës. Në orën 22.30-23.00 maksimumi bija në shtrat. Jeta e sportistit të privon nga pirja e alkoolit, madje shpesh edhe nga studimet”, vijon ai. Filloi kështu një regjim tjetër ushqimor, duke mos ndarë as mishin e kalit - me vlera të mëdha ushqimore. Por çfarë mendon Marini për veten në këtë gjendje të përmasave të tij trupore? “Ti jep përshtypjen e një mashkulli të fuqishëm, ke sukses më të madh me femrat, veshjet të rrinë më mirë, ndërsa gjithçka duket se ka lidhje me karakterin, - pasi çdokush sjell ndërmend se sa programe dhe regjime strikte i janë dashur një kulturisti të arrijë ato përmasa. Jo shumë e kanë mundësinë dhe kushtet për ta zhvilluar këtë masë muskulore. Njeh anatominë e trupit, kombinimet kimike, por edhe dietat ushqimore”.

Këshillat e një kampioni!

Duhet të përdoret drejt sasia e proteinave për kilogramë/peshë. Për shembull, për një trup mesatar prej 80 kilogramësh, i duhet të konsumojë 200 gramë proteina dhe 300 gramë karbohidrate në ditë. Të reduktohen kripërat, sheqernat si dhe yndyra në mënyrë të kushtëzuar përmes vajit të peshkut apo vajit të ullirit. Ujë, fruta dhe perime të ziera. Përdorni fibra nga tërshëra dhe buka e zezë. Stërvitja në palestër të mos kalojë më shumë se 60 minuta. Të kryhen kardio të përhershme dhe stërvitje abdominale për trupin. Këshillohet rreth 60 sekonda pushim mes çdo përsëritjeje. Nuk rekomandohet stërvitja e përditshme, pasi muskujt duhen rigjeneruar. Tërheqja apo streching bëhet para dhe pas çdo stërvitjeje, si dhe këshillohet nxehja e muskujve para çdo ushtrimi të grup-muskujve. Peshat të ngihen gradualisht dhe nuk është e thënë të punosh me pesha të rënda, por me ushtrime të përhershme. Regjimi i gjumit për çdo natë: 8 orë!   

Federata dhe titujt personalë

Në Shqipëri janë veçse 3-4 sportistë të tillë, të cilët mund të garojnë në aktivitetet ndërkombëtare. “Rreth 200.000 mijë në vit është fondi i Federatës Shqiptare të Body Building-ut, ndërkohë që vetë sekretari i saj, Rando Kukeli është pa rrogë”, ka saktësuar Marin Meksi, kur e pyet për federimin e tyre zyrtar, si sportistë profesionistë. “Sponsorët nuk na afrohen, pasi për ta konkurset e bukurisë me femrat dhe përfitimet që mund të sjellin ato, u duken më të rëndësishme”. Në vitin 2006, Marin Meksi u shpall nën-kampioni kombëtar i Shqipërisë, ndërsa në shkurt të vitit 2007 garoi në Shkup të Maqedonisë në Kampionatin Ballkanik. Ekipi i sportistëve shqiptarë u rendit i katërti. Në Kampionatin Europian të muajt maj në Siberi, ekipi kombëtar i kryesuar nga Rando Kukeli dhe Marin Meksi hynë në gjysmë-finale, midis 42 shteteve pjesëmarrëse. Marin Meksi është anëtar i I.F.B.B. (International Federation of Body Building). Më datë 31 tetor 2007, në Tiranë organizohet Kampionati Mbarëkombëtar Body Building, ku Marin Meksi pritet të shpallet kampioni i Shqipërisë.    

Kulturizmi (Body Building)

Do të kuptojë procesin e zhvillimit të muskulaturës përmes një kombinimi trajnimesh dhe peshash, rritja e numrit të kalorive të konsumuara dhe qetësi. Si sport, kulturizmi profesionist etalon fizikun përballë një grupi arbitrash, të cilët i akordojnë votat e tyre bazuar në shumë kritere (masën muskulore, format, ndarjet, simetrinë, njëtrajtshmërinë etj.). Kulturisti më i famshëm i gjithë kohërave me siguri është Arnold Schwarzenegger, i cili para se të bëhej aktori më i paguar në botë dhe guvernator i shtetit të Kalifornisë, ka qenë kampion i shumëfishtë botëror i amatorëve dhe profesionistëve, por edhe mbajtësi i shtatë titujve Mr. Olympia, garës së kulturizmit profesionist. Fillesat ky sport i pati midis viteve 1880 dhe 1930. Kulturizmi nuk ka ekzistuar deri në fundin e shekullit të XIX-të, deri kur u popullarizua Eugen Sandow, i cili njihet ndryshe si, “Babai i Kulturizmit”. Sandow u kreditua si pionier i këtij sporti falë faktit se etaloi fizikun në “demonstrime të ndryshme të forcës”. Ai u bë aq i famshëm përmes këtyre demonstrimeve, sa që arriti të krijonte një biznes për të shitur prodhimet nën autorizimin e firmës së tij. Ai arriti të organizonte më 14 shtator 1901 konkursin e parë të kulturizmit në botë, në sallën Royal Albert Hall të Londrës, që iu dha fituesit Al Treloar së bashku me 1000 dollarë (një shumë jashtëzakonisht e madhe për kohën). Trofeu i prezantuar për herë të parë, ishte një statujë e bronztë e kulturistit Eugen Sandow - skulpturë e realizuar nga Frederick Pomeroy. Pikërisht ky trofe, i jepet në ditët e sotme fituesve të titullit Mr. Olympia, titull suprem i kulturizmit. Dy javë pas këtij konkursi me përmasa të jashtëzakonshme, Tomas Edison filmoi programin e pozave të Al Treloar. Në fillimin e shekullit të XX-të, Charles Atlas dhe Bernarr Macfadden u bënë tepër popullorë dhe vijuan të promovojnë kulturizmin në botë. Kulturistë të tjerë të asaj periudhe ishin: Louis Cyr, Siegmund Breitbart, Georg Hackenschmidt, Sig Klein, Alois P. Swoboda, Gustav Fristensky dhe Alan C Mead - i cili u bë tepër i njohur ndonëse humbi një këmbë në luftën e parë botërore. Periudha midis viteve 1940 dhe 1970 u quajt ndryshe “Vitet e arta të kulturimit”, falë ndryshimeve në idealin fizik krahasuar me pionierët: masë muskulore, simetri dhe definomi muskulor. Këto ndryshime u bënë edhe falë turbullirave që ndodhën përpara Luftës së Dytë Botërore, e cila frymëzoi shumë të rinj të bëheshin më masivë, më të fortë dhe më agresivë si karakter. Kjo solli teknika më të përparuara stërvitjeje, nocionet e një regjimi ushqimor dhe aksesorë më të efektshëm. Vitet e Arta të Kulturizmit amplifikuan edhe në plazh Muscle Beach (Plazhi i Muskujve) në qytetin Santa Monica të Kalifornisë. Midis emrave më të famshëm të asaj periudhe ishin: Steve Reeves (që u bë më pas aktor, duke luajtur rolin e Herkulit në shumë filma), Reg Park (idhulli i Arnold Schwarzenegger-it), John Grimek, Larry Scott dhe Bill Pearl. Në vitin 1946, vëllezërit Ben dhe Joe Weider themeluan Federatën Ndërkombëtare të Kulturizmit (IFBB) dhe organizuan konkursin Mr. America për kulturistët profesionistë. Në 1950, një tjetër organizatë, Shoqata Kombëtare e Kulturistëve Amatorë (NABBA), filloi të organizonte konkursin Mr. Univers në Britaninë e Madhe. Një tjetër konkurs i rëndësishëm – Mr. Olympia, nën firmën e IGBB-së – u organizua për herë të parë në vitin 1965 dhe është aktualisht titulli më prestigjioz i kulturizmit. Fillimisht, konkurset ishin vetëm për meshkuj, por NABBA ngjiti në skenë “sharmin” femëror e Miss Univers-it në vitin 1965, ndërsa IFBB filloi Ms. Olympia në vitin 1980.  

Je regjistruar në palestër dhe ndodhesh në dilemë?

Ke bërë abonimin në një sallë dhe shkon gati çdo ditë? Je mërzitur se nuk po sheh rezultatet e duhura? Në fakt, as nuk e di se çfarë dëshiron... Do të dobësohesh apo të kesh fuqi dhe fleksibilitet? Instruktori yt nuk mund të të ndihmojë në qoftë se ti nuk e di se çfarë kërkon!

Zakonisht, kur një mashkull shkon në një palestër sporti, objektivat e tij janë:

1. Rënie nga pesha

Në qoftë se je fillestar, bëj së pari një program stërvitjeje, i cila ka të bëjë me 10-12 ushtrime të ekzekutuara njëra pas tjetrës, me 10-15 përsëritje për seri, me një pauzë të vogël apo asnjë midis tyre. Bëj 2-3 ripërsëritje për set. Në qoftë se je më i përparuar me këtë program, përpiqu për diçka më shumë: do të bësh 2 ushtrime në çift, do të çlodhesh 60 sekonda dhe më pas do ta përsëritësh 1-2 herë ushtrimin. Ekzistojnë shumë mënyra se si mund t´i ekzekutosh ato, veçse në qoftë se do të dobësohesh, duhet të përdorësh muskujt sa më shumë të jetë e mundur. Një ide tjetër është kryerja e dy ushtrimeve për grupimin e muskujve komplet të ndryshëm, siç mund të jetë xhenufleksionet (gjunjëzimet) dhe tryeza e planit horizontal.

2. Zhvillimi i masës muskulore

Më së shumti meshkujve iu rekomandohen ushtrime të cilat lejojnë të bësh 8-12 përsëritje për set ushtrimesh. Mund t´i bësh në stilin klasik – me pak fjalë në seri, çlodhesh afërsisht 60 sekonda, bën një seri tjetër dhe e vijon kështu deri sa i ke mbaruar të gjithë setin, ndërsa bëhesh gati të kalosh në ushtrimin tjetër. Në qoftë se ke më shumë eksperiencë, mund të provosh supergrupet (supersetet), por jo për atë të uljes së peshës. Bëj çifte ushtrimesh me efekt sinergjik – dy lëvizje, të cilat i adresohen të njëjtit grup muskulor. Zakonisht, ushtrimi i parë do të mbyllet me një lëvizje të përbërë e cila implikon më shumë grupe muskujsh njëherësh, ndërsa ushtrimi i dytë do të jetë i tillë që të izolojë një grup të vetëm muskulor. Për shembull, shtytja e gjoksit me anën e shtangës (fr. haltère), aparat i atletikës së rëndë, që përbëhet nga dy rreshta disqesh apo sferash metalike, me pesha të ndryshme, të fiksuara në krye të barrës), mund të vijojë me ushtrimin e girave, ndërsa shtytja me qafë me anën e ushtrimit të ngritjes së peshave mund të çiftohet me atë të ngritjes anësore.

3. Zhvillimi i forcës

Nuk ekziston asnjë sekret: dy pesha të mëdha, përsëritje nga pak (zakonisht 3-5 për çdo një nga seritë e ushtrimeve më të rëndësishme, siç mund të jetë gjunjëzimet, largimi dhe shtytja nga gjoksi) dhe pauza më të gjata (deri në 4 minuta) midis serive. Megjithatë, nuk duhet të bësh çdo ushtrim në këtë mënyrë. Filloje me përsëritje për lëvizjet kryesore, më pas bëj përsëritje me pesha të lehta dhe pauza më të shkurtra për ushtrimet më pak të rëndësishme. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT