E premte, 06.12.2019, 06:32 PM (GMT)

Sporti » Sporti

Katarsis, Haxhihyseni

E shtune, 02.02.2008, 11:34 PM


“Gjithçka është mirë, kur përfundon mirë”, thotë një fjalë e urtë. Dhe pasi gjithçka përfundoi mirë për të, i është kthyer sërish seancave stërvitore në palestrën pranë Stadiumit “Qemal Stafa”. Po punon dalëngadalë për rikuperimin fizik, pasi arriti të vërë në vend emrin që u përfol shumë dy muajt e kaluar. Nëse nuk do të kishte këmbëngulur aq shumë në deklaratat në media, nëse nuk do t’i kish marrë vetë përsipër shpenzimet për analizën e dytë, ndoshta Endri Haxhihyseni mund të shënonte edhe mbylljen e karrierës si peshëngritës i talentuar, që trofetë dhe rekordet ndërkombëtare nuk i ka lënë thjesht ëndrra.

Nga Suadela Balliu - One

Endri Haxhihyseni
Çdo gjë u mbyll dhe u vulos më së miri nga përgjigjet e analizave të kryera në laboratorin anti-doping në Këln të Gjermanisë dhe nga vetë Komisioni Mjekësor i Federatës Botërore të Peshëngritjes, të cilët jo vetëm e shfajësuan Endrin nga akuza e përdorimit të substancave të ndaluara, por i hoqën edhe dënimin për mospjesëmarrje nga çdo kompeticion ndërkombëtar. “Jam i kënaqur që analizat treguan se nuk kisha marrë doping. Isha i sigurt që nuk kisha marrë substanca të ndaluara, ndryshe nuk do e kisha kërkuar analizën B. Për më tepër, gjatë kësaj kohe, kam qenë i dëmtuar dhe nuk mund të merrja pjesë në asnjë kompeticion, kështu që nuk kisha pse të merrja doping. Tani po i përkushtohem rikuperimit dhe shëndetit tim”, shprehet Endri, më i lehtësuar, tani që ditët e këqija i ka lënë pas. Tani që është i dëmtuar në krah, ditën e ndan mes shkollës, familjes dhe miqve. Edhe në shkollë nuk i duhet të jetë përditë i pranishëm, falë kurrikulës së veçantë që ndjek. Ka më tepër kohë për të kaluar me familjen dhe nuk i duhet të shkëputet nga stërvitja për të ndjekur garat e Formula 1. Ndoshta gjen edhe ndonjë ditë të lirë për të udhëtuar drejt Elbasanit, për të vizituar babanë në klinikën e tij stomatologjike dhe të vëzhgojë pasionin e dytë që ka. Sepse nëse Endri nuk do të ishte bërë peshëngritës, sot, në vend që të ishte student në vitin e tretë në Institutin e Fizkulturës, do të rreshtohej në auditorët e Fakultetit të Mjekësisë. Nuk e ka braktisur këtë dëshirë e mendon se do t’i kthehet një ditë për t’u marrë me dhëmbët dhe gojët e pacientëve, njësoj siç bën i ati.

Doping, një episod i harruar

Megjithëse nga ngritja e shtangave nuk ka hequr dorë, ai u ndje i lënduar nga mosbesimi i atyre që, përpara se të ndodhte ky episod, me të drejtë e kishin lavdëruar. Tashmë pret të rikuperohet dhe të lërë gjithçka mbrapa. Edhe pse për një kampion dhe përfaqësues së flamurit kuqezi, nuk është aq e lehtë të harrojë se për një faj që nuk e kishte bërë, gati e kryqëzuan. Ishte vetë sekretari i përgjithshëm i Federatës së Peshëngritjes që e bëri lajmin publik, edhe pse rregullorja e Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes shprehte shumë qartë se për të gjithë peshëngritësit e rezultuar pozitivë duhet të pritej deri më datë 30 shtator, në rast se dikush prej tyre dëshironte t’i nënshtrohej analizës B. Sekretari Ilir Kraja shprehej për median se nuk kish më kohë për analizën e dytë, edhe pse Endri kishte këmbëngulur në deklaratat e tij në media se ishte i pafajshëm. Askush nga përgjegjësit e Federatës nuk i besoi prononcimeve se testosteroni ishte prodhuar nga vetë organizmi i tij dhe nuk ishte marrë artificialisht. “Më vjen më shumë keq se askush nuk më besoi, por jo vetëm kaq. Sekretari i Federatës më detyroi të kërkoja falje publike për një faj që nuk e kisha bërë. Federata duhet të priste pak përpara se të bënte publike ngjarjen”. Por edhe tani që çdo gjë u sqarua dhe Endri ia doli mbanë të pastronte jo vetëm emrin e tij nga kjo ngjarje e shëmtuar që përfshiu sportin, por edhe emrin e Federatës, e gjobitur me 50.000 dollarë dhe e përjashtuar për dy vjet nga evenimentet ndërkombëtare të peshëngritjes, askush nuk e uroi. “Nuk më dërguan asnjë mesazh urimi, apo qoftë edhe një telefonatë për të më kërkuar falje që u gabuan, apo për të më shprehur mbështetjen.” Megjithë mungesën e mbështetjes nga Federata, Endrin e kanë mbështetur pa kushte familja dhe miqtë, të cilët, duke e njohur mirë, e dinë se ai thotë gjithmonë të vërtetën. Madje edhe kur del me miqtë mbrëmjeve, ai nuk konsumon pothuajse fare pije alkoolike. Rregull ky që tashmë i është ngulitur thellë në të menduar dhe të vepruar e nuk harron, qoftë edhe për një çast, të abuzojë me to. Nuk kish si të mos i rrinin pranë familja dhe miqtë, që e shihnin Endrin të mbyllej në dhomë dhe të dëgjonte muzikë, në vend që të frekuentonte pub-et e zhurmshëm, siç bëjnë pjesa më e madhe e 21-vjeçarëve si ai.

7 x 2 palestër

Endri e di se për të pasur formë të mirë duhet të stërvitet shumë. Dhe me këtë nuk bën shaka: gati çdo ditë të javës e gjen në palestër për orë të tëra. Seancat stërvitore kryhen dy herë në ditë dhe ai ndodhet aty i përpiktë. Stërvitet për më shumë se dy orë paradite, shkëputet për të vajtur në shkollë e u rikthehet sërish shtangave në orët e pasdites, të cilat Endri i përcjell me përqendrim dhe punë, derisa të ngrejë peshën e dëshiruar e pse jo, të thyejë edhe ndonjë rekord që e ka shënjestruar në kompeticionet kombëtare dhe jashtë tij. Nuk lodhet nga rutina e përditshme, sepse e di mirë se një profesionist duhet të ketë më së pari disiplinë. E ka mësuar që në moshën 8-vjeçare nga trajneri i parë në Elbasan, Ilir Çela. Para 13 vjetësh, Endrin nuk e pengoi asgjë për t’u bërë peshëngritës, as mosha e vogël për të vendosur mbi të ardhmen. Ishte pikërisht mosha e tij fare e re që tregoi krejt të kundërtën, sepse Endri pas një viti stërvitjeje do të ngjitej në pedanë, në Kampionatin Kombëtar të para të rinjve. Ishte vetëm 9 vjeç atëherë, por emocionet i ka të freskëta sikur të kishte ndodhur sot. E kujton edhe ditën kur i kërkuan të bëhej pjesë e ekipit kombëtar në moshën 13-vjeçare. Djali nga Elbasani nuk do të ndalej para asgjëje, duke arritur fitore e duke rrëmbyer kudo trofe. Suksesin e parë ndërkombëtar Endri e vulosi me medalje ari në Kupën Promocionale, në Udine të Italisë, ku u shpall edhe si sportisti më i mirë i aktivitetit. Fenomen të cilin do ta përsëriste kudo ku merrte pjesë ai dhe Shqipëria. Në gushtin e vitit 2002, Endri bashkë me kombëtaren e peshëngritësve të rinj udhëton drejt Francës, në Nisë, ku thyen i pari rekordin, duke e çuar nga 107 në 110 kg, me stilin e shkëputjes. Vetëm 150 gr më tepër peshë trupore bënë që ai të renditej i gjashti në dygarësh, edhe pse peshëngritësit nga i pari te i gjashti ishin me pikë të barabarta. Pas çdo viti dhe pas çdo kompeticioni, Endri e gjente veten në podiumin e më të mirëve. Në vitin 2003, në Kampionatin Evropian në Dortmund të Gjermanisë, arrin të thyejë plot 3 rekorde evropiane, të marrë medalje ari në shkëputje dhe të renditet i katërti në dygarësh.

Dy muaj prapa... 

Sfidat më të mëdha për Endri Haxhihysenin nuk kanë qenë rekordet që duhet të thyente, as konkurrimi me sportistë nga e gjithë bota, sepse e ka dëshmuar me kupa e medalje se mund ta rendisë Shqipërinë denjësisht mes vendeve më të përparuara, të cilat për sportin shpenzojnë dhe investojnë disa qindra-fish më shumë se vendi ynë. Nuk ka qenë as frika e as emocionet që ka ndier sa herë ka rrëmbyer fitore, të cilat nuk gjen dot fjalë për t’i përshkruar. Sfida e vërtetë për të është të fitojë reputacionin që kishte para ekzaminimeve të gushtit, të cilat gabimisht e nxorën Endrin fajtor. “Më vjen keq për publikun sportdashës. Sepse ndoshta jo të gjithë kanë pasur mundësinë ta ndjekin deri në fund episodin. Ndihem keq që ky episod mund të lërë ndoshta një njollë në karrierën time.” Edhe pse nuk kishte asnjë faj për atë që ndodhi, edhe pse nuk ishte përgjegjës për mbiprodhimin e testosteronit në organizmin e tij, ndihej keq përpara trajnerit Hektor Shaqiri dhe të gjithë sportdashësve. Ajo që nuk dëshiron, është që një ditë kur Endri të shfaqet me medalje në qafë, njerëzit ta etiketojnë si “sportisti që përdor doping”. Prandaj i vjen keq për deklaratat e nxituara të sekretarit dhe presidentit të Federatës mbi fajësinë e tij. “Endri Haxhihyseni, me rezultatet e arritura, në bazë të koeficientit të sinklaritetit, u cilësua nga specialistët si një peshëngritës me mjaft perspektivë”, kështu shprehej presidenti i Federatës, Esat Ademi pas Kampionatit Botëror për të rinj, që u zhvillua në Kinë. Dhe në fakt, Endri nuk e zhgënjeu as tani, veçse u ndje i zhgënjyer nga mungesa e besimit të tyre. Tashmë, gjithçka e keqe që kishte mbuluar emrin e Endri Haxhihysenit për gati dy muaj, i përket së kaluarës. Megjithëse i rëndon mbi shpatulla më shumë se shtangat e hekurta, më shumë se dëmtimet që i hanë kohë për t’u riaftësuar dhe më shumë se prova e humbur e medaljes në 2006-ën në Strasburg. Megjithatë ai ka treguar se di t’i kthejë gjërat për mirë. Pas dëmtimeve që e kanë mbajtur larg pedanës, është rikthyer duke marrë titullin kampion. Ndërsa tani me rezultatet e analizës B, i tregoi trajnerit, të cilit i dedikon një pjesë të suksesit dhe të gjithëve se thoshte të vërtetën, duke shënuar kështu edhe një rast të pashembullt në peshëngritjen shqiptare. Përpara Haxhihysenit, askush nuk kishte guxuar të hidhte poshtë përgjigjen e analizave, por ai kishte me vete sigurinë e të qenit i pafajshëm duke treguar se në fund triumfon gjithmonë e vërteta. “Unë mora pjesë në Evropianin e Strasburgut dhe pas garave bëra testin antidoping, duke rezultuar negativ. Gjatë kësaj periudhe kam qenë i dëmtuar dhe nuk do të merrja pjesë në aktivitete ndërkombëtare, ndaj nuk ka asnjë arsye pse unë të përdorja një substancë të palejuar”. Dhe ai nuk ia lejon vetes të ngushëllohet me shprehjen se “tashmë dëmi është bërë”. Kërkon me çdo kusht që përveç 2000 dollarëve të nxjerra nga xhepi për analizën, të cilat po sipas rregullores duhet t’i kthehen sërish atij, kërkon që emri i tij të pastrohet nga çdo hije e zezë dhe të marrë vendin e merituar. “ Dua që të gjithë ta dinë mirë se unë nuk jam sportist që përdor doping. Edhe në analizat e kryera në Strasburg, në Kampionatin Evropian dola negativ”. Për këtë, Endri, së bashku me trajnerin - të dy të pezulluar - kërkojnë dëmshpërblim për dëmtim të imazhit.

Imazhi i kombëtares në peshëngritje

Nuk i ka shkuar kurrë ndërmend ta braktisë Kombëtaren Shqiptare, as të aderojë në një tjetër ekip ku kushtet dhe pagesat as mund të ëndërrohen nga peshëngritësit shqiptarë, edhe pse një nga idhujt e tij është peshëngritësi i famshëm shqiptar që garon për ngjyrat e flamurit grek, Luan Shabani. Sepse për Endrin momenti kur hedh mbi supe flamurin kuqezi, të veshur me lavdinë e fitores nuk mund ta zëvendësojë asnjë emocion tjetër, sado i madh qoftë ai. Megjithatë, në kushtet e mjerueshme që ndodhet peshëngritja shqiptare, ai nuk ndihet aq optimist të vazhdojë. Pak kohë më parë kryeministri i vendit Sali Berisha, pas sukseseve që sollën të rinjtë në Sllovaki, e quajti “një fitore të pashembullt” dhe premtoi se do të mbështesë fuqishëm peshëngritjen e të gjithë sportin. Premtime të skeduar në sirtarë kushedi me çfarë emrash dosjesh, ndërsa peshëngritësit profesionistë ende nuk kanë një rrogë të mirëfilltë. “Ne ende paguhemi me trajtime ushqimore, sepse nuk kemi një rrogë të mirëfilltë si të gjitha profesionet. Jo të gjithë e bëjnë këtë sport për qejf. Ka nga ata që mbahen me këto të ardhura, pasi kanë investuar shumë në këtë fushë. Kjo gjendje është për të ardhur keq”, kështu i shpreh Endri pakënaqësitë e tij dhe të të gjithë kolegëve mbi kushtet e pafavorshme me të cilat u duhet të përballen dhe të bashkëjetojnë çdo ditë. Edhe pse e kanë ngritur zërin disa herë, kanë nënshkruar kushedi sa shkresa, kërkesat, siç rrëfen Endri, u janë plotësuar vetëm në 30 përqind të rasteve. Ndoshta një prej arsyeve që, nuk gjejnë gjuhë të përbashkët me kryesinë e Federatës për Endrin dhe peshëngritës të tjerë, është fakti se mes tyre mungojnë peshëngritësit . “Asnjë nga anëtarët e kryesisë nuk është peshëngritës dhe nuk mund të na kuptojnë aq mirë sa do ta bënin profesionistët e vërtetë, ata që janë të ngjashëm me ne”. E megjithëse shpeshherë komunikimi bëhet i vështirë me Federatën, ai gjen rastin të falënderojë Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve që jo vetëm e kanë mbështetur peshëngritësin e KS “Tirana” dhe të kombëtares, në këto ditë të vështira, por edhe kanë qenë të vetmit zyrtarë që e kanë përgëzuar pas rezultateve të analizës. Një nga ëndrrat më të mëdha të Endrit, i cilësuar edhe si pasardhës i denjë i Ilir Sulit, është të sjellë një medalje nga Lojërat Olimpike, që do të zhvillohen në Pekin vitin që vjen. Por dëmtimi në krah dhe pezullimi për dy vjet në rast mospagimi të gjobës, bëjnë që shpresat për pjesëmarrje të Endrit të jenë të mekura, edhe pse 17 mijë dollarët që duheshin paguar nga Endri, janë zbritur nga gjoba njësoj si edhe pezullimi i tij për dy vjet. Tashmë ka lënë pas gjithçka për të pasur vetëm një kujtim të hidhur. Ditët i ndan mes palestrës e shkollës, derisa të arrijë formën e dëshiruar dhe t’i rikthehet pedanës, siç e ka bërë përherë: duke varur në qafë medalje. Sepse, edhe i dëmtuar, arriti ta rrëmbejë një medalje: atë të së vërtetës, që mes shumë të tjerash, do t’i shkëlqejë dhe do t’i shijojë më shumë.

Emri : Endri Haxhihyseni
Datëlindja : 27.08.1986
Profesioni : peshëngritës
Arsimi: Instituti i Fizkulturës, viti i 3-të
Hobi : Garat me motorë dhe makina, futbolli 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT