E marte, 20.10.2020, 10:09 AM (GMT+1)

Editorial

Ardian Ramadani: Ç'farë duhet të presë qytetari shqiptar pas këtyre zgjedhjeve?

E premte, 03.06.2011, 08:04 PM


Ç'farë duhet të presë qytetari shqiptar pas këtyre zgjedhjeve?

 

Nga Ardian Ramadani

 

Të gjithë qytetarët e Maqedonisë, besoj se janë duke pritur me (pa)durim se si do të duken rezultatet pas zgjedhjeve dhe si do të jetë konfiguracioni i ardhshëm qeveritar i këtij shteti me shumë probleme të pazgjidhura. Kur them shumë probleme të pazgjidhura e theksoj këtu listën e problemeve të pazgjidhura, e që kërkojnë zgjidhje imediate, ato probleme që kanë të bëjnë me shqiptarët. Kjo nuk donë të thotë që nuk ka probleme edhe të natyrave tjera, po ajo që duhet të thuhet troç është se problemi i këtij shteti është sjellja e tij në të njëjtën kohë edhe si nënë edhe si njerkë. Si kjo e fundit sillet ndaj shqiptarëve. Mjafton të kujtojmë kronologjinë e ngjarjeve duke filluar  që nga mëvetësimi i këtij shteti e gjer më sot dhe gjithçka është e qartë.

Qytetari shqiptar fillimisht gjatë këtyre zgjedhjeve, pret që zgjedhjet të mbahen në atmosferë të qetë dhe pse jo festive. Është trend në shtetet demokratike dhe në shoqëritë e zhvilluara dhe të ngritura, që dita e zgjedhjeve të jetë ditë feste ngase qytetarët votojnë për njerëzit që do t`i përfaqësojnë ata denjësisht nëpër institucione, si dhe në fund do u kërkojnë llogari për (mos)realizimin e premtimeve. Qytetarëve shqiptarë më shumë se kurrë u duhet atmosferë e qetë dhe relaksuese, pa tensione dhe pa dhunë, ngase mjaft më ishte gjatë këtyre viteve të pluralizmit që shërbimet e shtetit investonin që në zonat shqiptare të shfaqej dhuna, ndërsa zonat maqedonase të dukeshin të qeta, dhe të krijohej imazhi dhe përshtypja para ndërkombëtarëve se ja si janë shqiptarët, të pa civilizuar. Ndërsa gjatë zgjedhjeve të mëparshme, kishte dhunë, shantazhe, presione, të lënduar, rrahje, e fatkeqësisht edhe vrasje, tani me sa duket këto zgjedhje besoj se të kalojnë shumë më qetë, në raport me ta kaluarat, ngase e shoh edhe sjelljen e popullatës dhe klimën e qetë që mbretëron ndër shqiptarët. Në anën tjetër duhet që patjetër të ketë takim të liderëve të partive shqiptare në një debat televiziv, ku do të kërkohet nga anëtarët dhe simpatizuesit e partive të sillen ditën e votimit në mënyrë të qetë. Mjaft kemi qenë nëpër imazhe televizive, si sinonim për të keq. Zonat shqiptare nuk duhet të jenë arenë gladiatorësh e përplasjesh, ku qetësia do të sigurohej me tytën e pushkës së njësive policore speciale, sepse kjo me të vërtetë është mjaft e dhimbshme për ne, si populli më i vjetër në këtë rajon, si dhe si populli që brenda gjirit të vet ka nobelistë, njerëz të ngritur të shkencës dhe artit, dhe që ka vlera demokratike perëndimore.

Ditëve të fundit pata rastin të përcjell një turnir që u organizua në Kumanovë, respektivisht në Sllupçan, nga ana e dy forcave politike, PDSH-së dhe BDI-së. Ishte ky një turnir në futboll të vogël, si dëshmi para masës se edhe zgjedhjet duhet të jenë si futbolli, të fitojë ai që e meriton, ai më i miri, e arbitri të jetë i paanshëm. Populli është në këtë rast arbitri më i saktë dhe më objektiv. Unë i përgëzoj organizatorët se me të vërtetë kanë dhënë një pasqyrë shumë të mirë para popullatës, e cila është mjaft e ngopur me gjëra të këqija, e kjo ishte një gjë që secili e vlerësoi pozitivisht.

Mandej, shëtitjet e aktivistëve të ndryshëm, me ngjyra të ndryshme partiake, nëpër shtabet e partive oponente, shoqërimi mes veti, bisedat e ndryshme, me të vërtetë janë për çdo simpati dhe përkrahje, ngase qytetari shqiptar duhet të shoh tek qytetari tjetër shqiptar i përkatësisë tjetër partiake, njeriun fillimisht, e mandej edhe vëllanë e tij, po edhe të mësojë të respektojë diversitetin.

Besoj se gjatë zgjedhjeve, ashtu si edhe gjatë fushatës parazgjedhore, po edhe pas zgjedhjeve, do të dëshmojmë vlerat tona dhe do të tregojmë se jemi popull i ngritur dhe me vlera të larta. Duhet të dëshmojmë se jemi popull i ngritur ngase më i forti i njerëzve është ai që është i zoti të përmbajë vetveten.

Votuese shqiptar ka nevojë për këshilla nga ana e politikanëve dhe liderëve të partive politike, që ditën e votimit të sillemi ashtu sikurse edhe jemi, dhe të gabojmë sa më pak, ngase ” S’ka njeri të pafajshëm në botë, i mençuri  nuk i thotë djalit mos gabo, por e këshillon të gabojë sa më pak”.

Votuesi shqiptar ka nevojë për sugjerime dhe këshilla dashamirëse. Të jemi koshient dhe të na përcjell nga prapa fjala e urtë se “Çdo ditë e jetës sonë është një faqe e biografisë sonë, të kujdesemi ta shkruajmë mirë atë , sepse një faqe e keqe ndyn gjithë librin”.

Të mos lejojmë të na përsëriten gjërat e këqija, dhe të na shndërrojnë fatin tonë në gogol, ndërsa ne, shqiptarëve të na nxijnë të tashmen dhe të ardhmen.

Ndërsa pas këtyre zgjedhjeve, që besoj se do të kalojnë ashtu si duhet, qytetarëve shqiptarë, i duhet parti politike në qeveri e cila do ta qeverisë si duhet, e cila nuk do të jetë e shurdhër dhe memece ndaj kërkesave, e cila nuk do t`i dërgojë në Evropë (lexo: në Bruksel) si azilkërkues, e cila do të punojë që edhe shqiptari këtë shtet ta ndiejë si të vetin, që edhe ai të ketë qasje në sistem, po kjo qasje duhet t`i lejohet nga ana e politikës zyrtare shtetërore, që qytetari shqiptar të shprehet në gjuhën e tij si i takon, e jo sipas këtij ligji antishqiptar, që qytetari shqiptar të ketë institucione arsimore qoftë të arsimit fillor, të mesëm ose sipëror, në nivelin e duhur shkencor, e jo të ngjyrosur politikisht dhe partiakisht, që qytetari shqiptar të ketë hise në buxhetin e shtetit proporcionalisht, që të ketë investime kapitale dhe ndërtime të bëhen edhe në zonat ku jetojnë shqiptarët, që të hapen vendkalime kufitare që do të lehtësojnë qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe të mallrave, e jo të ndërtohen linja kufizuese mazhino të cilat burgosin njerëzit, që frenojnë  ndjenjën e të qenit i lirë. Qytetari shqiptar nuk ka nevojë për skena trishtuese dhe aksione policore, gjoja në kërkim të kriminelëve, nuk ka nevojë të shoh aksione policore si në të kaluarën, nuk ka nevojë për ekzekutime klasike të bijve më të mirë, nuk ka nevojë për procese të montuara gjyqësore. E kjo arrihet kur atyre do t`iu prijnë politikanë të devotshëm ndaj idealit dhe politikanë të përgjegjshëm, që do të dinë të i mëshojnë grusht tavolinës, e jo të rijnë si lepurushë në qeveri.

Qytetarët shqiptarë kanë nevojë për politikanë që nuk do të jenë vasalë në qeveri dhe shërbëtorë, po që do t`i përfaqësojnë ata denjësisht. Shqiptarët dhe votuesi shqiptar nuk ka nevojë për qeveritarë poltron dhe të paaftë. Ata kanë nevojë për politikanë që do të jenë të drejtë, për politikanë me moral, që nuk kapen për tenderë. Ata kanë nevojë për politikanë për të cilët populli ka më shumë vlerë dhe prioritet, e jo sekretareshat e zyrave të tyre.

E gjithë kjo, ngase sipas filozofit të famshëm francez: “Është e rrezikshme të jesh i drejtë kur qeveria dhe qeveritarët janë të mbrapshtë” .



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora