E enjte, 25.04.2024, 08:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Flora Durmishi: Intervistë me regjisoren dhe skenaristen shqiptare, Shenida Bilalli, Artiste e Merituar e Kroacisë

E enjte, 02.06.2011, 08:00 PM


 

Regjisorja dhe skenaristja shqiptare, Shenida Bilalli,  Artiste e Merituar e Kroacisë.

 

Shenida Bilalli-regjisore  dhe skenariste, me emër në Kroaci, femra e parë shqiptare që ka kryer Akademinë për Teatër Film dhe Televizion, kryeredaktore e revistës “Iliria”, autore e mbi 300 filmave dokumentarë, nënë e tre djemve të sukseshëm, gjithashtu.

 

Intervistoi: Flora Durmishi

 

Shenida, filloi studimet për montazhë në Universitetin e Zagrebit ndërsa gjatë rrugës e kuptoi  se më tepër po e tërhiqte skenari dhe regjia. Vitin e tretë bëri një film ndërsa vitin e katërt  diplomoi me filmin dokumentar për një nënë e cila rrit vetë fëmijët.  Në TVP ka punuar në redaksinë e programit dokumentar dhe në atë për fëmijë. Është shquar për trajtimin e temave sociale sidomos ato që kishin të bënin me problemet e nënës dhe fëmijës dhe të drejtave të tyre. Filmi I saj dokumentar “Muri I dhimbjes” është ndër filmat më të shitur. Ky film në Kroaci është shpallur si film kombëtar. Po ky film I solli edhe titullin” Artiste e Merituar e Kroacisë”

 

Zonja Bilalli, në fillim të viteve 90 ju u larguat nga Kosova dhe shkuat në Kroaci, për të njejtat arësye si edhe të shumë shqiptarëve të tjerë.  Si ju ka pritur Kroacia, si jeni gjendur atje?

 

Ishte koha kur u shkatërrua autonomia e Kosovës. Kishin ndodhur edhe shumë momente të tjera si: mbyllja e xehtarëve në zgafellë, helmimi I të rinjëve, humbja e punës e shumcka tjetër . Atë kohë në Neum, të Ish Jugosllavisë, mbahej një festival, në të cilin kam shkuar edhe unë si dokumentariste, me një film që ka tërhequr vëmendjen. Aty ka qenë edhe Televizioni I Kroacisë, programi dokumentar dhe ai për fëmijë.  Ata më ftuan të punoj për ta si regjisore. Edhe më  herët kam pasur  ftesë! Më pat ftuar Ogred Kosovac –redaktor I programit dokumentar, I cili dëshironte bashkëpunim me dokumentaristë nga Kosova.  Ai pati kërkuar të bëj një dokumentar për kroatët nga Janjeva dhe kështu u patëm njohur. Kur e panë suksesin tim në Neum, ata menjëherë insistuan të punoj për ta.  Mirëpo bashkëpunimi filloi për programin për fëmijë.

 

Profesion jo shumë I zakontë për kohën, sidomos për një femër shqiptare. Kur e keni kuptuar se do të bëheni regjisore?

 

Më meritorja ka qenë nëna ime. Ajo ka qenë një intelektuale që ka punuar shumë me ne fëmijët. Pra krejt kjo që kam arritur nuk është e rastësishme. Edhe nëna edhe babai na kanë plotësuar gjithmonë dëshirat. Tani kur e kujtoj më vjen turp se cfarë kam bërë si e vogël. Kur vinin mysafirë unë bëja teatër. Vendosja perdet dhe gjithmonë paraqisja dicka.

 

Domethënë që e vogël e keni ditur që do të bëheni regjisore!

 

Eh tani, kur kam përfunduar shkollën e mesme, në vitin e katërt, kam dashur që të regjistroj arkitekturën ose dicka që do kishte lidhje me skenarin. Mirëpo prindërit e mi nuk dëshironin që unë të largohesha nga këtu e të shkoja në Zagreb ku do të isha vetëm. Dhe kështu fati e deshi dhe unë regjistrova fakultetin ekonomik  por, profesori I marksizmit nuk më kalonte. E kujtoj edhe sot emrin e tij, Ibrahim Syla, I cili më vonë doli se kishte diplomë të rrejshme! Me që ai më mundoi shumë, e lash ekonomine dhe konkurova për montazhë në Universitetin e Zagrebit.

 

Në një farë mënyre ai profesori ju paska ndihmuar që të ndiqni dashurinë tuaj!

 

Po ke të drejtë, pikërisht ashtu ka qenë.

 

Duhet të ketë pasur konkurrencë të madhe për të fituar konkursin për regjistrim në fakultet! Si ndodhi, e patët të vështirë?

 

Provimi pranues ka qenë shumë interesant. Kishin konkuruarur shumë studentë, një numër I madh I tyre fëmijë të personaliteteve të njohura. Dyshoja se mund të pranohesha. Mirëpo për cudinë time, shumë lehtë e kalova provimin. Kanë qenë 6-7 faza. Faza e fundit ishte ndjeshmëria për muzikë. Unë me muzikë isha marrë edhe më herët, kisha vesh për muzikë. Profesori i muzikës  më tha: Përcill taktin! Unë kisha shumë frikë, trema më mbyste. Profesori bënte taktin me dorë! Unë nuk e përcillja dot. Ai e përsëriti ndërsa unë nuk e bëja dot. Pastaj më pyeti: Mundesh me këmbë? As me këmbë nuk e përcillja dot. Më vjen keq, tha profesori, ke pasur rezultate shumë të mira por nëse nuk e përcillni dot këtë takt, ju nuk mund të pranoheni këtu! U nisa  të dal dhe edhe një herë, jam kthyer dhe I kam thënë profesorit: Më falni profesor, a mund të interpretoni dicka e unë të vallëzoj? Të gjithë sa qenë aty, mbetën duke më shikuar të habitur. Unë fillova të vallëzoj dhe profesoresha thirri: Bravo! Kjo do të arrijë dicka në jetë! Kështu e dhash provimin dhe edhe ata e panë që unë nuk dorëzohem lehtë. Për punën tonë duhet të jesh shumë këmbëngulës, të kesh ide, vizion, të jesh I vendosur etj.

 

Nga larg krijohet përshtypja sikur keni ecur lehtë, po ju vetë si mendoni?

 

Keni të drejtë, fati ka dashur por, edhe kam punuar dhe I kam hapur të gjitha dyert me shumë punë. Unë u them vazhdimisht studentëve të mi se kryesorja është ideja. Film është cdo tregim, film është cdo njeri. Për cdo njeri ju mund të bëni film. Unë dukem e ashpër ndoshta por në film unë flas si nënë, si grua. Kam trajtuar  tema shumë të rënda.

 

Ju keni bërë mbi 300 filma dokumentarë. Diku në vitet 90 ju keni bërë edhe një film dokumentar me të cilin keni dëshmuar për gjithë atë dhunë që ushtrohej në atë shtet hybrid të quajtur Jugosllavi. E kam fjalën për dokumentarin për dhunimet si krim lufte, I cili dokumentar ka tërhequr shumë vëmendjen e publikut!

 

Dokumentari I cili ka tërhequr vëmendjen, është dokumentari për nënat. Ato që të parat kanë ngritur zërin. Ato ishin nënat e Kroacisë, aty kanë qenë edhe nënat nga Kosova, Bosna, e vendet tjera . Unë e kam parë veten aty dhe kam dashur të ndihmoj në mënyrën time, me film. Edhe sot jam krenare për këtë. Kur shikoj këta filma, edhe sot pas 20 vjetësh, në asnjë prej tyre nuk ka pasur tendencë për luftë por gjithmonë kam thirrë që të ndalet lufta.

 

Le të flasim për filmin “Muri I Dhimbjes” I cili ka zgjuar interesim të madh në Kanë. Ky film ju solli edhe titullin Artiste e Merituar. Si e keni përjetuar këtë?

 

Ai film jo vetëm në Kanë por edhe gjithandej ka zgjuar interesim. Pas atij filmi menjëherë kanë ardhur ndërkombëtarët dhe kanë kërkuar  të hapen varrezat. Kishin kaluar 5 vjet dhe njerëzit nuk e dinin ku I kishin më të dashurit e tyre.  Ky film ka shkuar në Kanë dhe sipas informative që kam është ndër filmat më të shitur. Ky film në Kroaci është shpallur film kombëtar. Pas këtij filmi unë kam fituar titullin “Artiste e Merituar e Kroacisë” dhe cmime të tjera.  Jam ndier jashtëzakonisht mirë, natyrisht. Kam pasur edhe shumë filma të tjerë deri të “Muri I Dhimbjes.” Njerëzit po zhdukeshin pa gjurmë. Nuk dihej asgjë për ta. Ky ishte kulmi! Unë duhej të bëja dicka. Pastaj, shumë tema kam pasur për invalidët, për femra të dhunuara… Tregimet kanë qenë rrënqethëse. Filmi I parë ka qenë me refugjatë. Ky term nuk më dukej adekuat. Refugjati është ai që largohet nga shtëpia ndërsa unë gjeta një term tjetër për ta. Ata nuk ishin refugjatë por të përzënë nga shtëpitë e tyre nga atdheu I tyre. Unë në kroatisht e quajta filmin “Prognan” pra I përzënë. Kështu nga ai film, këtu në Kroaci, edhe filluan ta përdorin këtë shprehje.

 

Keni vazhduar më pas edhe me rrëfime të tjera të grave, deri te Pavarësia e Kosovës. E keni pasur të vështirë të intervistoni ato personazhe, t’I bëni të rrëfehen, thënë kushtimisht?

 

Dua ta ndaj me ju një moment të cilin, nuk e harroj kurrë: Në Vukovar kam qenë deri në momentin e fundit. Nga aty kam pasur një rrëfim të një plake 70 vjecare. Më bënte përshtypje që ajo, tërë kohën I lutej Zotit, pavarësisht asaj që kishte kaluar. Tregim I tmerrshëm. E pyeta se, pse po I lutet kaq shumë Zotit dhe si I ka përballuar gjithë atë që ka përjetuar. Ajo më tha: shpirti im, mua më ka dhunuar shoku I djalit tim! Dhe jo vetëm ai por ka mbledhur gjithë ushtrinë dhe më kanë dhunuar. Unë lutem që Zoti të më ruaj mendjen dhe lutem edhe për të. Unë nuk e kam kuptuar atëherë, se si është e mundur të lutesh për dikë që ka bërë atë tmerr. E kuptova, që të mos bëhet edhe më zi, njeriu duhet të lutet për atë që ka bërë dikush tjetër!

 

Ai nuk është rast I izoluar. Janë raste e raste të tilla që kanë ndodhur. Nuk ka qenë e lehtë t’I dëgjoni këto rrëfime, apo jo?

 

Kam punuar me femrat boshnjake një film dokumentar. Katër muaj më pas nuk kam dashur më fare të punoj. E kam përjetuar shumë rëndë. Ju nuk mund të besoni që egzistojnë ato mënyra të dhunës. Unë nuk kam mundur të besoj që një djalë mund të dhunojë nënën ose një femër para fëmijëve…E të mos hy tani andej se, këto janë të rënda…E kam pasur  shumë vështirë derisa e kam punuar në këtë film. Ti e di që duhet me gjetë mënyrën se si t’I drejtohesh këtyre personazheve. Nuk është e lehtë të kërkosh që dikush të rrëfehet. Unë jam habitur se si disa gazetarë u bënin, atyre grave, pyetje të tipit: cfarë të kanë bërë si e kanë bërë, e pyetje të ngjashme. Unë kam kërkuar të ruhet dinjiteti I tyre. Mjaft janë lënduar. Jam munduar që të jem mike e tyre, të bashkëbisedoj me to duke mos I lënduar dhe duke ruajtur dinjitetin e tyre.

 

Trajtimin e temave të tilla e quaj guxim?

 

Njeriu nuk është I vetëdijshëm nganjëherë sa është I guximshëm kur I bënë do gjëra. Ndoshta ato tema, për atë moment, kanë qenë të guximshme.

 

Pra po pajtohemi që gruaja ka bërë dhe ka dhënë shumë por ka marrë fare pak, pothuajse, asgjë. Asnjë mirënjohje publike për ruajtjen e pragut të shtëpisë, për përkrahjen që u kanë dhënë burrave…Si e komentoni ju këtë?

 

Ke të drejtë! Sa shumë ka dhënë femra e sa pak ka marrë. Unë kam përcjellur fatin e femrës kroate. Pas luftës ajo mbeti me të madhe pa punë. Atëherë bëra një film që të tërheq vëmendjen për këtë fakt. Ishte kritike sidomos mosha 40-50 vjecare. Përcolla fatin e një femre. Personazhi kërkonte punë përmes shpalljes mirëpo askund nuk e pranonin për shkak të moshës.U paraqit në një konkurs në të cilin kërkohej një këngëtare. Aty shihet sa shumë  nëncmohet një femër e cila ka 50 vjet, është profesoreshë e anglishtes ndërsa është e detyruar që të këndojë për të egzistuar! Shumë filma kam bërë për të drejtat e femrave. Edhe 20 vjet pas luftes asnjë femër kroate nuk ka marrë cmim e as mirënjohje për gjithë atë që kanë dhënë. Ato kanë dhënë shumë, kanë luftuar përkrah djemve e burrave të tyre. Ato kanë dhënë edhe  jetën! Mora shkas nga kjo dhe bëra një film me titull “Trëndafilat e Kroacisë”. Aty kanë qenë doktoresha Bosanac edhe Jadranka Kosor, Tereza Kesovija dhe shumë personalitete të njohura. Mirëpo mirënjohje nuk ka pasur . Lufta ka qenë, ju keni bërë cfarë keni bërë , por burrat kanë marrë dekorata! Unë nuk dua të bëjë ndarje mirëpo meritat duhet të dihen! Filmi ka pasur shumë jehonë. Unë, me këtë rast, falënderoj Televizionin Kroat, që ka transmetuar këtë film timin, ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Kjo për të më falënderuar. Jam ndier shumë mirë për këtë gjest të tyre. Me që, nuk kam mundur t’I përfshij të gjitha ato gra, që meritojnë, atëherë bëra një propozim që cdo vit të ndahet një cmim, mirënjohje shtetrore, për femrën kroate në nivele e fusha të ndryshme. Zonja Kosor, kryeministre, e ka pranuar këtë propozim. Asaj edhe ia kemi dhënë cmimin e parë, se është një grua që ka punuar shumë me refugjatë, gazetare e mirë, është njeri shumë I mirë, dhe edhe sot na përkrah shumë.

 

Këtë dua të them zonja Bilalli që, edhe në Kosovë, do të duhej që t’I ndahej një mirënjohje publike gruas kosovare e cila, ka dhënë shumë. Nuk do të thotë që të jetë person public mund të jetë edhe një grua, nënë, nga Krusha, Gjakova e cdo vend tjetër I Kosovës.

 

Le ta quajmë cmimin” Shqiponja e Kosovës”.

 

Ide e shkëlqyer! Uroj të jetësohet kjo ide që doli nga kjo intervistë!

 

Le të ngelemi edhe pak te këta dokumentarë, te lufta juaj, thënë kushtimisht, për të bërë publike gjithë atë që po ndodhte edhe në Kosovë. Keni shprehur hapur  dhe e keni ftuar edhe Kroacinë që të përkrah Kosovën në shpalljen e pavarësisë.

 

Gjatë vitit 93-94 ka qenë një situatë e rëndë. Atë kohë, redaktori im ka ardhur dhe më ka thënë:  “Shenida, ti je shqiptare dhe po punon për ne, faleminderit shumë! Unë kam një lajm të mirë për ty: Ju (shqiptarët)keni luftuar e punuar për ne kështu që ne po e hapim, për ju, një program në gjuhën shqipe!”. Unë kam reaguar menjëherë duke thënë se shqipen kam filluar ta harroj dhe nuk e zotëroj mire!  Do t’I keni të gjitha, më tha ai. Për herë të parë aty u dëgjua fjala shqipe. Fillova të lexoj lajmet edhe të bëj intervista. Por, kjo nuk mjaftonte! Me që kisha mjaft miq me ndikim, intelektualë, fillova të organizoja tryeza të rrumbullakta në të cilat merrnin pjesë intelektualë si: Ivan Supek, Racak, Mesiq e shumë politikanë të tjerë. Shumë njerëz nuk e dinë pse Mesiqi I do kaq shumë shqiptarët! E kam pyetur atë prej nga kjo dashuri për popullin shqiptar. Ai më ka thënë që shokun më të mirë në burg e ka pasur shqiptar. “Ai ka qenë burrë I vërtetë, ka qenë shok I mirë dhe ato ditë që kam kaluar me të nuk I harroj kurrë” më tha Mesiqi. Dmth edhe ata njerëz që kanë qenë nëpër burgje kanë ndikuar që të na respektojnë të tjerët.

 

Natyrisht, ne të gjithë, në mënyrë të vetëdijshme ose të pavetëdijshme japim mesazh të mirë ose të keq me sjelljen dhe veprimet tona.

 

Ke të drejtë Flora. Kam punuar shumë për Kroacinë dhe Bosnjën, prandaj kur  ishte cështja e Kosovës , të gjitha gratë e ambasadorëve, dhe gra të tjera,  më kanë ndihmuar të organizoj tryeza, më kanë ndihmuar të mbledhim ndihma… Dua të përmend ndihmesën e madhe të   politikanëve dhe gazetarëve të njohur si: Goran Miliqi, Mirko Galiqi, Matkoviqi, Zoran Filipoviqi, e shumë emra të njohur të Kroacisë. Të gjithë kanë ngritur zërin për ne.

 

Ju keni bërë edhe një videoklip për të humburit. Si lindi ky videoklip, cili ishte mesazhi?

 

Ka qenë propozim I shoqatave civile. Unë kam  fituar simpatinë e tyre. Ata mendojnë që jam e matur, e ekulibruar. Ky videoklip, “I humburi”, ka marrë pjesë në një festival ndërkombëtar. E kanë kërkuar për të qenë prezantues për shumë shtete, për të gjithë të humburit. Dhe cdo ditë e më shumë po ka sukses.

 

Kam dëgjuar që ky videoklip e ka lënë pa fjalë edhe Boris Tadiqin?

 

Po. Kur ka ardhur Boris Tadiqi në Vukovar, takimin e parë, e ka pasur me presidentin e të humburve. Ia kanë treguar klipin dhe ai ka mbetur pa fjalë  se si ky klip nuk ka pasur urrejtje por vetëm dhimbje. Ai pastaj ka shprehur dëshirën që edhe serbët ta përdorin dhe të jetë për të gjithë të humburit.  Më thirri presidenti I shoqatës dhe më tha për kërkesën dhe dëshirën e presidentit serb. Për mua kjo sigurisht ishte kompliment mirëpo kur unë e kam punuar videoklipin e kam bërë për njerëzit që kanë humbur në luftë. Unë nuk mund ta barazoj agresorin me viktimën. Për ata që kanë të njejtën dhimbje natyrisht që nuk ka problem mund ta përdorin, u thash.

 

Le të flasim për femrën shqiptare në Kroaci. Ku është ajo sot, a është integruar në shoqërinë kroate? Ju besoj keni mjaft informacion për gjendjen, me që jeni  edhe kryetare e Klubit të grave shqiptare të Kroacisë me emrin Mbretëresha Teutë.

 

Po aty kemi intelektuale por edhe gra që nuk janë të shkolluara. Ato janë gra, burrat e të cilave kanë zanate, kanë kushte të mira, janë moderne por nuk janë integruar si duhet. Ato madje, nganjëherë kanë shumë më tepër ide por ende nuk e kanë atë lirinë që të mund të organizojnë dicka si meshkujt….Mund të them që, 4-5 vjetët e fundit, janë aktivizuar më shumë. Si individ janë pak të njohura, ta zëmë, mund të përmend me këtë rast Merita Junikun, që e kemi pasur, ose aktoren Anita Berisha, unë kam qenë në televizion, kemi pasur mjeke etj.

 

Kam përshtypjen që Mbretëresha Teutë është idhulli juaj!

 

Po. Si e vogël, për ilirët, më ka interesuar shumë. Babi im më ka folur shumë për prejardhjen e shqiptarëve. Po të vini në Kroaci, aty shihni rrënjët e ilirisë: arkitekturën, mentalitetin, të gjitha. Para, 15 vjetësh, propozova të bëj një film për Ilirët në Kroaci. Ju e dini që bregdeti ka qenë I banuar me ilir. Kur kam shkuar të xhiroj, për televizionin kroat, kam parë nëpër fshatra rrugicat, muret, pjekjen e bukës njësoj si ne! Aty kam parë që jemi një popull!  Mirëpo, cfarëdo literature që kam parë, më shumë kam dëgjuar të flitet për bukurinë e mbretëreshës Teutë. Fillova të studioj gjeopolitikën, ku ka qenë Roma, poshtë Greqia ndërsa ilirët në mes! E kam parë që kanë penguar dikë! Kur e kemi bërë shoqatën, për me gjetë pika të përbashkëta mes Kroacisë dhe Kosovës atëherë kam parë se mund të jetë Mbretëresha Teutë. Me këtë kam dashur të tregoj se femra shqiptare ka pasur status shumë më të lartë, kemi qenë një popull I qytetëruar por gjithmonë na kanë sulmuar kështu që, femra ka ngelur në hije. Nuk duhet të harrojmë që femra shqiptare ka ruajtur Kosovën, ka ruajtur Shqipërinë...

 

Përmes kësaj shoqate ju keni bërë në Kroaci edhe prezantimin e shumë femrave të sukseshme të  Kosovës si: Zonjnën Brovina, zonjën Sahatciu,  zonjën Kelmendi…Do të vazhdojë kjo?

 

Misioni kryesor I joni është revista Iliria. Përmes saj, ne organizojmë edhe tryeza të rrumbullakta ku mundohemi të tregojmë se femra shqiptare është e zonja. Unë ndihem shumë keq kur më thonë se ti nuk je si shqiptaret tjera! Unë jam shqiptare dhe krenohem me përkatësinë time kombëtare. Jam pjesë e popullit tim dhe kemi edhe shumë femra të tjera, unë jam njëra prej tyre. Pikërisht kjo ishte arësyeja që revistën ta botojmë në të dy gjuhët, shqip dhe kroatisht. Sidomos për kroatët e kam bërë! Për të parë se sa gra të zonjat kemi. Të shohin kulturën tonë nëpër shekuj. Përvec zonjave që përmendët kemi prezantuar edhe gra të tjera. Kemi ftuar edhe  shkrimtaren e njohur kroate, Mira Buljan. Ajo është me prejardhje shqiptare. Nënën e ka shqiptare ndërsa babën kroat. Kemi bërë promovimin e librit të saj. Atë duhet përkthyer se ka shumë libra interesantë. Gjithashtu kemi bërë edhe prezantimin e poetit, Visar Zhiti. Kam qenë nismëtare për përkthimin, në kroatisht, të librit të tij. Më pas edhe e kemi promovuar. Pastaj prezantojmë traditën tonë përmes zanateve. Kemi pasur ekspozita. Edhe film kam bërë për filigranin. Më vjen keq që nuk është shfaqur këtu.

 

Pse ?

 

Nuk di. Edhe për gjeneralin, Rrahim Ademin kam bërë një film dhe as ai film nuk është shfaqur. Kam ngritur zerin për të.

 

Edhe për Gotovinën keni ngritur zërin .

 

Po. Shoqatat civile kanë zgjedhur filmin tim si një apel për të ndihmuar Ante Gotovinën. Po mundohem të ndihmoj, të tregojmë se ata nuk kanë qenë sulmues por të sulmuar. Mua më dhimbset Gotovina se është një djalë shumë I mirë dhe ushtarak I mirë por …

 

Jeni kryeredaktore e revistës Iliria e cila del 4 herë në vit! Cfarë përmban kjo revistë?

 

Problematikë e larmishme. Përmban intervistën kryesore, me politikanë, për aktualitetin. Lajme nga Kosova dhe Shqipëria.

 

Në cdo numër të Ilirisë ju prezantoni edhe nga një personalitet të shquar femër. Të përmend këtë numrin e fundit ku keni prezantuar Katarina Roza Bocarin.

 

Ajo ka qenë vajza e Marko Bocarit i cili, ka luftuar në pjesën jugore të Shqipërisë. Bajroni kur ka shkuar në Shqipëri është mahnitur me mikpritjen e shqiptarëve, burrërinë, por edhe me veshjen kombëtare. Ai, për këtë I shkruante edhe mikut të tij në Angli. Në Angli ai mori me vete një souvenir me tesha kombëtare dhe jelekun. Fotografia tashme e njohur e Bajronit. Mik I tij, shumë I mire, në Shqipëri, ka qenë Marko Bocari. Ai ka pasur një vajzë shumë të bukur. Dhe kur kam lexuar për të dhe kur kam parë atë fotografi të vajzës së tij menjëherë kam vendosur që kjo të jetë në faqen e parë të revistës.  Në faqen e parë vazhdimisht kemi femra  të shquara shqiptare.

 

Një rikujtim shumë I bukur I historisë.  Pata në duar numrin I cili I kushtohej 100 vjetorit të  Nënës Terezë dhe atë në të cilin prezantohej Elena Gjika…

 

Po kemi një rubrikë “Femra Shqiptare nga Diaspora”. Edhe ju mos harroni të prezantoni gratë e diasporës më shpesh.

 

Ju jeni e specializuar edhe për television. Kush e ka karrierën më të lehtë burri apo gruaja? Të qenit femër ju ka ndihmuar që të hapni dyer, të realizoni një temë, një dokumentar ta zëmë?

 

Varet prej personit. Burrave iu besojnë më shumë.Unë nuk kam menduar kurrë për këtë gjë. Kam menduar vetëm se si ta kryej atë film sa më shpejt. Sigurisht që nuk është lehtë. Ndoshta suksesi im ka qenë rezultat I afrisë që  kam krijuar  me njerëz. Unë së paku 10 persona I kam prapa vetes kur xhirojmë. Nëse ti respekton veten do të të respektojnë edhe të tjerët. Nëse ti nuk di cka do atëherë nuk ju respekton ekipi. Duhet të keni autoritet. Unë kam filluar që, edhe në jetën private të mbaj qëndrim. Femrat zgjedhin mënyrën  femërore të qasjes, gjërat e vogla t’i bëjnë të mëdha ndërsa, burrat duan menjëherë të merren me gjëra të mëdha. E stili nuk ka shumë rëndësi, secili ka stilin e vet.

 

A mund të tërhiqni një paralele ose, të bëni një krahasim me femrën në media në Kroaci dhe atë në Kosovë?

 

Në vitin 2000, kur kam ardhur në Kosovë, jam befasuar me lirinë e tyre, kahasuar me kohën kur unë kam punuar në TVP. Aty ku kam punuar unë dhe punoj edhe sot, ka norma të cilat nuk guxon të mos I përfillësh. Kjo, jo vetëm në Kroaci por edhe në Austri. Kam punuar edhe atje. Dihet, kur ke intervistë, cka mund të veshni. Kur paraqiteni në lajme gjithashtu edhe në mbrëmje, në emisionin zbavitës, dihet cka mund të vishni. Ekzistojnë kategori ku mund të jeni e lirë, ku mund të tregoni veten ose atributet e femrës! Por, unë mendoj që nuk është televizioni vendi për me I tregu atributet e femrës. Kryesorja është ajo cka flisni. Të tregohet dije, qëndrim,  sepse kemi për detyrë edukimin e gjeneratave të reja, respektimin e shikuesit. Ju nuk mund të bisedoni për një temë serioze me një fund të shkurtër se, nuk ju marrin seriozisht.  Unë nuk po kritikoj por po them atë që kam vërejtur dhe kjo më ka penguar.

 

Dua ta konsumoj me ju edhe një gjë tjetër: Interesimin tuaj për t’u marrë me politikë në Kroaci. Para disa vjetësh keni qenë bartëse e listës për Bashkinë e Zagrebit. E konsideroj guxim këtë vendim tuajin.

 

Ka qenë kjo para 4 vjetësh. Është interesante që në Zagreb, më herët, asnjë femër shqiptare nuk është kandiduar.  Në kontakt me femrën shqiptare, përmes shoqatës, kam parë që ka shumë femra që mund të na përfaqësojnë. Unë kam pritur që të na thërrasë dikush nga Bashkësia ose Unioni por, këtë nuk e bëri askush! Atëherë, bëra një listë me emrin, Mbretëresha Teutë. Unë kam qenë bartëse e listës.  Lista ka qenë vetëm me femra. Duhet të kemi guximin për t’u kandiduar. Tani është kandiduar një femër për parlament. Ne ende, si shqiptar, nuk kemi përfaqësuesin tonë në Parlamentin Kroat. Patjetër duhet të kemi një.

 

Cilido që të jetë ai, uroj të jetë një zë i fuqishëm për shqiptarët!

Pse jeni në Kosovë këto ditë?

 

Kam ardhur me punë. Po punoj një reportazh për zakonet që po zhduken. Në Kroaci kam bërë dicka, në Bosnje gjithashtu por edhe në Kosovë. Kam zgjedhur temën ,Plisi, si punohet ai, prejardhja e e tij… Jam befasur kur kam shkuar në Prizren dhe kam parë  vetëm një familje që merret me këtë zanat! Natyrisht kam ardhur të shoh edhe familjen, kolegët, miqtë.

 

Ju mungon Kosova?

 

Nuk kam qenë e vetëdijshme sa shumë e dua vendim tim. Koha kalonte. Më mungonte gjuha shqipe.  Atëherë i kam thënë vetes: jo nuk lejoj të ndodh kjo! Kjo ishte arësyeja që nxorra revistën Iliria. Ju integroheni atje, fëmijët shkollohen , arrini suksese por në asnjë moment nuk e harroni Kosovën. Ne mezi presim të na vijë dikush nga Kosova. Menjëherë mblidhemi dhe duam të dëgjojmë sa më shumë për këtu. Kemi shumë mall dhe dashuri njëkohësisht. Përmes aktiviteteve mundohemi të jemi në lidhje me Kosovën.

 

Një pyetje të fundit: Cila është familja juaj zonja Bilalli?

 

Kam tre djem. Për fat të keq kam rritur vetë fëmijët se, burri im u kthye në Kosovë. Ne mbetëm gjatë luftës në Zagreb. Kujtimi ka kryer gazetarinë. Korabi është lojtar futbolli, shumë shpejt do të vijë në Kosovë, ndërsa edhe Batoni është student I gazetarisë. Ata më ndihmojnë edhe rreth revistës. Flasin shumë bukur shqip. Me ta flas vetëm shqip. Kujtimi do të magjistrojë për Komunikim dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. I kam propozuar që të marrë temën për Kosovën.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora