Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Myftaraj: Aventura e re e kryeministrit Berisha në Gaza

| E merkure, 08.06.2011, 07:03 PM |


Aventura e re e kryeministrit Berisha në Gaza

 

Nga Kastriot Myftaraj

 

Qeveria “Berisha” prej disa javësh ishte dashur që të shprehej për shkak se është paralajmëruar përsëritja e një ngjarjeje ndërkombëtare të rrezikshme, në të cilën ajo u përzie vitin e kaluar, në rastin më të mirë me mendjelehtësi dhe në rastin më të keq për motive të tjera, të cilat do t’ i tregojë koha në ditët në vijim. Fjalën e kam për atë që ndodhi një vit më parë, kur e ashtuquajtura flotë e paqes, gjegjësisht një komando e kamufluar e aktivistëve radikalë islamikë, një pjesë e madhe e të cilëve nga Turqia, provokoi Izraelin duke tentuar të thyejë bllokadën detare ndaj Gazës të kontrolluar nga Hamasi, me ç’ rast qeveria e Shqipërisë e dënoi zyrtarisht reagimin e Izraelit, në terma të ashpra. Me anë të një deklarate të ministrit të Punëve të Jashtme të kohës, Ilir Meta, e cila ishte shkruar nga vartësi i tij në atë kohë dhe ministri i sotëm i Punëve të Jashtme, Haxhinasto, qeveria shqiptare arriti deri atje sa t’ i kërkonte Izraelit që të ndërmerrte hetime për ushtarakët izraelitë që kishin marrë pjesë në operacionin për ndalimin e flotës, pra iu kërkua Izraelit që të arrestonte dhe të dënonte ushtarët e vet, të cilët mbrojtën atdheun e tyre nga terroristët islamikë. Madje, paradoksisht, qëndrimi i qeverisë shqiptare ishte edhe më i ashpër ndaj Izraelit se qëndrimi i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, kur ajo që duhej të ndodhte në fakt ishte e kundërta, pra që qeveria shqiptare ta qortonte Komunitetin Musliman të Shqipërisë për qëndrimin e mbajtur, dhe jo të ishte ajo që e mbante një qëndrim të tillë.

Gjithsesi, nëse vitin e kaluar mund të kishte dyshime mbi atë se çka ishte e vërteta e asaj që ndodhi me të ashtuquajturën flotë të ndihmës për Gazën, sot, pas një viti, kur  është paralajmëruar i njëjti skenar, ashtu që një flotë e re e ashtuquajtur e paqes dhe e ndihmës do të tentojë të thyejë bllokadën izraelite të Gazës në fund të qershorit, kinse për të dërguar ndihma humanitare në Gaza, nuk mund të ketë dyshime se këto të ashtuquajtura lundrime të paqes janë pjesë e agjendës për zhdukjen e shtetit të Izraelit. Këtë herë ekspedita do të përsëritet në përmasa më të mëdha, duke marrë pjesë mbi 1500 të ashtuquajtur veprimtarë të paqes, një pjesë e madhe e të cilëve do të jenë turq. Ekspedita e këtij viti bart rreziqe të mëdha, për shkak se në këtë histori është implikuar edhe Turqia. Turqia vitin e kaluar reagoi shumë ashpër ndaj Izraelit pas incidentit me flotën që tentoi të thyente bllokadën e Gazës, duke e kërcënuar Izraelin madje se ai nuk do të mund ta përsëriste më një gjë të tillë. Këtë vit, Turqia, në vend që ta ndalonte nisjen e flotës dhe pjesëmarrjen e qytetarëve të saj në këtë ekspeditë, u shfaq praktikisht si vendi-autor i skenarit, ashtu që ka dalë në mbrojtje të lundrimit të flotës për në Gaza, duke arritur madje deri atje sa ta kërcënojë Izraelin që të mos reagojë si vitin e kaluar, pra të mos guxojë që ta ndalë flotën me forcë. Kjo në një kohë që Izraeli ka paraljamëruar se ai, në emër të së drejtës së vetëmbrojtjes, do ta ndalojë flotën me forcë dhe se përgjegjësinë për pasojat e kanë ata të cilët i kanë hyrë aventurës dhe qeveritë e vendeve nga ku do të nisen anijet, duke u nënkuptuar me këtë në radhë të parë Turqia.  

Ajo cka po bën Turqia është një skenar i ngjashëm me atë të Bashar Al Ahsad të Sirisë, i cili këto ditë, për të larguar vëmendjen nga genocidi që po ushtron ndaj popullit sirian, organizoi një kinse marshim spontan proteste spontane në kufirin siriano-izraelit, me ç’ rast pati shumë të vrarë nga militantët islamikë që kapërcyen me dhunë kufirin. Ahsad kërkoi që ta bënte Izraelin që të vriste njerëz në kufi dhe këtë gjë po kërkon të bëjë edhe Turqia me flotën e Gazës.

Pjesëmarrësit e të ashtuquajturës flotë të paqes të Gazës janë moxhahidinë të cilët e shohin këtë lundrim si një fushatë të Xhihadit, ku ata shkojnë me vetëdije për t’ i provokuar izraelitët dhe për t’ u vrarë prej tyre, të lumtur se kështu, sipas besimit të tyre do të shkojnë në Xhehnet ku secilin prej tyre e presin nga 72 virgjëresha, të cilat do t’ i përshëndesin që e kryen misionin vdekjeprurës për ta nxjerrë Izraelin në dritë të keqe para botës, dhe për të frymëzuar të rinjtë islamikë të botës për Xhihadin global. Tashmë kur gjithçka është bërë e qartë, dhe kur Sekretari i Përgjithshëm i OKB Ban Ki-moon ka kërkuar që ekspedita të anulohet, çka megjithatë nuk ndikoi as tek autorët e saj dhe as tek qeveria turke, qeveria e Shqipërisë ka detyrimin që të deklarojë se vitin e kaluar u nxitua dhe nuk e vlerësoi si duhet ngjarjen, ashtu që nuk e kuptoi se nuk bëhej fjalë për një ndërmarrje humanitare, por për një skenar provokimi terrorist. Qeveria e Shqipërisë ka detyrimin që të deklarojë se dënon përsëritjen e një aventure të tillë, si dhe denoncon ata që e mbështesin atë. Më e keqja do të jetë sikur qeveria e Shqipërisë, jo vetëm të mos e bëjë këtë, por pasi të jetë përsëritur ndodhia e vitit të kaluar të reagojë njëjtë si vitin e kaluar. Kjo do të jetë një gjë shumë e rëndë dhe kryeministri Berisha e ministri i Punëve të Jashtme, Haxhinasto, as të mos e shkojnë ndërmend që ta bëjnë këtë gjë.

Shqipëria nuk ka asnjë arsye për të cilën të përzihet në çështje të tilla të cilat as që na përkasin, dhe me të cilat nuk na lidh asnjë lloj interesi nacional, apo i çfarëdollojshëm. Heqja e bllokadës së Gazës nuk synon që të shpëtojë popullin e Gazës, por të shpëtojë Hamasin. Heqja e bllokadës së Gazës do të jetë triumf i Hamasit. Pra, në këtë rast nuk është në pyetje fati i popullit të Gazas, por fati i Hamasit, i cili kërkon që të mbijetojë, duke përdorur edhe truke të tilla propagandistike. Bllokada e Gazës është bllokada ndaj Hamasit. Gjithsesi, nëse populli i Gazës e mbështet Hamasin, cka u duk qartë nga votimi në Gaza, atëherë populli i Gazës meriton që të vuajë pasojat e bllokadës. Nëse thyhet bllokada e Gazës, Hamasi do të fitojë edhe në Bregun Perëndimor. Shqipëria nuk ka arsye përse të rreshtohet në frontin ndërkombëtar për shpëtimin e Hamasit.

Do të ishte mirë që Shqipëria të reagonte paraprakisht kundër nisjes së flotës për në Gaza, për arsye se skenari i këtij viti ka gjasa që të jetë shumë më i ndërlikuar dhe i rëndë se i vitit të kaluar, ashtu që qendrat fundamentaliste islamike mund t’ i kenë minuar paraprakisht anijet e flotës dhe t’ i eksplodojnë në kohën që ato do të ballafaqohen me anijet ushtarake izraelite. Kështu që mund të arrihet deri tek një “11 shtator” i ri ku të vdesin mijëra vetë, izraelitë dhe terroristë islamikë. Izraelitët do të bëjnë gabim nëse këtë vit u afrohen anijeve ashtu si vitin e kaluar. Këtë herë Izraeli duhet të paralajmërojë se për shkak të rrezikshmërisë së lartë do t’ i qëllojë nga ajri, me anë të aeroplanëve luftarakë,  anijet fundamentaliste islamike, nëse ato nuk i binden urdhërit për t’ u kthyer mbrapsht. Le të shkojnë në fund të detit ekstremistët islamikë si Bin Ladeni, para se të bëjnë dëme më të mëdha.

Kërcënimet e Turqisë neo-otomane ndaj Izraelit, me anë të ideologut të Neo-Otomanizmit, ministrit të Punëve të Jashtme, Davutoglu, si dhe kryeministrit Erdogan, tregojnë se Turqia neo-otomane është në ekspansion të plotë nga Lindja e Mesme në Ballkan, nga Gaza në Adriatik. Qeveria “Berisha” nuk ka asnjë të drejtë që ta rreshtojë Shqipërinë në anën e Turqisë neo-otomane në këtë luftë. Shqipëria në këtë luftë duhet të jetë në anën e Izraelit. Qëndrimi i Turqisë në çështjen e flotës së Gazës  tregon se Turqia neo-otomane po shndërrohet në dinamikën e konfliktit të shekullit XXI në regjionin nga  Lindja e Mesme në Ballkan. Qëndrimi i Turqisë në çështjen e flotës së Gazës paralajmëron skenarë të tjerë që Turqia neo-otomane do t’ i aktivizojë në Ballkan, në Shqipëri, Kosovë etj. Nesër Turqia neo-otomane mund të bëhet qendra ku do të organizohen dhe nisen flota islamike me “ndihma” në ngarkesa me hixhabë, ferexhe, keffiyeh (shalle islamikë për meshkuj, si i Arafatit) etj., për muslimanët praktikues të Shqipërisë, të cilët pretendojnë se diskriminohen negativisht. Nëse sot dënojmë Izraelin, nesër mund ta pësojmë vetë më keq. Izraeli që ndal flotën terroriste islamike që kërkon të thyejë bllokadën e Gazës, bën edhe betejën për Shqipërinë. Këtë gjë duhet ta kuptojnë Berisha dhe Haxhinasto. Madje për këtë duhet që të reagojë edhe Presidenti Topi, i cili në raste të tjera nuk mungon të shprehë qëndrim të ndryshëm nga ai i qeverisë. Gjithashtu duhet që të reagojë edhe opozita, e cila në këtë rast duhet që t’ i vendosë interesat supreme të Shqipërisë mbi interesin e vogël të disa parave që është duke marrë Bashkia e Tiranës nga Kuëaiti për rregullimin e qendrës së kryeqytetit.