Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mark Berisha: Likuidimi politik i të krishterëve në Kosovë

| E merkure, 25.05.2011, 07:00 PM |


Likuidimi politik i të krishterëve në Kosovë

 

Nga Mark Berisha

 

A ka shqiptarë të besimit katolik në Kosovë?

 

Ja që përfundoi edhe procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë. I pari pas 30 vitesh. Pritjet janë që ky regjistrim, pos të dhënave dhe statistikave tjera, të nxjerr në pah se në Kosovë jetojnë edhe 3-5 % të shqiptarëve që i përkasin besimit katolik. Përqindjet janë të rëndësishme në shumë aspekte. Ndër to edhe të pjesëmarrjes në proceset shoqërore. Në 20 vitet e kaluara pjestarët e këtij besimi në Kosovë, e që ka dy mijë vite që ,,me fajin e tyre'' vazhdojnë të lindin, frymojnë, jetojnë dhe vdesin shqip-dhe vetëm shqip, kanë dhënë kontributin e tyre më shumë se modest në zhvillimet mbarëkombëtare. Të përkujtojmë emrat e Anton Çettës, Mark Krasniqit, Engjëll Berishës, Kolë Berishës, Gjergj Dedajt, Zef Morinës, e shumë të tjerëve si këta. Ky angazhim nuk do duhej injoruar, nënçmuar dhe harruar nga ata që sot udhëheqin me shtetin e Kosovës, që çdo ditë e më tepër po i përngjan ,,Laden-istanit''. Athua pse?

 

Nga është Evropa për Hashim ,,Begun''?

 

Në hartën e politikajve të qeverisë aktuale të Kosovës duket se ka pasur një lëvizje globi. Përderisa ata betohen se jemi popull evropian dhe se bazohemi në keto vlera, në të njëjtën kohë Kryeministri Hashim ,,Beg'' Thaqi e quan popullin turk ,,popull vlla''!! Hapu tokë të hyjmë brenda!. Unë që jam rritur me bindjen se për mua vllezër janë të gjithë shqiptarët e gjakut dhe gjuhës sime kudo që janë në botë dhe jo turqit, po çuditem se kur kështu u vllazëruam me ta. Duket se për dikë dashuria ndaj tyre është ,,dashuri në shikim të dytë'' pasi që për 500 vite na mbajtën fort ,,në gji''. Kjo se na deshën më shumë se shumë. Sa për mua, Thaqi ja paftë hajrin ,,vllaznillakut me turqit'', por do të ishte mirë që ta marrë vesh se rruga ime nuk shpie në Stamboll. Në të njëtën kohë ai mban fjalime retorike në çdo takim me pjesën tjetër të botës, duke u betuar se njëanshëm kemi filluar implementimin e kritereve për integrimet evro-atlantike. Vetëm se ai do duhej ta dijë se në perëndim ende lexohen gazetat që sjellin lajme për rikthimin e otomaneve tek ,,vllezërit e vet'' që as vetë nuk e kanë ditur se i paskan pasur vllezër. Përndyshe nuk do i ndiqnin, digjnin dhe vritnin pa mëshirë për gjysmë mileniumi.

 

Me Partinë e Drejtësisë në Bruksel

 

Sot u bënë të ditur edhe emrat e Zëvendës-Ministrave të Ministrive të Kosovës. Nëse analizohet me kujdes lista, në to gjen serbë, malazezë, boshjakë, goranë, turqë por edhe romë, egjiptas dhe ashkali. Me e pa parti. Por, në këtë listë, si dhe në atë të Ministrave apo Sekretarëve Permanentë nuk gjen as dhe një të vetëm shqiptar të besimit katolik. Çudi, ë? Apo jo dhe aq!? Ama bash kështu nuk kanë bërë as dhe vet turqit kur qeverisen me Kosovën në 5 shekujt e kaluar. Ata ishin aq kërkues dhe ,,kooperues'' sa të gjenin ndonjë katolik ,,kaurr'' që, së paku në viset ku kishte koncentrim më të madh të kësaj pjesë të popullsisë, ata të qeveriseshin nga liderët e tyre lokal. Por, pse në tërë këtë aparat dhe sistem qeveritar nuk u gjet asnjë shqiptar katolik i mjaft i ,,knueshëm'' këtë nuk po e marr vesh as unë si kombëtar e as amerikanët, italianët apo gjermanët si ndërkombëtar. A ka kohë të përmirësohet ty turp: le ta mendojnë bashkë Hashim ,,Begu'', Hajredin ,,Pasha'' dhe ,,Mulla'' Memli. Apo dhe të tjerët ...

 

Për fund

 

Nëse mendohet që duke ndarë pushtetin me Partinë e Drejtësisë, dhe duke eleminuar dhe likuiduar politikisht Partinë Shqiptare Demokristiane të Kosovës, si përfaqësuese politike e këtij trungu shqiptar në skenën e diskursit kosovar do të arrihet në Evropë, do të zgjënjemi thellë. Unë jam i vetëdijshëm se ky qëndrim radikal i Hashim ,,Begut'' nuk përkrahet nga bashkëkombasit e mij të besimit islam. Jam thellë i bindur se, edhe pse Gjergj Kastrioti-Skderbeu dhe Nënë Tereza, dy simbolet tona më të mëdha kombëtare, lindën dhe vdiqën si të krishterë, ata nderohen njëjtë nga shqiptarët e të gjitha besimeve. Pos atyre që e nisin ditën me fjalët:-Pasha popullin tim vlla turk!?