E enjte, 25.04.2024, 08:12 AM (GMT+1)

Kulturë

Afrim Rexhepi: Estetika e migrimit

E merkure, 01.06.2011, 07:57 PM


Estetika e migrimit

 

(pragmatizëm teorik: Saga romaneske e Luan Starovës)

 

Nga Prof. Dr. Afrim Rexhepi –ligjerues i Estetikës në Shkup

Do të filloj me një konstatim të zbrazjes së subjekt – pozicionit të Zhan Bodrijar, “jo të arrihet në pikën kur dikush do të thot unë jam, por në pikën kur nuk do të jet e rëndësishme dikush të thotë “unë jam”. Definohet subjekt pozicioni / jo logjikë e kufizimit vetëm me vetveten, por edhe me Tjetrin. Në kritikën e tij postkolonijale, Spiveki definon, “Për mua pyetja: kush flet? është më pak e rëndësishme se pyetja, Kush ndëgjon? Unë do të flas për vete si person i botës së tretë. Por kërkesa bindëse është që kur të flas nga ky pozicion, nga tjetri duhet të ndëgjohem seriozisht”. (Deleuze / Guattari; 1983; 1) Implikacion: shkrimi migrativ / dekolonizimi i imagjinatës. Xhojsi, Hemingueji, Rilke, respektivisht letërsia bashkëkohore, në masë të madhe është letërsi e migracionit. Një vlerë e studimeve letrare europiane: studimet kulturologjike, interkultura dhe imagologjia.

            “Letërsia e shek. XX është në pjesën më të madhe të saj është letërsi e mërgimit, në gjirin e së cilës shprehen ndjenja të natyrshme përmes një fati të përbashkët, duke pasur si pika referimi largimin dhe humbjen. Shkrimi i shkrimtarit në mërgim dhe mërgimi i shkrimtarit kah matrica bazë, është një dukuri e dendur dhe gjithherë e më e shpeshtë. Sa më e largët është distanca nga matka, aq më shumë shkrimtari afrohet me të gjitha mjetet e disponueshme”. (Topçiu; 2006; 1)

Demonstrim i letërsisë në migracion është diskursi i Armando Njishit që definon, “letërsia në migracion, është letërsi e re në botë”. “Gjykuar nga pikvështrimi imagologjik, letërsia migrative lidh fatet e popujve nga pjesët e ndryshme të botës (edhe në Evropë), duke mundësuar dialog midis mua dhe tjetrit, midis ne dhe atyre. Ne jemi të thirur të komunikojmë dhe të ridefinohemi, ta provojmë në mënyrë aktive relativitetin tonë”. (Mol, 1999; 223) Idea e komunikimit, ndjenja për Tjetrin, është interaksion. Autenticiteti është komponentë esenciale e shkrimit migrativ, e letërsisë në migracion. Ç’ rrënjimi, zhdukja, shkatërrimi, fitorja, triumfi apsolut në botën e librave, janë binomi që e karakterizojnë fiksionin artistik të shekullit XX. Autenticiteti / shpirti autentik, ndodhet në botën introverte të sociemit familja, bërthama strukturore e sagës romaneske të Luan Starovës.

            Njësitë narrative të figurës Babai: kërkonte dalje për familjen nga labirinthi historik i ballkanit; - emigrant, jopartiak, i mbeti besnik gjuhës shqipe; - i ringjallte kujtimet e të parëve; - nuk e kishte ndjenjën që deri në fund është i lidhur për ndonjë vend, gjuhë dhe  besim; - ishte i kryqëzuar midis Lindjes dhe Perëndimit etj. (Starova; 1993)

            Në esencë, letërsia sagë e Starovës nuk e rrëfen historinë e ndonjë familje por rrëfen mënyrën si një familje e bën historinë e vet. Në sagën romaneske, kontakti kulturor është proces i zgjatur interaktiv midis grupacioneve të kulturave të ndryshme: vendas / emigrant. Saga romaneske nuk është sferë estetike e kulturës së rrezikuar nga Tjetri. Imazhet e saj narrative nuk karakterizohen përmes konotacioneve pozitive – imazhi i Tjetrit, stigmatizimi i Tjetrit, hegjemonizmi kulturor, por përmes pozicionit të Redfild “kontakt pa konflikt”, apo siç shkruan Starova, “Atdheu i njerëzve është jeta vet” apo “Njerëzit e mi, janë  ata me të cilët jetoj”. Njësitë narrative implikojnë zgjidhje ekzistenciale – kontaktin dhe përballjen me Tjetrin. Duke e ridefinuar maksimën e Dekartit “Unë mendoj prandaj ekzistoj”, në maksimën “Unë shoh prandaj ekzistoj”, në kuptimin të jesh do të thotë të jesh i percipuar, teoricieni i kulturës Mike Bal definon koncepcionin e saj për estetikë migrative si një estetikë relacioniste interkulturore. Sipas Mike Bal, përballja që nënkupton një vlerë specifike të fytyrës përmbledh tre akte:

-          kontakti është akti i shikimit të Tjetrit në fytyrë;

-          kontakti do të thotë të hysh në marëdhënie përmes perceptit,

me dikë që nuk mund të lihet anash dhe të margjinalizohet;

-          kontakti do të thotë akti i lidhjes / interaksionit ndaj Tjetrit dhe

pranimi i nevojës që del nga kontakti, thjesht si kusht që të  ekzistosh. “Kontakti implikon që “të shikoj (ty), do të thotë që (ne) ekzistojmë”. (Baal; 7). Estetika migrative ka të bëjë me shembuj specifik të lidhjeve që realizohen përmes shqisave. Riçard Rashton definon, Kur ndodhem para Tjetrit, ndodhem në fushën e mundësive, të lidhjeve të mundshme, kontakteve, konfrontimeve, pritjeve, kreacioneve, shkurt ndodhem në mundësinë për vete. Një mundësi e pafundë është e ndrëprerë nga mundësitë e caktuara që i posedojë, kur ndodhem para Tjetrit”. (Spivak, 22)

            Intersubjektiviteti bazohet në trurin dialogjik që pranon Tjetrin, qofsht ai i ngjashëm apo i ndryshëm, duke kështu  i dhënë hapësirë ndjenjës së mallit, dashurisë, urretjes dhe shpresës. Në Sagën romaneske, intersubjektiviteti realizohet përmes raporteve komplementare të personazheve Babai – Çanga: - u bënë miq të ngushtë, të pandashëm; - sinqeritet të ndërsjelltë; - ishin të fascinuar nga historia mistike e kalasë; - Babai mirë e njihte shpirtin e madh të Çangës, apo raportet komplementare Babai – Igor Lozinskij: - të dy ishin emigrant, të ardhur nga anët e kundërta të rrjedhës së lumit; - për herë të parë i tregonin motivet pse u e ndjeknin rrugën e njalave; - thellë e ndjente paralelen që bënte Babai midis rrugës së njalave dhe rrugës së njerëzve; - të dy ishin emigrant thellë të zhytur në lëvizjet migruese të shpendëve dhe të peshqive të liqenit, duke proektuar lojën dialektike. Njësite narrative pararendëse , esencializojnë empatinë, aftësinë e individit të mund të kuptojë pozitën interaktive nga perspektiva e Tjetrit dhe ta kontrollojë veprimin e vet duke e pasur parasysh pikvështrimin e Tjetrit. Të jetosh me Tjetrin, të jetosh si tjetri në Tjetrin, kjo është detyra fundamentale e njeriut sot. Në fakt, interaktivat Babai – Igor Lozinski dhe Babai – Çanga janë transaktive, sepse personazhet ndodhen në situatë të varur nga njëri – tjetri: perceptim pozitiv interaksional, pranim i dyanshëm, intergrim i identiteteve funksionale, , interesa të përbashkëta etj. Në sagën romaneske, në bazë të transaksionit / natyra afektive (estetike) realizohet “e drejta e dallimeve”. Komunikimi është proces dinamik. Romani hap mundësitë e ekzistencës, sepse logjika e saj është gjasa, është mundësia vet.

 Memoria e një kulture, del nga specifika e shkrimit të sigurojë kontinuitetin e një mesazhi të kodizuar dhe se saga romaneske është shkrim i zgjeruar ku si të thuash tejkalohen edhe kufijtë e gjuhës. Njësia narrative ku figura Babai pranë vdekjes sipas logjikës së etosit nacional, drejton shikimin kah dielli apo pasqyra e nënës dhe çelësat e shtëpisë, janë materiale memorizuese më shumë se shkrimi. Është funksional nocioni i Deridasë “gjurma”. “Gjurma” është pra – fenomen i kujtesës por edhe i të kaluarës që kurrë nuk përjetohet në formën e saj të parë. Në kontekst, në pajtim me Deridanë për prezencën metafizike është edhe nocioni rekolekcioni i Aleida Asman me ndihmën e imagjinatës që sumon gjurmët, krijon suplementin / shtojcën për atë që ka kaluar. “Atë që memoria e humb në autenticitet, e krijon në konstruktivitet”. (Assmann, 2000; 103) Përmes interpretimit të gjurmëve, Luan Starova krijon arheologji të komunikimit letrar – sistematizimin ahistorik që logjizohet në procesin - narrativi i kombit. Analogji funksionale, definimi që “Letërsia shqiptare duhet të jet e përgaditur për të pranuar këtë “produkt atipik”. (Topçiu; 1)

            Shkrimi migrativ / ekzili në shkrim (siç e definojmë Sagën romaneske të Luan Starovës) është demonstrim i poetikës së migracionit / estetikës migrative, është procedim shumë funksional dhe i dobishëm për kulturën migrative sot, për kuptimin e lojës globale kulturore Lindje – Perëndim, thellë e inkorporuar në gadishullin ballkanik. Në funksion një paradigmë interpretative e Sagës romaneske: të kuptohet ballkani do të thotë të kuptohet bota sot. 

Referenca:

            Deleuze / Guattari, On the line, në Semiotext, New York, 1983.

           Luan Topçiu, Migrimi, dygjuhësia dhe rrënjët e identitetit ballkanik (Sprovë mbi prozën e Luan Starovës), Shekulli, 2. 12. 2006.

            Nora Moll, Immagini dellaltro: Imagologia e studi interculturali. Introduzione alla letteratura comparata. Ed. Armando Gnisci. Milano: Mondadori, 1999.

            Luan Starova, Librat e babait, Shkup, 1992.

            Luan Starova, Koha e dhive, Shkup, 1993.

            Luan Starova, Rruga e njalave, Shkup, 2000.

Baall, Mike, Poetics of migration, Amsterdam, 2007.

            Aleida Assmann, Erinnerungsraume, Munchen, 2000.



(Vota: 5 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora