E enjte, 25.04.2024, 02:56 PM (GMT+1)

Mendime

Xhaferri: Kosova, të gjitha dilemat u qartësuan në favor të pavarësisë

E enjte, 31.01.2008, 11:39 PM


"Shkaqet e krizës së vizave"

INTERVISTA/ Politikani i njohur analizon marrëveshjen Ahmeti-Gruevski, situatën politike në Maqedoni dhe zgjedhjet në Serbi

Arbën Xhaferri
Në një intervistë për gazetën "Shqip", politikani më i njohur i trevave mbarëkombëtare shqiptare, Arbën Xhaferri, analizon ngjarjet e fundit në rajon. Ai shpjegon pluhurin që ngriti debati i vizave me Maqedoninë, Marrëveshjen e Majit Ahmeti-Gruevski dhe pasojat e saj, zgjedhjet presidenciale të së dielës në Serbi. Në fund, Xhaferri ndalet në ngjarjen më të madhe mbarëshqiptare: Shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Z. Xhaferri, edhe pse ju nuk jeni politikisht aktiv, në kuptimin e politikave ditore, jeni i preokupuar për ngjarje të ndjeshme. Në Shqipëri, çështja e vizave ngriti shumë pluhur. Cili është mendimi juaj?

Shpeshherë reagimet flasin për kapacitetet e një shoqërie apo të një individi. Kjo u dëshmua edhe me këtë rast. Një rastësi, një moskoordinim ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe qeverisë së Maqedonisë nxiti një ortek reagimesh të institucioneve e të përfaqësuesve të shtetit, të politikës, të mediave shqiptare, duke vënë kështu Shqipërinë në pozitë inferiore.

Zanafilla e këtij problemi është triviale. Nis nga mungesa e kulturës, përvojës administrative të BDI-së gjatë qeverisjes me LSDM-në kur u miratua ky ligj. Në politikë, sa ka rëndësi orientimi strategjik, po aq rëndësi kanë edhe detajet administrative, draftet e ligjeve, analiza e pasojave të projektligjeve në të ardhmen. Shqiptarët nuk kanë përvojë, por do të thosha edhe durim, që të merren me çështje të tilla të mërzitshme, siç janë analizat e aspekteve juridike që rregullojnë marrëdhëniet e brendshme dhe të jashtme.

Mirëpo kjo rrethanë triviale zbuloi sensibilitetin e tepruar, të mos them dobësinë, "varshmërinë" e Shqipërisë nga vizat që imponoi shteti fqinj, Maqedonia. Në vend që paraprakisht të konsultohej udhëheqësi i partisë në pushtet, z.Thaçi, dhe ky problem të zgjidhej përmes tij, fare kot u hap një debat i ndezur nga të gjithë faktorët relevantë shoqërorë dhe politikë, pozitë-opozitë, që në fund zbuluan "dobësinë" e shtetit shqiptar, që në realitet nuk duhet të ekzistojë, të paktën jo në raport me Maqedoninë. Siç dihet, Shqipëria, për shumë aspekte, është në pozitë superiore ndaj Maqedonisë, e cila ballafaqohet me një sërë vështirësish të brendshme e të jashtme. Së këndejmi, reagimet e tepërta ishin në kundërshtim me pozitën reale të Shqipërisë. Fundja, shtetet në situata të tilla bëjnë çmos që të mos manifestojnë dobësinë, varshmërinë. Në këtë mënyrë, do të duhej të reagonte Shqipëria.

Mendoj se Maqedonia ka interes që të këtë marrëdhënie të mira me Shqipërinë, prandaj ky episod me vizat do të tejkalohet lehtë, pikërisht për shkak të varshmërisë së Maqedonisë nga vullneti i mirë i shqiptarëve.

Është folur për një Marrëveshje të Majit mes BDI-së së drejtuar nga z.Ahmeti dhe Kryeministrit aktual të Maqedonisë, Gruevski. Nuk është e qartë se ç‘përmbajtje dhe sa eficente është ajo?

Për ta kuptuar këtë problem duhet të bëhen analiza paraprake të mendësisë politike, që e karakterizon shoqërinë maqedonase dhe implikimet që kanë këto aspekte psikologjike në funksionimin e partive politike, pra të politikës në përgjithësi.

Në shoqërinë maqedonase, sot e gjithë ditën, vlerësohet se konflikti i vitit 2001 ishte një komplot, një akt armiqësor kundër Maqedonisë. Koalicioni ndërmjet BDI-së dhe LSDM-së, në kuadër të kësaj mendësie shoqërore, mendohet se e ka dëmtuar autoritetin, rejtingun e LSDM-së, që tashmë është para rrezikut të margjinalizimit përfundimtar. Ndonëse ky vlerësim ka ithtarë, unë megjithatë mendoj se LSDM-ja është në krizë për shkak të mungesës së vizionit, të lidershipit të besueshëm, për shkak të korrupsionit, abuzimeve sistematike, dekadencës etike etj. Megjithatë, strategët e kësaj partie, të përfshirë nga rreziku i zhdukjes, vlerësojnë që, duke margjinalizuar PDSH-në, ta imponojnë BDI-në si partnere të koalicionit me VMRO-DPMNE-në, me qëllim tashmë të tejdukshëm: ta dëmtojnë rejtingun e lartë të kësaj partie maqedonase, që sa vjen rritet.

Ky problem nisi fillimisht me insistimin e BDI-së, që me çdo kusht të jetë pjesë e qeverisë për të luajtur, sipas vlerësimeve të VMRO-së, rolin e Kalit të Trojës në favor të LSDM-së. Të gjithë hulumtuesit pajtohen me konstatimin se binomi VMRO-PDSH do të forcohet gjithnjë e më shumë, duke margjinalizuar përfundimisht LSDM-në, por edhe BDI-në. Prandaj, që në fillim të konsultimeve për formim të qeverisë së re u bënë përpjekje intensive për ta përçarë binomin PDSH-VMRO. Kur ky skenar dështoi, atëherë përmes faktorëve të ndryshëm u hap çështja e pakënaqësisë së BDI-së me implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, që ishte një absurd logjik.

Partia që qeverisi katër vite me LSDM-në shfaqi pakënaqësi me mosimplementimin e Marrëveshjes së Ohrit nga ana e një qeverie që ende nuk kishte nisur të qeveriste. Pastaj, pas dështimit të këtij plani, të përçarjes së binomit funksional PDSH-VMRO, energjia politike u fokusua në kërkesën këmbëngulëse për dialog ndërmjet opozitës shqiptare me mandatarin Gruevski. Siç dihet, nocioni dialog në vete ngërthen konotacion pozitiv. Ky ishte shkaku kryesor që ndikoi që Kryeministri Gruevski të gabojë e të hyjë në dialog me opozitën shqiptare, lidhur me platformën qeveritare, e që paraprakisht e pat miratuar me partnerin qeveritar, PDSH-në. Askund në botë pozita nuk hyn në dialog me opozitën për platformën qeveritare, veçmas nëse për ato çështje paraprakisht ishte marrë vesh me partnerin e saj të koalicionit. Nga ky dialog ndërmjet BDI-së dhe Kryeministrit Gruevski rrodhi e ashtuquajtura "Marrëveshja e Majit", që tani funksionon si simbol i fitores, përkatësisht të "meritave" të mëdha të BDI-së për avancimin e çështjes shqiptare.

Mirëpo, e gjithë kjo ishte dhe mbetet demagogji, iluzion ngaqë Marrëveshja e Majit është një flokulë që nuk ka asgjë konkrete më vete, asgjë të shkruar dhe të konkretizuar. Ajo pohon në mënyrë verbale atë që ekziston në mënyrë eksplicite, të shkruar në Marrëveshjen e Ohrit, të ratifikuar nga të gjithë faktorët e brendshëm dhe të jashtëm. Pra, Marrëveshja e Majit është një replikë verbale e asaj që në mënyrë obliguese ekziston në Marrëveshjen e Ohrit. E gjithë kjo është e fryrë tej mase për të krijuar iluzionin se çdo gjë në Maqedoni lëviz dhe merr jetë falë angazhimit të BDI-së, që, pa dyshim, bien ndesh me realitetin. Siç dihet BDI-ja qeverisi katër vite me LSDM-në, prej 2002-2006, dhe nuk u tregua e aftë të realizojë këto pretendime që i ngre në Marrëveshjen e Majit, pra çështjen e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe çështjen e statusit të ish-luftëtarëve të UÇK-së, të invalidëve të luftës. Tashmë, përfaqësuesit e BDI-së flasin për Marrëveshjen e Majit si për suplement të Marrëveshjes së Ohrit, pra për zëvendësimin e një dokumenti obligues ndërkombëtar me një fiksion, me një bisedë që s‘ka asnjë konkretizim, asnjë forcë detyruese siç është Marrëveshja e Majit.

Këto lojëra janë fyese, jo vetëm për intelektin e shqiptarëve, por realisht e rrënojnë funksionimin demokratik të institucioneve: inkurajohet praktika e krijimit të agjendave politike përmes krijimit të krizës.

Kjo krizë nisi me pakënaqësinë e BDI-së që nuk arriti të hyjë në qeveri, që pastaj u shndërrua, kinse në pakënaqësi politike ndaj një qeverie, që sapo kishte nisur punën, lidhur me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Këto forma jodemokratike kulmuan kur u instalua një parainstitucion "demokratik", që u emërtua me eufemizmin "takimi i liderëve". Partnerët e koalicionit qeveritar gabuan kur pranuan të marrin pjesë në këto takime që vetëm krijuan konfuzion në shoqëri dhe asgjë nuk zgjidhën. Z. Ahmeti pohon se ekziston Marrëveshja e Majit dhe nuk nxjerr në shesh asnjë dokument të nënshkruar e lëre më të ratifikuar nga faktori ndërkombëtar, ndërkaq z. Gruevski, me po aq komoditet si z. Ahmeti mohon ekzistencën e një marrëveshjeje të tillë. E gjithë kjo mesele do të përfundojë kur do të obligohen palët kontraktuese, BDI-ja dhe Gruevski ta nxjerrin në shesh projektligjin për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe për zgjidhjen e çështjes së statusit të ish-pjesëtarëve të UCK-së. Populli gjerman, me të drejtë, konstaton se djalli fshihet në detaje, kështu që nuk do të jenë me rëndësi bisedat e ndryshme, por përmbajtja konkrete e ligjeve.

Marrëveshja e Majit është një model tipik i manipulimit të opinionit që nuk ka për qëllim zgjidhjen e çështjes së gjuhës dhe të statusit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, por margjinalizimin e PDSH-së. Reagimi më efektiv i PDSH-së do të ishte indiferenca, mospengimi, moskrijimi i çfarëdo obstruksioni, por lejimi që kjo shfaqje të zhvillohet deri në fund, që kjo marrëveshja e shpifur të implementohet dhe të shihet qartazi se me të nuk zgjidhet asgjë. Jam i bindur se z. Ali Ahmeti do të ishte tepër i lumtur që kjo marrëveshje e tij me Gruevskin të mos implementohet, për shkak se do të dalë në shesh se gjuha shqipe nuk qenka e barabartë me atë maqedonase, dhe se ish-pjesëtarët e UÇK-së nuk do të kenë statusin e njëjtë si forcat e sigurisë së Maqedonisë. Përfundimisht, Marrëveshja e Majit e bën të kuptimtë kritikën e politikës. Ky do të jetë i vetmi kuptim dhe kontribut i saj.

Tashmë po afrohet Samiti i Bukureshtit. Si e shihni Shqipërinë, Maqedoninë dhe Kroacinë për marrjen e ftesës?

Ndonëse në opinion shfaqen rezerva, dyshime, mendoj se tensionimet që u krijuan rreth Kosovës me qëndrimin refraktar serbo-rus, do të ndikojnë që të përshpejtohet procedura e pranimit të këtyre tri shteteve në NATO. Si duket Maqedonia, Shqipëria dhe Kroacia do t‘ia shohin hajrin Kosovës. Kjo tashmë është çështje e vlerësimit politik dhe jo e sasisë dhe cilësisë së reformave që janë ndërmarrë nga shtetet respektive. Mendoj se tashmë dilemat dhe taktizimet kanë marrë fund dhe se punët tjera që mbeten të realizohen do të kushtëzohen me procedurën e ratifikimit të marrëveshjes nga ana e anëtarëve të NATO-s. Këtu para së gjithash e kam fjalën për mosmarrëveshjet mes Greqisë dhe Maqedonisë lidhur me emrin.

Ç‘ndikim do të kenë zgjedhjet në Serbi për situatën e sigurisë jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon?

Shqetësimet e tepruara të faktorit ndërkombëtar lidhur me zgjedhjet në Serbi, në thelb e gudulisin atë sens që i karakterizon serbët, atë bindje se ata janë qendër e botës, se prej tyre varet paqja në rajon dhe ardhmëria e Ballkanit, UE-së dhe NATO-s. Kjo dalldisje e serbëve me idenë se janë protagonistë historikë disa herë, ata i solli në buzë të greminës, në Luftën e Parë Botërore, në atë të Dytën, dhe gjithsesi tani kur zhvillohet procesi i shpërbërjes definitive të Jugosllavisë dhe instalimit të demokracisë dhe pluralizmit. Me këtë fiksacion, me këtë megalomani, janë të infektuar të gjithë protagonistët politikë të kësaj periudhe. Siç dihet serbët janë problematikë për shkak se pjesa dërmuese e shoqërisë së tyre mendojnë njësoj. Partia që mendon pak më ndryshe, Partia Liberale, e kryesuar nga z. Çedomir Jovanoviqit, dikur zv/kryeministër në kohën e qeverisë së Zoran Gjinxhiqit të vrarë, në zgjedhjet e fundit arriti të fitojë vetëm 5% të votave. Pra, 95% të elektoratit serb, punëtorë, fshatarë, intelektualë, krijues, klerikë mendojnë njësoj.

Problemet në Jugosllavi u shkaktuan për shkak të nacifikimit të shoqërisë serbe. Ato do të vazhdojnë të zhvillohen derisa në Serbi nuk fillon procesi i denacifikimit, ose i ndërgjegjësimit për përgjegjësitë serbe, përkatësisht të projekteve, të vërtetës së tyre që ata tentuan t‘ia imponojnë Jugosllavisë dhe botës. Derisa e vërteta serbe nuk do të demaskohet me argumente shkencore, ata do të vazhdojnë të bëhen pengesë për paqen dhe stabilitetin në rajon, derisa faktori ndërkombëtar nuk do të hapë çështjen e fajit serb për tragjedinë e popujve të ish-Jugosllavisë, derisa nuk kërkohen prej tyre që të paguajnë dëmshpërblimin për pasojat e luftës, ata nuk do të qetësohen, ngaqë do të vazhdojnë me avazin e tyre se janë viktimë dhe se të tjerët janë agresorë.

Marrë në tërësi nga aspekti strategjik nuk ka kurrfarë dallimi ndërmjet Tadiçit, që perceptohet si proevropian, dhe Nikoliqit, që përfaqësuaka rrymën radikale dhe proruse. Kjo nuk është e vërtetë edhe për shkak të faktit se z. Putin e takoi Tadiçin dhe ende jo Nikoliqin.

Është krijuar një përshtypje se në raundin e dytë, z. Tadiç do t‘i marrë votat e partnerit të koalicionit qeveritar të Kryeministrit aktual Koshtunica, partia e të cilit është në koalicion me atë të z. Tadic. Këto dy personalitete politike dhe këto dy parti kanë një prejardhje. Dikur i takonin së njëjtës parti, por Millosheviçi arriti t‘i përçajë. Kështu që sot e kësaj dite mes tyre ekziston një rivalitet i padurueshëm, që nuk mund të thuhet për raportet e tyre me partinë radikale të z. Sheshel, përkatësisht të zëvendësit të tij Nikoliqit.

Z. Koshtunica e ka rival të rrezikshëm z. Tadiç dhe partinë e tij dhe kurrsesi jo radikalët e Nikoliqit, prandaj në interes të tij është të humbë Tadiçi dhe të ngadhënjejë Nikoliqi. Pra, Kryeministri serb, me vese bizare, Koshtunica, do të përpiqet që në mënyrë tinëzare t‘i kanalizojë votat e anëtarëve të partisë së tij, Nikoliqit, të cilin nuk e percepton si konkurrent, por si instrument për ta dobësuar rolin e partisë së Tadiçit dhe të tij personal.

Por, sido që të jetë, për shqiptarët nuk do të ketë asnjë pasojë të jashtëzakonshme nga fitorja e cilitdo nga këta dy kandidatë për president të Serbisë. Por, kjo vlen edhe për situatën në Ballkan dhe për zhvillimin e demokracisë në këto hapësira.

Z. Xhaferri, sipas zërave politikë dhe jopolitikë, pavarësia e Kosovës tashmë është problem i zgjidhur, ju si mendoni?

Sa i përket shoqërisë kosovare, të zbatimit të së drejtës së popujve për vetëvendosje, çështja e pavarësisë së Kosovës ka qenë problem i mbyllur. Statusi i saj u bë problematik për shkak të ambicieve megalomane, hegjemoniste dhe koloniale të Serbisë dhe përkrahësve të saj. Një gabim i madh i vitit 1918, një padrejtësi flagrante u desh që të korrigjohet me shumë viktima.

Në Kosovë, por edhe në të gjitha hapësirat ku jetojnë shqiptarët, dilema dhe shqetësimi kryesor është data e shpalljes së pavarësisë për shkak të frikës se mos krijohen konstelacione të reja që eventualisht mund ta shtyjnë shpalljen e pavarësisë. Me këtë rast, me shqetësim ndiqen hapat që i ndërmerr Rusia në këtë plan. Unë mendoj se sinjalet proserbe, apo prosllave (pansllave) të kreut rus duhet të cilësohen si nevojë e brendshme që është e lidhur ngushtë me përforcimin e pozitës së autoritetit të Presidentit rus Putin. Këtë proces të përforcimit të figurës karizmatike të Putinit, apo të institucionit të presidentit në mënyrë të heshtur e mbështesin edhe shtetet perëndimore për shkak të faktit se Rusia, si fuqi nukleare, duhet ta ruajë stabilitetin, për shkak të një fakti të pamohueshëm historik që dëshmon se ajo nuk mund të ruajë stabilitetin e brendshëm, por edhe global pa një dorë të hekurt. Botës i intereson më shumë një Rusi despotike, por stabile, sesa një liri anarkike që do të rrezikonte paqen globale.

Diskursi antikosovar i Rusisë, por edhe i Serbisë në fakt, është një politikë për konsum të brendshëm që është i lidhur ngushtë me rivalitetin e forcave politike.

Situata e nderë që u krijua rreth Kosovës, shpifjet që u bënë lidhur me kapacitetet shtetformuese të shqiptarëve, për korrupsionin, për krimin e organizuar, etj., do të kenë paradoksalisht një impakt pozitiv për shqiptarët. Monitorimi i fuqishëm i faktorin evropian do të ndikojë që në Kosovë të ndërtohet shteti i së drejtës, shteti ligjor që është në favor, apo dobi të të gjithë shqiptarëve.

Mendoj se të gjitha dilemat janë qartësuar në favor të pavarësisë së Kosovës dhe se medoemos pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi do të shpallet pavarësia e Kosovës. Zërat që përhapin disa ekspertë rusë për mundësinë e ndarjes së Kosovës, me siguri që mendohet për Veriun e Kosovës, mund të hapin opsione të tjera që nuk do të lejohen nga faktori ndërkombëtar perëndimor. Reagimet serbe do të jenë në nivel të retorikës dhe në funksion të shfryrjes së inatit, që nuk do ta pengojë procesin determinues historik, por do të krijojnë një pretekst fiktiv, në vijë të ushqimit të andrallave serbe, për rikthimin të Kosovës në mitin serb.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora