E merkure, 24.04.2024, 02:08 AM (GMT+1)

Mendime

Besnik Hysa: Vitet historike?!

E shtune, 02.02.2008, 07:26 AM


VITET  HISTORIKE ?!

Sipas traditës politike shqiptare viti 2008 do të jetë më i mirë se viti 2009 e më i keq se viti 2007.

Nga Besnik HYSA

Me ardhjen e sistemit shumë partiakë gjatë viteve të 90-ta, të shekullit të kaluar për shqiptarët nuk mbet vit pa qenë historik. Përveç historik çdo vit cilësohej edhe si vit i kthesave e prapë kthesat nuk ndodhnin. Mund edhe të mos ketë ndonjë të keqe që vitet të quhen historike, por ato mund të jenë të mbara apo të mbrapshta. Vlerësuar nga realiteti politiko-juridik shqiptarë, ato mund të quhen vite historike të mbrapshta.

Zakonisht shprehjen vit historik, që më së shumti e dëgjojmë vjen nga goja e pushtetarëve apo parisë shqiptare. Pushtetarët shqiptarë të zhveshur nga ideologjia kombëtare e të stërngarkuar me atë kozmopolite trojet shqiptare i kanë shndërruar në shtëpi publike. Shtëpitë publike udhëhiqen nga rezilët, edepsëzët, sojsëzët, ku shfryen  epshet e tyre shtazarake, kurse në trojet tona  me myshterinj vendor dhe të huaj, epshet shfryhen në hajni, plaçkitje, kriminalitet, përqeshje të identitetit kombëtar që ka si përfundim  tradhtinë kombëtare. Kjo tradhti vërehet nga ana materiale, prapa-mbeturi ekonomike, dhe  shpirtërore, ndrydhjes së idesë përparimtare që ka të bëj me ribashkimin kombëtar.

Për shkak të lojërave të tyre të ndyta paria jonë në fillim të viteve 90-ta, arritën që të na bindin se çështja kombëtare duhet të arrihet shkallë-shkallë e si fazë e parë do të ishte, Kosova e pavarur dhe sovrane. Falë viteve historike, fundi i fazës së parë, statusi, na del i dështuar ku kompromisi i ribashkimit, Kosova e pavarur dhe sovrane, na del Kosovë e varur dhe e mbikëqyrur pa afat kohor.

Pas statusit mendonim se punën e pakët të mbetur të zgjedhurit e popullit do ta drejtojnë rreth ribashkimit kombëtarë, por kur po e shohim rrjedhën përfundimtare të punës së tyre, neve si popull nuk na mbetet tjetër  pos që të grumbullojmë energjinë e duhur (nëse na ka mbet diçka) dhe ta orientojmë në ruajtjen e Kosovës nga copëtimi.

E keqja më e madhe qëndron në atë se faza e parë, humbja, tentohet të festohet si fitore, kurse ideja e ribashkimit as që guxon të i përmendet pushtetarëve tanë se kanë punë më të mençura, po na çojnë në Evropë. E kur Evropa i tha na jepni ide kreative për statusin e Kosovës askujt nga palaçot politikë të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit nuk i shkoi ndërmend që idenë e ribashkimit ta paraqes si kreative, por dolën me traktatin e miqësisë.

Sikurse nëna që vë fëmijën në gjumë edhe pushtetarët shqiptarë na kanë vënë në gjumë (me integrimet euroatlantike) deri sa të ngopën pasuri personale e ne (populli) kur të zgjohemi nga gjumi përsëri nga e para  për të njëjtin proces.

Me një politik të tillë kanë arrit që edhe popullin ta mashtrojnë, duke thënë se ja na erdhi dëshira jonë shekullore, pavarësia, kur ne të gjithë e dimë se dëshira jonë shekullore është ribashkimi kombëtar. Sa e kanë trullosur popullin me synimin tonë shekullor, ribashkimin kombëtar, mund të shihet me pjesëmarrjen e LKÇK-ës në zgjedhjet e 2007-ës (pa hyrë në hollësira se a ka gabuar) dhe e patë si kaloi. Kur shqiptarët ishin më të pashkolluar, pa infrastrukturë  rrugore e ajrore, pa mjete teknologjike si: TV, radio e internet, ideja ishte për ribashkim së paku e shqiptarëve këtej gardhit. Tash e kundërta e saj dhe ne jemi kundër ribashkimit.

Lidhur me vitet historike të pushtetarëve tanë, se kush janë, çka janë, patëm rastin të i shohim më 10 dhjetor të 2007-ës, përmes aleatit të tyre më të fuqishëm mediave. Mos të harrojmë se mediat pas pushtetarëve janë vrasësi i dytë i popullit shqiptarë. Në vend së të bëjnë pyetjet e duhura ato kërkojnë përgjigjet e dëshiruara që është në përputhje me interesin e pushtetarëve. Në vend se të na ndërgjegjësojnë, mediat neve na kontrollojnë dhe mashtrojnë.

Në atë datë, televizionet KLAN, RTK dhe Alsat në vend të tallava pavarësisë së pritur kishin organizuar një tallava debat. Nuk thuhet rastësisht se siç është vendi bëhet edhe kuvendi. I ashtuquajturi debat tregoi mjerimin e politikës kozmopolite të gjysmë-shtetit shqiptar i udhëhequr nga Saloja dhe në anën tjetër pjella e titistve, vëllazërim- bashkim, të udhëhequr nga i shortuari ''nacionalist'' në kozmopolit-rugovist, Hashim Thaçi.

Temat që trajtonin gjoja për interesat kombëtare me përqeshje, zgërdhije tregonte karakterin e tyre të vërtet. Të gjithë pohonin se punët do të i bëjnë në koordinim (bashkërenditje) me bashkësinë ndërkombëtare. Çka pritet me atë koordinim? Me siguri shumica nga ju keni qenë nxënës dhe keni luajtur atë lojën nata-dita me mësuesin. Kush gabonte dilte nga loja. Do të dalin nga kjo lojë politikanët e gabuar (pa dëgjueshëm) e sa i përket popullit që moti është jashtë loje.

Fundi i debatit tallava na la të kuptojmë se hapat e ardhshëm të gjysmë shtetit shqiptar kanë të bëjnë me largimin, apo ndryshimin e flamurit kombëtar (dhe shtetëror të Shqipërisë administrative) me qëllim që shqiptarët  e coptuar në 5 shtetet tjera Ballkanike, të mos mund të thirren në atë flamur gjatë 28 Nëntorit, sepse po i shkaktojnë probleme shteteve përkatëse në rajon, në radhë të parë Serbisë, Maqedonisë, Malit Zi dhe Greqisë. Shqipëria administrative si kontribuues (ndihmues) i paqes në rajon natyrisht se mund ta bëj atë ndryshim ashtu siç e ka bërë edhe në të kaluarën në emër të paqes.

Çdo herë kur pushtetarët shqiptarë përmendin fjalën paqe më bëhet sikur po i arsyetohen dikujt. Unë nuk di se shqiptarët kanë arrit të bëjnë lufta zaptuese, dhe duhet të i arsyetohemi dikujt?! Nuk është e rastit se paqen e ruan  i dobëti e kjo vlen pikërisht për ne si pasojë e një parie të shfrenuar materialiste.

Për shkak të parisë sonë, mos angazhimit, jo seriozitetit jemi duke mbajtur peng rajonin si vatër të krizës (Ballkani fuqi baroti). Me këta pushtetar jemi bërë burim i së keqes. Vetëm që të maskojnë lojërat e tyre, ata na thonë se e keqja gjendet jashtë nesh.

Me pushtetarët e tillë ne sot duhet të zhvillojmë luftën në dy fronte, atë të brendshëm ku individ e klane partiake mundohen ta përvetësojnë historinë për qëllime materialiste dhe frontin e jashtëm i cili përbën një paradoks në vete, ku në vend të  armiqve fqinjë, ne tash duhet të ballafaqohemi me botën e pastaj me fqinjët tanë. Për të u marr me Serbin së pari duhet të merremi me Evropën. Një zot e di sa kohë do të humbmi!

Si fryt i punës së tyre kemi një betejë për trojet shqiptare në mes Evropës dhe Serbisë. Evropa po lufton për kolonit e veta duke ia marr Serbisë një pjesë të territorit të okupuar shqiptarë. Shqiptarët e pavlerë përdoren si lodër për të ardhur BE-ja deri tek caku. Në fund pjesa serbe do të sundohet nga Serbia e shqiptarët nga Evropa. Me këtë ''merr fund'' edhe amaneti i shumë dëshmorëve, luftërat e UÇK-ës, angazhimet e shumë veprimtarëve. Hapat e ardhshëm do të i bëjmë ashtu të ndarë në fise, se kush më parë po mbërrin në Evropë. Çështja shqiptare do të rrumbullakohet dhe çdo tentim për rishikim të të arriturave do të ndëshkohet me polici, gjykatës ndërkombëtar  e besa edhe me ushtri të huaj.

Në emër të Evropës dhe " miqve" tanë do të mungojë ndonjë nismë serioze kombëtare, pasi që paria jonë gjithçka bënë në koordinim me Evropën për hir të paqes dhe stabilitetit në rajon. Në emër të paqes, paria jonë po na sjell BE-në, në Kosovë, si kompromis i SHBA-ve dhe Rusisë. Për qëllimin e pranisë së saj (BE-së) dhe kohëzgjatjen populli ynë nuk bën të dijë, këtë e dinë vetëm paria jonë. Prandaj na thonë: festoni, gëzohuni dhe dehuni. Por paria jonë një gjë po harron, se gëzimet e të dehurve janë të shkurtra. Në anën tjetër nëse prania e BE-së ka si qëllim inkuadrimin e Kosovës në gjirinë e saj, përse nuk pyetet populli si në vendet përkatëse të BE-së, se a është për apo kundër?

Sipas traditës politike shqiptare viti 2008 do të jetë më i mirë se viti 2009 e më i keq se viti 2007. Çka patëm nga paria shqiptare gjatë vitit 2007, mund të cilësohet si vit i shtyrjeve,  i premtimeve, i rrenave, i papërgjegjësisë dhe në fund i zhgënjimit. Politikisht për shqiptarët, gjithnjë viti paraprak është më i mirë se viti në vijim. Atdheu jonë i okupuar me emrin e njohur e të bukur Shqipëri brez pas brezi i ngulfatur vetëm në mbrapshti. Brezat e kaluar shkret e bënë, brezat e sotëm më shkret po e bëjnë , brezat e nesërm edhe më shkret do ta bëjnë, nëse nuk ndodhë ndonjë mrekulli.
Ne shqiptarët, në të ardhmen një sukses në synimet kombëtare nuk mund të presim nga politika që diktohet nga tregtarët (biznesmen) duke hedhur në ofertë (tender) trojet shqiptare, sipas filozofisë: ku të dalin le të dalin, hajt se kështu po e lyp rendi, çka është e papranueshme për armiqtë është e pranueshme menjëherë për ne, ma jep votën por mos më shpreh mendimin, gjithçka për ne varet jashtë nesh, kur okupim konsiderohet vetëm ai ushtarak por jo edhe ekonomik, diplomatik, informativ, kulturor e sportiv, kur liria kuptohet vetëm si e drejt e ngrënies dhe pirjes, kur harrohen integrimet brenda shqiptare në emër të integrimeve euroatlantike.

Në vitet në vijim një betejë e vërtet nga forcat e shëndosha kombëtare dhe përparimtare duhet të ndodhë në demaskimin e politikës mashtruese të parisë ndaj popullit. Demaskimi fillon me rolin e shtetit shqiptarë ndaj çështjes kombëtare. Duhet të pranojmë të vërtetën se shteti shqiptarë në heshtje e ka masakruar pjesën tjetër të popullit të pushtuar në Serbi e Greqi. Kjo e bën shtetin shqiptarë bashkëpunëtorë, sipas ligjit të natyrës. Ai ligj thotë se padrejtësinë e përkrahë, nëse nuk e kundërshton apo lufton. Një bindje të tillë e forcon edhe vizita e turpshme e Bamir Topit në një pjesë të trojeve të okupuara shqiptare. Çdo fjalë për atë vizitë është e tepër, pasi që linte përshtypjen e vizitës së kryetarit të Ugandës afrikane. Pas shtetit duhet të demaskojmë, partitë politike, mediat si dhe shumë individ të njohur si intelektual që flasin në emër të popullit.
 Rruga për të vërtetën (ribashkimin) vazhdon ajo nuk guxon të ndalet, por duhet të i rritet vrulli, edhe pse përballë e kemi shtetin shqiptar,  institucionet dhe policin e Kosovës, mediat,  KFORI-në, duke mos përmendur UDB serbe, maqedonase,malazeze, dhe EYP-in grek. Kohë me të vërtet  tejet e vështirë, por tek e fundit çdo kohë ka edhe burrat e saj.

Vitet e mbrapshta historike të një politike të dështuar zyrtare të trekëndëshit, Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, kanë prodhuar dy institucione të vetme mbarëkombëtare, FBKSH-ën dhe Vetëvendosjen. Mbetet përgjegjësi e dy udhëheqësive që në të ardhmen të i bashkërendojnë veprimet, duke marrë parasysh faktin se para vetës kanë shumë armiq, nga brenda dhe jashtë.. Bashkërendimi i veprimeve do të thotë marrje në duar e fatit të trojeve të okupuara shqiptare, nga atdhetarë të dëshmuar dhe të patundur, që më në fund do të krijonte vitet historike të mbara aq shumë të dëshiruara nga populli ynë. 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora