E marte, 19.03.2024, 04:17 AM (GMT)

Udhëpërshkrim

Memaliaj, Njerëzit rikthehen në qytet

E shtune, 02.02.2008, 10:52 PM


Shkruan : Ben Andoni

E ke të vështirë, në morinë e udhëtarëve të huaj që vizituan Shqipërinë e Jugut, të gjesh referenca për hapësirën ku gjendet ky vendbanim. Ai, që më vonë do quhej Memaliaj. Të pasionuar pas zulmës së Ali Pashë Tepelenës, këtë vend e vizituan pa fund të huaj, por shumë syresh kalonin nga përtej malit dhe në një tokë gati të zbrazët, që tash shekujt e kanë ndryshuar. “Unë u gëzova shumë nga kjo përkrahje dhe bashkë me ta kaluam lumin e Gjirokastrës me anie duke e lënë grykën e rrezikshme matanë lumit. Udhëtimi ynë vazhdoi përsëri tri orë, nëpër male të thepisur, derisa mbërritëm”... shkruan Evlija Çelebiu, 300 vjet të shkuara, duke kaluar mbase këndej. Pukëvil-it, mllefosur prej Ali Pashës, nuk mund t’ia gjykojmë dot ndjesinë, kur ka qenë në qytetin e historisë sonë. Frëngu ecën dhe mbetet shpesh.
180 kilometra nga Tirana, në një ditë janari të vitit 2008, një burrë i është drejtuar me hap të qetë godinës së tij. Është kryetari i Bashkisë së Memaliajt, Pëllumb Bodeci, 45-vjeçar, që i duhet ta bëjë rrugën trefish, nga ndalesat e bashkëqytetarëve të tij...
...
Ne udhëtojmë edhe më shumë në mëngjesin e të njëjtës ditë. Falë një “Mercedesi 240”, jemi për 4.5 orë në Memaliaj. Deri më atëherë, kemi kaluar me sukses tmerrin e rrugës Fier–Patos. Dikush ka kruar asfaltin deri në fund dhe e ka lënë për ta rregulluar në ...kalendat greke. Tani nuk kanë kohë. Firma e ndërtimit duket se fle e qetë. Edhe pse, pak ditë më parë, Kryeministri Berisha është munduar me të drejtë t’i shkundë, por... sërish asgjë. Gjumë. Përtej Patosit, rruga i është nënshtruar të tjerave firma shqiptare të ndërtimit. Punëtorët e tyre ecin me ritme kërmilli. Sikur të kenë pesë, gjashtë apo më shumë jetë. Agu na mbërrin me tisin e kuqërremtë në të kaltër në Patos, ku gëzhdallat e dikur asfaltit me troshitjet e mëdha, na e kanë bërë mëngjesin, gati apokaliptik.
Kur e mbledhim veten, dhe na duket më mirë, vozisim mbi një rrugë të ngushtë, veshur me asfalt të rrëgjuar, ngjashëm me një rrjedhë të davaritur mbi sipërfaqen e tokës. Peizazhi dimëror i kthesave të Ballshit aromatizohet tmerrësisht me erën e rëndë të squfurit dhe rruga të ngjan me udhëtimet në “Pagesën e frikës”. Ndaj, kur shfaqet Vjosa, që meandron e qetë mbi një zallishte të stërmadhe, ti nuk ke fuqi më për asgjë. Je dorëzuar...

Memaliaj

Bash aty, pas një kthese, është kryeqyteti i minatorëve të jugut. Memaliaj i shmanget rrugës nacionale, por pak dyqane në hyrje të tij dhe ndërtimet që kanë zbritur deri më aty, e kanë derdhur qytetin në fushën e gjerë. Është i kotur. Prezantimi i parë me qytetin, nga kthesa, është zhgënjyes. Njerëz në rrugë; pak dyqane dhe tollovi...Tutje, Z.Bodeci është duke u marrë me disa nga ankimet e para. Dikujt i duhet punë. Dikush ka siklet...

Dikur

Qyteti i Memaliajit është krijuar më 1946 si qendër industriale për prodhimin dhe shfrytëzimin e mineralit të qymyrgurit, por në literaturë lexojmë se: vëmendja për këtë zonë të pasur kishte lindur në vitet ‘30 me ekspeditat e ndryshme të specialistëve italianë. Qyteti u bë hijerëndë në kohën e socializmit, sepse ishte një nga qendrat prodhuese më kryesore të vendit. Në vitin 1990, ajo arriti kapacitetin e prodhimit 500.000 tonë në vit. Qymyret e Memaliajit radhiteshin në qymyret e para për fuqinë kalorifike me vleftë 4500-4700. Por ishte fundi. Tani kishte ardhur koha e tatëpjetës. Të 4500 minatorët i duhet të mendonin tash për një jetë tjetër, jashtë minierës. Njësoj, sikur s’ishin u shuan të gjitha. Tani do provonin mbi tokë kapitalizmin. Qyteti, që dikur kishte atë jetë aktive kulturore dhe sportive, tash u mbyll. Kinemaja e vetme nuk funksiononte, ndërsa ekipi i futbollit i duhet të luftonte në kategoritë shumë inferiore. Si për ironi të fatit, nga qyteti dolën dy nga futbollistët shqiptarë më të njohur të gjithë kohërave. Portieri i përfaqësueses së viteve ’90-’00, Foto Strakosha dhe mbrojtësi i përfaqësueses dhe kapiteni i ‘Dinamos’ së viteve ’80, Mujo Targaj. Këtyre iu shtuan dy aktorë që debutuan me sukses në fushën e aktrimit, Agron Llakaj dhe Mehdi Malkaj. Llakaj një nga personazhet e njohur të show humoristik, e përmend shpesh në grotesk e nostalgji vendlindjen e tij, në kohën e saj të mirë. Këta janë dhe qytetarët e parë të nderit të vendit. Nderi i një qyteti gati të shuar pas viteve të demokracisë.

Ndryshimi

Në këtë ringritje, kryetari i ri i bashkisë është duke u përpjekur që me ndihmën e historianëve vendas të gjejë një datë fikse për qytetin dhe të bëjë një 60-vjetor... Ndaj nxitet. Jemi lidhur vetëm 24 orë përpara me këtë burrë simpatik. Kur mbërrijmë, sikur të njihemi prej kohësh, na bën me shenjë të presim pak. Bashkia e Memaliajit është në një nga godinat e zakonshme të qytetit, por bash e ftohtë. Godinat e tjera të sjellin të gjallë socializmin. Nga dritaret e bashkisë, qyteti i ngjan më shumë një fshati të madh. Njerëz, të pakët, që baresin të qetë. Klima e mrekullueshme dhe dielli i këndshëm i dimrit u lodron në fytyra. Në krye të shkallëve është një shënim “Mos pini duhan”. Njerëzit, që janë poshtë shkallëve, tymosin të patrazuar. Ndërsa një polic, ndoshta i shërbimit, pa kapele- e pi fare më qetësisht. Bodeci e ka gjetur me vështirësi xhepin e tij të lirë të kohës. Një i njohur, nga përtej telefonit, i thotë se ka vdekur dikush në qytet dhe duhet të bëjnë adetin. Një dikush tjetër i troket. Për fat, nuk mban distancë. Është i thjeshtë dhe në pak minuta të flet qetazi për qytetin. Biokimist me profesion, e di se gjërat kanë një masë të caktuar. Ndaj nuk e tepron. Ka një bashki, që i duhet ta ngjallë nga letargjia e rëndë. E di se nuk menaxhon Korçën, Gjirokastrën apo ndonjë qytet tjetër nam-madh, por thjesht Memaliajin, që i kanë firuar 40% e njerëzve. Jo vetëm në emigracion, por edhe në qytetet e tjera. Tash ka hequr një shall të kuq, që e mbështjell, për të na pozuar për foto. Është nga Luzati i Tepelenës, një nga fshatrat më me histori në rreth. Më saktë familja e tij ka rënë që andej, ndërsa ai është i lindur në këtë qytet, ndaj si slogan në fushatë përdori: “Ky është qyteti, ku unë dua të jetoj”. I biri ishte një nga njerëzit e shtabit të tij, që u kërkonte votat qytetarëve. “Është baba i mirë dhe na besoni”, u thoshte vogëlushi.
...
Memaliaj përfshin territorin nga rrjedhja e lumit Vjosa deri në rrugën nacionale me një sipërfaqe, që po t’i referohemi shifrave nga urbanistika, kap gati 130 ha. Ka një popullsi që para vitit 1992 ishte 10.000-11.000 banorë, ndërsa në ditët tona jetojnë 7833 banorë.
“Me ndërrimin e sistemeve, rëndësia e minierës u ul ndjeshëm. Kriza ekonomike dhe vështirësitë e një ekonomie tregu bënë që miniera të shkojë drejt mbylljes. Ndaj qyteti hesht”, na thotë Pëllumbi, që bisedën e bëjmë tash në rrugë. Memaliaj është mbresëlënës për sa i përket qetësisë. Nuk bërtitet në asnjë vend. E çuditshme në qytet është pastërtia dhe mbi të gjitha edukata qytetare. “Jo më kot, nga një repart i plotë, tash Memaliajin e ruajnë vetëm 4 njerëz të Rendit”, krenohet kryetari. Tregues më të madh qyteti ka dhe ndeshjet e futbollit. Për ekipin e Memaliajit nuk ka sherre, si dikur.

Të tjerat

Në qytetin ku jetohet tash ka vetëm shumë të rinj dhe shumë pleq. Duket si një azil i madh, por i paqtë. Pensionistët, në një klub jo shumë larg qendrës së qytetit, luajnë shah dhe domino. Të gjithë me trikuarte të zeza dhe me kasketa. Fliten të gjitha dialektet, nga kanë ardhur. Pak minuta më pas jemi në kapjen e frymës së qytetit. “Nuk jam për t’u shitur”, më qesëndis një plakë, që orvatem gati i ulur në gjunjë për ta fotografuar. Është miqësore. Sërish e kapin Pëllumbin. Në qytet baresin të patrazuar të rinj dhe ka pafund pensionistë. Shumë syresh i shikon me gazetat e sportit duke vënë llotot. Duken si të veshur njësoj. Janë kaq shumë të papunë, i themi kryetarit. “Për shkak të mbylljes së minierës”, përgjigjet. Por, nuk ka qenë vetëm kjo vështirësia e Pëllumbit. Qyteti ka qenë shumë i rënduar dhe nga administrimi jo i mirë. “Në sektorin komunal ka munguar fare pastrimi. Me marrjen e detyrës dhe me konstruktimin e ndërmarrjes komunale, pastrimi është tani cilësor. Pastrimi dhe gjelbërimi kanë qenë të tenderuar. Ishin dy firma private që nuk kanë punuar mirë dhe kanë abuzuar. Por duke kaluar në varësi të bashkisë, më 18 nëntor të këtij viti, me propozimin tim, këshilli i bashkisë e prishi kontratën me ta dhe ne e kaluam tashmë në sektorin komunal”...

Sërish kryetarin ‘e bezdisin’.
 
Sikur të mos mjaftojë kjo, zyrtarët vendas kanë punuar keq në imazhin e qytetit. Këtë e shikon pas pallateve, por edhe në hapësirat e shumta të pambajtura. Këtu ka filluar dhe sfida e ish-mësuesit Bodeci. Duke bërë inventarët ka parë se një pjesë e sipërfaqes shumë të madhe të gjelbëruar ishte aq abuzive, sepse ndërkohë ishin vetëm 13 ha pjesa e gjelbëruar, nga dhjetëra, që ka gjetur në dokumenta. Si arritje mban sistemimin e varrezave të qytetit dhe sistemimin e plehrave. Po fillohet të mendohet për kompostimin e plehrave jashtë. “Kemi dhe shumë detyrime të prapambetura nga firmat, që kanë fituar gjyqe ... dhe kemi bashkëpunuar dhe kemi bërë një plan me qarkun, që të gjendet një pikë e përbashkët të bëhet riciklimi i mbetjeve”. Më tej arkëtimi i energjisë është i plotë, ndaj ndërprerja e dritave në këtë vend dhe në momentet e vështira është deri 2-4 orë.

Qyteti

Në qendër të qytetit, atje ku mendohet të vihet një përmendore, është një burrë, që duket se qëndron si taksi dhe një miku i tij berber. Bëjmë foto. Ky i fundit ka njerëz në Amerikë, ndërsa vetë shullohet para dyqanit. Më ankohen bashkërisht. Është varfër dhe në këtë vend nuk ke se çfarë të bësh. Refren i përbashkët. Gjithsesi duket se së bashku e kanë një shpresë?! Janë të dy të shëndetshëm, edhe pse me kalkulimet e tyre ditore, nuk më del asgjë. Si dy pika uji, ky realitet, të ndodh me të tjerë në Shqipëri. Justifikimi: A jetohet këtu! Shikoni sa kushtojnë banesat! Shtëpitë 1+1 apartament kushtojnë 4 milionë deri 7 milionë (të vjetra). Kurse një hyrje 2+1 ap. kushton deri 10 milionë. Në fakt mbetur veçuar nuk është e lehtë për ta. Janë të papunë 25% e fuqisë punëtore në qytet, më kanë shpjeguar. Por nuk mbaron këtu. Të rinjtë ikin, ndërsa tregu vendas është shumë i brishtë. Qyteti ka pasur shumë vështirësi në përballje me këtë realitet. Problemi i vetëm i këtij vendi është punësimi. Të punësuarit e vetëm janë në shkollën e mesme (460 nxënës) dhe në dy shkollat nëntëvjeçare (që kanë gati 680 nxënës), pastaj shëndetësi, shërbime. Janë 87 mësues; është një personel në një qendër model shëndetësore me 40 punonjës. “Janë dhe sektorët e tjerë Telekomi dhe posta që kanë një numër të vogël”, shton një inxhinier. “Pjesa tjetër vjen nga emigracioni. Në kuptimin e plotë është rritur dëshira e Memaliajit që të hapin biznese. Në këtë kontekst presim një bashkëpunim me një biznesmen vendas me një firmë greke të hapi një rrobaqepësi, e cila mund të punësojë deri në 70-100 njerëz. Këtu do jetë krahu i punës dhe do krijohen kushte, ndërsa investimi nga investitori... kurse për investime... Sot për sot ka iniciativa private si tregtia, zdrukthëtaria, bare, pjesë mekanike që kanë punësuar pak”, shpjegon Pëllumbi.

A mjaftojnë këto?

Por qyteti nuk ka kirurgë, ndërsa mjekët specialistë, neurologu, patologu, gjithsesi dhe qendra model nuk janë aq shumë për qytetin. Kryetari po bën luftë që banorët e tij mos të ikin në Tepelenë për ekografinë, skopitë apo analizat. Ka folur për një TEC, sepse janë ende burimet e qymyrgurit të qytetit. Shpreson që të sistemojë Vjosën, për të bërë një plazh, që të jetë i frekuentuar në sezonin e verës. Nuk mundet të humbet klima e mrekullueshme mesdhetare, ku nuk ndjen as të ftohtin e madh, por as të nxehtin. Memaliaj përshkohet në tre anët me Vjosën. Është një si gadishull, ku kryetari po mundohet të bëjë mjedise çlodhëse. “Unë premtova t’i sjell dinjitetin qytetit, duke i dhënë oksigjenin atij që të bëhet qytet si të tjerët. Këtu më shumë ikin sesa vinë”, shprehet një moment i trishtuar. E dimë se është e vështirë. Nuk fluturon. Ndihma e kërkuar ndaj Ministrisë së Kulturës për pajisjet e kinemasë vazhdon të mungojë, më thotë një moment. Ka premtuar gjatë fushatës që qytetit t’i kthehet dinjiteti dhe gjallëria. Dhe ata qytetarë që janë larguar në vende të ndryshme, ka parë se po kthehen në këtë qytet dhe nuk i shesin më shtëpitë, por kanë filluar t’i rregullojnë. Këtu ndahemi. Ai kthehet. Por i duhet të shkojë dhe në funeralin e një qytetari, më parë. Ikim në dy drejtime të kundërta.
...
“Dhe, kështu u nisëm... Dita ishte e bukur... dhe... pas pak dolëm në Vjosë e vazhduam teposhtë bregut të majtë nëpër një shteg të keq”, shkruan Durhami. Kryetari na ka shpjeguar që ka menduar të bëjë diçka për hyrjen e qytetit. E ka ëndërr, imazhin e qytetit. Më ka shpjeguar një gjë gati spektakulare. Por...kaq. Retë janë shtuar mbi Memaliaj. Ikim. E lëmë Vjosën të gurgullojë e patrazuar në këtë ditë janari të vitit 2008.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora