Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Countryman Ndryshimi i kufijve i papranueshëm dhe i rrezikshëm

| E diele, 29.05.2011, 04:56 PM |


Çështja e ndarjes apo e statusit të Kosovës nuk është pjesë e bisedimeve që po zhvillohen në Bruksel mes Beogradit dhe Prishtinës. “Për Shtetet e Bashkuara, për Kosovën, dhe për shumë vende tjera të BE-së kjo është e qartë. Për Shtetet e Bashkuara ndryshimi i kufijve është jo real, i papranueshëm dhe madje i rrezikshëm”, thotë ndihmës-zëvendës sekretari amerikan i Shtetit për Euroazinë, Thomas Countryman

 

Natyrisht,çështja se kush pranohet në Bashkimin Evropian është punë e Brukselit dhe jo e Uashingtonit.Por unë mendoj se Bashkimi Evropian nuk është i gatshëm të pranojë në gjirin e tij një vend tjetër që ka pretendime territoriale.Unë nuk e shoh mundësinë e pranimit të Serbisë në Bashkimin Evropian për sa kohë që Serbia nuk e pranon realitetin e krijuar në Kosovë.

Countryman

Uashington, 27 maj 2011 - Ndihmës-zëvendës sekretari amerikan i Shtetit për Euroazinë, Thomas Countryman, tha se ndryshimi i kufijve në Ballkan është i papranueshëm dhe madje i rrezikshëm.

Në një intervistë për shërbimin serb të “Zërit të Amerikës”, Countryman tha gjithashtu se njerëzit në Kosovë dhe Serbi presin rezultate nga bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës që po zhvillohen në Bruksel.

Zyrtari i lartë amerikan e hodhi poshtë idenë e shprehur së fundi nga ministri i Brendshëm serb Ivica Daçiq, për mundësinë e ndarjes së Kosovës.

Ai tha se çështja e ndarjes apo e statusit të Kosovës nuk është pjesë e bisedimeve që po zhvillohen në Bruksel mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Për Shtetet e Bashkuara, për Kosovën, dhe për shumë vende tjera të BE-së kjo është e qartë. Për Shtetet e Bashkuara ndryshimi i kufijëve është jo real, i papranueshëm madje edhe i rrëzikshëm”.

Popujt dhe kombësitë e Ballkanit duhet të bashkëjetojnë, tha Countryman, duke shtuar se nuk është e mundur dhe as e pranueshme që të bëhen ndarje të territoreve në baza etnike.

Sipas tij, një proces i tillë i ndarjes së kufijve në baza etnike nuk mund kryhet me sukses dhe në mënyrë paqësore.

Lidhur me synimet e Serbisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, zëvendës-ndihmës sekretari i Shtetit tha se nuk sheh mundësi që Serbia të pranohet në Bashkimin Evropian pa pranuar realitetin e ri të krijuar në Kosovë.

“Natyrisht çështja se kush pranohet në Bashkimin Evropian është punë e Brukseli dhe jo e Uashingtonit. Por unë mendoj se Bashkimi Evropian nuk është i gatshëm të pranojë në gjirin e tij një vend tjetër që ka pretendime territoriale. Unë nuk e shoh mundësinë e pranimit të Serbisë në Bashkimin Evropian për sa kohë që Serbia nuk e pranon realitetin e krijuar në Kosovë”.

Lidhur me bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës ndihmës- zëvendës sekretari Countryman tha se ato po shkojnë më mirë se ç’është pritur. Ai tha se bisedimet po zhvillohen në një frymë profesionale, palët kanë treguar respekt ndaj njëri tjetrit, gatishmëri dhe fleksibilitet.

Por, sipas tij, ende nuk ka patur vullnet politik për bisedime serioze për zgjidhjen e problemeve praktike. Shqiptarët dhe serbët në Kosovë e Serbi, tha ai, presin rezultate të cilat do të përmirësojnë jetën e tyre të përditshme.

Gazeta Lajm - Për ZSH: Isuf B. Bajrami