E shtune, 20.04.2024, 10:55 AM (GMT+1)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Thirrje për ndihmë

E diele, 05.06.2011, 07:59 PM


THIRRJE PËR NDIHMË

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

Imzot! E zvarrisin veten natë e ditë dhe gërhasin në gjumë për Liri mes kontejnerve të bërllokut, mes atyre plehërave nëpër thasë të arnuar vite me radhë te Pazari i Grave. Edhe atë: me shtatë palë qe e tërheqin qerren rrugëve me gropa dhe plot baltë. Fatkeqësia: qetë shtyhen njëri me tjetrin, nuk e tërheqin qerren para mes rrugës, po anash. Rrezik, që t’i thyhen rrotat dhe të na lënë në mes të maleve. Rrugëdalje: Im Atë, kau që nuk e tërhiqte pllugun në arë, qerren para, po shtyheshte me shokun e tërhiqte anash, e nxirrte ta shesë ditën e shtunë në Pazar. Koha është pra, edhe ne këta politikanë, që njëzet vjet me radhë më shumë janë marrë me  njëri-tjetrin për poste në Qeveri dhe jo me zgjidhjen e çështjes shqiptare t’i nxjerrim ditën e dielë në Pazar. Mjaftë më e përçanë popullin shqiptar, e ngritën zërin për Liri, hipën në foltore, nëpër karrige të na rrëfejnë grushta në demokraci. Herë pas here në gazetë na shkruajnë edhe “letra dashurie”, se: si e kanë kaluar natën me rrospitë meshkuj qafë për qafe matanë Vardarit. Na shesin mend nëpër emisione televizive: “Një temë një bisedë”. Vëllazërim-bashkimin e ri që do ta ndërtojnë në Qytetin e qyqeve. Himnet e para partiake që do t’i shkruaj poeti Honxhobonxho. Kolumnat “profetike” Patrioti i Vonuar, “miku” i Abazit dhe armiku i Ali Ahmetit. Librin për të cilin do të çohet aq pluhur nga Kritiku Teknefes që nuk ka haber nga letërsia. Bibani Qafërjepur se, si fryhet para kamerave televizive me një torbë në krah dhe “flijimet e tij artistike” se, si e ka shpëtuar Atdheun nga Përmbytja e Madhe…

       E di se, do të më kërkoni mua një ditë, po nesër do të jetë vonë që t’ju bëj thirrje për bashkim kombëtar me penë mes këtij bërlloku në Bit-Pazar. Liria, sipas kalorësve të arratisur, fitohet me dialog politik, tolerancë, vajtime dhe duke shtrirë dorën te Ura e Gurit. Apo me ilahi, nëpër minare të xhamive, duke iu drejtuar qiellit e duke iu lutur Zotit. Lufta, thonë ata është haram! Robëria është hallall! Zoti me të Madhin e vet mua më dërgoi që t’ju shpëtoj nga Zjarri i Xhehnemit. Unë e kam çelësin, e di cila derë duhet hapur për të hyrë në Kopshtin me lule. Tespitë kuqezi të kujt duhet t’i kemi në dorë. Nallet me të cilat u kthye nga haxhillëku Haxhi Deputeti, ku edhe doli në fotografi mes një delegacioni të politakanëve shqiptar si haxhinj rrenca me veshje kombëtare arabe… Tybeistikfa… Amin…

       - Alo?... E kemi edhe një dëgjues në telefon. Po, Disko-Klubi. Urdhëroni.

       - E përshëndes mysafirin në studio… Udhëheqsin e emisionit debativ: “Si pëgaditet çaji i rusit?”.

       - Ju falemnderit. Edhe ne ju përshëndesim!

       - Kam një pyetje për mysafirin.

       - Urdhëroni…

       - Unë me sa di, mysafiri juaj i ka shëtit disa parti politike në Kosovë e Shqipëri. Mirëpo, për çudi, askund nuk i ngecën këmbët. Më intereson të di, pse kohën e fundit i lëpihet Kryetarit të Bandës së Bit-Pazarit? Vallë me këtë mos dëshiron që edhe këtu; në “Oazën e Paqes” ta nxjerrë shpatën e Skënderbeut për Liri?!...

       - E falenderojmë dëgjuesin për pyetjen dhe sipas mundësive do të përpiqem t’ju përgjigjem. Atdheu, kudo që jemi, ka nevojë për luftëtarë. Vetëm të mjerët dhe frikacakët nuk e ngrejnë zërin, nuk e rrokin në dorë shpatën e Skënderbaut. “Flijimet artistike” nëpër gazeta të “pavarura” e libra, emisioneve televizive e foltore janë arma më e sigurt për të arritur në fitore. E di, do të thuash, ndonjëri nga ne gjatë këtyre betejave të përgjakshme do të përfundojë në Qeveri… Kabinet… Kolltuk… Po, ç’të bëjmë, kështu e ka lufta. Komandantë shumë e heronj jemi pak. Dekoratat i marrin të gjallët. Të vdekurit vetëm plumbat, kurorat e luleve dhe fjalimet e mëdha mbi varr…

       - Tërt-tërt… Përt.

       - Alo… alo… U ndërpre lidhja. Dëgjuesi, si duket, nuk paska fat. Falënderojmë mysafirin për pjesëmarrje në emisionin: “Si përgaditet çaji i rusit” dhe dëgjuesit që u shoqëruan me ne deri në fund pranë radioaparateve. Natën e mirë dhe mirëudëgjofshim në emisionet e ardhshme kontaktive!... Tung… Tung… Tung…

       Një ditë më vonë, pasmesnate: Dëgjues të nderuar kudo që jeni, mirëmbrëma! Unë jam Ebu Xhehli, udhëheqës i emisionit të natës. Me mua në studio është edhe Vjollca Rrapi me të cilën do ta kalojmë natën, edhe pse ju e hapni gojën. Matanë dritareve e kemi errësirën e cila na troket në xham. E tregon këmbën me miell, na e bënë me sy, na e qet gjuhën. Përpak harrova t’ju tregoj se Hava e Bit-Pazarit nëpërmes të telefonit i vardiset Vjollca Rrapit. Pasmesnate na i ka kënduar edhe disa ilahi, të cilat një ditë mendon t’i botojë edhe si libër me titull: “Vargje shpirti”. Eh, ta dini çfarë ilahish, hata! Vetë unë Ebu Xhehli kur i kam dëgjuar atë natë kam derdhur lot deri në agim. Merreni me mend, më mori para mikrofonit me sy hapur nga Vjollca Rrapi, e cila plot frikë u ishte drejtuar dëgjuesve me këto fjalë: Ebu Xhehli fluturoi në qiell…

       Nëntë net me radhë cingëroi telefoni pareshtur në studio. E kërkonin Ebu Xhehlin. E ndonjëra shkonte edhe aq larg saqë thoshte: nëse nuk kthehet Ebu Xhehli në studio do të bëjë vetëvrasje, do të kërcej nga kati i tetë ose nga Ura e Gurit në Vardar. Më kot Vjollca Rrapi i ngushëllonte me fjalë, i mbante zgjuar gjithë natën, i mashtronte me barcoleta të mos bënin vetëvrasje, ngase një ditë Ebu Xhehli do të zbriste nga qielli. Edhe ajo ditë do të ndodhte para Përmbytjes së Madhe, Ditën e Kiametit. Vetë Ebu Xhehli do ta drejtonte Varkën e Noes, vetëm se jo për në Xhehnet, por për në Xhehnem. Me vete do ta merrte edhe Vjollca Rrapin, se siç thoshte: vetëm ajo do ta priste edhe njëqind vjet të kthehet nga lufta. Tradhti, thoshte ajo, e disa grave është: që burrat e tyre nuk i presin as tre muaj. E të mos flasim për vejushat, burrat e të cilave kanë rënë dëshmorë në Qeveri, që nuk i mbajnë zi as shtatë ditë.  Ebu Xhehli, thoshte ajo. Meriton edhe më shumë, po hë, unë nuk mund ta pres më gjatë se njëqind vjet. E di se edhe Ebu Xhehli ka pasur disa dashnore, por ato e kanë tradhtuar ende pa fluturuar në qiell. E shihni se në çfarë pasurie shpirtërore kemi arrirë… Kulminacion të dashurisë… Rrokullisjeve nëpër errësirë deri në mëngjes… E kemi humbur rrugën në mes të ditës për në Baba Tomorr…

       Njëqind vjet e prita Ebu Xhehlin të zbres nga qielli. Njëqind vjet e thirra me ilahi nga kjo minare. Njëqind vjet i mbajta zgjuar banorët e Qytetit të qyqeve deri në agim. Njëqind vjet i fërkova me duar gjinjtë… Fundin e barkut… Të njëqindtin vit, pas mesnate, u hap dera dhe në studio hyri Baba Shehu. Imzot! Për disa minuta, ashtu krejt lakuriq, i udhëhoqi emisionet e natës. Kurrë deri më sonte nuk i kisha udhëhequr me aq pasion emisonet e natës. Gjithë natën e gjatë nëpër errësirë kam përcjellë e kam marrë frymë, kam kërkuar ndihmë… I kam shtrydhur me dorë dardhat gorrice… Jam rrotulluar në ajër… Kam piskatur nëpër natë si e çmendur… E kam zgjuar Qytetin e qyqeve, ende pa lind Dielli nga gjumi…

       Akrepat e orës e kanë shkelur pasmesnatën e unë ende ju mbaj zgjuar para mikrofonit. E mashtroj veten edhe juve me fjalë. Nën një çati mundohem t’ua përzë gjumin… Terrin… natën t’ua bëj sa më të lehtë me marrëzira… Poezi… Vetëm kot, ju nuk rrini zgjuar me vargje. E hapni gojën, i mbyllni sytë. E shihni një ëndërr. Më kot mundohem të ju shkund me vargje. E keni gjumin e rëndë. Përgjumshëm rrotulloheni në krahun tjetër. Nuk dëgjoni zëra… Thirrje…

       Ora dy pasmesnate. Qetësi. Errësira më troket në xham. Më lutet t’ia hap dritaren. Më buzëqesh. Ma bën me sy. Gjinjtë i shtrydh me dorë. E unë ende vazhdoj t’u lexoj poezi, t’ju mbaj zgjuar deri në agim. Vetëm kot, Ebu Xhehli si duket, ju ka lidhur në djep dhe ju këndon një ninullë. Matanë kësaj dhome ju rrëfen përralla. E ju i besoni, e ndiqni me të katra gjatë fushatës parazgjedhore. Nuk i shihni gropat… Shenjat… Dritën që ndizet e shuhet në Baba Tomorr… Majën e Shenjtë, ku shtrohet Darka festive: Shkruhet e lexohet poezia… Vera e kuqe, ku pihet me nga dy shtamba… Dhe, bëhet dashuri…



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora