E shtune, 20.04.2024, 12:52 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Shpirti i fjalës që zbret nga qielli

E shtune, 04.06.2011, 08:00 PM


SHPIRTI I FJALËS QË ZBRET NGA QIELLI

 

(Adelina Dokja, Një engjëll duke zbritur nga qielli, Bukuresht 2011)

 

Nga Baki Ymeri

 

Tejmatanë çdo teknike dhe rregulle, të mos harrojmë faktin se poezia është fjalori i frymëzuar i shpirtit. Frymëzimet e Adelinës reflektojnë një botë mendimesh të çiltra e të sinqerta. Mesazhi i saj transmeton ide mbi një sistem të shembur dhe optimizmin e jetës kontemporane me vlerat më të çmuara për të cilat ka nevojë njerëzimi. Adelina Dokja është një nga poeteshat e talentuara të diasporës, e cila  shkruan për bukuritë e harruara të jetës, duke i dhënë prioritet engjëllit, shpirtit dhe fjalës së një bote “të thellë, të qetë e të butë”. Me çdo fjalë dhe me çdo varg të saj, ajo tenton të krijojë ura të shëndetshme për rikrijimin e botës, ngase bota ka nevojë për forma të reja të komunikimit, ngase poeti është ambasadori i botës ndërmjet fjalës dhe Zotit.

 

Adelina është një këngë e degdisur nëpër yje dhe ëndrra. Ajo e kërkon çelësin e lumturisë në Parajsë. A do ta gjejë vallë ndonjëherë, apo çelësi do ta gjejë atë? Ku ta dish! Para saj kalon hëna e zbehtë, duke u rrokullisur në detin e dashurisë dhe të shpresës. Ajo parakalon para yjeve të dritës, duke shpresuar se do ta pranojë ngrohtësinë e diellit që ia ngroh zemrën dhe fisnikëron shpirtin. Një engjëll i zbritur nga qielli, me sekretin e dashurisë dhe dritën e së vërtetës që quhet jetë, „për të kuptuar/se në thellësi të shpirtit/ do gjejë qetësi”. Forca e ndërgjegjes gjithmonë flet te ajo, ngase ndërgjegja është e vetmja që ka një fjalë për ta thënë, në të gjitha situatat delikate të jetës së ditëpërditshme.

 

Lirika e Adelinës është një këngë e bukur si hija e një mendimi. Herë/herë, vargu i saj ta përkujton varfërinë e fëmijërisë dhe rinisë së tretur në atdhe. Inspirimet e saja  janë të gërshetuara me thellësinë e mendimit të mbrujtur me talent, frymëzim dhe freski. Vargjet e saj rezatojnë ngrohtësi dhe dashuri, madje edhe atëherë kur e kap për veshi “zemërimin e ëmbël”, “njerkëzezën” apo dikend “që hyri në legjendë si fantazmë”. Nganjëherë, poetja shkëlqen në një fushë të diferencës dhe të aftësisë për të krijuar vargje klasike pa rimë, duke e përshkruar realitetin e brishtë të një kohe të trishtë. Por,  edhe përsëritjet e saj në tekst, kanë kuptim për përforcimin e mendimit dhe mosharrimin e një stine të errët të së shkuarës sonë.

 

Njerëzit e ndershëm kanë lindur veç për të vuajtur

 

Adelina është një shpirt i brishtë dhe i ndjeshëm që e njeh filozofinë e jetës dhe vuan e shkruan me forcën  shpirtit, sepse ajo e sheh dhe e ndjen „se kjo jetë është e rreme, se njerëzit e ndershëm kanë lindur veç për të vuajtur”. Me kushtrimin „Të pres si dikurë, aty ku të shkelë këmba jote,/ aty do çelë trëndafili ynë,/ dhe asnjë gjemb s'do të mbesë në shpirt/ pranverë le të bëhet jeta përgjithmonë!”, Adelina ta përkujton lirikën e një poeti tjetër të diasporës shqiptare, Lazim Rexhepin (1920-1983), të cilin as që e ka lexuar dhe as që e ka njohur, por i cili ndjenjte dhe shkruante i mbërthyer në vuajtje të ashpra duke thënë: „Sikur të ishte jeta pranverë/ do të isha në Atdhe./ U shkriva i gjallë/ hallin kush s’ma din/ ku ta gjej nji vlla/ sot hallin me ja qa/ veç me u than’ ta dinë/ ta çmojnë shum’ Shqipninë/ dhe ta duan si Perëndinë. (Sikur të ishte jeta pranverë).

 

Adelina Dokja është një poete e preferuar, një zemër në fluturim (siç e karakterizon Monika Mureshani), një monolog që na e pasuron shpirtin, një poemë e fisnikëruar nga esenca e dashurisë, sekreti i dashurisë sonë. Autorja e përjeton atë që e shkruan, dhe kushdo që e njeh dhe e lexon konstaton se ajo nuk i huazon iluzionet e huaja, por e thot atë që e ndjen në thellësinë shpirtit, duke krijuar nga vuajtjet e saj një vepër artistike. Shpirti i saj është sa qielli i madh dhe zemra e saj është sa deti e gjerë. Nuk jam specialist në filozofi, por filozofia e saj meriton të analizohet e jo të interpretohet, duke u plasuar në lëkurën e lexuesve për t’ia kuptuar vizionin. Kuintezenca e filozofisë së saj me sintagma që ta përkujtojnë varfërinë e shkaktuar nga korbat e historisë, duhet trajtuar nga perspektiva e relativitetit të kohës, me një ton më shumë neutral se sa tragjik.

 

Topografia e fëmijërisë së saj t’i përkujton traumat e jetës së motrave tona, por kjo nuk don të thotë se autorja e anashkalon subjektin më delikat, dashurinë, ngase bashkëshkrirja në dashuri është një e drejtë që na e ka dhuruar Zoti. Zoti din të vegojë mbi ne, të na mbrojë, të na ndihmojë të realizojmë një ardhmëri më të mirë, për ta shijuar mirëqenien e ëndërruar. Po qe se e kundrojmë në dritën e saj të vërtetë, konstatojmë se dashuria është e vetmja oazë e qetësisë që e drejton botën nga drita. Përndryshe, kushdo që e mohon bukurinë duke e shembur botën ndjeshmërisë personale, bëhet armik i përjetimeve të veta.

 

         Moderne në formë dhe substancë (sidomos me vëllimin e dytë), pa konotacione syrealiste, mistike dhe anekdotike, poetja e kultivon lirikën e moralitetit me një dinamikë polivalente, pa iu nënshtruar frymëzimit të çastit dhe pa çaluar në kuptimin semantik. Ajo del në pah me planin vizionar të strukturave gjenerative, duke i dhënë prioritet thellësisë së mendimit, madje edhe botës stelare, hënës, diellit dhe yjeve, duke zbritur në botën reale të dheut, të autoportretit në rërë, të ëndrrës e zhgjëndrës, të lodhjes, mundimit dhe flijimit të ditës për dritë. Poetja shëmbëllen me një dhuratë hyjnore që aspiron drejt lartësimit, duke vallëzuar me qiellin e mbrojtur nga engjëjt, dhe jo vetëm me to. Ajo përfaqëson një vertikalitet moral që vuan, duron dhe pret, një pritje e mbrujtur me konfiguracionin specifik të mesazhit që përmban një ekuilibër specifik ndërmjet tre definicioneve kakonike të artit: mimesis, catharsis, poiesis.

 

Peng i përjetshëm mbetet vetëm shpirti im

 

Duke e shfletuar vëllimin e tretë të saj, mbetesh me një boshllëk të madh në shpirt, me përkujtimin e mundimeve të nënave e motrave tona në një të shkuar të largët, por kjo nuk don të thotë se janë fragmente që ta gulçojnë shijen, por përkundrazi: të bëjnë krenar pse ke patur fat ta anshkalosh një të shkuar të tillë, duke kaluar nga terri në dritë. Pasojnë pyetje të tmerrshme që tringëllijnë në kokë: Ç’është humantiti? Nga po ia mban njerëzimi? Ç’është dashuria, kjo ndjenjë e hatashme që e ngashnjen çdokend? Ç’është burri, ç’është gruaja, ç’është e mira dhe ç’është e keqja, cili është kuptim i jetës? Autorja i rradhit mendimet lirike  si një përrallë misterioze duke u nisur nga fija e një mendimi, duke na rrëfyer vetëm pak, aq sa i mundëson fjala, por poezisë saj edhe kur i mungon metafora, bëhet e bukur mu nga kjo mungesë, ngase në vend të „përrallës” poetike e dëgjon një zë, një puhi, një parfum, një hapje ndaj botës dhe realitetit.

 

Kështu e ndjen nevojën të vësh diçka edhe prej teje, të përkujtosh të shkuarën tënde, për të kompletuar hapsirat e bardha të jetës, dhe padashur e thurr përrallën personale si një domosdoshmëri për mirëkuptimin e jetës në totalitetin e saj. Autorja respektive nuk është ndonjë emër i shquar i lirikës kontemporane shqiptare, por ajo është poetesha më e talentuar e shpirtit shqiptar në Itali, natyrisht, pa e harruar Mardena Kelmendin, Shqipe Kadishanin, Leonora Buçinsën, Ismail Iljasin, Vitore Lekën, Engjëll Koliqin e tjerë. I këtillë është fati i poetëve të diasporës të cilët nuk i mundon kompleksi i teknikave të modës, të tendencave dhe trendit në poezinë moderne, duke ia servuar lexuesit mendimin e sinqertë të ndjeshmërisë së brishtë dhe delikate. Pse? Ngase „përralla” e saj e mbrujtur me rrezatime fjalësh dhe mendimesh, edhepse nganjëherë i shpalon në mënyrë subtile hipostazat e një dashurie të degdisur, ajo vjen nga një perspektivë plot respekt ndaj vlerave humane. Jeta e fjalëve të Adelinës është një jetë personazhesh që rendin drejt një ideali.

 

Adelina Dokja nuk bie nën ndikimin e hazardit, të snobizmit apo atë të simbolistëve, por prej saj mësojmë se jeta është misteri më i madh i krijimit mbi dhe. Do apo s’do, duhet të punosh, ngase përndryshe të merr vërshima dhe mbetesh si një cung i braktisur në breg: „Dhe kur jeta në provë të ve,/ para se ta zgjedhësh me përgjegjësi,/ ti për të shpëtuar fëmijët zgjedh/ alternativë nuk ke/ veç t’i shpetosh që ndryshe të jetojnë/ me duart e tua, ditën e vdekjes firmos!” Jeta s’është e bukur por duhet ta bëjmë të bukur, ndërsa vdekja është një gjendje natyrore të cilën vetëm njeriu e bën të tmerrshme. Adelina nuk bie nga provimi i jetës dhe artit, as kur bën fjalë për jetën, dhe as për vdekjen. Përfundimisht, padyshim mund të themi se universi lirik i Adelinës e revendikon Shqipërinë e mbrojtur nga engjëjt në aksën tutelare të vertikalitetit si një dinamikë bivalente të trupit dhe të shpirtit (ngritje-rënie; lart-poshtë), gjë që ia imponon në planin semiotik, si dhe në planin vizionar të strukturës gjenerative, binomin telurik, qiellor, një peng i mallit dhe dëshirës për të shikuar „veç në një drejtim/ atje ku perëndimi i diellit bëhet i kuq”, atje ku peng i përjetshëm „mbetet shpirti im.”



(Vota: 17 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora