E enjte, 25.04.2024, 06:04 AM (GMT+1)

Kulturë

Demir Krasniqi: Këndimi i palogjikshëm deformon këngët tradicionale

E marte, 31.05.2011, 07:59 PM


Nga kultura e të kënduarit tradicional:

 

KËNDIMI I PALOGJIKSHËM DEFORMON KËNGËT TRADICIONALE

 

Nga Demir KRASNIQI

 

            Në fillim të mileniumit të 21-të, kur më nuk mund të flitet për analfabetizmin në trojet shqiptare, por që vendi ynë mund të mburret me shkallët më të larta të arsimimit të popullatës dhe në kohët kur shumë të rinj shqiptarë të talentuar i sprovojnë aftësitë e veta interpretuese duke u munduar që të këndojnë këngë edhe në gjuhët tjera botërore, fatkeqësisht , tek interpretuesit e këngëve tradicionale shqiptare , jo rrallë , na paraqiten defekte tekstuale dhe melodike deri në atë masë, sa shumë këngëve të deformuara po iu humbet edhe kuptimi i temave, apo ngjarjeve për të cilat ato këndohen .

            Në kategorinë e interpretuesve dhe kultivuesve të këngës sonë tradicionale , të cilët  i këndojnë këngët pa kurrfarë logjike, as analize paraprake, përveç një kategorie të interpretove më pak të arsimuar, fatkeqësisht , ka edhe shumë interpretues të cilët kanë një shkallë të lartë arsimimi, por që nuk e vrasin mendjen , as veshin për atë se çfarë këndojnë, çfarë interpretojnë dhe çfarë vlerash iu afrojnë artdashësve të muzikës sonë tradicionale ?!

            Për një dukuri të këtillë, kemi biseduar edhe shumë herë më parë, por kjo problematikë sikurse edhe shumë të tjera në përditshmërinë tonë, gjithmonë bien në veshë të shurdhër !

            Vlen për t’u  theksuar këngë të deformuara nga këndimet e palogjikshme në jetën tonë muzikore kemi një numër shumë të madh , por kësaj radhe sa për ilustrim do t’i marrim vetëm disa shembuj më karakteristik , në mënyrë që edhe lexuesi i cili nuk këndon kurrë, të dijë dhe të mësojë se si deformohen tekstet e këngëve tona !

 

1. Kënga popullore me titull :”Moj e mirë , moj kablushë kuqe”, është një këngë shumë e popullarizuar në trevat shqiptare, sidomos në Kosovë dhe Maqedoni, e cila burimin e vet autokton e ka nga regjioni i Pejës dhe Dukagjinit, e të cilën për herë të parë përmes valëve të Radio Prishtinës, në vitet e 60-ta e ka interpretuar rapsodi i mirënjohur kosovar Bajrush Doda .

Këtë këngë, tash kohëve të fundit e kishte ri incizuar  dhe ri kënduar një interpreto i njohur nga Maqedonia, i cili në vend se t’ia  thoshte titullin origjinal :”Moj e mirë, moj kablushë kuqe”, ai e kishte deformuar duke e kënduar:”Moj e mira , moj kapuç kuqe”!?

Interpretuesi në fjalë, nuk e kishte vrarë mendjen që të mësojë se çfarë është “Kablushë – kuqja” e çfarë është “Kapuç kuqja”?!

Në trevat e Dukagjinit, prej nga e ka burimin edhe kjo këngë, nocioni “kablushë” ka kuptimin e emërtimit të një kaçurreli , apo tufë flokësh të cilat vajzat i lëshojnë përmbi ballë për hijeshi, kurse interpretuesi i kësaj kënge, të cilit nuk po ia përmendim emrin, e deformon këtë figurë stilistike duke ia amputuar epitetin “Kapuç kuqe”, e që nuk logjikon se së pari , femrat (vajzat) shqiptare kurrë nuk kanë bartur kapuça, e aq më tepër kur është fjala për kapuçat e kuq?!

Interpretuesi i tillë, i cili vetën e quan madje edhe “Yll i Estradës”, nuk logjikon se kapuça të kuq kanë bartur vetëm osmanlinjtë dhe hoxhallarët e sotshëm , por jo edhe femrat shqiptare !

 

2. Është një këngë shumë e vjetër popullore , që mbanë titullin:”Duel bylbyli prej kafazit” dhe që ka një tematikë të  lirikës së dashurisë.

Teksti origjinal i strofës së parë të kësaj kënge thotë:

“Duel bylbyli prej kafazit –

Shkoj në mal ku binte borë!”...

Kurse disa interpretues të njohur të këngës popullore , të cilët veten e kanë proklamuar si “Yje të Estradës” , e interpretojnë këtë këngë, duke ia deformuar tekstin dhe duke ia humbur kuptimin, në këtë mënyrë:

            “Ra bylbyli prej kafazit –

            Shkoj në mal ku binte borë!”...

Interpretuesit e këtillë , para se ta këndojnë këtë këngë, nuk logjikojnë se bilbili kur del prej kafazit të vet, ai fluturon drejt maleve për t’u  takuar me të dashurën e vet, por në asnjë mënyrë bilbili nuk bie në tokë, nga se po të binte në tokë – ai do të ngordhte , e jo të fluturonte !

 

            3. Njëra ndër këngët më të bukura burimore nga rrethi i Ulqinit, pa dyshim është ajo me titull:”Po na vjen kali me dru “, strofa e parë e së cilës thotë kështu:

            “O, po na vjen kali me dru ,

            Dil , moj nuse me i shkarkue !”

Njëri nga “Yjet e Estradës”, e këndonte këtë këngë në një festival të madh tradicional, kështu:

            “O, po na vinë kalamajtë me dru,

            Dil , moj nuse me i shkarkue !”

Pra, interpretuesi i kësaj kategorie, nuk kishte logjikuar aspak dhe nuk kishte qenë në gjendje që t’i dallojë se çfarë janë kuajt dhe çfarë janë kalamajtë ?! Dhe ai nuk e di as sot e gjithë ditën se me kalamaj (fëmijë) nuk mund të bartën drutë nga mali, por ato bartën me fuqinë e kuajve , apo në këtë rast kalit !

 

            4. Në  këngën e  vjetër popullore “Dyzet e katër pashallarë”, e cila i kushtohet Ali Pashë Tepelenës , në mes  tjerash  , janë dy vargje  që këndohen kështu:

            “Ç’ ki Vasile ,  që po kjanë ,

            Se na e kemi këtë Kalanë ?!”...

Shumica e interpretuesve të kësaj kënge, duke mos logjikuar se emri i gruas së Ali Pashë Tepelenës, ishte Vasiliqja – greke, ata e këndojnë në mënyra të ndryshme, duke ia deformuar emrin Vasiliqes , deri në ekstrem, ku dikush i thotë:

            “Ç’ ki Fazile , qi po kjanë?”

            “Ç’ ki Vasilk , o , qi po kjanë?”

            “Ç’ ki Fazli , o , qi po kjanë?”...etj.

 

            5. Pa dyshim, se njëra ndër perlat më të njohura të ciklit të këngëve të nizamëve , është ajo me titull:”Shkojnë vaporat rrethit detit”!

Kjo këngë që daton nga kohërat e sundimit të Perandorisë Osmane mbi trojet shqiptare, kohë kjo, kur sundimtarët turq i rekrutonin djemurinë shqiptare për t’i dërguar në shërbim të ushtrisë osmane, për qëllime të luftërave që zhvilloheshin në Jemen , e ku qëndronin hiq më pak se nga 12 vjet, prej ku shumica prej tyre nuk ktheheshin më të gjallë në familjet e tyre, përmes vargjeve të kësaj kënge përshkruhet në mënyrë besnike mënyra se si vaporët e osmanlinjve ngarkoheshin nëpër limanet detare përplot me djem shqiptarë, për t’i çua në Jemen, kurse nënat shqiptare i vëzhgonin me lot  në sy , bijtë e tyre që po largoheshin për në rrugë të pa kthim!

            Vargjet fillestare të kësaj kënge , në origjinal janë si vijon:

            “Shkojnë vaporat, moj nane, rrethit detit –

            Dil e shihi, moj nanë, asqerët e Mbretit !

            Gjysa kjajnë, o moj nanë, gjysa knojn-e ,

            Nga nji letër, moj nanë, n’ Vilat pe çojn-e !”...

Shumë prej këngëtarëve që veten e quajnë “Yje të Estradës”, duke e interpretuar këtë këngë pa kurrfarë logjike, ia dëmtojnë vargjet dhe kuptimin deri në pakuptimësi , duke e kënduar kështu:

            “Vijnë vaporat , moj nane, bregut t’ detit –

            Dil e shihi, moj nanë, asqerët e Mbretit!”...

Interpretuesit e këtillë, nuk logjikojnë aspak se vaporët (anijet) në asnjë mënyrë nuk mund të lundrojnë nëpër breg të detit, por ato lundrojnë nëpër ujin e detit !

Në anën tjetër, vaporët (anijet) i marrin djemtë dhe bashkë me ta shkojnë larg deri në vendin e destinuar . Pra, këtu nuk bëhet fjalë për ardhjen e djemve, por për shkuarjen e tyre larg Atdheut .

 

            6. Në mesin e shumë këngëve që i janë kushtuar heroinës kombëtare Qerime Shotë Galicës, është edhe ajo të cilën ia kishte kushtuar kësaj trimëreshe , këngëtari ynë legjendar Qamili i Vogël – Muhaxhiri, i cili vargjet e para të kësaj kënge i këndonte kështu:

            “O, kur të pashë, moj Shotë Galica ,

            Me pushkë n’ dorë e plis mbi kry’!”...

Kurse më vonë, disa interpreto të kësaj kënge do ta këndojnë kështu:

            “O, kur të pashë , moj Shotë Galica ,

            Me plis n’ dorë e pushkë mbi kry’!”...

Merrni me mend se sa pa logjikë këndohet , duke mos ditur se ku mbahet plisi e ku mbahet pushka ?!

 

            7. Në një këngë të vjetër rapsodike që i këndohet Rrustë Kabashit të Prizrenit, në kohërat e sundimit osman , në mesin e vargjeve të kësaj kënge, ndër të tjera thuhet:

            “Nja tre plumba në shtat t’i lash –

            Qeky asht pazari i gajtanit!”

Shumica e interpretuesve të sotëm të kësaj kënge, i këndojnë këto vargje kështu:

            “Nja tre plumba në shtrat t’i lash, ose:

            Nja tre plumba ndër shtrat t’i lash –

            Qeky asht pazari i gajtanit !”...

Pra, këndimi i palogjikshëm i këtyre vargjeve, automatikisht i jep kahe të kundërt kësaj kënga me karakter luftarak dhe e shndërron atë në këngë dylberësh ?!

 

            8. Në vargun e këngëve të ashikërisë , është një këngë shumë e bukur që mbanë titullin:”Kundrat e zeza – çorapat me vegëza “.

            Më ka ra rasti shumë herë që t’i dëgjoj disa interpretues të kësaj kënge, të cilët e këndojnë kështu:

            “Oh, çerapat e zeza, haj, haj,

            E kundrat me vegëza!”

Kjo ndodhë, nga mosdija e interpretuesve , të cilët nuk e dinë se a janë këpucët e zeza, apo çorapët e zeza? A janë këpucët me vegëza, apo çorapët ? Dhe sipas gjithë logjikës, ata as nuk e dinë se çka janë vegëzat?!

 

            9. Njëra këngë prej hiteve më të mëdha të krijimtarisë sime muzikore, mbanë titullin:”Rrang e dang sahan”, që ka tematikë dashurie dhe dasmore.

            Në mesin e figurave krahasuese që përshkruajnë bukurinë e femrës fshatare dhe asaj qytetare , janë si vijon:

            “Çikat e katundit , nanë, synin si filxhan,

            Vajzat e qytetit , nanë, buzët si qershi ,

            Çikat e katundit, nanë, vetllat si gajtan,

            Vajzat e qytetit , nanë, gojën si kuti ...”

Më vonë, disa prej interpretuesve të “Estradës”, para syve të mi (si autor i kësaj kënge), do të këndojnë si vijon:

            “Çikat e katundit , nanë, gojën si filxhan,

            Vajzat e qytetit, nanë, buzët si gajtan ,

            Çikat e katundit , nanë, synin si kuti,

            Vajzat e qytetit, nanë, hundën si selvi !”...etj.

Pra, këtu shihet qartazi se si këndohet pa kurrfarë logjike, as kuptimi dhe interpretuesit e këtillë nuk e dinë se me çfarë figurash krahasohen vetullat, sytë, goja, hunda dhe pjesët tjera të bukurisë së një femre ?!

 

            10. Në mesin e vargjeve të një kënge të vjetër gjakovare që mbanë titullin:”Të shtunën kah iqindija” , ndër të tjera këndohet:

            “Disa toskë e disa gegë,

            Shkuen e u mbyllen n’ atë bullat “

Kurse ata që këndojnë pa logjikë, ia thonë kështu:

            “Gjysa toskë e gjysa gegë ,

            Shkuen e u mbyllen n’ ni bullak!”...

Në vargjet vijuese të kësaj kënge, thuhet kështu:

            “Trim i mirë, qaj Haxhi Bajrami,

            Sa me t’ shpejtë e zu xhaminë !

            E rrehë topi, e rrehë havani –

            Ispatë pe banë trimëninë!”

Ndërsa interpretuesit e palogjikshëm , do të këndojnë kështu:

            “Trim i mirë, qaj Haxhi Bajrami,

            Sa me t’ shpejtë e zuni xheminë!...”

 

            11. Njëra ndër rapsoditë më të kënduara dikur në Kosovë, ishte ajo me titull:”Moj Kosovë, t’ lumtë na për ty!”

Nga mendjemadhësia e disa imituesve të rapsodëve me famë, këtë këngë vazhduan ta deformojnë dukshëm, duke e kënduar:

            “Moj Kasovë, t’ lumtë na për ty!”

Përmes këtij lloji të imitimit, ata e shndërronin toponimin Kosovë në “Kasovë!”

            Epiteti i gabuar që iu jepet disa femrave këngëtare, si:”Bilbili i Kosovës”!

 

            Nuk janë të rralla epitetet që iu jepen gabimisht disa këngëtareve të dalluara të këngës popullore, si “Bilbili i Kosovës”!

Këtë epitet, e para në Kosovë e ka marrë këngëtarja legjendare Nexhmije Pagarusha , e pastaj me këtë epitet janë dekoruar edhe shumë femra këngëtare të tjera .

            Të gjithë ne e dimë se emërtimi , apo epiteti “Bilbil” , i takon gjinisë mashkullore. Prandaj, t’ ia japish një femre epitetin “Bilbil”, mendoj se plotësisht është term i gabuar edhe gjuhësisht edhe në baza gjinore .

            Çfarë të keqeje do të kishte, sikur epitetet e këtilla ndaj këngëtareve femra të iu jepeshin :”Bilbilesha” , apo “Bilbilesha e Kosovës?!”

            Nga logjika e shëndoshë, të gjithë e dimë se çdo gjallesë me shpirt, përveç përkatësisë gjinore, e ka edhe krijuesin e vet: babanë, nënën, vëllain , motrën...

            Pra , është krejt e natyrshme që edhe Bilbili e ka nënën e vet, babanë e vet, vëllain e vet dhe motrën e vet.

            Në këtë rast, gjuhëtarët tanë albanologë duhet të na shpjegojnë se si i ka emrin babai i Bilbilit, si e ka emrin nëna e Bilbilit, si e ka emrin motra e Bilbilit, si e ka emrin vëllai i Bilbilit dhe si e ka emrin bashkëshortja (gruaja) e Bilbilit?!

 

Demir KRASNIQI

Gjilan, më 27.05.2011.                                                                 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora