E enjte, 18.04.2024, 10:19 PM (GMT+1)

Mendime

Arbën Xhaferi: A do të denacifikohet Serbia?

E premte, 01.02.2008, 06:00 PM


A DO TË DENACIFIKOHET SERBIA?

Nga Arbën XHAFERI

Gjatë konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni, takimet ndërmjet subjekteve politike shqiptare dhe maqedonase, me zyrtarët e lartë të UE-së dhe të NATO-s ishin të shpeshta. Në njërin nga to, ku merrnin pjesë z. Solana, z. Paten , z. Robertson, si dhe z. Trajkovski, z Georgijevski, z. Cërvenkovski, z. Imeri dhe unë, u hap çështja e përkufizimit të konfliktit. Pala maqedonase insistonte në nocionin "terrorist", ndërkaq pala shqiptare i cilësonte ata si kryengritës, apo "freedome-fighters"(luftëtarë të lirisë). Në një moment z. Robertson, të cilin e respektoj përjetësisht për kontributin e tij gjatë krizës së Kosovës, por edhe të Maqedonisë, m'u drejtua me pyetjen: ç'janë për ju ata njerëz që me mushka dhe kuaj kontrabandojnë armë dhe e rrezikojnë integritetin territorial, si dhe paqen në një shtet që është pranuar nga OKB-ja dhe që, sipas të gjitha gjasave do të bëhet anëtare e NATO-s?

Varet se si kundrohet problemi, i thashë. Siç dihet, shqiptarët në ish-Jugosllavi ishin populli i tretë, pas serbeve dhe kroatëve dhe tani, pas shpërbërjes së Jugosllavisë është populli i vetëm që nuk e fitoi të drejtën për posedim të sistemit, pra të shtetit. Këtë të drejtë, pa marrë parasysh realitetet dhe kapacitetet e fituan vetëm sllavët. Sikur të kishin fituar edhe shqiptarët të drejtën për sistem, armët do t'i sillnin me aeroplanë, në mënyre legale, ashtu si vepron këto ditë shteti maqedonas, duke sjellë sasi të mëdha të armatimit nga Ukraina dhe s' do të kishte nevojë për mushka e kuaj, kështu disi iu përgjigja.

Ky detaj m'u kujtua tani kur sërish komplikohet puna rreth njohjes së pavarësisë të Kosovës. Tek unë, ndonëse jam pa hamendje mirënjohës për ndihmën e shteteve perëndimore, megjithatë shfaqet dilema që s'arrij dot ta qetësoj: pse popujt e tjerë, me kushte e pa kushte, lehtë-lehtë e fituan të drejtën për sistem, për shtet, ndërkaq shqiptarët duhet të plotësojnë një varg kushtesh, ose pse serbët e Kosovës, gjithsesi fajtorë për tragjedinë e shumë shqiptarëve fituan në mënyrë imediate, menjëherë të zbatueshme shumë të drejta, ndërkaq shqiptarët e Maqedonisë duhet të presin pa afat? Mendoj se pikërisht në këtë plan burojnë të gjitha problemet e shqiptarëve, padrejtësitë që vazhdimisht i kanë zvetënuar kapacitetet e tyre, duke i shndërruar lehtas në viktimë, në objekt të represionit të padhembshëm. Kështu ka qenë prej Kongresit të Berlinit e deri më sot. Siç dihet, popujt që nuk kanë arritur të krijojnë sistem, kanë qenë në pozitë inferiore ndaj të tjerëve që e kanëpasur atë. Sistemi, shteti është faktori që i amplifikon kapacitetet e një populli, seleksionon cilësinë dhe i kanalizon energjitë e shoqërisë, i intencionalizon ato sipas interesave, qëllimeve kombëtare. Bie fjala në konfliktet tona me serbët fitonte ai që kishte në posedim sistemin, pra, kazerma gjithmonë ngadhënjente mbi kullën. Serbët dhe grekët kanë paragjykime ndaj nesh, shpeshherë patologjike, për shkak të kujtesës historike, kur ne si pjesëtar të ushtrisë së rregullt osmane, si komandantë të kazermave kishim fuqi të pamposhtur. Duke i ditur këto çështje, faktori ndërkombëtar, me të hyrë në Kosovë, kur ende nuk dinin se si ta zgjidhin çështjen e Kosovës, insistuan që të shformohet UÇK-ja, pra sistemi i mbrojtjes ushtarake.

Popujt e vegjël asnjëherë nuk kanë pasur mundësi që të krijojnë shtet, pa përkrahjen e faktorëve të mëdhenj. Antagonizmat në mes tyre kanë rezultuar me formimin e shteteve të reja, në varësi nga interesat gjeostrategjike. Bie fjala, serbet të gjitha luftërat i kanë humbur, por falë aleancave me popujt ngadhënjimtarë, në konferencat e paqes, arrinin të fitonin, jo vetëm të drejtën për shtet, por edhe për rolin e hegjemonit në rajon. Këtë fakt tani, ata përpiqen ta fshehin me shenjtërim, ontologjizimtë kufijve të shtetit të tyre, që e fitonin si peshqesh nga të mëdhenjtë. Sekreti i suksesit të tyre qëndron te aftësia e jashtëzakonshme e agjitimi, e propagandës që e ideologjizonte, e shenjtëronte kauzën, historinë e tyre.

Në planin e propagandës, shqiptarët nuk u treguan sistematikë, por reagonin pasi ndodhte ndonjë gjëmë, ndërkaq serbët e projektonin fajin e shqiptarëve sipas skemave të ideologjizuara: fondamentalistë, kriminelë, të korruptuar, pa kapacitete shtetformuese, ardhacakë etj. Në këtë mënyrë, ata arrinin, të paktën ta relativizonin fajin, elaboratet gjenocidale serbe, të hartuara me përpikëri - me vetëmbrojtjen e shqiptarëve. Ky proces zgjati thuajse një shekull. Sa burgosje, sa vrasje, sa konfiskime të pronës, sa shpërngulje, sa demonstrata, sa përjashtime nga puna, sa trauma individuale e kolektive, dhe sa vështirë hymë në agjendën për të fituar të drejtën për liri, për shtet ku do të mbroheshin të drejtat tona, trashëgimia jonë, mbijetesa jonë fizike. Tani kur jemi në fund të rrugës, tani kur dridhemi si purtekë nga frika se mos përmbyset sërish procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës dhe me panik kërkojmë të na kumtohet data e shpallje së pavarësisë, data efundit të një kapitulli, të përshkuar me vuajtje, pyetemi pse aq gjatë dhe aq intensivisht na sprovuan, ose pse aq shumë u toleruan serbët dhe aq pak të tjerët, në mesin e tyre madje edhe popuj dhe shtete perëndimore, siç ishte Gjermania pas përfundimit të Luftës së Dytë botërore?

Asnjë luftë nuk përfundon pa e emëruar fajtorin. Fajtorë janë ata që e shkelin me dhunë ligjet, standardet, normat juridike, morale, konventat ndërkombëtare, ata që përdorin dhunë joproporcionale, sidomos ata që përpiqen të realizojnë projektin e pushtimit të territoreve përmes pastrimit etnik, ose me gjenocid.

Në Jugosllavi shpërtheu lufta për shkak të politikës hegjemoniste tradicionale serbe, që ata tentuan ta zbatojnë përmes dhunës sistematike. Kjo është e ditur dhe askush nuk mund të mohojë me argumente. Mirëpo, faktori ndërkombëtar, që zakonisht ndërhyn në situate të tilla, nuk e përfundoi këtë kapitull të përgjakshëm me konstatimin se fajtore ishte Serbia, por, për shkaqe të ndryshme e heshti këtë çështje, duke e bartur fajin te individët. Çuditërisht u hesht fakti se këta individë ishin bartës të institucioneve më të rëndësishme shtetërore. Së këndejmi me rastin serb nuk mund të zbatohet parimiqytetërues për trajtimin e fajit si akt individual, veçmas nëse merret parasysh fakti se këta kriminelë që e drejtonin shtetin ishin zgjedhur nga populli, madje disa herë radhazi. Sikur faktori ndërkombëtar do ta merrte parasysh këtë rrethanë dhe detyrimisht ta emëronte fajtorin, gjithsesi Serbinë, ashtu si agresorët e tjerë, ajo sot do të ballafaqohej me problemin e reparacioneve, dëmshpërblimevetë luftës dhe jo me mitin rreth Kosovës. Hamendësimet në këtë plan sërish i ringjallën aspiratat e Serbisë, sidomos lidhur me Kosovën. Të liruar nga barra e fajit, nga frika, ata le që nuk distancohen nga krimi por, vazhdojnë ta bëjnë apologjinë e politikës që nxiti dhe e legjitimoi krimin. Politikanët serbë, ashtusi edhe pjesa dërmuese e shoqërisë serbe sot e fajësojnë NATO-n, SHBA-të dhe UE-në për ndërhyrje, pra pengim të gjenocidit në Kosovë. Makineria e sotme propaganduese serbe është mobilizuar, me të njëjtën retorikë dhe argumente, si në periudhën e kriminelëve të famshëm të luftës, të formatit të Millosheviqit, që të pengojë shpalljen e pavarësisë së Kosovës, që të pengojë jo vetëm një epilog të natyrshëm që buron nga shpërbërja e Jugosllavisë, por edhe zgjidhjen e vetme të drejtë që do ta stabilizonte paqen në rajon.

Presidenti aktual serb, Tadiç, i cili hiqet si i moderuar, gjate fushatës elektorale theksoi se çështja e Kosovës nuk është krijuar sot as dje, por i paska rrënjët shumë të thella, duke aktualizuar serish shpërnguljet e mitizuara të periudhës së patriarkut serb Arsenie III Çarnojeviçit, ,(Cërnojeviq, 1633-1706, i lindur ne Cetinë te Malit të Zi). Me këtë rast nuk është me rëndësi se këto shpërngulje janë teprime tipike serbe, as fakti se edhe një pjesëmadhe e pjesëtarëve të fisit shqiptar Kelmend iu bashkëngjitën eksodit dhe u vendosën në Vojvodinë(fshatrat Nikinci, Hërtkovci etj.) dhe në rajonin e Korushkës austriake, por me rëndësi është analiza e strukturës mentale të një lideri serb që nga faktori perëndimor perceptohet si i moderuar. Ai në mënyrë dogmatike pandeh se kufijtë e Serbisë së sotme kanë ekzistuar gjithmonë, mbase të caktuara nga vetë Zoti, prandaj çështja e Kosovës, sipas tij, zanafillën e paska në shekullin e XVII-të dhe se përmes një politike të mençur që do ta ndjekë ai, duhet të korrigjohet procesi historik. Me siguri, presidenti i moderuar serb, paska diçka pro-amerikane në vete: qenka adhurues i filmave të zhanrit të fantashkencës dhe për ta zgjidhur kontestin serbo- shqiptar me siguri do të përpiqet të konstruktojë një "Time-machine", një makinë- kohore që do të kthejë në shekullin e XVII-të një trim të njësive speciale serbe, të tipit të Arkanit për ta vrarë a penguar patriarkun Arsenie që paskësh organizuar "eksodin biblik" të serbëve nga Kosova.

Por, sado që këto teza duken anakronike dhe qesharake, megjithatë duhet pranuar se propaganda intensive dhe ekstensive serbe, megjithatë ka arritur të problematizojë tejmase një zgjidhje të natyrshme të një kontesti ndëretnik ku fajtori ishte i njohur që në fillim.

Tanimë në opinionin botëror çështja e statusit të Kosovës, e së drejtës për vetëvendosje, perceptohet, jo më si e drejtë inherente, e patjetërsueshme e një populli, si epilog i drejtë i shpërbërjes së një shteti federativ, por si dënim i(pa) drejtë i Serbisë. Ky këndshikim, krejtësisht i padrejtë ka ndikuar që në një pjesë të madhe të opinionit botëror, Serbia të perceptohet si viktimë i një komploti ndërkombëtar, ndërkaq shqiptarët, të karakterizuar si myslimanë, si skile që shfrytëzojnë rastin të zhvatin një pjesë të territorit të huaj. Viktimë të kësaj propagande të shfrenuar këto ditë u bënë edhe aktorët e famshëm të Holivudit, Xhorxh Kluni, Sheron Stoun, Riçard Gir, Shon Koneri, të cilët, sipas mediave serbe, do ta ngrinin zërin kundër cenimit të integritetit territorial të Serbisë, pra kundër pavarësisë së Kosovës.

Me brengosje duhet konstatuar se në planin propagandues,pala serbe tregon gjeturi dhe këmbëngulësi më të madhe.Ata tashmë për asgjë nuk ndiejnë faj, por përkundrazi, imponojnë tezën se ata mbrohen nga agresioni i të tjerëve, të ardhacakëve që vandalizojnë trashëgiminë kulturore, sakrale serbe,përkatësisht krishtere. Të lehtësuar nga përgjegjësia, ata arritën që të imponojnë tezën se Kosova qenka territor dhe jo koloni e tyre, të cilën ata e shfrytëzuan, eksploruan me dekada, duke ushtruar dhunë sistematike dhe të vazhdueshme kundër popullatës autoktone, shqiptarët.

Politika dhe propaganda serbe,e përkrahur nga mjeshtëria tradicionale agjituese ruse, në këtë fazë, edhe nëse Kosova do të pavarësohet, mbeten të kënaqur mefaktin se Serbia iu shmang fajësisë dhe se u arrit që të problematizohet një epilog i natyrshëm i shpërbërjes së Jugosllavisë. Të gjithë dinë se Serbia, me atë nivel kulturor dhe qytetërues, me ato kapacitete shtetformuese, në kushte shumë të volitshme, gati një shekull nuk gjeti zgjidhje normale për çështjen e Kosovës dhe është po aq e sigurt se ata as që mund të ofrojnë zgjidhje në të ardhmen. Të gjithë e dinë se ata Kosovën tashmë e ndiejnë si mallkim, si gur rreth qafës dhe shtrohet pyetja pse nuk sillen normalisht dhe të pajtohen me realitetin?Sjellja e tyre jonormale, është në përputhje me politikën e tyre tradicionale agresive, ofensive që parandalon mundësinë që ata të trajtohen si fajtorë dhe faktor i parëndësishëm në rajon. Ideologët serbë nuk kuptojnë se Jugosllavia nuk ekziston më dhe se ata njëherë e përgjithmonë e kanë humbur shansin që të luajnë rol të rëndësishëm gjeostrategjik, ashtu si Jugosllavia.

Pas pavarësisë së Kosovës, serbët do të vazhdojnë me politikën e kontestimit të këtij akti, do t'i shfrytëzojë serbët eKosovës si instrument, material shpenzues, duke i detyruar që të sillen si kolonë e pestë, si diversantë, si element jo luajal, që vazhdimisht do të bëjnë opstrukcione, për ta shndërruar Kosovën në shtet jofunksional, në vrimë të zezë ku zhduken të gjitha vlerat.E vetmja rrugëdalje nga ky kurth është kërkesa zyrtare e Kosovës, në bashkëveprim me faktorin ndërkombëtar për hapjen e çështjes së fajit, e përgjegjësisëpër luftën, ashtu si u veprua me Gjermaninë, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. " Transformimi i Gjermanisë nga një sistem totalitar...në shtet demokratik ligjor ishte njëri nga eksperimentet më gjithëpërfshirëse, më të suksesshme shoqërore politike në historinë e njerëzimit...", shkruan Hans Gynter Shtrobe(Heinz Gunter Strobbe në esenë "Denacifikimi i Gjermanisë". Sipas tij kjo u arrit përmes Demilitarizimit, çarmatosjes dhe shformimit të ushtrisë gjermane, Wermachtit, të njësivetë armatosura, SS-it, Gestapos, policisë etj, pastaj Demokratizimit, ristrukturimit demokratik të sistemit politik dhe ekonomik, të mediumeve, të sistemit arsimor dhe në fund Denacifikimit. Ky projekt i fundit ishte më i ndjeshëm, për shkak se mund të degjenerohej në hakmarrje dhe linç, por vetë gjermanët u angazhuan që të nxirret ligji për ta kontrolluar këtë proces(" Gesetz zur Befreiung von Nationalsozialismus und Militarismus"- "Ligji për çlirim nga nacionalsocializmi dhe militarizmi"). Vetë populli gjerman, sipas Shtrobe krijoi mekanizma për ta njohur përgjegjësinë, për të distancuar nga krimi dhe për ta shfajësuar popullin gjerman nga barra e krimit. Për këtë qëllim përgjegjësia u nda në pesë grupe:

1. fajtorët kryesorë; 2. ata që ngarkohen me faj(aktivistë, militaristë, shfrytëzues);3. ata që më pak ngarkohen( grupi që dëshmohet); 4. Pasuesit dhe 5. ata që janë liruar nga faji.

Ky projekt preciz, i operacionalizuar i denacifikimit, krahas dënimit gjyqësor parashikonte edhe masa të tjera destimuluese, si;

largimi nga shërbimet drejtuese, nga postet që gëzojnë respekt, besimin e opinionit;

kompensimi material i dëmeve përmes efekteve të punës;

ndërprerja e donacioneve financiare dhe ushqimore;

heqja e të drejtave qytetare dhe ndalimi i anëtarësimit në sindikata, në organizata profesionale dhe parti politike.

Me siguri ky projekt minucioz ka ngjallë indinjatë te populli gjerman, por ky ishte kushti për rikthim në rrjedhat normale të politikës.

Serbia s'do të kthehet në normalitet,s' do të shërohet nga nacifikimi nëse nuk do të fajësohet si shkaktare për tragjedinë e popujve të tjerë që ishin pengesë për oreksin e tyre hegjemonist.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora