E shtune, 20.04.2024, 02:58 AM (GMT+1)

Mendime

Kim Mehmeti: Xhamathyesit ne lagjet e Ballkanit

E premte, 01.02.2008, 06:00 PM


Xhamathyesit ne lagjet e Ballkanit

Nga Kim Mehmeti

Pushtetarët e Maqedonisë i ngjajnë një grupi adoleshentësh të papërgjegjshëm, të cilëve nëse nuk ua merr topin me kohë, i thyejnë të gjithë xhamat e dritareve të shtëpive në lagjen ku lozin. E të cilët rëndom luajnë futboll nëpër rrugica, ku nuk u frikësohen pronarëve të shtëpive përreth, siç bëjnë pushtetarët aktualë të Maqedonisë, të cilët thuajse dy vite luajnë me ndjenjat e shqiptarëve të këtushëm, duke harruar se ndjesitë e një kolektiviteti nuk janë xham dritareje, që mund ta zëvendësosh te xhamaxhiu i qytetit. Pra, luajnë me ndjesitë e shqiptarëve të këtushëm, mbase duke bërë parallogaritje politike të gabuara në afat të gjatë, por të sakta sa u përket rrethanave aktuale: se tani, kur vendoset ardhmëria e Kosovës, shqiptarët e këtushëm nuk kanë rrugë tjetër, përpos të durojnë këtë përbuzje që ua bën Gruevski me pushtetarët e tij. Kjo ia shton Gruevskit popullaritetin tek etniteti maqedonas, por njëkohësisht i demaskon pushtetarët shqiptarë të PDSH-së në qeverinë e tij, si të etshëm për pushtet e të papërgjegjshëm ndaj popullit që e përfaqësojnë. Gjë, pra, që gjithashtu e shpalos edhe pamundësinë e opozitës shqiptare, që në këto rrethana të mbrojë dinjitetshëm votën shumicë të shqiptarëve të këtushëm.

Qeveria e sotme e Maqedonisë udhëhiqet nga partia VMRO-DPMNE, e cila mbase kurrë nuk do çlirohet nga mendësia shpirtngushtë nacionaliste, se shqiptarët e këtushëm janë fatkeqësi e madhe e dërguar nga vetë Zoti. Andaj edhe është përqendruar në pyllëzimin e Maqedonisë me kryqe dhe kisha ortodokse, mbase që të ketë më shumë tempuj nga do i përcjellë Zotit lutje që ta shpëtojë Maqedoninë nga kjo fatkeqësi. Pra, bëhet fjalë për parti, e cila demokratizimin e Maqedonisë e filloi me parullat "Dhoma gazi për shqiptarët", "Vdekje për shqiptarët"..., e kryesuesit e së cilës kurrë nuk kërkuan falje publike nga shqiptarët për këto kërkesa shoviniste të simpatizantëve të tyre. Bëhet fjalë, pra, për parti, e cila mbase sot vetëm vazhdon konceptin e udhëheqësit të saj të parë dhe ish-kryeministrit Lubço Georgrievskit (që ndërkohë mori shtetësinë bullgare), i cili hapur thoshte se nuk është i mundur shtet i përbashkët mes maqedonasve etnikë dhe shqiptarëve.

Shikuar nga ky kënd, aspak nuk janë të habitshme hapat që sot i ndërmerr qeveria e Gruevskit. Nuk është e habitshme as sjellja e pushtetarëve shqiptarë në koalicionin aktual qeveritar, sepse bëhet fjalë për mendësi politike të udhëheqësve partiakë të PDSH-së, që mbështetet mbi parimin: "Ardhja në pushtet i arsyeton të gjitha mjetet". Pra, bëhet fjalë për politikanë, të cilët të mirën e popullit e kanë barazuar me mirëqenien e një grupi të ngushtë partiak, e që këtë parti e bënë shumë të përdorshme për Gruevskin, i cili ka vetëm një qëllim: sa më shumë të margjinalizojë ndikimin politik të shqiptarëve të këtushëm, dhe njëkohësisht t‘ia zhveshë Maqedonisë - e veçanërisht Shkupit - të gjitha simbolet e shqiptarisë. Andaj, me një partner të tillë shqiptar, Gruevski mund i papenguar të ndërmarrë aksione policore, si ai në Brodec, ku u vranë gjashtë shqiptarë e u burgosën dhe u keqtrajtuan dhjetëra të tjerë, mund ta pyllëzojë Maqedoninë me kryqe dhe kisha ortodokse, mund të sjellë vendim qeveritar që mbi themelet e shtëpisë së shenjtores shqiptare - Nënë Terezës - të ndërtohet kishë ortodokse.

Pra, ai mundet i papenguar të vazhdojë deshqiptarizimin e Shkupit, sepse ka përkrahjen e PDSH-së. Ai mundet i papenguar t‘i irritojë shqiptarët e këtushëm myslimanë, mbase duke dashur të krijojë situata, se gjoja ata janë kundërshtarë të krishtërimit, e të mos shihet se shqiptarët mbrojnë shtëpinë e nënës së tyre mbarëkombëtare katolike - Nënë Terezës. Pra, mbase Gruevski ka për qëllim t‘i detyrojë shqiptarët të marrin në duar bajrakun e ndarjes së Maqedonisë, t‘i konfrontojë me maqedonasit etnikë, sa t‘i bindë edhe optimistët e fundit të etnitetit të vet në atë që dikur e thoshte Georgrievskit: Se nuk është i mundur shtet i përbashkët me shqiptarët.

Në gjithë këtë lojë të rrezikshme me ndjenjat e shqiptarëve të Maqedonisë, ka shqiptarë që ende pyesin: Cili është roli i PDSH-së në qeverinë aktuale të Gruevskit. Këtë pyetje mund ta shtrojnë vetëm ata që harrojnë një gjë shumë elementare: duke mos pasur mbështetjen e shqiptarëve të Maqedonisë, PDSH-së edhe nuk i mbetet rrugë tjetër përpos të bëhet shërbëtore e dëgjueshme e Gruevskit. Duke u bërë aleat i Gruevskit në shkeljen e vullnetin politik të shumicës së këtushme shqiptare, PDSH-së edhe nuk i mbeti rrugë tjetër përpos të bëhet mbulesë për politikën antishqiptare të Gruevskit. Siç ishte mbulesë sa herë që qeveria e Gruevskit i provokonte shqiptarët e këtushëm, siç është mbulesë edhe tani kur u hap problemi i vizave për qytetarët e Shqipërisë. E kur PDSH-së i ra në hise ta ndihmojë Gruevskin që Tiranën zyrtare ta fajësojë për politikë "jokonstruktive" në rajon, duke e shpallur qeverinë e Berishës si të painteresuar për zgjidhjen e këtij problemi. E që u përmbyll me shtyrjen e vizitës së Gruevskit në Tiranë, veprim që e arsyetojnë ministrat shqiptarë të PDSH-së.

E vizitën e Tiranës e shtyu Kryeministri i po atij koalicioni qeveritar, që gjatë qeverisjes së parë (1998-2002) ratifikoi marrëveshjen me Beogradin për kufirin me Kosovën, që ndërtoi kryqin gjigant mbi Shkup, duke harxhuar edhe paratë e taksapaguesve myslimanë, ai që tani ka sjellë vendim edhe me paratë e shqiptarëve myslimanë e katolikë, të ndërtojë kishë ortodokse mbi themelet e shtëpisë së Nënë Terezës. Në Tiranë nuk do shkojë Kryeministri, i cili nuk shpjegon se si është e mundur që pushtetarët e një shteti laik të ndërtojnë objekte fetare, se pse xhamia e djegur gjatë konflikti të 2001 në Prilep, edhe pas aq vitesh nga përfundimi i këtij konflikti, mbetet e tymosur dhe në gërmadha. Shqipërinë nuk do e vizitojë Kryeministri i Maqedonisë, për të cilin shqiptarët e këtushëm me kohë alarmonin Tiranën dhe Prishtinën zyrtare, se kanë të bëjnë me një qeveri që i ngjan një grupi adoleshentësh që qëllimisht luajnë futboll politik në lagjen e shqiptarëve të Maqedonisë, duke dashur kështu t‘i thyejnë xhamat e marrëdhënieve ndëretnike në Ballkan. Andaj edhe shumë shqiptarë të këtushëm thonë: probleme të mëdha me vetveten ka administrata e një shteti që e ka pru punën që edhe një Gruevski të anulojë vizitën në shtetin që ajo drejton.

E sa u përket shqiptarëve të Maqedonisë, ata në ndërkohë do duhet të lexojnë drejt edhe qëndrimin e Gruevskit ndaj shtetit të tyre amë. Sepse po nuk e vlerësuan si duhet këtë qëndrim të Gruevskit, ai jo vetëm që do ndërtojë kisha me paratë e tyre, por një ditë do mund të kërkojë që edhe fitrat e mbledhura në muajin e shenjtë të Ramazanit të harxhohen për ndriçimin e kryqit gjigant te mali Vodno mbi Shkup. Mbase shqiptarët e Maqedonisë me shumëçka mund t‘i befasojë qeveria e Gruevskit. Sepse Kryeministri aktual i këtij shteti drejt e ka vlerësuar se shqiptarët e këtushëm janë lënë në duart e partiakëve, të cilët mbase edhe e duan popullin e vet, por jo më shumë se mirëqenien e tyre personale. Dhe duke u bërë rob të mirëqenies së vet, atyre nuk u mbetet rrugë tjetër përpos të luajnë vallen sipas rrahjes së kambanave në kishat e Gruevskit. E mbase tani edhe ta ndihmojnë Gruevskin që me sjelljen e vet ndaj Tiranës t‘ia bëjë pak qejfin Beogradit zyrtar, e që ta ketë më lehtë kur të vijë koha e pranimit të pavarësisë së Kosovës. E deri sa të vijë ajo ditë, shqiptarët e këtushëm do vazhdojnë të merren edhe me një shpjegim pervers që ka të bëjë me vizat për qytetarët e Shqipërisë, i cili thotë se vizat për qytetarët e Shqipërisë janë ide e kryesuesve të PDSH-së. Se në këtë mënyrë, kryesuesit e kësaj partie shqiptare kanë dashur t‘i dëshmojnë Tiranës zyrtare se kush është "pronari" i shqiptarëve të këtushëm. Pra, kanë dashur ta çojnë Berishën të marrë telefonin e t‘i lusë ta ndihmojnë në zgjidhjen e problemit që e kanë nxitur vetë ata.

Edhe sikur mos jetë i saktë ky supozim, ai shpjegon shumëçka. Në mos më shumë, shpalos të vërtetën se çapkënët e qeverisë së Gruevskit edhe më tej do u japin gola shqiptarëve të këtushëm, sepse ata e kanë portën pa mbrojtës. Si dhe për shkak se shqiptarët e Maqedonisë vonë e kuptuan sa e rrezikshme është të jetosh në shtet ku pikojnë pullazet e shkollave nga shiu dhe nuk ka ilaçe për të sëmurit, por qeveritarët sjellin vendime për ndërtimin e kishave. Pra, vonë e kuptuan se aty ku pushtetarët ndërtojnë kryqe e kisha, nuk festohet jeta, por kremtohet vdekja. Se në shoqëritë që ndërtojnë tempuj religjiozë për ta irrituar tjetrin, nuk ka as besim në Zot, as religjion, por vetëm pushtetarë që janë miqësuar me të keqen. Se në ato shoqëri jetojnë popuj të përgjumur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora