E enjte, 25.04.2024, 06:05 PM (GMT+1)

Mendime

Kongresisti amerikan: “Bisedat personale me Hillari Klinton për shqiptarët”

E shtune, 02.02.2008, 09:39 AM


Një udhëtim në Amerikën e Jugut me Sekretaren e Shtetit Condoleezza Rice i ka dhënë mundësinë kongresistit të njohur që të bisedojë me kryediplomaten amerikane për çështjen e pavarësisë së Kosovës dhe hyrjen e Shqipërisë në NATO, Për këto dhe të tjera flet në këtë intervistë dërguar në Shekulli nga editori i gazetës Illyria në Nju Jork, Ruben Avxhiu

Zoti kongresist, kë po mbështesni në garën zgjedhore paraprake brenda Partisë Demokratike dhe pse?

Unë mbështes Hillary Clinton-in. E mbështes me shumë entuziazëm. E njoh zonjën Clinton shumë mirë. Ajo ka qenë gjatë këtyre viteve senatorja jonë e Neë York-ut dhe ka bërë një punë të mrekullueshme. Unë jam i bindur se punën e mrekullueshme që ka bërë për shtetin e Neë York-ut, ajo do të dijë ta bëjë për gjithë Amerikën. Prandaj edhe po e mbështes atë. Zgjedhja e saj si presidente do të jetë një moment historik për Shtetet e Bashkuara.

Ju keni qenë për shumë vjet një mbështetës këmbëngulës i interesave shqiptare në Kongresin Amerikan. A mund të më thoni sipas pikëpamjes suaj ku qëndron Hillary Clinton në lidhje me çështjet që shqetësojnë sot shqiptarët: pavarësia e Kosovës dhe integrimi i Shqipërisë në NATO dhe në BE?

Me Hillary Clinton-in si presidente, shqiptarët do të kenë në Shtëpinë e Bardhë mikeshën më të madhe të tyre.

Hillary Clinton njeh personalisht shumë individë, veprimtarë në komunitetin shqiptaro-amerikan. Ajo i njeh më së miri që të gjitha çështjet e politikës së jashtme që kanë të bëjnë me shqiptarët. Unë jam dëshmitar për këtë sepse kam diskutuar personalisht me të shpesh lidhur me to. Po Hillary Clinton ka biseduar për tema që u interesojnë shqiptarëve edhe me një numër veprimtarësh të këtij komuniteti.

Të mos harrojmë se ishte presidenti Bill Clinton ishte ai që i shpëtoi shqiptarët nga masakrat e regjimit diktatorial serb të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1999, duke udhëhequr fushatën bombarduese të NATO-s. Hillary Clinton ishte përkrah tij kur merrte ato vendime të rëndësishme dhe është shumë e ndërgjegjshme për arsyet dhe rëndësinë e atyre bombardimeve.

Ajo më ka thënë personalisht se ka ndërmend të vazhdojë veprën e bashkëshortit për Kosovën kur të bëhet presidente e Amerikës. Ajo është mbështetëse e vendosur e pavarësisë së Kosovës, e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni e në Malin e Zi. Ajo është nxitëse e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një gjë të cilën e di mirë është që ajo mbështet zgjerimin e NATO-s dhe anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në të. Kohët e fundit janë bërë përpjekje për të futur në NATO Shqipërinë, Maqedoninë dhe Kroacinë dhe unë e di që Hillary Clinton e përkrah këtë përpjekje.

Prandaj unë nuk mund të imagjinoj një mik më të mirë për komunitetin shqiptaro-amerikan në Shtëpinë e Bardhë se sa Hillary Clinton-in. Kuptohet, unë e mbështes kandidaturën e saj jo vetëm për këtë po edhe se ajo do të jetë presidentja më e mirë për të gjithë amerikanët, por në veçanti edhe për shqiptaro-amerikanët.

Përpara se të rikthehem edhe një herë tek politika në Ballkan, kam një pyetje që lidhet me Partinë Demokratike Amerikane. Një numër analistësh kanë shprehur shqetësim se beteja e fortë rivalizuese ndërmjet senators Hillary Clinton dhe kolegut të saj nga Illinois, Barack Obama është duke e përçarë partinë aq shumë sa që pasojat do t'i vuajë kushdo që del fitues kur të vijë beteja finale me republikanët në nëntor të këtij viti. Kuptohet ka edhe të tjerë që thonë se ky debat e bën partinë më të shëndetshme. Cili është opinioni juaj lidhur me këtë duel politik?

Unë mendoj se gara është e shëndetshme për partinë dhe nuk ka për ta dëmtuar atë. Republikanët nuk kanë si përfitojnë se ata vetë janë duke u përplasur. Mjafton të shikosh betejën mes John McCain-it dhe Mitt Romney-t që po thonë gjëra aspak të këndshme për njëri-tjetrin dhe e njëjta gjë po ndodh ndërmjet Hillary Clinton-t dhe Barack Obama-s.

Ajo që ndodh zakonisht është se që të gjithë në fund radhiten pas kujtdo që del fitues në partinë e fundit dhe e mbështesin në betejën përfundimtare zgjedhore në nëntor. Demokratët duan që ta marrin përsëri Shtëpinë e Bardhë, kështu që cilido që të caktohet prej tyre, ne do të mblidhemi për ta mbështetur. Kjo nuk është ndonjë gjë që më shqetëson.

Kjo ndodh sa herë që bëhen zgjedhje presidenciale nëse partia nuk ka ndonjë president që lufton për t'u rizgjedhur. Katër vite më parë kishte një betejë gjithë shpirt mes demokratëve që donin të rrëzonin George Ë. Bush-in, në vitin 2000 kur fitoi Al Gore, Bill Bradley luftonte kundër tij në mos gaboj. Në vitin 1992, kur fitoi Bill Clinton pesë në mos gjashtë kandidatë konkurruan e u përplasën me njëri-tjetrin. Pra është një gjë që ndodh gjithmonë përveçse në partinë ku kandidon një president në fuqi. Për shembull në vitin 1996 Bill Clinton u zgjodh lehtësisht nga Partia Demokratike apo Bushi në vitin 2004 në Partinë Republikane.

Pra nuk ka asgjë të re në këtë drejtim, në fushatën zgjedhore të këtij viti.

Kongresisti Engel, le të rikthehemi edhe një herë në Ballkan. Optimizmi i madh mes shqiptarëve për pavarësinë e Kosovës është i përzier me një lloj ankthi se mos për ndonjë arsye kërkohet edhe një herë shtyrja e procesit. Për koinçidencë shtyrje po kërkohet nga disa edhe për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Po përmend vetëm një shkrim në shtypin amerikan nga Fondacioni Marshall, i cili kërkonte që SHBA të mbështeste këtë radhë vetëm Kroacinë. Ç'mund të thoni për këto dy procese si një nga udhëheqësit e komitetit pro-shqiptar të anëtarëve të Kongresit Amerikën?

Mendoj se kufizimi vetëm te Kroacia do të ishte një veprim i gabuar dhe kam pasur një bisedë të gjatë lidhur me këtë punë me Sekretaren e Shtetit, Condoleezza Rice, në javën e kaluar duke përfituar nga rasti që udhëtuam të dy për në Amerikën e Jugut. Patëm mundësi të flasim gjerësisht për Kosovën, për Shqipërinë dhe për Ballkanin. Një nga gjërat që i thashë ishte se që të tre këto vende duhet të anëtarësohen dhe ajo ra dakord me mua.

Kështu që kundërshtimet për futjen e Shqipërisë në NATO sot, mund të jenë mendime personale të njerëzve, që sigurisht janë të gabuara, por kjo nuk është politikë e SHBA-së. Shiko sikur ne të kishim pritur e të kishim shtyrë anëtarësimin e vendeve baltike (Letonia, Lituania dhe Estonia) në NATO, sot nuk do të ishte më e mundshme, sepse rusët do të na kishin penguar. Por ne e bëmë në kohën e duhur dhe sot ai është një realitet. Unë mendoj se është koha e duhur sot edhe për Shqipërinë dhe në mënyrë absolute kundërshtoj çfarëdo shtyerje të mundshme dhe administrata e Bushit është gjithshtu kundër shtyrjes ashtu siç është kundër shtyrjes edhe çdo njeri në Ëashington që e njeh situatën dhe që gjykon me llogjikë për çështjet ndërkombëtare.

Edhe çështja e Kosovës nuk mund të shtyhet më dhe nuk do të shtyhet më. Tani bëhet fjalë vetëm për modalitetet dhe pavarësia ka hyrë në rrugën që nuk ka kthim pas. Kundërshtarët e pavarësisë vetëm mund të vështirësojnë periudhën pas saj, por nuk mund ta ndalin dot më atë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora