E shtune, 20.04.2024, 01:23 AM (GMT+1)

Kulturë

Kostaq Duka: Blerimi

E merkure, 08.06.2011, 07:58 PM


(Skicë)

 

Kostaq Duka

 

Blerimi

 

    Mbasdite, fillim qershori. Ulur në karrige, nga ballkoni në katin e dhjetë të apartamentit ku banoj, shikimin e kisha nderë tej blerimit të fushës së madhe të golfit. Një blerim i valëzuar në nuanca nga e blerta e butë, e çelur e barit të njomë  të lëndinave,tek blerimi i mbyllur, i errët i gjetheve të pemëve. Sytë ishin hapur tej si për ta rrokur të gjithë hapësirën e madhe.

    Një erë e lehtë, e ngrohtë, filloj të valëzojë thekët e blerimit. Filluan të tunden dhe fletët e grillave  në derën e hapur të ballkonit prej nga vinin zërat e stacionit televiziv shqiptar. Si shkuan kështu pa u ndjerë gjithë këto vite?! Qershor 2000, qershor 2011. Njëmbëdhjetë vjet në Amerikë. Me erën bashkova gishtrinjtë e mij flokëve të thinjur të shpupurisur. Tej blerimi në valëzim dëshmonte, heshtazi lëvizjen, ecjen, ndryshimin...Në stacioni televiziv i Tiranës kishte filluar tashmë "Gjeniu i vogel". Talente të reja,ende fëmijë dëshmojnë aftësite e tyre në interpretimin e këngëve më të mira, kënduar në vite nga të rriturit.  Pse këngë të të rriturve?!Një trill i çuditëshem i ideatorëve! E megjithatë emisioni është i bukur, tërheqës..".

    Dhe tani kënga" Përherë të dua" interpreton vogëlushja..."

Përherë të dua?! E lashë erën në dialog me blerimin dhe u futa brenda. Vogëlushja këngëtare nisi të interpretojë:" Një ditë shoku im tha me zërin plot të dua/ përherë të dua...."  Përsëri gishtrinjtë paksa me nervozizëm futa mes flokëve të shpupurisura, të thinjura. Sot qënka mbasditja e rikthimit në vite të shkuara, thashë si të vazhdoja atë  bisedën me veten të filluar më parë në ballkon duke  pare blerimin.

    Vogëlushja këndonte dhe konturet e saj u rritën. Skena e bukur moderne, plot efekte ngjyrash e dritash, ku dominon e kuqja  në vishnjë, u shndrrua në skenën e teatrit " A. Z. Çajupi" në Korçë të viteve 80-të. Dhe ja tashme unë po shihja një tjetër portret, atë të këngëtares Lindita Theodhori, me zërin e ngrohtë " Ëndrra mori krahë/ syri dritë më çeli mua..." Dhe pastaj duartrokitje, buzëqeshje.    

     Ai më mori në telefon. E kam urgjente-më tha. Kompozimin e kam gati, më duhen vargjet, takohemi në pallati i kulturës, në dhomën e pianos. S'ia kisha prishur asnjëherë. E njihja mirë shpirtin e tij të shqetësuar prej artisti të vërtetë, e kuptoja  ankthin e tij në çastet e krijimit. U takuam. " Bëhet fjalë për një këngë dashurie. Është për Linditën. Vetëm dashuri, si të them, të thuhet vetëm të dua, të dua..." Tek fliste, përtej syzeve shihja lëvizjen e paprerë të syve.  " Lindita këngën do ta këndojë ne takimin kombetar të estradave. Na duhet shpejt...."

   Fillojmë,i thashë,duke formësuar së pari  fjalët  " përherë të dua."...Ai luante në piano melodinë, duke e përsëritur disa herë e unë  hidhja e hidhja variante vargjesh.... S’kaloi shumë e i them " sikur, sikur diçka kam bërë " Ai i lexoi disa herë me zë vargjet dhe pastaj nisi t'i bashkojë me melodinë. E ndjeva nga shprehja e fytyrës që vargjet kishin ngjitur.

    Pas dy ditësh u takuam. " Ke të fala nga Lindita. Gjithçka po kalon mirë."

    Por pas disa ditësh më kerkoi takim urgjent. Ishte nervoz."Dje kishim provën e përgjithëshme. Dikush…nga lart,  tha se kënga ka shumë të dua, shumë dashuri e s'përmendet as fjala atdhe etj etj..Mund të shtosh një strofë? "

   Çfare?!..Atij i erdhi mirë nga hezitimi im. Për fat kënga s'pati asnjë deformim. Trupa e estradës, me rregjisor Dhimitër Orgocka atë vit mori çmim të parë. Aty ne konkurim, Lindita i dha afirmim këngës " Përherë të dua".

    Tashmë kujtimi për mikun tim, të paharrurin, kitaristin, dirigjentin e kompozitorin e talentuar Apostol Simoni që vdekja e ndau prej nesh në moshë të re, në fund të viteve 80-të,  s'po më linte të qetë. Ja e kujtoj në atë shtëpinë e tij aty në këmbë të rrugicës pa dalë në bulevard, dhomën e tij të punës, ku kitara e zemrës stoliste murin, bisedat me të diku kafeneve të Korçës tek fliste e fliste pa pushim, i dashuruar pas këngës lirike.

   "Dhe tani, le të dëgjojmë jurinë .Të shohim  sa pikë do ti japë vogëlushes zonja Nertila Koka."

    Nertila!Tashmë një grua me moshë mesatare, e pjekur.

    Dhe kujtimet mpleksen.Pas interpretimit të shkëlqyer të Linditës, këngës"Përherë të dua", të Apostol Simonit,  i dha nuanca të reja këngëtarja e re e viteve tetëdhjetë Nertila Koka.

    Dola përsëri në ballkon. Era kishte ndalur, blerimi, levencë me thekë, i fushës së golfit, të afronte një ndjenjë paqeje e dashurie për jetën.

 

Qershor, 2011.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora