Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Syri më i madh i botës

| E merkure, 06.06.2007, 08:26 PM |


“ELT” do të masë 42 metra përballë 24,5 metrave që arrinte teleskopi amerikan “Giant” dhe 30 metrave të matur nga “Thirty meter” kanadez

Eshtë krijuar në Evropë teleskopi më i madh në botë, gati për vitin 2015

Teleskopi me të cilin Galilei zbuloi Rrugën e Qumështit në vitin 1609 kishte një diametër prej 4 centimetrash. Sot, mes projekteve më të fundit, ekziston një instrument 42-metërsh. “Një hap i rëndësishëm për të mbajtur frymën e garës në Evropë”, ka shpjeguar drejtoresha e Observatorit të Evropës Jugore, Catherine Cesarsky. Prej shpirtit të garës ushqehet kjo shkencë, gjithmonë në kërkim të yjeve më të largët ose të planetit që mund të ketë jetë. Çmimi i observatorit më eficient për momentin i përket pikërisht Eso-s: Eshtë “Very Large Telescope” (VLT, teleskopi shumë i gjerë), sa katër teleskopë me një diametër prej 8 metrash secili në malin Paranal, në Kili. Pas disa muajsh, një bashkëpunim euro-amerikan, në të cilin bën pjesë edhe Instituti Kombëtar i Astro-Fizikës italiane, do ta vërë në punë “Large Binocular Telescope” në malin Graham, në Arizona. I përbërë nga dy pasqyra prej 8,4 metrash secila, ai do të kalojë fuqinë e VLT të krijuar nga “Eso”, pikërisht në momentin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë të ditur sfidën e re. Brenda vitit 2016 astronomët e përtejoqeanit kanë projektuar të plotësojnë familjen e teleskopëve gjigandë me dy ekzemplarë. “Giant Magellan Telescope”, i projektuar në bashkëpunim me Australinë do të arrijë diametrin 24,5 metra dhe “Thirty meter Telescope” (një bashkëpunim SHBA-Kanada) që do të mbërrijë 30 metrat. Në fund të vitit 2005, Eso kishte projektuar të njoftonte krijimin e një “Overwhelmingly Large Telescope” me një diametër prej 100 metrash. Diçka e ngjashme me 3 mijë segmente pasqyrash me përmasa 2,3 metra secila dhe një piedestal që do të kërkonte hekur ekuivalentin e sasisë të përdorur në kullën Eifel. “Sinqerisht një projekt i ekzagjeruar, që Eso e ridimensionoi, duke e çuar në përmasa që variojnë nga 30 në 60 metra. Dhe kështu kjo do të ishte një sfidë e bukur”, shpjegon Piero Salinari, astronom në “Osservatorio di Arcetri” dhe në Institutin Kombëtar të Astro-Fizikës. Edhe ai është pjesë e projektuesve të ELT, (Extremely Large Telescope). “Përmasa ekzakte e pasqyrës do të vendoset më vonë, kur kostot të jenë përcaktuar më mirë dhe të jemi të sigurt se mund të hyjmë në buxhetin e 750 milionë eurove”. Edhe zona e instalimit është ende e papërcaktuar. Ndoshta në fund mund të mbetet në Kili, pavarësisht rrezikut të lartë sizmik. Në shkretëtirën e Atakamas, ku sot ndodhet VLT, është niveli më i ulët i shirave në botë dhe humbja e lagështisë, nuk bën gjë tjetër veçse favorizon kalimin e dritës përmes atmosferës së tokës. Por teleskopi mund të vendoset edhe në Antarktidë: ajër i përshtatshëm, por vështirësi logjistike të njëpasnjëshme. Në krahasim me teleskopët orbitalë si Hubble, ata tokësorë janë në gjendje të arrijnë përmasa më të mëdha, por kanë probleme me dritën që kalon përmes atmosferës. “Do ta zgjidhim pjesërisht këtë mospërputhje, – shpjegon Salinari, – me instrumente të rinj dhe të dhëna të reja të “optikës përshtatëse”. Kur të jetë gati, mendohet në vitin 2015, Elt-i evropian do të krijojë mundësinë të studiohen në detaje planetët që lëvizin në orbitën rreth yjeve të ngjashëm me diellin. “Dhe pastaj, – përfundon Salinari, – ekzistojnë mistere të tjera: si është krijuar 25% e lëndës së universit që nuk arrijmë ta shohim?
Marrë nga “La Repubblica”

Etapat
Shpikja
Hongrui Jiang ka realizuar lenten më të vogël

Frymëzimi i erdhi kur pa në sytë e një mushkonje. Hongrui Jiang, student në Universitetin Wisconsin, ka menduar të realizojë një lente shumë të vogël, e aftë të shohë në të njëjtën mënyrë si edhe insektet. Do të jetë e dobishme në të gjitha ato raste në të cilat duhen vështruar pjesë me madhësi të pafundme (si në analizat mjekësore) ose për të vërtetur substanca të caktuara tek lëngjet. Gjysmësfera transparente që ka përshkruar në revistën “Nature” imiton strukturën e syrit të mushkonjës dhe ka aftësinë të ndryshojë formë sipas largësisë së objekteve që sheh. Me një madhësi disa qindra mikronë, lentja është e rrethuar nga një unazë e mbushur me një xhel, që ndryshon dendësinë sipas temperaturës së dritës së jashtme ose të sasisë së aciditetit. Gjysmësfera është e vendosur në fund vaskës së vogël, e lidhur me një tub. Kur të dhënat fizike të xhelit ndryshojnë, ndryshon edhe presioni i ushtruar nga kjo substancë në anët e mikrolentes. Gjysmësfera mblidhet ose hapet, duke modifikuar në këtë mënyrë aftësinë e të vëzhguarit. “Lente kaq të vogla ekzistojnë, por aftësia për t’u përshtatur sipas kushteve të jashtme të ambientit është diçka e re”, shpjegon Jiang. Gjysmësfera transparente, e vetme ose e bashkuar me lente të tjera të ngjashme, mund të përdoret për shembull për ekzaminimet diagnostikuese, ose brenda trupit njerëzor. Edhe përdorimet ushtarake të imagjinueshme nuk mungojnë, duke llogaritur këtu spiunazhin. Shpikja e Jiang është në gjendje të ndryshojë pikëvështrimin dhe lejon observimin e ambientit në të gjitha drejtimet dhe në largësi pak a shumë të afruara. “Sa më afër të jetë objekti që vështrohet, aq më shumë duhet reduktuar distanca”, shpjegon Jiang. Për ndërtimin e lentes së tij, kur të mbërrijë në fazën industriale, nuk do të duhen vetëm disa orë.
Panorama