E enjte, 28.03.2024, 06:00 PM (GMT)

Kulturë

Grigor Jovani: Poeti i Dritës - Haxhi Muhaxheri

E merkure, 08.06.2011, 06:56 PM


POETI I DRITËS - HAXHI MUHAXHERI

 

Me Haxhi Muhaxherin kam miqësi relativisht të re. Ka nisur përpara pak muajsh, siç nisin miqësitë moderne, vizualisht, nëpërmjet internetit. Tani, shumëçka e bëjmë nëpërmjet tij; botojmë aty, letërkëmbëjmë aty, më të rinjtë se ne edhe dashurojnë aty. Fillimisht, ne, më të vjetërve, s’na vinte mbarë, mundoheshim të sarkazonim realitetin e ri që përjetonim, por erdhi një kohë që ky mjedis na u bë i domosdoshëm, i përditshëm. Pra, ja aty u njoha me "bacën Haxhi" nga Kosova dhe tashmë jemi bërë të afërm, aq sa ai më quan në mesazhet private "Gole, i dashur", siç më thonë miqtë e qëmotshëm dhe unë bëj shaka "historike" me të "I dashur Haxhi Qamil".

Kështu që, duke marrë vesh ditëlindjen e tij të sotme (një tjetër e mirë e internetit, na lajmëron ditëlindjet e miqve dhe na shpëton nga keqkuptimet e harresës), mendova t’i bëj një përkushtim poetik tek "Sofra" e tij, pasi nuk ishte e udhës, që ai t’ia bënte vetvetes. Veçse këtu u gjenda përpara një të papriture. Sot zbulova edhe një vyrtyt tjetër të mikut tim të ri dhe u lumturova më tepër për të. Ku nuk gërmova nëpër sajtet internetikë, që kishin të bënin me "bacë Haxhinë", dhe unë di ta bëj më së miri atë, si gazetar dhe botues, se mos gjeja disa të dhëna për biografinë e tij letrare dhe jetësore, për të shoqëruar, kësisoj, ciklin që i kisha përzgjedhur nga krijimtaria. Dhe e dini ç’gjeta, miq të dashur? Asgjë. Vetëm poezitë e tij. Kaq modesti nuk e kisha menduar. Dhe më erdhi turp për veten, si edhe për ata kolegë, që kur më çojnë materiale tek "Pegasi", biografitë i kanë më të mëdha se dërgesat artistike.

Haxhi Muhaxheri don të flasë me poezitë e tij. Poezinë quan ai për biografi. Të tjerat nuk i interesojnë. Pasi, siç thotë në një vjershë, nuk ka kohë poeti të merret me gjëra të tilla, sepse:

 

"Per vrimë të gjilpërës

Përbiron detin

në kërkim

të fjalës së pa thënë"

 

Që të jem tejet i saktë, gjeta në profilin e tij në facebook dhe nja dy të dhëna, që unë do t’i quaja "të rëndësishme". Së pari, ka punuar tek "ALBwebTV", si gazetar mbase, kështu që poezia e tij fitoi tensionin dhe dramacitetin e një publicisti, ka ritmet dhe shqetësimet e ditës, të dhëna këto telegrafisht. Së dyti, pyetjes internetike, se cilës ide politike i përkushtohet, i përgjigjet me një fjalë: Shqiptarizmës. Prandaj dhe poezia e tij ka erë shqiptare, ka një patriotizëm të pabujë, por të nëndheshëm. Ç’është më e rëndësishmja, patriotizmi i tij nuk ka kufinj gjeografikë. Është kosovari që dashuron dhe përjeton shqiptarisht. Së fundi, u njoha edhe me devizën e tij: "Dashuria vret më së shumti!"

Ke të drejtë, Haxhi Muhaxheri. Poeti është bir i Dashurisë dhe luftëtari i saj. Sepse, siç thua edhe vetë, Poeti "Fle me të gjitha të dashurat/ dhe zgjohet bashkë me dritën..."

Dritë paç në jetën tënde, Haxhi Muhaxheri! E shpërndafsh dritën e dashurisë tënde, nëpërmjet vargjeve, tek miqtë dhe dashamirët e tu! Çoje gotën: "Bromb, për ditëlindjen!" Sepse vetëm rakija nuk pihet vizualisht...

 

GRIGOR JOVANI

Athinë, 4 qershor, 2011

 

 

Haxhi MUHAXHERI

 

POETI

 

Fle me të gjitha të dashurat

dhe zgjohet bashkë me dritën

Për ta zën frymëzimin e parë

 

Merr Udhën e Qumshtit

gjuhën e yjve mëson

 

Per vrimë të gjilpërës

Përbiron detin

në kërkim

të fjalës së pa thënë

 

 

PSE VDIÇ POETI

 

Çdo fjale

vargu a poezie

shpirt i dha nga vetja

 

Mos pysni

pse vdiç poeti

 

 

KUR MË THOSHE

 

(Babait)

 

Më kujtohet kur me thoshe:

-Po s'e zure hapin me kohen,

i rënd do të shkoj moti!

 

-Më e mirë është një ditë sokol,

se një jetë gogol!

 

-Dielli huaj verbon,

e shpesh urrehemi nga dashuria!

 

Më kujtohet kur më thoshe:

-Po u mbështete në diell

s'kan ç'të bëjnë epidemitë!

 

Plaku im i urtë,

Ç'peshë të kisshte fjala...

 

 

LALËS

 

Rudha e ballit

vrragë kohësh

 

Fjala

mbrumur motesh

 

Hapi i tij

shteg i ri

 

Unë

bimë e farës së tij

 

"Rilindja", 26.04 1987

 

 

GURRË E ZJARR

 

Dashur e kam qëmoti

kengen e diellit

 

Ëndërroja

dashuroja

 

Gurrë jete e gëzimi

vret macen e zezë mallkimi

 

Dashuria ime

gurrë e zjarr

 

"Rilindja", 1991

 

 

SHENJTOR I LETRAVE TONA

(At Gjeçovit)

 

Grurisht

Uratë u këndoje fateve të bardha

 

Përballë stuhish

Polemit i thurje legjendë

 

Gjeçov

O Ati ynë

Shenjtor i letrave tona

Venecia ende frymon

 

"Shkendija" Nr 44, fq.12, 1991

 

 

KOSOVËS

 

Emrin lakuar ta kanë ndër shekuj

pritë të zinin keqas djalli e i biri

Po ti stuhive u bëje ball

Me lutjen për të madhin

Për atë bimë dardane

Këngën e mortit ktheve në këngë lavdie

Kosova ime diell (i)lirie

 

 

MOS

 

Mos e humb buzëqeshjën

Edhe para dallgëve

 

Mos i mallko yjet

Për brengat që ke

 

Mos e lerë të dashurin

Të çmendet në pritje

 

Mos e thurr këngën

Po nuk pati zë

Mes gurit e tokës

 

"Flaka e vellazërimit". E premte,15.11.1991 fq.11

 

 

PËR ATË FJALË

 

Për atë fjalë

Që peshon sa bota

Kurorëzoje buzëqeshjen

Me një puthje të ëndërrt

E prishi krejt nyjet

Udhës sate

Fat të ri lidh

Bulëzim dashurishë

 

Thëllënze moj

E bukura e dheut

 

"Flaka e vellazërimit". E premte,15.11.1991 fq.11

 

 

PEMA E MIQËSISË

 

Frutat i ka te embëla

rritet në të gjitha stinët

nuk ka sëmundje që e zën

farë e saj mbinë çdo ditë

Planetin pushtuar e ka dashuria

Njeriu i Ri i Jetës që vjen

 

 



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora