E premte, 29.03.2024, 08:05 AM (GMT)

Kulturë

Si përfundoi Kuteli në burgun e ‘armiqve të popullit’

E merkure, 08.06.2011, 06:00 PM


Dhimitër Pasko me të shoqen, Efterpin dhe 4 fëmijët, gjatë një çasti relaksi në liqenin e Pogradecit.
Dhimitër Pasko me të shoqen, Efterpin dhe 4 fëmijët, gjatë një çasti relaksi në liqenin e Pogradecit.

Ka qenë maji i vitit ’47 kur Mitrush Kuteli përfundoi në qelitë e burgut të Tiranës.Dosja ku është dokumentuar kryqëzimi i shkrimtarit të njohur për “faje penale kundër popullit dhe shtetit” mban numrin 297. Në të, përveç të dhënave biografike, dallon pjesa urdhërore e prokurorit Publik, sipas së cilës “Dhimitër Pasko të ndalohet për një kohë të pacaktuar dhe të mbyllet në burgun e armiqve të popullit”. (Çuditërisht, togfjalëshi “Armiqtë e popullit” është shkruar me gërma të mëdha). Në pjesën tjetër të dokumenteve të Sigurimit të Shtetit që gazeta sjell në numrin e sotëm, zbulohet absurdi i akuzave dhe mënyra se si u penalizua nga regjimi komunist Mitrush Kuteli, një nga shkrimtarët më të njohur të shekullit të kaluar dhe themeluesi i prozës moderne shqipe. Në pretencën e prokurorit që i ka paraprirë procedurave represive, paradoksi dallohet që në rreshtat e parë. “Faji u vërtetua nga deponimet e pjesshme të Dhimitrit”, shkruan kreu i akuzës duke iu referuar atyre që shkrimtari kishte pohuar para zyrtarëve të Sigurimit. Sipas një dokumenti të shkurtit ‘48, Kuteli është shtrënguar të pranojë akuzat e pavërteta për veprimtarinë e kaluar politike, për disa shkrime të dyshimta dhe për miqësinë me tre personalitete të shpallur elementë antiparti. Në dialogun me Beqir Ndoun, oficerin e Policisë Sekrete që në fund të atij viti u emërua drejtor i  Sigurimit të Shtetit, bie në sy qëndrimi i guximshëm i Mitrush Kutelit me përgjigje të sinqerta rreth të kaluarës, ku ai kishte menduar e vepruar me “paqartësi politike”. Po cila është përmbajtja e procesverbalit…?
DOKUMENTI
Pyetësia e zhvilluar nga kapiteni i parë Beqir Ndou, më 1 mars 1948
BEQIR NDOU: Ke qenë ti anëtar i “Rojës së hekurt” në Rumani?
DHIMITËR PASKO: Kam qenë simpatizues i saj për një kohë të shkurtër, por anëtar jo.
BEQIR NDOU  se e simpatizoje këtë lëvizje?
DHIMITËR PASKO: Për parullat e saj socialiste, si p.sh. “puna është nder”, “zhvillimi i kooperativave për të luftuar spekulimin e tregtarëve,” “puna vullnetare me krah e intelektualëve “etj., të cilat shoh sot se i kishin marrë nga komunizmi…
BEQIR NDOU: Ishte socialiste kjo lëvizje?
DHIMIËR PASKO: Atëherë besoja se po, sot kuptoj se jo.
BEQIR NDOU: Kishte lidhje me gjermanët kjo organizatë dhe a e dije ti një gjë të tillë?
DHIMITËR PASKO: Nuk e dija, por më vonë e mora vesh.
BEQIR NDOU: Dije gjë ti atëherë për Bashkimin Sovjetik?
DHIMITËR PASKO: Gjë të sigurt nuk dija, libra nga Bashkimi Sovjetik nuk vinin dhe mendimet e mia ishin shumë konfuze, ashtu siç i krijonte shtypi rumun që ishte reaksionar dhe fjala bolshevik në shtyp përdorej për keq.
BEQIR NDOU: Nga këto del që ti ke qenë fashist i vjetër.
DHIMITËR PASKO: Nuk kam qenë fashist, por një socialist i turbullt, pa gjet vijën e caktuar.
BEQIR NDOU: Ti i kishe të gjitha mundësitë për të kuptuar të mirën dhe të keqen, kishe mbaruar Shkencat Ekonomike dhe pse tani paraqitesh si i pafajshëm, prandaj fol!
DHIMITËR PASKO: Universiteti ishte i shumëanshëm dhe nuk jepte mundësi të orientoheshim dhe për strukturën ekonomike, për punë që zhvilloheshin (në BS) nuk flitej fare ose kur flitej e quanin kaos. Këto ishin kurset që bëheshin në Universitet.
BEQIR NDOU   omethënë ti je rritur me tendenca reaksionare?
DHIMITËR PASKO: Dëshira e ime ka qenë gjithmonë gjetja e një rruge për drejtësi shoqërore. Ambienti ishte konfuz, reaksionar, unë mbeta i dezorientuar.
BEQIR NDOU: Ke qenë ti vullnetar në Bashkimin Sovjetik më 1941-n?
DHIMITËR PASKO: Jo nuk kam qenë dhe as që mendoja, por më morën disa muaj ushtar me forcë dhe prita rastin e parë që të largohesha. Atje kam qëndruar dy muaj dhe punoja si sekretar i II-të, me anë të bankës u lirova, pasi kërkova vetë një gjë të tillë.
BEQIR NDOU: Në Shqipëri kur je kthyer dhe me cilët je takuar?
DHIMITËR PASKO: Jam kthyer në shtator të 1942 dhe jam takuar me plot njerëz, si dhe me Dhimitër Beratin, ish-president i SASTEB-it, kam biseduar me të çështje familjare. Në dhjetor, hyra në SASTEB dhe qëndrova pesë muaj, megjithëse kontrata ishte për një vit, dhashë dorëheqjen dhe pasi kapitulloi Italia, kam punuar në Bankën Kombëtare.
BEQIR NDOU: Puna që ke bërë ti, ka qenë në shërbim të okupatorëve?
DHIMITËR PASKO: Unë kam menduar si kundër okupatorit, për të mos u dhënë mjete financiare, për të larguar ose ngadalësuar ato që jepte qeveria, për të siguruar rezervën e për të mos emetuar monedhë të re.
BEQIR NDOU: D.m.th., ti e paske paralizuar aparatin e shtetit nazist-fashist?
DHIMITËR PASKO: Po, e kam sabotuar.
BEQIR NDOU: Çfarë shkrimesh ke shkruar në kohën e gjermanëve?
DHIMITËR PASKO: Kam shkruar artikuj ekonomikë dhe letrarë në gazetën “Bashkimi i Kombit”. Kjo ishte e qeverisë, por artikujt e mi ishin kritikë kundër qeverisë për çështje financiare dhe ekonomike.
BEQIR NDOU: Si të linin ty të shkruaje kundër qeverisë? Ndërkohë që e vërteta është se ti ke qenë bashkëpunëtor i “Bashkimit të Kombit” dhe qeverisë kuislinge.
DHIMITËR PASKO: Ata nuk kuptonin. S’kishte kontroll, ishin budallenj, kishte anarki. Tani titujt nuk me kujtohen, por ishin mbi financën, kundër shpenzimeve të kota…
BEQIR NDOU: Pas çlirimit, ç’punë ke bërë dhe pse ike nga banka?
DHIMITËR PASKO: Kam punuar në Bankë dhe ika se kam qenë i sëmurë, nevrastenik dhe më pas kam punuar nja dy muaj për përgatitjen e programit të folklorit në Institutin Pedagogjik.
BEQIR NDOU: Ç’marrëdhënie ke pas me Kolë Kuqalin?
DHIMITËR PASKO: Ato që rridhnin nga detyra si sekretar administrativ, në bankë.
BEQIR NDOU: Je takuar shpesh me të lartpërmendurin?
DHIMITËR PASKO: Në bankë kur ishte po, me pas kam shkuar në shtëpi, kur kanë sjellë eshtrat e djalit nga Prishtina më 1946, ky ka ardhur te shtëpia ime një herë për shënime dhe për urime martese. Kur erdhi me tha se nuk jam nisur direkt për te ty, por pasi isha në një shtëpi, këtu afër u ktheva për urime.
BEQIR NDOU: Tjetër herë ke qenë në shtëpinë e tij?
DHIMITËR PASKO: Po kam qenë për të bërë bibliografinë e librave të rinj që më kishte ngarkuar Instituti i Studimeve më 1947-n, për këtë punë kam qenë edhe në Komunitetin Mysliman dhe në atë Ortodoks, në depot e librave etj.
BEQIR NDOU: Takoheshe me Kolën ndonjëherë tjetër, e çfarë bisedonit?
DHIMITËR PASKO: Mund të jem takuar rastësisht rrugës dhe e pyesja shpesh për të birin që i kishte vdekur, pasi doja të shkruaja diçka për dëshmorët e Prishtinës. Unë kërkoja punë dhe kisha shpresë se do të gjeja, por ai thoshte me ironi se ty nuk të jap punë.
BEQIR NDOU: Fliste ndonjëherë kundër pushtetit Kola?
DHIMITËR PASKO: Me mua nuk bisedonte ndonjë gjë kundër, por ai vetë dukej i ftohtë.
BEQIR NDOU: Po Kostë Boshnjakun, prej sa kohe e njeh dhe ç’ biseda ke pasur me të?
DHIMITËR PASKO: Kostë Boshnjakun e njoh që në Rumani, 1931–1932, shkruanim në gazetën “Shqipëria e Re” në Kostancë, më pas jam takuar me të në Priskë, kur u arratisa në tetor të 1944-s dhe më vonë e kam takuar në Tiranë.
BEQIR NDOU: Sa herë ke qenë te shtëpia e të lartpërmendurit?
DHIMITËR PASKO: Kam qenë nja dy herë. Një herë kam qenë për të marrë firmën e bilancit të bankës dhe një herë tjetër për t’u takuar me një plak nga Ballkameni i Fëllërinës, i cili dinte shumë këngë popullore, për këtë më kishte thënë Kosta, por, pasi plaku atë ditë ishte i sëmurë dhe banonte në një shtëpi me Boshnjakun, hyra te Kosta dhe qëndrova nja gjysmë ore, por nuk më kujtohet çfarë kemi biseduar.
BEQIR NDOU: Tjetër herë je takuar me të?
DHIMITËR PASKO: Jam takuar pranë Librarisë Agrare, kishte në dorë revistën “Krediti” dhe më tha se kishte kënduar një artikull që thoshte diçka mbi disa anëtarë të ish-Këshillit Administrativ.  Ata, thoshte artikulli, me anë të bankës donin të merrnin fuqinë në dorë. Unë i thashë nuk e kam kënduar. Ai ma tregoi dhe tha se  “çuditem që ministri i Financës na falënderoi kur dolëm nga Këshilli për punën e zhvilluar në bankë dhe qeshi me çudi”.
BEQIR NDOU: Ç’ke biseduar me të kundër pushtetit, sepse ne e dimë që ti ke bashkëpunuar për të rrëzuar pushtetin me Kostë Boshnjakun e Kolë Kuqalin, prandaj fol drejt!
DHIMITËR PASKO: Tjetër gjë nuk kam biseduar, as me të parin, as me të dytin.

Veprat

“Rrjedhin lumenjtë”
“Vjeshta e Xheladin Beut”
“Lasgush Poradeci” (1937)
“Net shqiptare” (1938) [1]
“Pylli i gështenjave” (1958) [1]
“Ago Jakupi e të tjera rrëfime” (1943)
“Sulm e lotë” (1943)
“Shënime letrare” (1944)
“Havadan më havadan” (1944)
“Kapllan aga i Shaban Shpatës” (1944)
“Dashuria e berberit Artan” (1946)
“Xinxifilua” (1962)
“Tregime të moçme shqiptare” (1965) [1]
“Tregime të zgjedhura” (1972) [1]
“Baltë nga kjo tokë” (1973)
“Në një cep të Ilirisë së poshtme” (1983) [1]
“Këngë e britma nga qyteti i djegur”
“E madhe është gjëma e mëkatit”

Lëndimi i nënë Efterpit

“As Dhimitri dhe as unë nuk kemi shkuar askund të tregojmë se ç’kemi vuajtur. Unë s’kam shkuar të qaj ndonjëherë hallet, as atëherë, as në këtë kohë”, shprehet Efterpi Pasko, e shoqja e Mitrush Kutelit, e lënduar nga mënyra si është pasqyruar këto ditë rrëfimi i saj në gazetë. Ndërkaq, thotë se gjatë kohës kur i shoqi vuante dënimin në kampin e Vloçishtit, gardianët nuk e njihnin si shkrimtar. Sa për detajin e groposjes, të njohur vetëm pas viteve ‘90, ajo saktëson se ka qenë një moment kur e kanë futur në një gropë të veshur, dhe jo siç shkruhet në gazetë pa rroba.

Vendimi Gjykatës: Pesë vjet burg për agjitacion e propagandë

Vendimi i formës së prerë për dënimin e Dhimitër Paskos mban datën 20 maj 1948 dhe është nënshkruar nga anëtarët e Këshillit të Gjykatës së Lartë Ushtarake, Niko Ceta, Nexhat Hyseni dhe Vangjel Kocani. Në të, pasi përshkruhet procedura me të cilën është ndëshkuar nga Gjykata e Nivelit të Parë, zbardhet mënyra me të cilën është shqyrtuar rasti i dënimit të Dhimitër Pakos. Sot,  më datën 20.5.1948, shkruhet në procesverbal, Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake në prezencë të prokurorit Ushtarak të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, kapiten i I-rë, Nevzat Havzedarit, mori në shqyrtim akt-gjykimin nr. 220 datë 7.4.1948, të Gjykatës Ushtarake të Tiranës, me të cilën, në bazë të Nenit 3 paragrafi 1,4,5 dhe të Ligjit nr 372 datë 12.12.1946 dhe të nenit 4 të Ligjit të sipërpërmendur, mbi fajet penale kundër popullit dhe shtetit, është vendosur ndëshkimi me “5 vjet privim lirie”, si dhe konfiskim të pasurisë të luajtshme dhe të paluajtshme kundër Dhimitër Pasko, i biri i Pandit dhe Poles, 41 vjeç, lindur në Pogradec e banues në Tiranë, me profesion shkrimtar, i martuar pa fëmijë, i pa dënuar, me arsim Shkencë Ekonomike, arrestuar në datën 15.5.1947, për shkak se ka qenë anëtar i partisë fashiste “Roja e Hekurt” në Rumani dhe ka marrë pjesë në luftë kundër ushtrisë së Kuqe. Në vitin 1942 ka ardhur në Shqipëri dhe ka bashkëpunuar me tradhtarët kundër LNÇL-së dhe mbas çlirimit të Shqipërisë vazhdon aktivitetin e tij armiqësor kundër Pushtetit Popullor. Prokurori kërkon të vendoset aprovimi i vendimit të sipërm si me vend dhe i bazuar në ligj, i hiqet dënimi për sa i përket konfiskimit të pasurisë.
Këshilli:
Nga shqyrtimi i akteve rezulton se i pandehuri Dhimitër Pasko, më parë anëtar i Partisë Roja e Hekurt në Rumani, i frymëzuar me ndjenja fashiste, më 1942, është kthyer në Shqipëri dhe me artikuj të ndryshëm që ka shkruar në gazetën “Bashkimi Kombit” ka bërë agjitacion dhe propagandë kundër LNÇ-së, me qëllim që të përçante popullin dhe të bashkonte me organizatat terroriste Ballin Kombëtar dhe Legalitetin. Mbas çlirimit, duke përfituar nga shpirtmirësia e Pushtetit Popullor nuk ka ndryshuar nga politika e tij fashiste, por ka mbajtur lidhje me armiqtë e popullit, Kostë Boshnjakun e Kol Kuqalin; fakte këto që provohen në pohimet e tij. Duke marrë parasysh sa u tha më lart, Gjykata e Faktit e ka arsyetuar dhe bazuar në prova konkrete vendimin e saj dhe dënimi i është dhënë në proporcion me fajin, vetëm se nuk duhet të vendoste konfiskimin e pasurisë së tij.
Prandaj:
Për këto arsye Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake, në bazë të neneve 10 dhe 17 nr. 2 të Ligjit nr. 368 datë 12.12.1946, mbi organizimin dhe kompetencat e gjykatave ushtarake, duke pranuar dhe kërkimin e prokurorit
Vendosi:
Aprovimin e vendimit nr. 220 datë 7.4.1948, të Gjykatës Ushtarake të Tiranës, që përmban ndëshkimin e Dhimitër Pandi Paskos, nga Pogradeci dhe banues në Tiranë me 5 (pesë) vjet “privim lirie” dhe punë të detyruar, pa konfiskim të pasurisë së tij.
Ky vendim është i prerë.
Tiranë, më 20.5.1948
(Emrat e anëtarëve të trupit gjykues e firmat)

 

AFRIM IMAJ

 



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora