E enjte, 25.04.2024, 03:08 PM (GMT+1)

Kulturë

Pal Ndrecaj: Roman mbi shkatërrimin moral që nis nga maja

E merkure, 01.06.2011, 07:58 PM


VËSHTRIM KRITIK:

 

ROMAN MBI SHKATËRRIMIN MORAL QË NIS  NGA MAJA

 

Romani “Bibolasit” i Ramiz Gjinit trajton një fenomen të rrahur mjaft në këta 20 vjetët e fundit. Ajo që e shpëton atë nga rutina e temës së trajtuar dendur është fakti se Gjini nuk i nxjerr deformimet shoqërore si pasojë të një sistemi që nuk funksionon, pra nuk e lë çasjen letrare peng të çasjes  sociologjike: ideja e romanit na shpie drejt një konkluzioni të mundshëm se deformimet shoqërore burojnë nga vet psikologjia dhe shpirti i individit.

 

Nga: PAL NDRECAJ

 

Libri “Bibolasit” i shkrimtarit Ramiz Gjini është një vepër, e cila përmes linjave të tij rrëfimore mëton të përfshijë sa më shumë aspekte devijante të jetës në Shqipëri, në fazën delikate të ndërrimeve të mëdha politike.

Fabulat e romanit marrin formë nga ngjarje e detaje herë-herë fare të vogla, siç është puna e ndjekjes së mizave nga Zav Tarrota, ajo e kruarjes së ndërsjellë të pjesëve të trupit të personave që përfaqësojnë bartësit e pozitave të larta në shoqëri, etj. Mirëpo, këto detaje të vogla kanë rëndësi sepse në njërën anë shpërfaqin aspekte të karakterit të personazheve dhe japin botën e tyre, një botë krejtësisht e zbrazët, e pavlerë dhe e padinjitetshme, siç është e padinjitetshme vet koha që i ka bërë ata dhe, në anën tjetër, përmbajnë sfondin (e verdhë) të jetës në Shqipëri.  Mendoj se kundrimi i personazheve në aspektin e ndërtimit të tyre psikologjik dhe të botës së tyre shpirtërore  si produkte  të një klime shoqërore që me dekada ka synuar shpëlarjen e trurit të njeriut për ta kthyer atë në një instrument; pra një kundrim i vetjeve në nivelin e karakterit që shkrimi letrar synon ta përgjithësojë në nivelin e një prototipi të caktuar për ta gdhendur si figurë përfaqësuese të një mendësie me shtrirje më të gjërë kohore e hapësinore, nuk është vetëm gjetje.

Ideja për të shkruar për këtë libër, fillimisht më ka vënë para disa dilemave, që, kryesisht, kanë  të bëjnë me mënyrën nga e si do t`u çasem rrëfimeve të shumta të përmbledhura në të. Gjatë leximit të gjysmës së parë të librit kam vënë re se po më “sugjerohej” një ide krahasuese e këtij libri me romanin famoz “Unë jam e kuqja” dhe me autorin e saj, shkrimtarin turk të përmasave botërore, Orhan Pamuk. Para se të lejoja formësimin e plotë të një ideje të tillë, që mund të jetë me rrezik për qëndrueshmërinë e argumentit që provon ta mbështesë, më është dashur të zgjidh çështjen konvencionale: çka kanë të përbashkët këta libra dhe këta autorë? Duket se e përbashkëta e tyre qëndron në synimin për të pasuruar tablotë me imtësi dhe për të treguar sa më shumë ndodhi. Ose: Pamuk makrotragjikën e popullit të tij e sheh të shkaktuar nga një shumësi mikrotragjikash, ndërsa Ramiz Gjini tragjikën kryesore të vendit të tij e sheh të formuar nga disa gjëra komike, poashtu të vogla, por, që në mozaikun e madh të tragjedisë  kombëtare bartin peshë të rëndësishme. Dhe kjo përjetohet si një element i bukur gjatë leximit.

Humori i lehtë dhe në të shumtën e rasteve me funksion, sarkazma e rëndë dhe përherë e më goditëse, therrjet ironike dhe të gjithkundshme, e bëjnë lexuesin të ndjehet i kënaqur shpirtërisht, i ngopur estetikisht dhe i relaksuar në planin psikologjik.

Në këtë kohë të mbingarkesave shpirtërore, të goditjeve psikologjike  që shkaktojnë streset e përditshme; në këtë kohë të vërshimit të pseudovlerave, në, pothuajse, të gjitha fushat, pa lënë anash as artet, të cilat kanë për shkaktarë të përbashkët politikën, gjegjësisht deformimet e kësaj veprimtarie aq të vjetër njerëzore, rrëfimi i një tragjedie gjithpërfshirëse me një gjuhë të dominuar nga humori, siç bën Ramiz Gjini, paraqet mënyrën më të mirë për të vënë në pah pasojat e deformimeve, të cilat ua kanë nxirë dhe vazhdojnë t`ua nxijnë jetën njerëzve të rëndomtë. E “Bibolasit” është pikërisht libër për deformimet. Për deformimet që shfaqen në një kohë shumë delikate: në kohën e ndërrimit të sistemeve shoqërore, të atij monist me atë pluralist. Kjo temë është trajtuar mjaft në këta 20 vjetët e fundit dhe ajo që e shpëton romanin e Gjinit nga rutina e temës së trajtuar dendur është fakti se Gjini nuk i nxjerr deformimet shoqërore si pasojë të një sistemi që nuk funksionon, pra nuk e lë çasjen letrare peng të çasjes  sociologjike. Ideja e romanit na shpie drejt një konkluzioni të mundshëm se deformimet shoqërore burojnë nga vet psikologjia dhe shpirti i individit.

 

BIBOLI SI TOPONIM DHE BIBOLI SI SIMBOL

 

Biboli nuk është vetëm toponimi i një vendi të korruptuar për aq sa ia dimë ne namin fenomenit të korrupsionit, por ai shkon përtej, duke marrë, herë-herë, peshën e një simboli që përmbledh të gjitha kuptimet negative të një mjedisi të dalur vlerash e të degjeneruar totalisht,  për aq sa ia dimë të gjithë namin fenomenit të degjenerimit. Biboli është vendi ku shiten e blehen tituj shkencorë e tituj nderi, diploma e medalje, dekorata e mirënjohje të lëshuara në emër të Presidentit të Republikës e të Kryetarit të Kuvendit Popullor. Biboli është vendi ku paraja e bën ligjin, ku ligjin e “zbatojnë” prokurorë e kryetarë gjykatash me diploma të blera, ku diplomat shiten legalisht sepse vijnë nga hierarkia më e lartë dhe ku në hierarkinë më të lartë qëndrojnë njerëzit më të ulët. Një vëzhgim i vëmendshëm i këtyre pjesëve na e sjell në kujtesë romanin e Kafkës, “Procesi”, në këndvështrimin e psikanalistit Erich Fromm, ndonëse për të përmbushur mirë efektin simbolik, ashtu siç heton Fromm tek “Procesi”, autorit të romanit “Bibolasit” do t`i duhej edhe pak më shumë përkushtim. Sidoqoftë, kushdo që Bibolin e sheh vetëm si një toponim gjeografik të rëndomtë, dhe pa peshën simbolike ka “qendruar” vetëm fizikisht në atë qytet, apo më mirë të themi ka “aderuar” aty rastësisht . Ai, pra Biboli, sugjeron idenë e një shkatërrimi moral që nis nga maja, zbret poshtë, prek të gjitha gjymtyrët e shoqërisë dhe, pasi e  zhvesh atë nga çdo vlerë njerëzore e rrokullis në greminat e pashpresa.

Jeta në Bibol jepet në aq shumë aspekte sa mund te flasim lirisht për politikën në Bibol, për artin e Bibolit, për ekonominë në Bibol, për etikën e moralin e Bibolit, pra për aspekte të gjëra të sferës private dhe shoqërore në këtë qytet imagjinar që me bagazhin e fatkeqësive që bart bëhet i krahasueshëm me dy qytetet biblike, Sodomën e Gomorën.

Pothuajse, i tërë teksti është i veshur me një vel farfuritës humori, i cili e bën shumë të këndshëm leximin. Ai vel humori farfurin edhe kur Zav Tarrota shkon shtëpi më shtëpi duke ndjekur  mizat, edhe kur i vërsulen gratë e funksionarëve, përderisa ua ndjek mizat, edhe kur funksionarët e lartë shesin diploma e dekorata, edhe kur niveli i korrupsionit arrin në pikat tragjike, edhe kur kruarja e shpinës së një funksionari të zgjebosur bëhet kusht për një favor të caktuar, edhe kur njeriu i gjallë bie në gropë betoni, ndërsa të tjerët kërkojnë të nxjerrin përfitime politike nga fatkeqësia e tij, edhe kur njerëzit zhvarrosin kufomat e të vdekurve që kishin ndërruar jetë pa ua larë borxhin material dhe ua shesin të huajve për nevoja të hulumtimeve  shkencore, edhe kur një nëpunës i këtij qyteti, pos gjerave të nevojshme materiale, ia vë në dispozicion të huajit edhe gruan e tij te re e te bukur, edhe kur shkrimtari i këtij qyteti me emrin Nurçe  shpalos kështu mënyrën e krijimit të artit në këtë pjesë interesante të botës: “Për të shkruar një roman kriminalistik, duhet pritur të ndodhin ngjarje të tmerrshme  në qytet, vrasje e krime, kurse për të shkruar roman dashurie duhet pritur ardhjen e pranverës, të bilbilave dhe shtrimin  e gruas së tij në spital, sepse kjo ia shton mallin atij”. Të gjitha këto shtresa të një humori të zi përmbajnë elementet e psikologjisë së një shoqërie që është në agoni e sipër.

Në pjesën dërmuese të veprës autori ndjek një model të tillë thurjeje që e bën përherë e më të këndshëm leximin. Ai shmang ndërhyrjet e tij narrative gjatë përshkrimit të situatave, momenteve e dukurive, duke ua lënë hapësirën e veprimit personazheve.

Ajo që e bën interesant rrëfimin e R. Gjinit  nuk janë vetëm skenat e bukura e të gjalla, me plot dramacitet e nënshtresa kuptimore, por edhe mënyra se si rrëfen dhe dinamika e ngjarjeve. Ngjarjet që tregohen në këtë libër janë ca dromca interesante përditshmërie, të cilat rrjedhin nëpër disa linja rrëfimore që nuk bashkohen gjithhere në funksion të një ideje qendrore a të një motivi kryesor. Herë-herë ato linja duken aq “autonome” sikur të jenë futur aty për të pasuruar gamën e ngjarjeve, të rrëfimeve e të ndodhive.  Pra, ca dromca që gjenden kudo dhe kurdo në jetë, por për t`u transformuar nga fakte të rëndomta në fakte letrare, do të duhej kaluar nëpër një proces të domosdoshëm “asimilimi”, i cili do të vinte më mirë në pah raportet kushtëzuese e të vartësisë së ngjarjeve dhe lidhjet a ndërprerjet logjike të tyre.  Sidoqoftë, duke qenë rrëfime interesante dhe realisht të bazuara në jetën e njëmendtë, ato lexohen me aq kënaqësi sa nuk të lënë lehtë të largohesh prej tyre.

 

NGA KRITIKA E SHOQËRISË TEK KRITIKA E ARTIT

 

Romani “Bibolasit” nuk kufizohet vetëm në kritikën kundër të metave të sferës politike, por ai prek edhe deformimet në sferën e artit. Vlerat e rrejshme në arte, shkrimtarët e rrejshëm paraqesin një nga skenat më interesante në këtë vepër. Një pamje interesante e kësaj është përgjigja e shkrimtarit Nurçe në kërkesën e policit Krroqi për të bërë një roman me ndodhitë e këtij të fundit. Dialogu mes këtyre dy personazhëve vë në pah për bukuri falsitetin që po kaplonte artin në Bibol. Një mënyrë interesante është edhe ajo e përshkrimit dhe tipizimit të karaktereve, i cili, në shumicën e rasteve nuk jepet me ndërhyrje narrative, por nga vet aksioni i vetjeve. Është shumë mbresëlënës ky rast:  “Shkrimtari Nurçe u mbush thellë me frymë, hapi krahët si të deshte të fluturonte dhe githë solemnitet tha: Kam një roman…” Tri pjesët e kësaj fraze: “U mbush  thellë me frymë”, “hapi  krahët si të desh të fluturonte”dhe pjesa “gjithë solemnitet tha” paraqesin tri pika krejtësisht të njëjta të një disponimi shpirtëror të personalitetit të Nurçes, pra të një njeriu falso dhe shkrimtari falso. Atëherë, kur të trija pjesët e frazës së cituar paraqesin momente të njëjta disponimi, përse autori i përdor njërën pas tjetrës? Mendoj se ato tri momente pos që ngrisin nivelin dramatik të rrëfimit i shërbejnë edhe intencës së plotënisë së po atij disponimi shpirtëror të personazhit të cituar. Le të marrim me mend një njeri falso, i cili edhe në përpjekjen për të qenë shkrimtar del vetëm një shkrimtar falso dhe pasi që është pyetur tërë mburrje  nga një mik i tij nëse kishte në dorë ndonjë kryevepër të re (pra, kryevepër e jo vepër) përgjigjet: Po, kam një roman. Pra, pyetja e Krroqit nuk është një pyetje e rëndomtë e një kurreshtari, sepse ai ende pa u botuar libri, ende pa marrë vlerësimin e lexuesit e të kritikës e quan atë kryevepër. 

Një mbresë më vete lënë edhe emrat e personazheve, shumica dërmuese e të cilëve përbëhen nga shprehje të deformuara kuptimesh apo asociime negative, si: Krroqi, Barbullush Çartallozi, Dodë Marria, Zav Tarrota, Sheme Shkemza, Mazllum Çederi, Haruni, Karaman Zabzuni, etj.

Romani mëton të sjell jo vetëm ngjarje interesante që ndodhin e zhvillohen në segmente të afërta të piramidës shtetërore, por edhe  aspekte të marrëdhënieve mes individëve dhe të raporteve të tyre me shtetin. Duke qenë se këto aspekte të jetës shoqërore prekin çështje më kruciale të kësaj forme organizimi që njeriu me shekuj e quajti shtet, atëherë kërkesa e lexuesit arrin shumë larg në pritje të ideve më përfaqësuese të këtyre  aspekteve, siç janë: motivet që i shtyejnë vetjet e romanit në veprimet e tyre dhe një varg shkaqesh tjera, deri tek format e motivimit psikologjik e shpirtëror. Në kupën e këtyre kërkesave ka pasur vend për t`u hedhur edhe pak më shumë.

Libri i Ramiz Gjinit “Bibolasit” është manifestim i një dije për të shkruar, i një talenti për të krijuar dhe i një mjeshtërie për të thurë skena e për të krijuar situta.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora