E enjte, 25.04.2024, 08:02 PM (GMT+1)

Kulturë

Arsim Halili: Intervistë me Pëllumb Goricën - poet dhe studiues

E merkure, 01.06.2011, 07:57 PM


 

INTERVISTË ME PËLLUMB GORICEN- POET DHE STUDIUES

 

Nga Arsim Halili

 

Një prezantim të shkurtër  për z. Gorica

 

 Është dëshirë e gjithsecilit krijues që në një mënyrë a një tjetër të komunikojë me fjalën. Në bashkëbisedimin tonë për lexuesit jemi me poetin dhe studiuesin Pëllumb Gorica, në një komunikim të thjeshtë dhe lirshëm.

  Në fillim të kësaj interviste do donim të flisnim diçka për Pëllumbin. Pëllumb Gorica është me origjinë nga krahina e Sulovës (Elbasan) dhe prej 20 vjetësh është integruar natyrshëm në jetën e përditshme të Tiranës. Shkruan poezi, merret me studime letrare, historike, kulturore.

 Të njohësh atë sigurisht duhet të përballesh me një njeri, që ka një kulturë të gjerë, që përmes një bashkëbisedimi shumë mbresëlënës e shpreh qartë. Ajo çka u jep peshë fjalëve të tij është imponimi vetvetiu i respektit dhe ke dëshirë ta dëgjosh gjatë, kur flet në lidhje me pasionet e tij. Krahas pasionit për të shkruar pëlqen fotografinë, udhëtimet, shoqërinë, forumet. Është një admirues i madh i natyrës. 

  Pa u zgjatur shumë për të bërë portretin e tij, mund të themi se Pëllumbi me ndjenjën e pastër e të pafund për krahinën e tij, Sulovën, hulumton në  traditat e saj historike, etnokulturore, figurat e njohura që kanë bërë emër, njerëzit punëtor e gjithçka të mirë e të bukur të saj.

 

1. Është me interes për lexuesit tanë një njohje për krahinën Tuaj, Sulovën. Ku gjendet ajo?

 

  Sulova shtrihet në këmbet e shtatores Tomorr, malit të perëndive. Thepisjet e malit Tomorr thyhen në kodrat e Sulovës. Sulova ka këmbët në ujë. Laget nga lumenjtë Devoll, Osum, Tomorricë. U jep të tjerëve të pinë e për vete digjet në vapë.

Ndihem krenar për Sulovën ku jam lindur e rritur, se po të mos isha bir i saj mbase nuk do isha ky që jam, krenar siç dëshiroj për njerëzit që duan vendlindjen. E admiroj me ëndje imazhin e saj të mrekullueshëm edhe kur është dimër e bie shi, por gjithmonë mikpritës e mbresëlënës. Edhe pse ndonjëherë kalojnë muaj për shkak të impenjimeve të shumta mezi pres të shkoj atje, të çmallem me njerëzit e mi, me natyrën që është mjaft e rëndësishme për mua. Fshatrat shtrirë luginës së lumit Devoll ndërthuren me peizazhin e bukur të kodrave e kreshtave shkëmbore. Është kjo magji që më çon shpesh drejt saj  fizikisht e shpirtërisht, duke u kthyer ku jetoj e banoj me një bagazh të ri përshtypjesh. Të tilla përshtypje mora edhe nga festa e “Ditës së Verës”

 

 2. Në  Elbasan festohet “Dita verës”  një nga festa pagane e cila i tejkalon kufijtë e këtij qyteti. Çfarë më tepër mund  të na flisni rreth organizmit të saj

 

“Dita e Verës” është një festë e bukur, pjesë e traditës së lashtë pagane, që lidhet me kalimin e dimrit dhe fillimin e stinës së pranverës. Elbasanasit këtë ditë me ndjenja të theksuara për gëzim e festojnë në një manifestim popullor. Një natë para kësaj dite nisin përgatitjet. Qyteti vesh petkun e shndritshëm të festës me ngjyrat e dritave që e zbukurojnë akoma më shumë dhe ngjajnë sikur janë derdhur mijëra yje. Njerëzit derdhen rrugëve e pushtojnë bulevardin me gjallëri deri vonë. Festës e gërshetuar me elementë të qytetarisë ka marrë vlera edhe me karnavalet, koncertet. Edhe poetët bëhen pjesë e festës me festivalin e përvitshëm poetik “Trëndafilat e Elbasanit” ku simbolike është edhe mbjellja e një peme për poetin më të mirë. Gëzimi dhe hareja e kësaj feste rrëmben  edhe rrethinat e tij me rite në përshtatje me kohën e sotme në ndjesinë e bukur të mjediseve me vlera të spikatura peizazhesh çlodhëse të trevës së Elbasanit si në Byshek, Burimin e Bankës, Çezmën e Kasinës, por edhe në vende të tjera në Dumre, Shpat, Sulovë, e cila merr një tjetër dimension dhe e shton më shumë kënaqësinë për të festuar tok me të afërmit, miqtë e shokët.

 

3. Le t’i kthehemi për pak punës tuaj krijuese, çfarë i ofron z Gorica artdashësve të tij?

 

            Kush ka dëshirë ulet e merr penën dhe shkruan në liri dhe hapësirë. Me pasionin tim qëmtues, tashmë të kthyer në qëllim në vetvete, kam vite që jam i lidhur shpirtërisht me dëshirën për të qenë vetvetja. Çdo krijues e gjen veten në një fushë apo disa syresh. Pasioni im më i madh është studimi i historisë dhe i traditave, duke e lidhur pjesën më të madhe të krijimtarisë time me krahinën time, Sulovën e Elbasanit. Një arsye me shumë për të shkruar e domosdoshmëri për kohën tonë është e vërteta dhe përgjegjësia për ta shpallur atë. Shkruaj dhe poezi, vështrime letrare, ese, studime historike, të traditave, që kanë koncepte artistike. 

 

4.  Ju po jepni kontribut, madje edhe hulumtues, që bëhet fjalë për vlerat, traditat e krahinës, mund të na thoni diçka më tepë për lexuesit tanë?

 

Për krahinën time, Sulovën, me vështirësitë për të sjellë e evidentuar, por edhe i zhveshur nga ndikime politike në këndvështrimin real po qëmtoj thellë, duke gjurmuar lashtësinë e saj historike, traditat etnokulturore, veçori e vlera të saj. Më së shumti kam pasqyruar ngjarjet interesante, figurat që kanë luajtur rol kohërave në historinë e saj, traditat e bukura. I kam bërë të  prekshme për të mos mbetur në humbëtirën e harresës këto vlera dhe veçori historike e shpirtërore të saj, atë çka kemi trashëguar nga e kaluara si një pasuri të popullit.

Para dy vjetësh botova librin: “Sulova e Poshtme në shekuj”, vështrim enciklopedik për të gjithë ata që duan të dinë për këtë krahinë afër qyteteve Elbasan, Berat e Gramsh. Historia e Sulovës është pjesëz e historisë së Shqipërisë, histori liridashëse, punëdashëse, arsimore kulturore. Këtë pjesëz historie jam përpjekur ta sjellë me detaje konkrete. Përpjekjet për liri e mbijetesë, për zhvillim ekonomik, për dramat sociale që kanë kaluar, emërtimet, bukurinë, peizazhin, traditat e bukura, këngët, dasmat, festat, urimet, të gjitha i kam mbledhur në këtë libër.

 

5. Ne lidhje me profesionin që ushtroni sa reflektohet  puna profesionale në pasionet, në punën tuaj krijuese.

 

  Do ta konceptoja me një fjalë: ditët rrjedhin mes profesionit dhe pasioneve të mia. Tirana, qyteti ku unë jetoj e ushtroj profesionin prej më shumë se dy dekada i ka dhënë një spektër të gjerë vështrimi realizimit të pasioneve të mia. Në pasionet e sidomos punën krijuese gjej forcë për të krijuar atë që ndjej. Mjafton që njeriu të ketë në shpirt një dëshirë të mirë, por e gjen kohën, pa u ndikuar nga profesioni, që të krijojë, të eksplorojë natyrën, të fotografojë, hulumtojë historinë, të bukurën, vlerën. Dhe këto janë elementë ku unë gjej qetësi e paqe me veten, duke u munduar të bëj atë që më pëlqen. Gjëra të tilla i ndjej të përfshira edhe në kënaqësinë e takimeve me miq krijuesë, apo edhe në përshkrimet e mbresave nga udhëtimet. Çdo gjë që shkruaj e kthej në qëllim për të realizuar pasionin tim.

 

6. Poezinë e konsideroni vetëm pasion, apo jetoni brenda saj ?

 

Së pari, sipas meje, poezia nuk është thjesht pasion. Ajo është një frymëzim qiellor, që lind bashkë me poetin dhe zhvillohet me të. Askush nuk mund të bëhet poet dhe të shkruash poezi nuk është e lehtë. Në asnjë shkollë nuk mund të mësojë për këtë lloj arti, po nuk pate bekimin dhe frymëzimin qiellor. Sipas një shprehje turke, poezia është Iddajeti hak, pra, frymëzim dhe bekim nga Perëndia. Ata kanë lindur të tillë, ndaj janë poetë.  Atë që perëndia ia ka dhuruar krijuesit, asnjë lloj shkence nuk mund t’ia mohojë.

 

7. Kur jemi te poezia , mendimi i juaj, sot ku është ky art hyjnor ?

 

   Është shkruar dhe folur shumë. Sot ka mjaft poetë, të të gjitha kategorive.  Tendenca për të bërë revolucion në poezi, shumë syresh i ka larguar nga poezia tradicionale, në emër të modernizmit. Por gjithsesi, poezia lirike shqiptare ka arritur një zhvillim të admirueshëm sot edhe pse në kushtet e globalizmit dhe imitimit. Tendenca gjithmonë e më tepër për lirizmin, në një farë mënyre ka shmangur poezinë patriotike, atë me të cilën ne jemi frymëzuar në shekuj dhe që na ka mbajtur gjallë krenarinë tonë kombëtare. Kjo nuk do të thotë se unë jam kundër kësaj forme poetike, por e theksova për të vënë në dukje këtë realitet, që bie në sy në të gjitha vëllimet poetike të ditëve të sotme.

 

8. Sa kam lexuar për ju z Gorica dhe nga ju, keni trajtuar disa vepra letrare mendimi i juaj ku është letërsia e këtij fillim shekulli?

 

  Është një pyetje që zgjon interes. Letërsia sot është në rrugë progresive, edhe pse lexohet pak. Modernizimi i shkencës elektronike ka tërhequr vëmendjen e lexuesit, duke ia ka rrëmbyer vëmendjen nga leximi, prapëseprapë letërsia ka njohur një zhvillim të paparë. Çdo ditë, çdo muaj apo vit, me dhjetëra libra botohen. Dhe, natyrisht, e përmbledhur me dy fjalë, kur ka sasi ka edhe cilësi. Përherë e më shumë gëlojnë talente të reja që sjellin risi dhe forma origjinale në letërsinë e sotme  e që perfomojnë artin sinjikativ dhe proverbial të kohës që përjetojnë. Aktualisht, në Klubin e Shkrimtarëve “Kostandin Kristoforidhi”, të Elbasanit, ku unë bëj pjesë, botohen të paktën 50 libra letrare në vit të të gjitha gjinive e zhanreve. Natyrshëm, në shfletimin e vëllimeve poetike, tregimeve, romaneve, monografive jo vetëm për të shijuar vërtetë më në thellësi leximin e tyre, por, duke kundruar brenda këtyre krijimeve risitë që sjellin, jam munduar në një vlerësim dhe evidentim për figuracionin, forcën shprehëse, tematikat e trajtuara, përshtypjet, mendimin filozofik, mesazhet e tyre dhe vlerat e çdokujt që shkruan poezi, prozë apo hulumton. Në krijimtari është me rëndësi të jesh vetvetja në çdo gjë që shkruan sepse është më mirë të mos shkruash se sa të mbushësh faqet me përsëritje apo imitime.

 

9. Në udhëtimet tuaja s’reshtni së pasqyruari natyrën, monumentet, qytetet, që vetëm një njeri pasionant pas tyre i përshkruan në këtë mënyrë. A mund të na përshkruani  në pak rreshta këtë pasion tuajin?

  

Dëshirën për udhëtime ka kohë që e ushqej me pasion. Ndjesi kjo që nga fëmijëria ime. Me mënyrën se si i përshkruaj, përherë me forcën e fjalës dhe imagjinatës së saj, e cila është gjë e mirë për të shprehur përshtypjet, mundohem t’i gërshetoj edhe me mjaft elementë të tjerë informacioni historik, gjeografik, kulturor të vendeve që shkel, por edhe fotografi me pamje mbresëlënëse, duke përcjellë te të tjerët një pjesë të mrekullisë, lashtësisë, vlerave kulturore që kemi. Çdo vend, qytet, krahinë ka të veçantën apo uniken që të magjeps. Natyra me mrekullinë e saj për mua mbetet përherë  një frymëzim dhe unë jam i prirë ndaj udhëtimeve shumë më tepër se sa për pasionet e tjera.

 

10. Takimet e niveleve të ndryshme letrare, gjithsesi e kanë edhe efektin e vet njohës. Për ju z Gorica, sa sinjifikative janë këto takime dhe ç’mesazhe përcjellin?

 

Takime të tilla padyshim janë ngjarje të bukura për komunitetin e krijuesve.  Ato të japin ndjesinë të përjetosh mbresa të paharruara. Edhe diku tjetër e kam thënë se takime të tilla janë një mjet i fuqishëm shpirtëror, sinteza të shkëlqyera mes miqsh të penës, përvojë krijuese, konkurrim, burim dijesh. Pikërisht në një atmosferë të tillë të ngrohtë gëzimi e entuziazmi, d.m.th mrekullohesh me kënaqësinë e pjesëmarrjes. Një ngjarje të tillë e përjetova edhe nga “Takimet Poetike të Karadakut” në Kumanovë. E prita me gëzim dhe kënaqësi ftesën e miqve të mi për të marrë pjesë në këtë manifestim shumë të këndshëm në Kumanove si një motiv të bukur me krenarinë që je edhe mes krijuesve vëllezër të trojeve shqiptare të Maqedonisë dhe Kosovës. Në takime të tilla u mbledhshin gjithmonë, me miq të mirë të penës. 

 

11. Ndonëse mund të flasim shumë çka, por ju vet z Gorica çka do të shtoni për lexuesit tanë në përmbyllje të kësaj interviste?

 

Ndërmjet këtij bashkëbisedimi  dua të përcjell një mesazh: Të ruajmë e revokojmë traditat tona si komb, traditat historike, kulturore njerëzore, të vlerave. Ta përhapur këtë kulturë të lashtë e të veçantë, kudo që jetojnë shqiptarë.

 Ju faleminderit!

Pellumb Gorica ne manifestimin Takimet poetike te Karadakut
Pellumb Gorica ne manifestimin Takimet poetike te Karadakut



(Vota: 5 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora