E premte, 19.04.2024, 01:51 PM (GMT+1)

Kulturë

Kadare: Serbia ka detyrim ta njohë Kosovën

E shtune, 04.06.2011, 07:59 PM


Shkrimtari i madh Ismail Kadare ka deklaruar se mosnjohja e Kosovës nga Serbia do të thotë mospranim i lirisë së një populli tjetër. Në nje interviste te dhene per radion Blue Sky, Kadare ka thene se Serbia ka detyrim ta njohe Kosovën. Në librin e tij “Mbi Krimin në Ballkan”, ai shkruan se heshtja botërore për krimet e kryera nga Serbia ndaj popujve tjerë në Ballkan, e ka bërë Serbinë të përfitojë nga kjo heshtje.

 

-Çfarë ju ka shtyrë ta publikoni librin « Mbi krimin në Ballkan » pikërisht në këtë kohë ?

 

Ismail Kadare: Ky libër është në kohën e vet. Ka shumë kohë që ky libër ka qenë në kohën e vet. Kjo është një dëshmi e domosdoshme, e ngutshme pikërisht sot. Ju jeni Radio e Prishtinës. Më mirë se kushdo ju duhet të jeni në dijeni të fushatës që po zhvillon Serbia kundër të vërtetës në Kosovë. Fushata serbe është në kulmin e saj. Kjo fushatë është kundër së ardhmes së Kosovës. Ajo është kundër gjithë kombit shqiptar. Rrjedhimisht ky është problemi ynë numër një. Këtë nuk e kuptojnë vetëm militantët e skajshëm të partive. Për ta problemi numër një, i pari dhe i fundit, është ai që lidhet me partinë së cilës i përkasin. Militantizmi i skajshëm partiak është sëmundje e re që po bën kërdinë tek ne. Në qoftë se kjo patologji nuk luftohet, ajo do të sjellë tre të këqija të mëdha: rrezikimin seriozisht të demokracisë, thyerjen më dysh të kombit, ftohjen me aleatët perëndimorë.

 

- Kohët e fundit flitet gjithmonë e më shpesh për këtë militantizëm që dëmton interesat e Shqipërisë. A mund të na thoni diçka më tepër ?

 

Ismail Kadare: Natyrisht. Mendoj se rrënjët e së keqes lidhen me një problem të vjetër, atë të përçarjes. S’jemi vetëm ne që vuajmë prej saj, por , siç i thonë fjalës, secili shikon ku pikon pullazi i vet. Mendoj se sëmundja e përçarjes u rishfaq me forcë atë fillim gushti të vitit 1943, kur në shtabin komunist shqiptar erdhi lajmi se një marrëveshje madhore ishte arritur. Ishte fjala për një pajtim ndërshqiptar, për luftë të përbashkët kundër fashizmit të dy forcave kryesore politike. Siç tregojnë dëshmitarët e shumtë, ky lajm i madh, që do të duhej të ndryshonte historinë shqiptare, u prit sikur të ishte lajmi më i zi në botë. I dërguari jugosllav, Miladin Popoviçi, pas britmave dhe sharjeve në serbisht dhe shqip, për një turp historik, pasojat e të cilit i vuajmë ende sot, e detyroi palën komuniste të prishte marrëveshjen e pajtimit dhe ta zëvendësonte me një tjetër pakt, një tjetër program, atë të urrejtjes midis shqiptarëve.

 

- Në librin tuaj për krimet në Ballkan e në Kosovë, disa herë keni shfaqur mendimin se Serbia ka përfituar nga heshtja që është mbajtur për to.

 

Ismail Kadare: Eshtë pikërisht kështu. Ka rreth njëzetë vite që po përsëritet ky mesazh. Një pjesë e letrave që publikohen në këtë libër janë shkruar përpara njëzetë vitesh. Kam kritikuar heshtjen botërore, në kohën që Kosovën nuk e zinte në gojë askush, dhe më pas heshtjen shqiptare për krimet. Që të mos ketë keqkuptime, duhet të them se natyrisht që është folur dhe shkruar për krimet. Në këtë libër janë përmendur shembuj të tillë. Por ato janë ende të pakta , në krahasim me tmerret që kanë ndodhur. Në qoftë se bota do të merrte vesh të vërtetën e plotë, Serbia nuk do të guxonte të fryhej sot si gjel , por do të rrinte kokëulur. Dhe kjo, përveçse do të hidhte dritë mbi të vërtetën e Kosovës, do të ishte në të mirën e gjithë rajonit, duke përfshirë këtu edhe të mirën e vetë Serbisë.

 

- Vuk Drashkoviq, njeri ndër personat më nacionalistë serbë, do të thoshim antishqiptar, në letrën dërguar juve më 1987, ju ka akuzuar për trillime në imagjinatën tuaj për historinë e shqiptarëve, veçmas të Kosovës. Ai madje shkruante se krimet dhe masakrat nuk po i bëjnë serbët, por shqiptarët! Komenti juaj ?

 

Ismail Kadare: Kjo letër e publikuar një çerek shekulli më parë është tepër kuptimplote për të kuptuar dramën e Kosovës. Ajo dëshmon se si është projektuar krimi, si do të kryhet ai krim, së fundi si do të përmbyset e vërteta, duke e hedhur fajin mbi shqiptarët. S’më ka habitur asnjë herë letra e Drashkoviçit. Ajo është në logjikën e projektit serb. Siç është shpjeguar në libër, ajo që më ka habitur kanë qenë sulmet nga krahu shqiptar. E sidomos nga disa shqiptarë të Kosovës. Do përpiqem ta shpjegoj thjesht : Tragjedia e Kosovës, si çdo tragjedi, pati prologun, zhvillimin dhe epilogun e saj. Bota, në radhë të parë Perëndimi, e ndëshkoi Serbinë. Serbia nuk e pranoi dënimin, pra, siç ndodh me gjyqet, kërkon sot apelim. Thelbi i çështjes nuk janë imtësira, por çështja themelore e moralit njerëzor: krimi. Në këtë shqyrtim të madh, si në çdo gjyq, moral ose të mirëfilltë, sulmi kundër dëshmitarëve ka rëndësi themelore. Siç është shpjeguar në këtë libër, duke u sulmuar autori, në të vërtetë është sulmuar dëshmitari. Dhe dihet se në një proces të tillë, të sulmosh dëshmitarin, dashur pa dashur bëhesh pjesë e krimit.

 

- Z. Kadare, sot Kosova dhe Serbia, janë duke biseduar për çështje teknike. Meqë e njohim mirë strategjinë serbe, a mund të pritet marrëveshje reale që, më në fund, të arrihet qetësia në këto troje ?

 

Ismail Kadare: Do të doja shumë të ndodhte një mirëkuptim nga ana serbe, por tani për tani shpresa është e paktë. Pak kohë përpara se ta kryenim këtë intervistë, shumë media europiane jepnin përsëri pjesë nga fushata e pandërprerë serbe, për rishikimin e dramës së Kosovës. Duke dëgjuar fjalimet delirante të ministrit të palodhur Jeremiç, zbehet çdo shpresë për mirëkuptim. Drama e Kosovës ka qenë një çështje e madhe për moralin europian dhe atë botëror. Ish kryeministri i Anglisë, Toni Bler, në kujtimet që sapo ka botuar, shkruan se nga Kosova ka njohur më mirë shumë gjëra, duke përfshirë dhe vetveten. Eshtë e habitshme se vetëm Serbia, ajo që do të duhej të nxirrte mësimin kryesor, e refuzon një gjë të tillë. Do të doja që Europa, gjithë bota, të thellohej më shumë se ç’do të thotë mosnjohje e Kosovës nga Serbia. Kjo mosnjohje nuk është një aksident diplomatik. Eshtë shumë më keq. S’do ta teproja po ta quaja një sfidë primitive kundër çdo morali. Serbia jo vetëm ka detyrim ta njohë Kosovën, por duhej të ishte ndër shtetet e para që ta kryente këtë akt. Serbia ka bërë krime në Kosovë. Njohja e Kosovës do të ishte akti i parë i heqjes dorë nga doktrina që i polli këto krime. Mosnjohja e Kosovës do të thotë një shpallje publike se Serbia nuk heq dorë nga një e kaluar që s’e nderon. Në rastin e Kosovës është edhe më keq. Mosnjohja e Kosovës është mospranimi i lirisë së një populli tjetër, e kjo do të thotë mospranimi i ekzistencës së tij. Me këtë shpallje, me këtë përkëdhelje të krimit të vet, Serbia synon të hyjë në Europë. Ajo është inkurajuar nga disa rrethana, e ndër to është heshtja për këto krime. Heshtja për të vërtetën është gjithmonë e keqe. Por ajo është dyfish e tillë kur ndodh në një tragjedi. Në tragjedi, heshtja e korit merr një kuptim të veçantë. Do të shtoja se me këtë mosnjohje është e vërtetë se Serbia e pengon Kosovën, por s’duhet harruar se më shumë se Kosovën ajo pengon vetveten. Mosnjohja e rrëzon maskën e një Serbie të re, atë Serbi që do ta dëshironim të gjithë. Mosnjohja dëshmon , përkundrazi, një Serbi të vjetër, të dënuar. Me dorëzimin e Mladiçit, një veprim që, ndonëse i vonuar, u përshëndet me të drejtë nga të gjithë, Serbia kujton se e ka shlyer borxhin që ka ndaj fqinjëve të tjerë, veçanërisht Kosovës. Vazhdimi i mosnjohjes së Kosovës, e zhvlerëson këtë akt, thekson anën tregtare të tij, madje më keq, thekson shpërfilljen raciste ndaj njerit prej tre popujve kryesorë në Ballkan, shqiptarëve. Ky mendim i fundit, mund të duket një teprim nga ana ime, por, po të kujtojmë refuzimin e Serbisë për të marrë pjesë në takimin e fundit në Varshavë, vetëm se në këtë takim merrte pjesë presidentja e porsazgjedhur e Kosovës, kjo mjafton për të kuptuar se e keqja nuk shkulet aq lehtë në gadishull.

 

- Duke u bazuar në librin tuaj , ndër personalitetet që ju i jeni drejtuar për të ndihmuar popullin e Kosovës , të cilit, siç keni parandier, po i përgatitej një masakër, i jeni drejtuar edhe Papa Gjon Palit të Dytë, më 15 shtator 1991. Cilat ishin të dhënat që ju parandiet sulme të tmerrshme dhe masakra ndaj shqiptarëve ?

 

Ismail Kadare: Besoj se nuk kam bërë ndonjë gjë të re. Në vitin 1919, kur po zhvillohej konferenca e Paqes në Paris, e ku rrezikohej përsëri Shqipëria, përfaqësia e delegacionit shqiptar që udhëtoi në Romë, për t’i kërkuar ndihmë Papës, qysh në fjalët e para i bëri me dije se po vinte në emër të delegacionit shqiptar, shumica e të cilëve ishin të besimit mysliman. Shembuj të tjerë kanë ridëshmuar këtë tipar të madh të emancipimit shqiptar.

 

- Populli shqiptar ka tri fe dhe disa komunitete fetare. A është kjo pasuri kombëtare apo pengesë, apo shkak, për të cilin jemi ndëshkuar nga disa qendra ndërkombëtare të vendosjes ?

 

Ismail Kadare: Përpara se të përcaktohet si favor apo si pengesë, mendoj se kjo është një gjendje. Një gjendje e cila nuk ka nevojë të vihet në diskutim, as të nxitë pyetje apo pikëpyetje. Ashtu siç nuk shtrohen të tilla për prindët që na kanë lindur, për kontinentin ku është vendosur atdheu ose për fatin historik. Duke qenë pjesë e kushtëzimit tonë, është njëkohësisht pjesë e vullnetit tonë për të qenë bashkë, çka përbën një nga tiparet themelore të kombit. Do të shtoja se harmonia fetare është tipar i europianizmit tonë natyral. Ajo është vlerë e së sotmes, e aq më fort e së ardhmes. Ndaj ruajtja e harmonisë fetare është një mision i madh. Kohët e fundit në shtypin shqiptar është shfaqur një shqetësim i drejtë lidhur me provokimet me ngjyrim fetar, që mund të bëjë Serbia pikërisht në zonën veriore, që ajo pretendon t’ia marrë Kosovës. Shpresoj që autoritetet e Kosovës, nuk do të gjenden në befasi.

 

- Z.Kadare do të veçoja shkrimin në librin tuaj « Kapardisja shqiptare », ku ftoni liderët aktualë shqiptarë, thjesht të vetëdijësohen. Sa është kjo e vështirë të bëhet ? Së fundi, diçka për faktorin shqiptar në Ballkan.

 

Ismail Kadare: E kam shkruar dhe botuar këtë shkrim 12 vite më parë. Do të doja që të mos e përfshija në këtë libër dhe kjo do të ishte një gjë e gëzueshme për mua si autor. Do të ishte e gëzueshme sepse kjo do të thoshte që ky problem ishte i kapërcyer. Për fat të keq, nuk është aspak ashtu. Më lejoni t’i kthehem ditës fatale të gushtit 1943, kur, siç e thashë më lart, Shqipëria, e mirëfilltë, e natyrshme, u spraps përpara Shqipërisë partiake. Energjia shqiptare ndryshoi drejtimin, pasioni kryesor i saj u bë lufta e klasave, përçarja. Mendoj se ka ardhur koha të ndreqet ky gabim historik. Sigurisht që demokracia s’mund të mendohet pa partitë kundërshtare. Ato bëjnë pjesë në thelbin e saj. Por ato duhet të zbuten, të qetësohen. Një mendim primitiv ballkanik ngul këmbë se partitë sa më të ashpra të jenë, aq më të forta bëhen. Eshtë krejt e kundërta. Është e dëmshme për to, por është sidomos e dëmshme për vendin. Sa më i lartë të jetë tensioni në një vend, aq më tepër kombi dobësohet. Shikoni SHBA -të, shtetin më të fuqishëm demokratik të botës. Një nga sekretet e mëdha të forcës së tij, është pikërisht tensioni relativisht i ulët midis dy partive kryesore.

 

- Një pyetje e fundit. Në dy sprovat tuaja”Mosmarrëveshja” dhe “Mbi krimin në Ballkan” i jeni kthyer disa herë çështjes së faktorit shqiptar në gadishull. A mund të thoni diçka më tepër për dëgjuesit tanë ?

 

Ismail Kadare: Çështja e faktorit shqiptar mund të përmblidhet në një frazë : shqiptarët kanë qenë në qendër të historisë së Ballkanit dhe sot janë kthyer përsëri në qendër. Ky fakt, fakti që ky kthim u bë në formën befasuese të dy shteteve, nuk ndryshon asgjë në thelbin e çështjes. Kryesorja është që populli shqiptar, në këtë fazë të re të historisë së tij, ka rastin të tregojë , përpara vetes në radhë të parë, por përpara aleatëve tanë gjithashtu, se ky rikthim i tij është i mbarë, i shëndetshëm, drejtpeshues për të dhe për të tjerët. Me fjalë të tjera, s’kemi të bëjmë këtu me një kërkim revanshi apo mburrjeje, e aq më pak me një synim për të dëmtuar dikënd. Kam bindjen se kjo prani e fuqishme shqiptare do të thotë, në radhë të parë, përgjegjësi e dyfishtë për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Dhe seriozitet i dyfishtë gjithashtu.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora