Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nuhi Ismajli: Fillime të hershme të arsimit shqip

| E merkure, 02.12.2015, 11:05 PM |


Fillime të hershme të arsimit kombëtar shqip

Nga Nuhi Ismajli

Të dhënat e plota për historinë tonë të së kaluarës mungojnë. Zhdukja e fakteve në rrethanat e rënda të jetës sonë kombëtare, shpërndarja dhe ekzistenca e fakteve të mbetura nëpër arkivat e vendeve të tjera, mungesa e një studimi të përkushtuar të historisë sonë, këndvështrimet e ngushta, ideologjike, të trajtimit të së kaluarës etj., bënë që të kemi vetëm fakte dhe njohje fragmentare e të cekët të historisë sonë të së kaluarës dhe mungesën e njohjes elementare të ngjarjeve dhe vlerave tejet të rëndësishme të së kaluarës sonë kombëtare.

Fakte dhe njohje fragmentare, ndër të tjera, si u tha, edhe për shkak të mungesës së një studimi të përkushtuar, kemi të bëjmë edhe me një nga vlerat qenësore të historisë e të identitetit tonë - historisë së arsimit kombëtar shqiptar.

Por, megjithë mungesën e një studimi të përkushtuar dhe mungesës së një pasqyre të plotë e reale të historisë së arsimit shqip, edhe në saje të ndriçimit të atyre fakteve tashmë të njohura, nga studiuesit e zellshëm shqiptarë e të huaj, pa dyshim, mund të flitet për një histori tejet të lashtë dhe të rëndësishme të arsimit shqip.

Faktet e njohura dëshmojnë për një përkushtim të madh të etnitetit shqiptar për arsimin kombëtar, si një shenjë e kulturës, qytetërimit dhe të identitetit kombëtar.

Kështu, tashmë dihen mjaft fakte për arsimin edhe të paraardhësve të shqiptarëve, ilirëve, por ne do të ndalemi te disa fakte të njohura për arsimin kombëtar shqiptar, të cilat dëshmojnë për ekzistencën e hershme të arsimit shqip dhe ngulmimin e hershëm të shqiptarëve, për të pasur dijen, kulturën, por edhe arsimin shqip, si shenjë të identitetit kombëtar.

Arsimi kombëtar shqip, para Rilindjes Kombëtare Shqiptare

Një nga faktet, për ekzistimin e hershëm të arsimit kombëtar shqiptar, ka të bëjë me vitet 1500-1504, vitet e themelimit të shkollës së të mërguarve shqiptarë të Venedikut, të njohur si ”Scuola degli albanesi” (“Shkolla e Shqiptarëve”).

Më 1503, thuhet, M. Beçikemi shkoi si “mësues popullor” në  “Shkollën Shqiptare” të Venedikut (“Scuola degli albanesi”), ku mësonin mjeshtëri të rinjtë e familjeve shqiptare të mërguara në Venedik e në Istria.

Duke qenë si vazhdimësi e traditës së shkollimit të arbëreshëve në Shqipëri, shkolla e shqiptarëve të Venedikut (1503), dëshmon për ekzistencën e mëhershme të arsimit kombëtar shqiptar.

1555, vepra e Buzukut po paraqitej si tekst që kishte synim plotësimin e mungesës së teksteve shqipe dhe përhapjen e arsimit shqip (“U Donih Gjoni, biri hi Bdek Buzukut tue u kujtuom shumë here se gluha jonëh nukë kish gjaa tëh endigluom en sëh shkruomit shenjntë, en sëh dashunit  sëh botësë sanëh, desha me u fëdigunëh, për saa mujta meh ditunëh, meh zdritunë pak mendetë e atyne qi të endiglognineh …”).

Autorë të ndryshëm dëshmojnë për ekzistimin dhe veprimtarinë e një shkolle shqipe në Stubëll, nga viti 1584, të një shkolle në formë kolegji, një shkolle të lartë, në  të cilën përveç teologjisë mësohej edhe filozofia dhe studioheshin klasikët.

Pas vitit 1576, Prizren, ka zhvilluar veprimtarinë e vet një shkollë e një niveli të lartë, në të cilën kanë dhënë mësim disa priftërinj të dalluar.

1592, Lekë Matrënga, nëpërmjet veprës së tij E mbsuame e kërshterë…, e cila përbën një kontribut me interes në fushën e didaktikës, provon tentativën e dhënies së mësimit në gjuhën shqipe dhe është një iniciator për t’i hapur rrugën mësimit në gjuhën shqipe.

Shumë herët hasim në shkolla shqipe edhe në viset e Himarës, si në Dhërmi, Vune, Palas.

Petro Marko, në librin Retë dhe gurët, ndër të tjera, thotë: “Në shek. XVII, më 1630, në Dhërmi, priftërinjtë bazilianë që i kishte dërguar Papa në Himarë, hapën të parën shkollë shqipe – seminar për priftërinj në gjuhën shqipe“.

1632, dëshmohet veprimtaria e shkollës shqipe në Kurbin të Krujës.

Në shkollën e Kurbinit, përveç leximit e shkrimit, jepej edhe mësimi i gramatikës, gjë që provohet nga raportet e Mark Skurës (më 20. XII. 1641 dhe më 7. III. 1650), ku ai ankohet për pushtuesit osmanë, që po e bënini të pamundur mbajtjen e shkollës.

Në shkollën e Kurbinit, përveç librave të tjerë, përdoreshin si tekste mësimore edhe veprat e P. Bogdanit, F. Bardhit, P. Budit e të ndonjë tjetri, në gjuhën shqipe.

1637, në Korçë, ka funksionuar një shkollë shqipe. Në të paguhej taksa shkollore.

1638 hapet një shkollë fillore në fshatin Pëdhanë, ndërmjet Lezhës e Milotit. Aty merrnin mësimet e para fëmijë 8-10 vjeç, dhe jo vetëm nga fshati, po edhe nga vise të afërme. Më 1675 shkolla ishte ende në këmbë. Po në këtë fshat (Pëdhanë), në të njëjtën kohë, funksionon edhe një si shkollë e mesme.

Nga viti 1639, pranë Kuvendit të Blinishtit (rrethi i Shkodrës), funksionoi një shkollë e nivelit fillor, me 50 nxënës, ku mësimet zhvilloheshin shqip.

Pas kërkesave të banorëve vendas, krahas kësaj shkolle, u çel një shkollë tjetër e rangut të mesëm e mbiquajtur “gymnasium” , ku mësimet zhvilloheshin përsëri në gjuhën shqipe.

Në këtë shkollë mendohet se janë përdorur tekste mësimore të autorëve shqiptarë në gjuhën shqipe, si gramatikat, fjalorët, veprat me të dhëna mbi natyrën etj., siç ishin veprat e P. Budit, F. Bardhit, P. Mazrrekut etj. Kjo për arsye se nxënësit vendas nuk dinin gjuhë tjetër përveç shqipes, pra edhe për faktin se vepra të tilla, si gramatikat e gjuhës shqipe, fjalorët etj., destinoheshin për përdorim pak a shumë të gjerë dhe jo vetëm për një kastë të vogël eruditësh. Prandaj, për nga rëndësia, siç thotë studiuesi Sh. Osmani, shkolla e Blinishtit, duke përfshirë në të njëjtën kohë edhe shkollën e mesme, shënon diçka të re në historinë e arsimit në gjuhën shqipe, sepse jep elemente me interes në drejtim të studimit të përmbajtjes e formave, mjeteve dhe teksteve të përdorura në atë kohë në shkollat e Shqipërisë.

Sipas një relacioni të vitit 1641, të arqipeshkvit Gjergj Bardhi, thuhet se në fshatin Gurrë (afër Prizrenit), Andrea Bogdani i kishte pranë vetes dy djelmosha që i

përgatiste për seminar.

Në një relacion të Shtjefën Gasprit, rreth 1650-s, theksohet se, në Prizren,  misionari katolik, Gërgur Mazrreku, e mbante shkollën ku të rinjve të kësaj ane ua mësonte shkrimin dhe sjelljen e mire.

1641, famullitari i Janjevës, sipas relacionit të Gj. Bardhit, po i mësonte 5 djelmosha, të cilët përgatiteshin për meshtar.

1651, P. Bogdani për nxënësit e shkollës së Janjevës kërkon libra në gjuhën shqipe.

1664, arqipeshkvi Andrea Bogdani i është drejtuar Kongregatës së Propagandës  nga Janjeva, ku e kishte edhe rezidencën, me ç’rast e propozon Pjetër Mazrrekun si mësues të shkollës së vendit (gjë kjo që aprovohet vitin pasues). Atëherë, ky (prizrenasi P. Mazrreku, kushëriri i Andreas, i cili sapo kishte kryer studimet në kolegjin ilirik të Loretos në Itali), nëpër Dubrovnik u kthye në Janjevë, ku qysh në vitin e ardhshëm (1665), filloi t’i mësonte fëmijët katolikë.

Më 25 qershor 1666, Pjetër Mazrreku njofton Kongregatën se me plot entuziazëm punon në shkollë dhe me ndërgjegje kryen detyrën që i është besuar. Për ndërtesë qe zgjedhur shtëpia e Andrea Bogdanit. Nga shkolla e Janjevës, e kësaj kohe, kanë dalë edhe Lukë Bogdani e Lekë Suma.

1669-1670, shkollë shqipe hapet edhe në Himarë.

1698, një shkollë shqipe është hapur në Shkodër, të cilën e themeloi P. Filipi, françeskan i Shkodrës. Këtë shkollë e vijonin fëmijët e tregtarëve dhe të të pasurve të tjerë. Këtu, pos tjerash, nxënësit mësonin edhe gjuhën shqipe.

Pas vitit 1700, priftërinjtë françeskanë organizuan mësimin shqip për fëmijët edhe në Zym, Pejë e Gjakovë. Për shkollat e mëhershme shqipe të këtyre anëve flasin edhe të dhënat e mëvonshme. Kështu, p.sh. të dhënat e vitit 1840, flasin për shkollat e mëhershme shqipe të Pejës e Gjakovës etj., etj.

Shkollat e hershme shqipe – shkolla tipike kombëtare shqipe

Shkollat e hershme shqipe ishin fryt i nivelit të mëhershëm arsimor shqiptar, fryt i idealeve e vetëdijes së lartë kombëtare dhe i ngulmimit të shqiptarëve për emancipim dhe për mbrojtjen e kultivimin e vlerave të identitetit kombëtar.

Buzuku, librin, siç shprehet në pasthënie, ndër të tjera, e shkruan edhe “nga dashuria që ndjente për bashkatdhetarët për të ndritur mendjet e tyre” (F. Hoxha). Arsimimin e popullit dhe përhapjen e diturive në vend, në gjuhën amtare, ai e shpall si një nga detyrat e para dhe më të rëndësishme të momentit (Z. Xholi).

Motivet që e shtyjnë Matrëngën ta përkthejë veprën në gjuhën shqipe ishin: të mësohet doktrina e krishterë nga fëmijët shqiptarë dhe të mësohet "në gjuhën amtare arbëreshe" (M. Hysa).

Budi shpreh idenë e mësimit dhe predikimit në gjuhën shqipe, por edhe kërkesën për shkrimin e gjuhës shqipe dhe përhapjen e arsimit e diturisë në gjuhën shqipe (Z. Xholi) etj. Ai “ankohet se për klerin shqiptar s'ka shkolla e kolegje, si ndodh me kombet e tjera që "mbahenë ndë shintet fe e i kanë sod e këtë ditë i sicilli shkollënë e kolegjënë e vet, ke zanë e nçelnjënë sytë, për ndimë të patriesë e të dheut të vet" (His.e let. shq. I-II, 1968, f. 166; F. Hoxha) dhe se çeljen e shkollave ai e kërkon në emër të "patries" e të "dheut të vet" (Z. Xholi).

F. Bardhi shpreh shqetësimin për paditurinë e popullit dhe mungesën e shkollës shqipe (Z. Xholi). Ai, si thuhet, u përpoq plot zell "…për edukimin e lartësimin shpirtëror të besimtarëve, në të cilin ndërthureshin pazgjidhshmërisht feja dhe kombi, synimet fetare për shpëtimin e shpirtrave me ato laike për çlirimin e atdheut nga pushtuesi i huaj…" (Z. Xholi).

P. Bogdani, një prej prekursorëve të shekullit të dritave edhe në Shqipëri, siç thotë Z. Xholi, shtron çështjen e zhvillimit të diturisë përmes gjuhës shqipe ("të mos lame dijenë e gjuhën e dheut me u dvarunë" (M. Hysa). Bogdani ishte për gjuhën dhe diturinë në gjuhën kombëtare (Z. Xholi) ashtu si thoshte ai, "posi lufton gjithë dheu e shekulli për të vet…" (Z. Xholi).

Idetë dhe qëllimet e autorëve të hershëm ishin si ato të rilindësve (më vonë) për mbrojtjen e shqipes nga zhdukja, kultivimin e zhvillimin e saj, mësimin shqip, zhvillimin e arsimit kombëtar, dëshirën për të hyrë në rrugën e popujve të përparuar, përpjekjen për mbrojtjen e identitetit kombëtar, formimin e ndërgjegjës kombëtare etj.

Për shkollat e hershme shqipe u krijuan edhe tekstet e ndryshme shqipe, si fjalorë, gramatika etj., të cilat dëshmojnë jo vetëm vetëdijen e lartë kombëtare shqiptare, ngulmimin e shqiptarëve për emancipimin dhe mbrojtjen e kultivimin e vlerave të identitetit kombëtar, në kohën kur këto vlera ishin rrezikuar tepër shumë, por edhe ekzistencën, veprimtarinë dhe nivelin e lakmueshëm të shkollës së hershme shqipe.

Të përmendim këtu vetëm dukurinë e përdorimit të gjerë të veprës së Budit, jo vetëm në veri, po edhe në jug të vendit, dukurinë e përdorimit të Fjalorit të F. Bardhit, vepër kjo e ngjashme me ato të Akademisë Franceze të kohës, ose dukurinë e veprës së P. Bogdanit, e cila sillte dije të fushave të ndryshme, të cilat edhe sot janë të pakontestueshme.

Shkollat e hershme shqipe punuan në rrethana shumë të vështira. Pushtuesi osman i mbyllte shkollat shqipe, sepse ishin shkolla kombëtare dhe në kundërshtim me synimet e tij. Duke qenë shprehje e luftës së popullit shqiptar për emancipim dhe mbrojtje e zhvillim të vlerave të identitetit kombëtar, në një kohë të përpjekjes së pushtuesit osman (dhe jo vetëm të tij), për asimilimin e shqiptarëve, ndaj shkollës shqipe u ndërmorën sulmet më barbare. Kështu, p.sh. pushtuesi osman ndërhyri me forca ushtarake për të mbyllur e shembur shkollën e Kurbinit e të Blinishtit vetëm se aty mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe (Sh. Osmani).

Shkollat e hershme shqipe kishin edhe karakter fetar. Ato kishin edhe lëndë fetare dhe në to përdoreshin edhe tekste me përmbajtje fetare. Ishte ajo kohë kur konceptet gjuhë, fe, atdhe, ishin të pandara.

Por, pikëpamjet fetare, veçanërisht pikëpamjet biblike për lirinë dhe gjuhën kombëtare nuk pengonin arsimin kombëtar. Përkundrazi, këto pikëpamje kanë frymëzuar përpjekjen për vlerat e identitetit kombëtar, sidomos gjuhën kombëtare, siç kanë pasur ndikim të pamohueshëm në krijimin e gjithë gjuhëve të njësuara të popujve të Evropës. Në anën tjetër, në ato rrethana, përmbajtja e krishterë e programeve e teksteve shkollore, paraqiste një identitet me rëndësi të vendit dhe merrte edhe konotacione të rëndësishme politike kombëtare, në raport me pushtuesin.

Shkollat shqipe gjatë Rilindjes

Gjatë Rilindjes, dihet se shkolla shqipe u hapën në Shqipëri, si dhe jashtë, nga të mërguarit shqiptarë.

Kështu, më 1843, pohohet se, dashamiri i diturisë, Thimi Mitko, rindërton shkollën e shembur të Korçës. Nëse i besojmë pohimit, sipas të cilit, Th. Mitko, më 1845, miqësohet me drejtorin e shkollës së Korçës, Kolë Jorgji Nikolin, atëherë mund të pohojmë se në këtë kohë shkolla shqipe e Korçës po funksiononte.

1846, si dhe më tutje, dëshmohet veprimtaria e shkollës shqipe të Stubllës.

Nga relacionet e kohës, dërguar Kongregatës së Propagandës, kuptojmë se në vitin 1865, vepronte shkolla shqipe në Gjakovë, të cilën e udhëhiqnin priftërinjtë edhe atë falas, kurse në vitin 1866, në Pejë, është blerë një shtëpi e veçantë për shkollën katolike etj.

1872, sipas një raporti të argjipeshkvit D. Bucciarrellit, dëshmohet se në Prizren ka vepruar shkolla katolike për fëmijët e rrethinës. Shkolla kishte 30 nxënës. Argjipeshkvi përmend edhe faktin se shkolla ishte restauruar më 1866, që tregon se shkolla kishte filluar punën e saj shumë kohë para vitit 1872.

1884, argjipeshkvi F. Carev shpalli dekret për hapjen e shkollës së veçantë për femra në Prizren. Por, kjo shkollë pati jetë të shkurtër, sepse e mbylli pushteti osman.

1880, sipas shënimeve të sigurta, në Zym, vend në të cilin me shekuj kanë jetuar françeskanët, ekzistonte një shkollë shqipe me katër klasë, në të cilën mësoheshin të gjitha lëndët e atëhershme, ndërsa në fund të vitit shkollor nxënësit merrnin dëftesa.

Që nga viti 1880, pranë kishës, një shkollë e ngjashme ka ekzistuar edhe në Shkup, të cilën qeveria osmane e mbyllte shpesh, por me intervenimin e konsullatës së Austro-Hungarisë, ajo hapej përsëri. Thuhet se ka punuar gjithmonë me përbërje të mirë, ndërsa i grumbullonte të gjithë fëmijët katolikë, djem e vajza.

Më 7 mars 1887, u hap një shkollë shqipe në Korçë, kurse më 1889, nga Mati Logoreci, u hap një shkollë kombëtare shqipe në Prizren.

Korçë, më 23 tetor 1891, u hap Shkolla Shqipe e Vajzave, më 1908, një shkollë shqipe për djem dhe një shkollë shqipe për vajza, më 1909, një shkollë shqipe për djem (H. Myzyri), kurse më 1909, u hap shkolla e parë e mesme shqipe, Normalja e Elbasanit etj.

Shkolla shqipe u hapen edhe prej arbëreshëve të Italisë e të Greqisë.

Katedra e gjuhës shqipe, pranë Kolegjit të Shën Adrianit, u hap nga De Rada, ku, ai, gjatë viteve 1849-52, dha mësimet e gjuhës shqipe, si edhe në periudhat e mëvonshme.

Para vitit 1880, arbëreshi i Greqisë, P. Kupitori, hapi në Athinë një shkollë shqipe të natës. Në Bukuresht të Rumanisë, më 10 maj 1892, u hap Shkolla Normale në gjuhën shqipe. Etj.

Trajtimi i Shkollës Shqipe të Korçës (1887)

Prej të gjitha shkollave të njohura shqipe, duke marrë parasysh edhe shkollat shqipe të Rilindjes, më së shumti është çmuar Shkolla Shqipe e Korçës, e hapur më 7 mars 1887.

P. O. lejoi hapjen e saj në emër të kërkesës së ortodoksve shqiptarë dhe për nevojat e fëmijëve të tyre. Shqiptarët e besimit islam, siç dihet, për shkak të identifikimit fetar të tyre me pushtuesin, konsideroheshin turq, dhe nuk kishin të drejtë të kërkonin e të hapnin shkolla në gjuhën shqipe. Përmbajtjet mësimore të Shkollës Shqipe të Korçës, të hapur më 7 mars 1887, nuk kanë qenë të çliruara nga përmbajtjet fetare.

Nga historianët e arsimit shqiptar, Shkolla Shqipe e Korçës, e hapur më 7 mars 1887, është cilësuar, si: ”E para shkollë shqipe…” (Hist.let I-II, f. 278), ku “u futën për të parën herë si lëndë mësimore gjuha shqipe (lexim, shkrim, vjershë, gramatikë, abetare…”; ”Shembulli i parë i shkollës laike”, e para shkollë kombëtare shqiptare laike dhe e pavarur nga kleri, shkolla jonë e parë laike, për nxënës të të gjitha besimeve, sekseve dhe shtresave popullore dhe demokratike, ku mësimi jepej falas; e para shkollë fillore kombëtare, institucion kombëtar, si nga përmbajtja ashtu dhe nga forma, shkollë shqipe ku jo vetëm mësohet shqip, po edhe shkolla e parë, në kuptimin e një shkolle të mirëfilltë kombëtare, model për shkollat shqiptare që do të ngriheshin më vonë (Sh. Osmani); shkollë legale, e njohur nga pushteti, kurse mësuesi dhe drejtori i saj i parë, Pandeli Sotiri, “ i pari mësues i të parës shkollë shqipe” His.let I-II, f. 279/ dhe drejtor i së parës shkollë kombëtare shqiptare (Sh. Osmani) etj.

Duke konsideruar si shkollë të parë shqipe, ditën e hapjes së Shkollës Shqipe të Korçës, të 7 marsit 1887, Presidiumi i Kuvendit Popullor të RPSH-së, me vendimin nr. 113, dt. 3.III.1960, e ka shpallur 7 marsin festë zyrtare të arsimit kombëtar shqiptar, të njohur si Dita e Mësuesit (Sh.Osmani).

Mirëpo, a është Shkolla Shqipe e Korçës, e hapur më 7 mars 1887, si thuhet, shkolla e parë shqipe, shkolla e parë kombëtare shqipe (laike)…?

Një vlerësim i njëanshëm i historisë së arsimit kombëtar

Nëse marrim parasysh ekzistencën e gjithë atyre shkollave të shumta të njohura shqipe dhe të atyre që mund të mos i njohim, për shkak të zhdukjes së dëshmive, si edhe qëndrimin e njëanshëm, apo qëndrimet e dyfishta: qëndrimin mohues për shkollat e hershme dhe qëndrimit pohues, për shkollat e mëvonshme, atëherë mund të thuhet se shkolla shqipe e Korçës, e hapur më 1887, nuk është shkolla e parë shqipe.

Kjo nuk është shkolla e parë shqipe, ku u mësua shqipja dhe ku lëndët u mësuan shqip, sepse, siç mund të shihet nga shembujt e shumtë, mësimi i shqipes (shkrim, lexim, vjershë, gramatikë) dhe mësimi në gjuhën shqipe është bërë në shkollat e shumta shqipe të shekujve të mëhershëm, madje edhe në vetë Korçën.

Faktet e mësipërme, sipas së cilave provohet që shkolla shqipe e Korçës, e hapur më 7 mars 1887, të quhet shkolla e parë shqipe me karakter kombëtar, nuk e dallojnë dhe as e bëjnë atë më kombëtare, në krahasim me shkollat e mëhershme shqipe, dhe as janë fakte të qëndrueshme për të shquar kombëtaritetin e saj.

Shkollat shqipe, të hapura para asaj të Korçës, më 7 mars 1887, ishin të preokupuara me kërkesat kryesore të një shkolle kombëtare, si ideali i arsimit kombëtar shqip, zhvillimi i arsimit kombëtar dhe ruajtja e kultivimi i vlerave të identitetit kombëtar. Ato ishin shkolla që i kërkonin vetë shqiptarët. Nxënësit dhe mësuesit ishin shqiptarë, tekstet e shqiptarëve. Në to mësohej shqipja, si përbërës kryesor i identitetit shqiptar, dhe si gjuhë mësimi.

Mohimi i kombëtaritetit të shkollës së hershme shqipe, shkaku i pranisë së teologjisë, në plan-programet e tyre, gjithashtu nuk paraqet kurrfarë arsyetimi.

Karakteri kombëtar shkollës nuk mund t’i mohohet për shkak të mësimit të lëndës fetare. Në shkollat kombëtare janë mësuar e mësohen gjuhët e huaja, historia, kultura dhe artet e të tjerëve etj., por askush, për këtë, nuk i ka konsideruar, as i konsideron  shkolla jokombëtare.

Shkollat evropiane kanë pasur të gjitha edhe teologji, në kuadër të tyre, por kjo nuk ka qenë kurrë shkas i mohimit të kombëtaritetit të tyre. Pikërisht kjo komponentë, prania e lëndës fetare në plan-programet e tyre, shkollave të hershme shqipe ua ka dhënë edhe fizionominë evropiane. Madje, siç është thënë edhe më parë, lidhur me shkollat e hershme shqipe, mësimet dhe porositë e krishtera (biblike), ashtu si në gjithë botën e krishterë, nuk kanë penguar, përkundrazi, ato kanë frymëzuar luftën për vlerat e identitetit kombëtar, veçmas gjuhës.

Shkolla Shqipe e Korçës, e hapur më 7 mars 1887, nuk ka pasur tërësisht karakter jofetar, që të quhet shkollë laike, ashtu siç është cilësuar vazhdimisht. Ajo u hap në emër të kërkesës së ortodoksëve shqiptarë dhe për nevojat e fëmijëve të tyre, kurse plan-programi i saj nuk ka qenë tërësisht jofetar.

Dihet, gjithashtu, se as disa shkolla të tjera shqipe të Rilindjes, pas asaj të Korçës, të hapur më 7 mars 1887, të cilësuara si laike, nuk ishin shkolla jofetare.

Shkolla Shqipe e Vajzave e Korçës, e hapur më 23 tetor 1891, financohej dhe ishte nën patronatin e misionit protestant amerikan. Drejtuesja e shkollës, Sevasti Qiriazit (Dako) dhe mësuesja e saj, Parasqevi Qiriazi, ishin protestante, kurse në përmbajtjet e saj, përveç tjerash, kishte edhe lëndë fetare. Megjithatë, kjo është vlerësuar si shkollë kombëtare.

Në Normalen e Elbasanit (1909), mësoheshin edhe lëndët (fetare): fe myslimane, të cilën e jipte Hafiz Ibrahim Dalliu dhe fe e krishterë, të cilën e jipte Petër Dodbiba. Por, për këtë, Normalen e Elbasanit, askush nuk e quajti shkollë jokombëtare. Përkundrazi, me të drejtë, ajo u quajt gjithnjë shkollë kombëtare (“e para shkollë e mesme shqipe, Normalja e Elbasanit…” (His.let I-II, f. 279); “e para shkollë e mesme kombëtare në Shqipëri…” etj.), (Sh. Osmani) etj.

Tani, në bazë të asaj që u tha gjer këtu, nuk dihet shkaku pse një qëndrim tjetër u mbajt ndaj shkollës shqipe të Korçës, të hapur më 7 mars 1887, duke e quajtur shkollë të parë kombëtare shqipe, në krahasim me shkollat shqipe të hapura para saj, ndonëse kishin karakter të njëjtë.

Vlerësimi i Shkollës Shqipe të Korçës (7 mars 1887), si shkolla e parë kombëtare shqipe, ndonjëherë, është provuar të theksohet duke marrë për bazë edhe lejen dhe zyrtarizimin e saj nga P.O. Por, as ky nuk është kurrfarë argumenti.

Leja dhe njohja zyrtare nga pushtuesi osman, sipas së cilës u hap shkolla shqipe e Korçës, më 7 mars 1887, nuk paraqet ndonjë peshë me rëndësi, në krahasim me shkollën kombëtare, e cila lindi nga idealet dhe përpjekjet kombëtare të popullit shqiptar. Në rrethanat e robërisë, jo veç si në ato të mëhershmet (shek. XVI-XVII), po edhe si në ato të kohës së hapjes së Shkollës Shqipe të Korçës, më 7 mars 1887, jo leja dhe njohja zyrtare nga pushtuesi, po pikërisht mungesa e tyre, paraqet esencën e shkollës kombëtare.

Faktet e njohura të historisë së arsimit tonë kombëtar, dëshmojnë, pa dyshim, se shqiptarët nuk kanë një mungesë të traditës së arsimit kombëtar shqip, apo një traditë të re, diku rreth 120-vjeçare, siç është bërë traditë të thuhet, po një traditë shumë të vjetër, e cila ka filluar shekuj më parë.

Prandaj, mund të përfundohet  se mungesa e njohjes, dhe aq më tepër këndvështrimi i njëanshëm, ideologjik, e ka cënuar keq historinë shqiptare, në përgjithësi, dhe historinë e arsimit kombëtar shqip, në veçanti. 

(FUSNOTAT JANË HEQUR).

Zemra Shqiptare, 27.05.2011